Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Bindja ndaj Jehovait më ka sjellë shumë bekime

Bindja ndaj Jehovait më ka sjellë shumë bekime

«Ç’mësim të mrekullueshëm nxjerrim nga Noeja! Ai iu bind Jehovait dhe e donte familjen e tij. E gjithë familja hyri në arkë dhe i mbijetoi Përmbytjes»,—shpjegoi babai.

KY ËSHTË një nga kujtimet më të hershme që kam nga babai, njeri modest e i papërtuar. Kishte ndjenja të forta drejtësie prandaj, kur e dëgjoi mesazhin e Biblës më 1953, e tërhoqi menjëherë. Që nga ajo kohë, bëri çmos të na e përcillte ne fëmijëve atë që po mësonte. Mamaja në fillim ngurronte t’i linte traditat katolike. Por, me kalimin e kohës, edhe ajo filloi t’i bënte të vetat mësimet biblike.

Prindërit e kishin të vështirë të studionin me ne. Mamaja ishte thuajse analfabete dhe babai punonte fort gjithë ditën në ara. Ndonjëherë ishte kaq i lodhur, saqë nuk rrinte dot zgjuar gjatë studimit. Megjithatë, përpjekjet e tij u shpërblyen. Isha më e madhja nga fëmijët, kështu që ndihmoja motrën e dy vëllezërit që të studionin. Kjo përfshinte diçka që babai e thoshte shpesh; Noeja e tregoi dashurinë për familjen duke iu bindur Perëndisë. Sa shumë më pëlqente ky tregim biblik! Shpejt, të gjithë filluam të ndiqnim mbledhjet në Sallën e Mbretërisë në Rozeton e Abrucos, qytet në bregdetin e Adriatikut, Itali.

Më 1955, isha vetëm 11 vjeçe kur bashkë me mamanë kaluam përmes maleve drejt perëndimit, për të ndjekur kongresin e parë, në Romë. Që atëherë, këto grumbullime të mëdha i kam parë si një nga gjërat më të bukura të jetës së krishterë.

Vitin tjetër, u pagëzova dhe shpejt pas kësaj fillova shërbimin e plotkohor. Kur isha 17 vjeçe, nisa të shërbeja si pioniere speciale në Latinë, në jug të Romës, rreth 300 km larg shtëpisë. Qyteti ishte i sapoformuar, kështu që askush nuk ndikohej nga opinioni i të tjerëve. Unë dhe shoqja ime e shërbimit ishim tejet të emocionuara që shpërndanim mjaft literaturë biblike, por meqë isha shumë e re, më këpuste malli për familjen. Prapëseprapë, doja t’i bindesha drejtimit që kisha marrë.

Ditën e dasmës

Më vonë, u caktova në Milano që të ndihmoja me përgatitjet e kongresit ndërkombëtar «Lajmi i mirë i përhershëm» që u mbajt më 1963. Gjatë kongresit punova si vullnetare bashkë me shumë të tjerë, ndër të cilët edhe  Paolo Piçoli, një vëlla i ri nga Firence. Ditën e dytë të kongresit, ai mbajti një fjalim nxitës për beqarinë. Më kujtohet se thashë me vete: «Me siguri ky vëlla nuk do martohet kurrë.» Megjithatë, filluam t’i shkruanim njëri-tjetrit dhe dukej qartë se kishim shumë gjëra të përbashkëta: synimet, dashurinë për Jehovain dhe dëshirën e fortë për t’iu bindur atij. Paolo dhe unë u martuam më 1965.

PËRBALLJA ME KLERIKËT

Për dhjetë vjet shërbeva si pioniere në Firence. Ishte emocionuese të shihje rritjen e kongregacioneve, sidomos përparimin e të rinjve. Paolo dhe unë kënaqeshim teksa kalonim kohë me ta, duke bërë biseda frymore e duke u argëtuar, dhe kjo për Paolon zakonisht nënkuptonte të luante futboll me çunat. Kuptohet që e vlerësoja kohën që kaloja me tim shoq, por shihja se ata të rinj dhe familjet në kongregacion kishin nevojë dhe nxirrnin dobi nga koha e interesimi i tij i dashur.

