Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Jehovai është i afrueshëm dhe i paanshëm

Jehovai është i afrueshëm dhe i paanshëm

«Bëhuni, pra, imitues të Perëndisë, si bij të dashur.»EFES. 5:1.

1. (a) Cilat cilësi të Jehovait mund të shqyrtojë një i krishterë? (b) Si do të nxjerrim dobi duke shqyrtuar cilësitë e Perëndisë?

KUR mendon për personalitetin e Jehovait, cilat cilësi të vijnë në mendje? Shumicës prej nesh u shkon mendja te dashuria, drejtësia, mençuria dhe fuqia. Megjithatë, e kuptojmë se Jehovai ka plot cilësi që na bëjnë për vete. Në të vërtetë mund të renditim mbi 40 cilësi të Jehovait, të shqyrtuara në botimet tona. Përfytyro çfarë thesari me informacione të mrekullueshme për personalitetin e Jehovait pritet të zbulojmë gjatë studimit personal ose familjar. Si nxjerrim dobi nga një studim i tillë? Mund të na thellojë çmueshmërinë për Atin tonë qiellor. E sa më e thellë të jetë çmueshmëria për Jehovain, aq më shumë duam t’i afrohemi dhe ta imitojmë.Jos. 23:8; Psal. 73:28.

2. (a) Ilustroni si mund ta thellojmë çmueshmërinë për cilësitë e Jehovait. (b) Çfarë do të shqyrtojmë?

2 Por, çfarë do të thotë «të çmosh» diçka? Në këta artikuj kjo fjalë do të thotë të njohësh ose të pranosh vlerën e vërtetë të diçkaje. Çmueshmëria mund të thellohet dalëngadalë. Ta ilustrojmë: një gatim të ri mësojmë ta çmojmë gjithnjë e më shumë që kur ndiejmë aromën për herë të parë, pastaj kur shijojmë çdo kafshatë dhe në fund kur e përgatitim vetë. Po kështu, çmueshmëria për një cilësi të Jehovait na thellohet kur e njohim mirë atë cilësi, kur mendojmë thellë për të dhe kur e shfaqim në jetën tonë. (Efes. 5:1) Ky artikull dhe dy artikujt vijues kanë si qëllim të na thellojnë çmueshmërinë për ato cilësi të Perëndisë që ndoshta i mendojmë më rrallë se cilësitë e tij kryesore. Për çdo cilësi do të shqyrtojmë: çfarë kuptimi ka? Si e shfaq Jehovai? Si mund ta imitojmë këtë cilësi të Jehovait?

 JEHOVAI ËSHTË I AFRUESHËM

3, 4. (a) Si do ta përshkruaje një person të afrueshëm? (b) Si na siguron Jehovai se është i afrueshëm?

3 Le të shohim së pari cilësinë e afrueshmërisë. Si do ta përshkruaje një person të afrueshëm? Mbase si një njeri mirëdashës, gjithnjë në dispozicion dhe me të cilin mund të flasësh kollaj. Shpesh, mund ta dallosh nëse dikush është i afrueshëm ose jo nga gjërat që thotë dhe nga lëvizjet e trupit—gjestet, shprehjet e fytyrës dhe reagime të tjera pa fjalë.

4 Si e tregon Jehovai se është i afrueshëm? Edhe pse është Krijuesi i plotfuqishëm i universit të paanë, Jehovai na siguron se është i gatshëm dhe mezi pret t’i dëgjojë e t’u përgjigjet lutjeve tona. (Lexo Psalmin 145:18; Isainë 30:18, 19.) Mund të flasim me Perëndinë gjerë e gjatë në çdo kohë e në çdo vend. Mund t’i afrohemi lirshëm, duke e ditur se nuk do të na qortojë kurrë për këtë. (Psal. 65:2; Jak. 1:5) Shkrimet e Shenjta e përshkruajnë Jehovain me terma njerëzorë për të treguar se ai do që t’i afrohemi. Për shembull, psalmisti David shkroi se «Jehovai i kthen sytë nga» ne dhe ‘dora e tij e djathtë na mban fort’. (Psal. 34:15; 63:8) Profeti Isaia e krahasoi Jehovain me një bari, dhe tha: «Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.» (Isa. 40:11) Përfytyro pak: Jehovai do që të jemi po aq afër tij sa edhe një qengj i vogël i strukur në gjirin e një bariu të dashur. Sa i afrueshëm është Ati ynë! Si mund ta imitojmë këtë cilësi të Jehovait?

