Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?»

«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?»

«Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet?»MAT. 24:45.

1, 2. Me anë të cilit kanal na ushqen sot Jezui dhe pse është jetësore ta dallojmë dhe ta pranojmë atë?

«VËLLEZËR, as që mund t’i numëroj rastet kur kam marrë në dorë prej jush artikuj të cilët përmbanin pikërisht atë që më duhej dhe në momentin kur kisha më tepër nevojë për ta.» Kështu e shprehu mirënjohjen një motër në një letër drejtuar vëllezërve që punojnë në selinë tonë botërore. A mund të bashkohesh me ndjenjat e saj? Shumë prej nesh, po. A na befason kjo? Jo dhe aq.

2 Ky ushqim frymor që marrim në kohën e duhur është provë se Jezui, Kreu i kongregacionit, po e mban fjalën që do të na ushqejë. Përmes kujt po e bën këtë? Kur dha shenjën e pranisë së tij, Jezui tha se do të përdorte ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’, për t’u dhënë «ushqim në kohën e duhur» shërbëtorëve të shtëpisë së vet. * (Lexo Mateun 24:45-47.) Ky skllav i besueshëm është kanali përmes të cilit Jezui po ushqen dishepujt e tij të vërtetë në këto ditë të fundit. Është jetësore ta dallojmë skllavin e besueshëm dhe ta pranojmë atë. Nga ky kanal varet shëndeti ynë frymor dhe marrëdhënia me Perëndinë.Mat. 4:4; Gjoni 17:3.

3. Si shpjegohej në botimet tona ilustrimi i skllavit të besueshëm?

3 Atëherë, si duhet ta kuptojmë ilustrimin e Jezuit për skllavin e besueshëm? Në të kaluarën, botimet tona e shpjegonin kështu: në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jezui emëroi skllavin e besueshëm mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet. Që atëherë, ky skllav përfaqësonte të gjithë të krishterët e mirosur që ndodheshin në tokë si një grup në një periudhë të veçantë. Shërbëtorët e shtëpisë përfaqësonin po ata të mirosur, por si individë. Më 1919, Jezui emëroi skllavin e besueshëm «mbi gjithë zotërimet e veta», gjithë interesat tokësore të Mbretërisë. Megjithatë, nga një  shqyrtim i mëtejshëm bashkë me meditimin me anë të lutjes e pamë të nevojshme të sqarojmë kuptueshmërinë e fjalëve të Jezuit për skllavin e besueshëm dhe të matur. (Prov. 4:18) Le të shqyrtojmë ilustrimin dhe lidhjen që ka me ne, qofshim me shpresë qiellore a tokësore.

KUR PLOTËSOHET ILUSTRIMI?

4-6. Pse mund të arrijmë në përfundimin se ilustrimi i Jezuit për skllavin e besueshëm filloi të plotësohej vetëm pas vitit 1914?

4 Konteksti i ilustrimit të skllavit të besueshëm dhe të matur tregon se filloi të plotësohej në këto ditë të fundit, jo në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Le të shohim se si na ndihmojnë Shkrimet të arrijmë në këtë përfundim.

5 Ilustrimi i skllavit të besueshëm është pjesë e profecisë së Jezuit për ‘shenjën e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’. (Mat. 24:3) Pjesa e parë e profecisë, e regjistruar te Mateu 24:4-22, ka dy përmbushje—e para nga viti 33 i e.s. deri në vitin 70 të e.s. dhe e dyta me shtrirje më të gjerë, që vazhdon gjer në ditët tona. A do të thotë kjo se edhe fjalët e Jezuit për skllavin e besueshëm do të kenë dy përmbushje? Jo.

6 Duke nisur nga vargu 29 i kapitullit 24 të Mateut, Jezui u përqendrua kryesisht në ngjarje që do të ndodhin në ditët tona. (Lexo Mateun 24:30, 42, 44.) Duke folur për atë çka do të ndodhë gjatë shtrëngimit të madh, ai tha se njerëzit «do të shohin Birin e njeriut që do të vijë në retë e qiellit». * Më pas, ata që do të ishin gjallë gjatë ditëve të fundit, Jezui i nxiti të qëndronin vigjilentë me fjalët: «Sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj» dhe «Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni». Pra, Jezui dha ilustrimin e skllavit të besueshëm në këtë kontekst, kur po fliste për ngjarjet që do të ndodhnin në ditët e fundit. Prandaj, mund të nxjerrim përfundimin se fjalët e tij për skllavin e besueshëm filluan të përmbusheshin vetëm pasi filluan ditët e fundit, më 1914. Një përfundim i tillë ka kuptim. Pse themi kështu?