Ende kënaqem kur mendoj për shumë studime biblike që kemi pasur mundësi të drejtonim. Një prej tyre ishte Adriana, e cila foli me dy familje për atë që po mësonte. Ata organizuan një takim me një prift, që të diskutonin për doktrina të kishës, si Triniteti dhe shpirti i pavdekshëm. Në takim erdhën tre klerikë të rangut të lartë. Shpjegimet e tyre ishin të ngatërruara dhe kontradiktore, të cilat studentët tanë të Biblës i kuptuan menjëherë kur i krahasuan me mësimet e qarta të Biblës. Po, ai takim ishte një pikë kthese. Me kalimin e kohës, rreth 15 pjesëtarë të këtyre familjeve u bënë Dëshmitarë.

Sigurisht, sot metodat e predikimit kanë ndryshuar goxha. Në atë kohë, Paolo u bë «ekspert» kur përballej me priftërinjtë dhe pati disa diskutime të tilla. Më kujtohet një nga këto raste kur ai u gjend para një auditori që nuk ishin Dëshmitarë. U bë e qartë se kundërshtarët kishin planifikuar që disa nga të pranishmit të bënin pyetje të sikletshme. Megjithatë, biseda mori drejtim tjetër. Dikush pyeti nëse ishte e drejtë që kisha të përzihej me politikën, siç kishte bërë për shekuj me radhë. Në këtë pikë, dukej sheshit që priftërinjtë u zunë ngushtë. Papritur ikën dritat dhe takimi u ndërpre. Vite më vonë mësuam se fikja e dritave ishte e planifikuar, nëse biseda nuk do të vijonte tamam siç kishin shpresuar priftërinjtë.

FORMË E RE SHËRBIMI

Pas dhjetë vjetësh martesë, na ftuan të shërbenim në veprën qarkore. Paolo kishte një punë  të mirë, kështu që nuk ishte vendim i lehtë. Por, pasi e kishim menduar gjatë duke u lutur, u vumë në dispozicion për këtë formë të re shërbimi. Kënaqeshim duke kaluar kohë me familjet që na strehonin. Mbrëmjeve, shpesh studionim të gjithë bashkë, pastaj Paolo i ndihmonte fëmijët me detyrat e shtëpisë, sidomos të matematikës. Për më tepër, ai ishte lexues i zellshëm dhe, gjithë entuziazëm, i ndante me të tjerët gjërat interesante e ndërtuese që lexonte. Të hënave, shpesh shkonim të predikonim në qytete ku nuk kishte Dëshmitarë dhe i ftonim në fjalimin që ishte planifikuar atë mbrëmje.

Kënaqeshim teksa kalonim kohë me të rinjtë, dhe kjo për Paolon zakonisht nënkuptonte të luante futboll me çunat

Vetëm pas dy vjetësh në veprën qarkore, na ftuan të shërbenim në Bethel, në Romë. Paolo duhej të merrej me çështje ligjore, ndërsa unë u caktova në Repartin e Revistave. Ky ndryshim nuk ishte i lehtë, por ishim të vendosur të bindeshim. Ishte emocionuese të shihje se si zgjerohej dega hap pas hapi dhe si rritej numri i vëllazërisë në Itali. Gjatë asaj kohe, Dëshmitarët e Jehovait në Itali morën njohje ligjore të rëndësishme. Sigurisht që ishim të lumtur në këtë lloj shërbimi.

Paolo e donte punën në Bethel

Ndërsa po shërbenim në Bethel, në Itali u bë objekt diskutimi qëndrimi ynë biblik ndaj gjakut. Në fillim të viteve 80, pati një rast ligjor për këtë çështje që bëri bujë. Një çift Dëshmitarësh u akuzuan pa të drejtë se po shkaktonin vdekjen e vajzës, ndonëse në të vërtetë ajo vdiq për shkak të një çrregullimi serioz në gjak, mjaft të përhapur në Mesdhe. Vëllezërit e motrat në familjen Bethel ndihmuan avokatët që përfaqësuan prindërit e krishterë. Një fletëpalosje dhe një numër special i Zgjohuni! i ndihmoi njerëzit të shihnin faktet e të kuptonin drejt çfarë thotë Fjala e Perëndisë për gjakun. Gjatë atyre muajve, Paolo punonte shpesh deri në 16 orë në ditë pa pushim. Bëra çmos ta mbështetja në përpjekjet e tij të rëndësishme.