NJË CILËSI QË VLERËSOHET SHUMË

5. Pse është e rëndësishme që pleqtë të jenë të afrueshëm?

5 Pak kohë më parë, Dëshmitarë nga kontinente të ndryshme u pyetën: «Cilën cilësi vlerësoni më tepër te një plak?» Shumica dërrmuese u përgjigjën: «Të jetë i afrueshëm.» S’diskutohet, çdo i krishterë  duhet ta kultivojë plotësisht këtë cilësi, por sidomos për pleqtë është edhe më e rëndësishme. (Isa. 32:1, 2) Duke komentuar për arsyet që e bënin kaq të rëndësishme këtë cilësi, një motër tha: «Vetëm nëse një plak është i afrueshëm, mund të nxjerrim dobi nga cilësitë e tjera të shkëlqyera që mund të ketë.» A të duket e logjikshme kjo? Mirëpo, çfarë e bën të afrueshëm dikë?

6. Cili është një faktor kyç për të qenë i afrueshëm?

6 Një faktor kyç për të qenë i afrueshëm është interesimi i sinqertë për të tjerët. Nëse një plak interesohet për të tjerët dhe është i gatshëm të japë nga vetja për të mirën e tyre, kjo nuk do të kalojë pa u vënë re nga vëllezërit e motrat, përfshirë edhe të rinjtë. (Mar. 10:13-16) Karlosi 12-vjeçar thotë: «Në sallë shoh pleqtë që buzëqeshin dhe tregohen dashamirës, e kjo më pëlqen.» Patjetër, nuk mjafton që një plak të pohojë se është i afrueshëm, ai duhet ta shfaqë këtë cilësi. (1 Gjon. 3:18) Si?

7. Pse një distinktiv shpesh ngjall një bisedë dhe ç’mësim mund të nxjerrim nga kjo?

7 Mendo për këtë krahasim. Jo shumë kohë më parë, një vëlla mbajti distinktivin teksa udhëtonte me avion kur po kthehej nga një kongres. Kur një nga personeli i avionit pa distinktivin me fjalët «Ardhtë Mbretëria e Perëndisë!», i tha vëllait: «Po, le të vijë. Duhet të flasim më tepër për këtë.» Më vonë, bënë një bisedë dhe ai burrë i pranoi me kënaqësi revistat tona. Shumë prej nesh kemi pasur përvoja të tilla. E pra, si ka mundësi që një distinktiv të ngjallë një bisedë? Në njëfarë mënyre, ai u thotë njerëzve: «Ndihu i lirë të më afrohesh. Më pyet ku po shkoj.» Distinktivi është një shenjë e dukshme që u tregon të tjerëve se jemi gati të flasim për besimin tonë. Në mënyrë të ngjashme, pleqtë e krishterë duan të japin shenja të dukshme që u thonë bashkëbesimtarëve: «Ndihu i lirë të më afrohesh.» Cilat janë disa nga këto shenja?

8. Si tregojnë pleqtë se interesohen sinqerisht për të tjerët dhe ç’ndikim ka kjo në kongregacion?

8 Zakonet ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin por, përgjithësisht, kur u buzëqeshim ngrohtësisht vëllezërve e motrave, kur i mirëpresim me një shtrëngim dore ose kur i përshëndetim çlirët, u japim shenja se interesohemi sinqerisht për ta. Kush duhet ta marrë iniciativën për këtë? Vëreni shembullin që na la Jezui. Mateu tregon se në një mbledhje me dishepujt, ‘Jezui iu afrua dhe u foli atyre’. (Mat. 28:18, Diodati i Ri) Njësoj edhe sot, pleqtë duhet të marrin iniciativën t’u afrohen bashkëbesimtarëve e t’u flasin. Ç’ndikim mund të ketë kjo në kongregacion? Një pioniere 88 vjeçe vëren: «Buzëqeshja e ngrohtë e pleqve dhe komentet e tyre inkurajuese kur hyj në Sallën e Mbretërisë, më bëjnë për vete.» Një tjetër motër besnike shton: «Mund të duket gjë e vogël, por prekem thellë kur një plak më pret në mbledhje me një buzëqeshje.»

I AFRUESHËM DHE NË DISPOZICION

9, 10. (a) Çfarë shembulli të shkëlqyer jep Jehovai? (b) Si mund ta vënë veten në dispozicion të të tjerëve pleqtë?