7. Cila pyetje jetësore u ngrit teksa filloi koha e korrjes dhe pse?

7 Të mendojmë pak për pyetjen: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur?» Në shekullin e parë kjo do të ishte një pyetje e kotë. Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, për të provuar se kishin mbështetjen hyjnore, apostujt mund të bënin mrekulli, madje t’ua kalonin edhe të tjerëve dhuratat e mrekullueshme. (Vep. 5:12) Kështu, askush s’kishte pse të pyeste se kë kishte emëruar vërtet Krishti për të marrë drejtimin. Megjithatë, më 1914, situata ishte shumë më ndryshe. Koha e korrjes filloi atë vit. Më në fund, kishte ardhur koha për t’i ndarë egjrat nga gruri. (Mat. 13:36-43) Teksa filloi korrja, u ngrit një pyetje jetësore: me aq shumë të krishterë të shtirur që pohonin se ishin dishepuj të vërtetë të Jezuit, si mund të dallohej gruri, pra, të krishterët e mirosur? Përgjigjja gjendet tek ilustrimi i skllavit të besueshëm. Ata që do të ishin të ushqyer mirë frymësisht do të ishin dishepujt e mirosur të Krishtit.

KUSH ËSHTË SKLLAVI I BESUESHËM DHE I MATUR?

8. Pse është me vend që skllavi i besueshëm të përbëhet nga të krishterët e mirosur?

8 Patjetër që skllavi i besueshëm duhet të përbëhet nga të krishterë të mirosur në tokë. Këta janë quajtur «priftëri mbretërore» dhe janë caktuar ‘të shpallin kudo virtytet e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjet. 2:9) Është me vend që pjesëtarët e ‘priftërisë mbretërore’ të marrin pjesë drejtpërdrejt në mësimin e së vërtetës bashkëbesimtarëve.Mal. 2:7; Zbul. 12:17.

9. A janë të gjithë të mirosurit në tokë pjesë e skllavit të besueshëm? Shpjegoni.

 9 A janë të gjithë të mirosurit në tokë pjesë e skllavit të besueshëm? Jo. Faktikisht, jo të gjithë të mirosurit përfshihen në dhënien e ushqimit frymor bashkëbesimtarëve anembanë botës. Në mes të grurit janë vëllezërit e mirosur që mund të shërbejnë si shërbëtorë ndihmës a pleq në kongregacionin vendës. Ata mësojnë nga shtëpia në shtëpi dhe në kongregacion, si edhe mbështetin me besnikëri drejtimin që marrin nga selia botërore. Por, nuk përfshihen në dhënien e ushqimit frymor vëllazërisë mbarëbotërore. Gjithashtu, mes të mirosurve ka edhe motra të përulura që as e çojnë nëpër mend të marrin rolin e mësuesve në kongregacion.1 Kor. 11:3; 14:34.

10. Kush është skllavi i besueshëm dhe i matur?

10 Atëherë, kush është skllavi i besueshëm dhe i matur? Në përputhje me metodën që përdori Jezui për të ushqyer një shumicë nga duart e një pakice, ky skllav përbëhet nga një grup i vogël vëllezërish të mirosur të cilët janë përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen dhe në dhënien e ushqimit frymor gjatë pranisë së Krishtit. Gjatë ditëve të fundit, vëllezërit e mirosur që përbëjnë skllavin e besueshëm kanë shërbyer së bashku në selinë botërore. Në dekadat e fundit, ky skllav ka qenë Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. Megjithatë, vini re se fjala ‘skllav’ në ilustrimin e Jezuit është në njëjës, duke treguar se ky është një skllav i përbërë. Kështu, vendimet e Trupit Udhëheqës merren si grup.

CILËT JANË SHËRBËTORËT E SHTËPISË?

11, 12. (a) Cilat janë dy emërimet që merr skllavi i besueshëm dhe i matur? (b) Kur e emëron Jezui skllavin e besueshëm mbi shërbëtorët e shtëpisë, dhe cilët zgjodhi?

11 Vlen të përmendet se në ilustrimin e Jezuit, skllavi i besueshëm dhe i matur merr dy emërime të ndryshme. I pari është mbi shërbëtorët e shtëpisë, i dyti mbi të gjitha zotërimet e zotërisë. Ngaqë ilustrimi plotësohet vetëm në këtë kohë të fundit, të dy emërimet do të merreshin pas fillimit të pranisë së Jezuit si mbret në fuqi, më 1914.