NJË NDRYSHIM TJETËR NË JETË

Kur kishim 20 vjet të martuar, përjetuam një ndryshim të papritur. Isha 41 vjeçe dhe Paolo 49 kur i thashë se mendoja që isha shtatzënë. Në ditarin e tij gjeta këto fjalë për atë ditë: «Lutje: nëse është e vërtetë, na ndihmo të qëndrojmë në shërbimin e plotkohor, të mos e marrim me nge gjendjen tonë frymore e me shembullin tonë të tregojmë se do të jemi prindër të mirë. Mbi të gjitha, më ndihmo të zbatoj të paktën 1 për qind të asaj që kam thënë nga podiumi këta 30 vjet.» Nga rezultati, duket se Jehovai i është përgjigjur lutjes së tij dhe lutjes sime.

 Lindja e Ilarias solli ndryshime tejet të mëdha në jetën tonë. Sinqerisht, kemi pasur momente shkurajimi, siç thuhet edhe te Proverbat 24:10: «Po të shkurajohesh në ditë të keqe, fuqia jote do të jetë e paktë.» Mirëpo, kemi mbështetur njëri-tjetrin duke mos harruar sa vlerë ka kjo.

Ilaria nuk ngurron të shprehet se sa e lumtur është që ka lindur nga dy Dëshmitarë të zhytur kokë e këmbë në shërbimin e plotkohor. Ajo kurrë nuk është ndier e lënë pas dore; u rrit në një familje normale. Gjatë ditës kujdesesha për të. Mbrëmjeve, kur Paolo kthehej në shtëpi, shpesh kishte akoma punë për të bërë; prapëseprapë kalonte kohë me të duke luajtur e duke e ndihmuar me detyrat e shtëpisë. Vepronte kështu edhe pse kjo nënkuptonte se do të rrinte zgjuar deri në dy a tre të mëngjesit që ta mbaronte punën. Ilaria thoshte shpesh: «Babi është shoku im më i mirë.»

Siç mund ta merrni me mend, duhej vendosmëri, ndonjëherë qëndrueshmëri për të ndihmuar Ilarian të qëndronte në rrugën e krishterë. Më kujtohet një rast kur u soll keq ndërsa po luante me një shoqe. I shpjeguam nga Bibla pse nuk duhej të sillej në atë mënyrë. Po ashtu, e nxitëm t’i kërkonte të falur para syve tanë.

Ilaria pa ngurruar thotë se e vlerëson dashurinë që treguan prindërit për shërbimin. Tani që është e martuar e kupton më mirë sa e rëndësishme është t’i bindet Jehovait dhe të ndjekë drejtimin e tij.

BINDJE EDHE NË MOMENTE TRISHTIMI

Në 2008-n, Paolo mori vesh se kishte kancer. Në fillim dukej se do ta mposhtte sëmundjen dhe më inkurajoi shumë. Përveçse kërkuam këshillat më të mira mjekësore që ekzistonin, bashkë me Ilarian iu lutëm gjatë Jehovait, duke i kërkuar ndihmë që të përballonim të ardhmen. Gjithsesi, shihja një burrë dikur të fortë e shumë energjik, teksa tretej pak nga pak. Vdekja e tij më 2010 ishte një tronditje e rëndë. Megjithatë, ngushëllohem shumë nga ajo që arritëm gjatë 45 viteve së bashku. I dhamë më të mirën Jehovait. E di se puna jonë do të ketë vlerë afatgjatë dhe mezi pres kur të ringjallet Paolo, siç tha Jezui te Gjoni 5:28, 29.

«Thellë-thellë, jam po ajo vajzë e vogël që pëlqente shumë tregimin e Noesë. Jam po aq e vendosur sa atëherë.»

Thellë-thellë, jam po ajo vajzë e vogël që pëlqente shumë tregimin e Noesë. Jam po aq e vendosur sa atëherë. Dua t’i bindem Jehovait, pavarësisht se çfarë më kërkohet. Jam e sigurt se çdo vështirësi, sakrificë a humbje është e vogël në krahasim me bekimet e mrekullueshme që na jep Perëndia ynë i dashur. E kam provuar vetë këtë dhe ju siguroj se ia vlen.