 9 Kuptohet, nuk mund të na afrohet njeri, po të mos jemi në dispozicion. Jehovai ka lënë një shembull të shkëlqyer për këtë. «Ai nuk është larg nga secili prej nesh.» (Vep. 17:27) Një mënyrë se si pleqtë e vënë veten në dispozicion të të tjerëve është duke programuar kohë para e pas mbledhjes për të biseduar me vëllezërit e motrat, të rinj a të  rritur qofshin. Një pionier vëren: «Kur një plak më pyet si po ia kaloj e ndalet për të dëgjuar përgjigjen, ndihem i vlerësuar.» Një motër që i ka shërbyer Jehovait për gati 50 vjet, komenton: «Pleqtë që veçojnë pak kohë për të folur me mua pas mbledhjes, më bëjnë të ndihem me vlerë.»

10 Pa dyshim, barinjtë e krishterë kanë edhe detyra të tjera. Gjithsesi, kur janë në mbledhje, në radhë të parë duhet t’u kushtojnë vëmendje deleve.

JEHOVAI ËSHTË I PAANSHËM

11, 12. (a) Çfarë do të thotë të jesh i paanshëm? (b) Si tregon Bibla se Jehovai është i paanshëm?

11 Paanshmëria është një tjetër cilësi e Jehovait që na bën për vete. Çfarë do të thotë të jesh i paanshëm? Do të thotë të jesh objektiv, të mos nisesh nga paragjykimet ose të mos mbash anën e ndokujt. Paanshmëria e vërtetë përbëhet nga dy elemente: qëndrimi dhe veprimet. Pse duhen të dyja? Sepse, vetëm nëse dikush i sheh gjërat me paanshmëri, do të nxitet t’i trajtojë me paanshmëri gjithë të tjerët. Te Veprat 10:34, fjalët në gjuhën origjinale përcjellin idenë se Perëndia nuk gjykon nga pamja e jashtme, nuk mban me hatër një njeri më tepër se një tjetër. Prandaj, ai që është i paanshëm, nuk i kushton vëmendje pamjes së jashtme dhe rrethanave, por vetë personit.

12 Jehovai është shembulli më i madh i paanshmërisë. Fjala e Tij thotë se ai «nuk është i anshëm» dhe se «nuk trajton asnjë me anësi». (Lexo Veprat 10:34, 35; Ligjin e përtërirë 10:17.) Një çështje që u ngrit në ditët e Moisiut e nxjerr në pah këtë.

Bijat e Zelofehadit çmuan paanshmërinë e Perëndisë (Shih paragrafët 13, 14.)

13, 14. (a) Cilën situatë hasën bijat e Zelofehadit? (b) Si tregoi Jehovai se ishte i paanshëm?

 13 Pak para se izraelitët të hynin në Tokën e Premtuar, pesë motra beqare ishin para një dileme. Cila ishte? E dinin se familja e tyre, si gjithë familjet e tjera izraelite, duhej të merrte një pjesë toke të vendit që do t’i përkiste të atit si trashëgimi. (Num. 26:52-55) Megjithatë, i ati, Zelofehadi nga fisi i Manaseut, kishte vdekur. Sipas zakonit, e drejta e trashëgimisë së tokës do t’u kalonte bijve të Zelofehadit, por ai kishte vetëm vajza. (Num. 26:33) Meqë familja nuk kishte djalë që të merrte tokën, a do t’i kalonte toka farefisit e kështu vajzat të mos merrnin trashëgiminë që i përkiste asaj familjeje?

14 Pesë motrat iu afruan Moisiut dhe e pyetën: «Pse të fshihet emri i babait tonë nga familja e tij ngaqë nuk pati djem?» Pastaj iu përgjëruan: «Na jep neve një zotërim mes xhaxhallarëve tanë.» A ia ktheu Moisiu: «Nuk ka përjashtime. Ky është rregulli.» Jo, ai «ia paraqiti  çështjen e tyre Jehovait». (Num. 27:2-5) Ç’përgjigje morën? Jehovai i tha Moisiut: «Bijat e Zelofehadit kanë të drejtë. Duhet t’u japësh patjetër një trashëgimi mes xhaxhallarëve të tyre. Trashëgiminë e të atit kalojua atyre.» Jehovai bëri më tepër se kaq. Ai e ktheu këtë përjashtim në një rregull kur udhëzoi Moisiun: «Në rast se një njeri vdes pa pasur djalë, trashëgiminë e tij kalojani së bijës.» (Num. 27:6-8; Jos. 17:1-6) Që atëherë, të gjitha gratë izraelite që do të gjendeshin në të njëjtën situatë, do të ishin të mbrojtura.