12 Kur e emëroi Jezui skllavin e besueshëm mbi shërbëtorët e shtëpisë? Për të marrë përgjigjen, duhet të kthehemi pas në vitin 1914, kur filloi koha e korrjes. Si kemi mësuar më parë, në atë kohë, shumë  grupe pretendonin se ishin të krishterë. Prej cilit grup do të zgjidhte dhe do të emëronte Jezui skllavin e besueshëm? Kësaj pyetjeje iu dha përgjigje pasi ai dhe Ati i tij erdhën dhe hetuan tempullin, ose rregullimin frymor për adhurimin, që nga 1914-a deri në fillim të 1919-s. * (Mal. 3:1) Ata u kënaqën me një grup të vogël të Studentëve besnikë të Biblës, që treguan se e kishin për zemër Jehovain dhe Fjalën e tij. Pa dyshim, kishin nevojë të pastroheshin, por e pranuan me përulësi ndreqjen gjatë një periudhe të shkurtër sprovash dhe rafinimi. (Mal. 3:2-4) Ata Studentë të besueshëm të Biblës ishin gruri i krishterë i vërtetë. Më 1919, një kohë rimëkëmbjeje frymore, Jezui zgjodhi prej tyre vëllezër të mirosur të zotë që të ishin skllavi i besueshëm dhe i matur e i emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së tij.

13. Cilët përfshihen te shërbëtorët e shtëpisë dhe pse?

13 Atëherë, cilët janë shërbëtorët e shtëpisë? Thjesht, ata që ushqehen. Në fillim të ditëve të fundit, të gjithë shërbëtorët e shtëpisë ishin të mirosur. Më vonë, shërbëtorëve të shtëpisë iu shtua edhe shumica e madhe e deleve të tjera. Tani, pjesa dërrmuese e ‘kopesë së vetme’ nën drejtimin e Jezuit përbëhet nga delet e tjera. (Gjoni 10:16) Të dy grupet nxjerrin dobi nga i njëjti ushqim frymor në kohën e duhur që jep skllavi i besueshëm. Ç’mund të themi për anëtarët e Trupit Udhëheqës, të cilët përbëjnë skllavin e besueshëm dhe të matur sot? Edhe këta vëllezër kanë nevojë të ushqehen frymësisht. Kështu, me përulësi pranojnë se si individë janë ndër shërbëtorët e shtëpisë, si gjithë dishepujt e tjerë të vërtetë të Jezuit.

Pavarësisht nga shpresa qiellore apo tokësore, të gjithë jemi shërbëtorë të shtëpisë dhe kemi nevojë për të njëjtin ushqim frymor në kohën e duhur

14. (a) Me ç’përgjegjësi është ngarkuar skllavi i besueshëm, dhe çfarë përfshin kjo? (b) Ç’paralajmërim i dha Jezui skllavit të besueshëm dhe të matur? (Shih kutinë «Sikur ai skllav të ishte i lig . . . ».)

14 Përgjegjësia që i dha Jezui skllavit të besueshëm dhe të matur ishte me peshë. Në kohët biblike, një skllav i besuar, ose një kujdestar, ishte administruesi i shtëpisë. (Luka 12:42) Skllavi i besueshëm dhe i matur është ngarkuar me përgjegjësinë për të administruar shtëpinë e besimit. Kjo përfshin mbikëqyrjen e të mirave materiale, veprën e predikimit, programet për asambletë e kongreset dhe botimin e literaturës biblike për ta përdorur në shërbim, si edhe gjatë studimit personal dhe në kongregacion. Të gjitha sigurimet  frymore nga skllavi i përbërë janë jetësore për shërbëtorët e shtëpisë.

EMËROHET MBI GJITHË ZOTËRIMET E ZOTËRISËKUR?

15, 16. Kur e emëron Jezui skllavin e besueshëm mbi gjithë zotërimet e tij?

15 Kur e bën Jezui emërimin e dytë «mbi gjithë zotërimet e veta»? Jezui tha: «Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të vijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e veta.» (Mat. 24:46, 47) Vini re se Jezui e bën emërimin e dytë pasi të vijë dhe ta gjejë skllavin «duke bërë kështu», domethënë, duke dhënë ushqim frymor me besnikëri. Kështu, do të ketë një interval midis të dy emërimeve. Për të kuptuar si dhe kur e emëron Jezui skllavin mbi gjithë zotërimet, duhet të dimë dy gjëra: kur vjen ai dhe çfarë përfshijnë zotërimet e tij.

16 Kur vjen Jezui? Përgjigjja gjendet në kontekst. Sillni ndër mend se në vargjet e mëparshme kur flitet për ‘ardhjen’ e Jezuit, kjo fjalë i referohet kohës kur ai vjen që të shpallë dhe të ekzekutojë gjykimin në fund të këtij sistemi. * (Mat. 24:30, 42, 44) Prandaj, ‘ardhja’ e Jezuit e përmendur në ilustrimin e skllavit të besueshëm ndodh gjatë shtrëngimit të madh.

