«Urreni thellësisht atë që është e ligë, kapuni fort pas asaj që është e mirë.»ROM. 12:9.

1, 2. (a) Si e more vendimin për t’i shërbyer Perëndisë? (b) Cilat pyetje mund të bëjmë për trashëgiminë tonë frymore?

MILIONA prej nesh kanë marrë vendimin e mençur për t’i shërbyer Perëndisë Jehova dhe për të ndjekur hap pas hapi gjurmët e Jezu Krishtit. (Mat. 16:24; 1 Pjet. 2:21) Nuk e marrim lehtë jetën kushtuar Perëndisë. Vendimin tonë nuk e bazuam në një njohuri të përciptë të pak shkrimeve, por në një studim të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. Si rezultat, kemi mësuar shumë hollësi besimforcuese për trashëgiminë që Jehovai ka përgatitur për ata që ‘vazhdojnë të marrin njohuri për të, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgoi, Jezu Krishtin’.Gjoni 17:3; Rom. 12:2.

2 Që të ruajmë qëndrimin si të krishterë, duhet të marrim vendime që i pëlqejnë Atit tonë qiellor. Ky artikull do të shqyrtojë këto pyetje të rëndësishme: çfarë është trashëgimia jonë? Si duhet ta shohim? Si mund të sigurohemi se do ta marrim trashëgiminë tonë? Çfarë do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura?

ÇFARË ËSHTË TRASHËGIMIA JONË?

3. Ç’trashëgimi i pret (a) të mirosurit (b) ‘delet e tjera’?

3 Një numër relativisht i vogël të krishterësh presin të marrin «një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet», privilegjin e pashoq për të sunduar në qiell bashkë me Krishtin. (1 Pjet. 1:3, 4) Që të marrin këtë trashëgimi, këta duhet ‘të lindin përsëri’. (Gjoni 3:1-3) Por, cila është trashëgimia e miliona ‘deleve të tjera’ të Jezuit, që bashkëpunojnë me dishepujt e mirosur, duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë? (Gjoni 10:16) Këta do të marrin trashëgiminë që nuk e morën mëkatarët, Adami  dhe Eva, pra jetën e përhershme në tokën parajsore pa dhembje, vdekje ose vajtim. (Zbul. 21:1-4) Prandaj, Jezui mundi t’i premtonte keqbërësit që vdiq bashkë me të: «Vërtet po të them sot: ti do të jesh me mua në Parajsë.»Luka 23:43.

4. Ç’bekime gëzojmë tashmë?

4 Edhe tani shijojmë disa aspekte të trashëgimisë sonë. Ngaqë tregojmë besim te ‘shpërblesa që pagoi Krishti Jezu’, gëzojmë paqe të brendshme dhe marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë. (Rom. 3:23-25) Kemi kuptueshmëri të qartë të premtimeve të vyera që gjenden në Fjalën e Perëndisë. Gjithashtu, fakti që jemi pjesë e një vëllazërie të dashur ndërkombëtare, na jep gëzim të paparë. Dhe, sa privilegj i madh është të jemi Dëshmitarë të Jehovait! Prandaj, kemi çdo arsye për ta çmuar trashëgiminë tonë.

5. Çfarë është përpjekur Satanai të kurdisë kundër popullit të Perëndisë dhe ç’mund të na ndihmojë të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të tij?

5 Që të rrokim trashëgiminë e mrekullueshme, duhet të jemi syçelë ndaj marifeteve të Satanait. Ai është përpjekur gjithmonë ta nxitë popullin e Perëndisë të marrë vendime që do ta çonin në humbjen e trashëgimisë. (Num. 25:1-3, 9) Plotësisht i vetëdijshëm se fundi i tij është afër, Satanai i ka intensifikuar përpjekjet për të na mashtruar. (Lexo Zbulesën 12:12, 17.) Që të vazhdojmë ‘të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’, duhet të vazhdojmë ta çmojmë pa masë trashëgiminë tonë. (Efes. 6:11) Për këtë, bëjmë mirë ta marrim seriozisht shembullin paralajmërues të Esaut, birit të patriarkut Isak.

TË MOS JEMI SI ESAU

6, 7. Kush ishte Esau dhe ç’trashëgimi e priste?

6 Gati 4.000 vjet më parë, Isakut e Rebekës i lindën Esau dhe vëllai i tij binjak, Jakobi. Teksa rriteshin, binjakët ndryshonin në temperament dhe merreshin me gjëra të ndryshme. «Esau u bë një gjahtar i zoti, njeri i fushave, kurse Jakobi ishte një njeri i paqortueshëm dhe banonte në tenda.» (Zan. 25:27) Sipas një përkthyesi të Biblës, Robert Alterit, fjala hebraike e përkthyer «i paqortueshëm, nënkupton integritet e madje pafajësi».