15. (a) Si e trajton Jehovai popullin e tij, përfshirë edhe ata që janë të pambrojtur? (b) Cilat tregime të tjera biblike tregojnë se Jehovai është i paanshëm?

15 Sa dashamirës dhe i paanshëm ishte ky vendim! Jehovai i trajtoi me dinjitet këto gra që ishin të pambrojtura, pikërisht ashtu si trajtonte izraelitët në situatat më të mira. (Psal. 68:5) Ky është vetëm një nga tregimet e shumta biblike që nxjerr në pah këtë të vërtetë që të ngroh zemrën: Jehovai i trajton me paanshmëri të gjithë shërbëtorët e tij.1 Sam. 16:1-13; Vep. 10:30-35, 44-48.

MUND TË IMITOJMË JEHOVAIN

16. Si mund ta zhvillojmë e ta forcojmë paanshmërinë?

16 Si mund ta imitojmë paanshmërinë e Jehovait? Të kujtojmë se paanshmëria përbëhet nga dy elemente. Vetëm nëse jemi të paanshëm, do t’i trajtojmë të tjerët me paanshmëri. Patjetër, të gjithëve na pëlqen ta shohim veten si mendjehapur dhe të paanshëm. Megjithatë, besojmë se jeni dakord se nuk është gjithnjë e lehtë t’i shqyrtojmë me objektivitet ndjenjat tona. Kështu, çfarë mund të bëjmë që të kuptojmë nëse na njohin si persona pa paragjykime? Kur Jezui donte të dinte ç’thoshin të tjerët për të, pyeti miqtë e tij të besuar: «Çfarë thonë njerëzit: kush është Biri i njeriut?» (Mat. 16:13, 14) Pse të mos imitosh Jezuin në këtë aspekt? Mund të pyesësh ndonjë mik për të cilin je i sigurt se do të ta thotë pa dorashka nëse të njohin si të paanshëm. Nëse ai ose ajo të thotë se të kanë mbetur ca gjurmë paragjykimi racial, shoqëror ose ekonomik, ç’duhet të bësh? Lutju me zjarr Jehovait duke ia shprehur hapur ndjenjat që provon, duke iu përgjëruar për ndihmë që të ndreqesh, që ta pasqyrosh sa më plotësisht paanshmërinë e tij.Mat. 7:7; Kolos. 3:10, 11.

17. Në cilat mënyra mund t’i trajtojmë me paanshmëri të tjerët?

 17 Në kongregacionin e krishterë, tregojmë se duam ta imitojmë paanshmërinë e Jehovait duke i trajtuar me dinjitet dhe me dashamirësi të gjithë vëllezërit e motrat. Për shembull, kur bëhet fjalë për mikpritjen, duam të ftojmë çdo lloj bashkëbesimtari, duke përfshirë ata me prejardhje të ndryshme, si edhe ata që janë të varfër, jetimë ose të ve. (Lexo Galatasve 2:10; Jakovin 1:27.) Për më tepër, kur predikojmë për Mbretërinë, ua japim lajmin e mirë me paanshmëri njerëzve me prejardhje të ndryshme, pa përjashtim, edhe atyre nga vende të huaja. Sa të lumtur jemi që kemi në dispozicion literaturë biblike në më shumë 600 gjuhë! Ç’dëshmi konkrete e paanshmërisë!

18. Si do të tregosh ti se e çmon afrueshmërinë dhe paanshmërinë e Jehovait?

18 Vërtet, teksa marrim kohë për të bluar në mendje sa i afrueshëm dhe i paanshëm është Jehovai, na thellohet çmueshmëria për të. Dhe kjo duhet të na nxitë t’i imitojmë më plotësisht cilësitë e Jehovait, duke i shfaqur në mënyrën si i trajtojmë bashkëbesimtarët dhe ata të cilëve u predikojmë.

«Jehovai u rri pranë tërë atyre që e thërrasin.»—Psal. 145:18 (Shih paragrafin 9.)

«Jehovai, Perëndia juaj . . . nuk trajton asnjë me anësi.»—Ligj. 10:17 (Shih paragrafin 17.)