17. Çfarë përfshijnë zotërimet e Jezuit?

17 Çfarë përfshijnë «gjithë zotërimet e [Jezuit]»? Jezui nuk e përkufizoi fjalën «gjithë» si të kishte lidhje vetëm me gjërat tokësore. Në fakt, ai ka autoritet tejet të madh në qiell. Jezui tha: «Më është dhënë çdo autoritet në qiell dhe në tokë.» (Mat. 28:18; Efes. 1:20-23) Zotërimet e tij tani përfshijnë edhe Mbretërinë mesianike, e cila ishte e vetja që nga viti 1914 dhe që ai do ta ndajë me dishepujt e tij të mirosur.Zbul. 11:15.

18. Pse do të kënaqet Jezui kur ta emërojë skllavin mbi gjithë zotërimet e veta?

 18 Duke marrë parasysh gjithë sa u tha deri tani, në ç’përfundim mund të arrijmë? Kur të vijë për të gjykuar gjatë shtrëngimit të madh, Jezui do të shohë se skllavi i besueshëm vazhdimisht u ka dhënë ushqim frymor besnikërisht shërbëtorëve të shtëpisë. Atëherë, me shumë kënaqësi do të bëjë emërimin e dytë: mbi gjithë zotërimet e veta. Atyre që përbëjnë skllavin e besueshëm do t’u jepet ky emërim kur të marrin shpërblimin në qiell, kur të jenë bashkësundimtarë me Krishtin.

19. A do të marrë skllavi i besueshëm një shpërblim më të madh në qiell se pjesa tjetër e të mirosurve? Shpjegoni.

19 A do të marrë skllavi i besueshëm një shpërblim më të madh në qiell se pjesa tjetër e të mirosurve? Jo. Një shpërblim i premtuar një grupi të vogël në një rrethanë, më vonë mund të ndahet me të tjerë. Për shembull, të mendojmë për atë që u tha Jezui 11 apostujve besnikë natën para se të vdiste. (Lexo Lukën 22:28-30.) Jezui i premtoi këtij grupi të vogël burrash një shpërblim të shkëlqyer për besnikërinë e tyre. Ata do të jenë bashkësundimtarë në fronin e tij mbretëror. Por, vite më vonë, ai tregoi se të gjithë, të 144.000-t, do të uleshin në frone e do të bëheshin bashkësundimtarë me të. (Zbul. 1:1; 3:21) Në mënyrë të ngjashme, siç thuhet te Mateu 24:47, ai premtoi se një grup i vogël burrash, vëllezërit e mirosur që përbëjnë skllavin e besueshëm, do të emëroheshin mbi gjithë zotërimet e tij. Faktikisht, të gjithë pjesëtarët e 144.000-ve do të sundojnë bashkë me Krishtin teksa ushtron autoritetin e tij tejet të madh në qiell.Zbul. 20:4, 6.

Të gjithë pjesëtarët e 144.000-ve do të sundojnë me Jezuin teksa ushtron autoritetin në qiell (Shih paragrafin 19.)

20. Pse e emëroi Jezui skllavin e besueshëm dhe për çfarë jeni të vendosur?

20 Me anë të skllavit të besueshëm dhe të matur, Jezui po ndjek të njëjtën metodë që përdori në shekullin e parë: po ushqen një shumicë nga duart e një pakice. Jezui e emëroi këtë skllav të besueshëm për t’u siguruar se dishepujt e tij të vërtetë, qofshin të mirosur ose delet e tjera, të kenë ushqim pa ndërprerje gjatë ditëve të fundit. Le të jemi të vendosur të tregojmë mirënjohje për masën që ka marrë Jezui për të na ushqyer frymësisht, duke mbështetur me besnikëri vëllezërit e mirosur që përbëjnë skllavin e besueshëm dhe të matur.Hebr. 13:7, 17.

 

^ par. 2 Paragrafi 2: Në një rast të mëparshëm, Jezui tregoi një ilustrim të ngjashëm në të cilin iu referua ‘skllavit’ si ‘kujdestar’.Luka 12:42-44.

^ par. 6 Paragrafi 6: ‘Ardhja’ e Krishtit (greqisht, er′khomai) është ndryshe nga «prania» e tij (parousi′a). Prania e tij e padukshme fillon përpara, pastaj vjen për të ekzekutuar gjykimin.

^ par. 12 Paragrafi 12: Shih artikullin «Ja, unë jam me ju gjithë ditët» në këtë revistë, faqet 10-12, paragrafët 5-8.

^ par. 16 Paragrafi 16: Shih artikullin «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra» në këtë revistë, faqet 7-8, paragrafët 14-18.