7 Kur Esau dhe Jakobi ishin 15 vjeç u vdiq gjyshi, Abrahami, mirëpo premtimi që i kishte bërë Jehovai Abrahamit, nuk mori fund bashkë me të. Më vonë, Jehovai ia përsëriti premtimin Isakut, duke theksuar se me anë të farës së Abrahamit do të arrinin të merrnin bekime gjithë kombet e tokës. (Lexo Zanafillën 26:3-5.) Ky premtim tregoi se Mesia—‘fara’ besnike e përmendur te Zanafilla 3:15do të vinte nga pasardhësit e Abrahamit. Si i parëlinduri i Isakut, Esau kishte të drejtën ligjore të atij premtimi. Ç’trashëgimi e mrekullueshme e priste Esaun! A e vlerësoi këtë?

Mos e vër në rrezik trashëgiminë tënde frymore

8, 9. (a) Çfarë zgjedhje bëri Esau në lidhje me trashëgiminë e tij? (b) Vite më vonë, ç’kuptoi Esau për këtë zgjedhje, dhe si reagoi?

8 Një ditë, kur Esau erdhi nga fusha, pa Jakobin që «po ziente ca gjellë». Ai i tha: «Shpejt, të lutem, më jep një lugë nga ajo e kuqja atje, sepse jam i lodhur!» Jakobi ia ktheu: «Më parë, më shit të drejtën tënde si i parëlindur.» Çfarë zgjodhi Esau? Mbase s’të besohet, por tha: «Unë po vdes këtu! Ç’më duhet e drejta e të parëlindurit?!» Po, Esau zgjodhi një tas me gjellë në këmbim të së drejtës si i parëlindur. Që t’ia ligjëronte kalimin e së drejtës si i parëlindur, Jakobi nguli këmbë: «Së pari m’u beto.» Pa ngurruar aspak, Esau hoqi dorë nga e drejta e të parëlindurit. Pas kësaj, «Jakobi i dha Esaut bukë dhe gjellë me thjerrëza, dhe ai nisi të hante e të pinte. Pastaj u ngrit dhe u  largua. Kështu, Esau e përbuzi të drejtën e të parëlindurit».Zan. 25:29-34.

9 Vite më vonë, kur Isaku mendonte se ishte në prag të vdekjes, Rebeka u sigurua që Jakobi të merrte të drejtën e të parëlindurit, nga e cila Esau kishte hequr dorë. Kur Esau e kuptoi me vonesë se kishte marrë një vendim të pavend, iu përgjërua Isakut: «Bekomë edhe mua, o atë! . . . A nuk ke ruajtur një bekim edhe për mua?» Kur Isaku i tha se nuk mund ta ndryshonte bekimin që i kishte dhënë Jakobit, «Esau qau me zë të lartë».Zan. 27:30-38.

10. Ç’mendonte Jehovai për Esaun e Jakobin, dhe pse?

10 Cilat veçori të karakterit të Esaut dallohen qartë në Shkrime? Ai tregoi se për të ishte më e rëndësishme të kënaqte dëshirat e mishit, se të merrte bekimet e mëvonshme që do t’i vërshonin nga trashëgimia e tij. Esau nuk e çmonte të drejtën si i parëlindur dhe, madje, nuk e donte vërtet Perëndinë. Për më tepër, as që mendoi si do të ndikonte te pasardhësit e vet ky veprim. Krejt ndryshe, Jakobi e vlerësonte thellësisht trashëgiminë e tij. Për shembull, ai veproi në përputhje me udhëzimet e prindërve për të zgjedhur bashkëshorten. (Zan. 27:46–28:3) Meqë mori këtë vendim që kërkonte durim dhe sakrifica, Jakobi u bë një nga paraardhësit e Mesisë. Ç’mendonte Perëndia për Esaun dhe Jakobin? Me anë të profetit Malakia, Jehovai tha: «Unë e desha Jakobin dhe e urreva Esaun.»—Mal. 1:2, 3.

11. (a) Pse shembulli i Esaut vlen për ne si të krishterë? (b) Pse Pavli e lidhi veprimin e Esaut me kurvërinë?

11 A vlen edhe për të krishterët sot ajo që thotë Bibla për Esaun? Se s’bën. Apostulli Pavël i paralajmëroi bashkëbesimtarët të kujdeseshin që ‘të mos kishte asnjë kurvar, as ndonjë që nuk i vlerësonte gjërat e shenjta, si Esau, i cili vetëm në këmbim të një gjelle, dorëzoi të drejtat e tij si i parëlindur’. (Hebr. 12:16) Ky paralajmërim vlen ende për të krishterët. Duhet të ruajmë gjithnjë çmueshmërinë për gjërat e shenjta, që të mos na mposhtin dëshirat e mishit e të humbim trashëgiminë tonë frymore. Po pse Pavli e lidhi veprimin e Esaut me kurvërinë? Sepse, nëse dikush ka prirje mishore si të Esaut, ka më shumë mundësi të heqë dorë nga gjërat frymore në këmbim të kënaqësive të paligjshme, si kurvëria.

TË PËRGATITIM ZEMRËN QË TANI

12. (a) Si na vë para tundimeve Satanai? (b) Jepni shembuj biblikë që mund të na hyjnë në punë kur të gjendemi para zgjedhjeve të vështira.

12 Si shërbëtorë të Jehovait, sigurisht  që nuk i kërkojmë situatat tunduese që mund të na çojnë në imoralitet. Në vend të kësaj, lutemi që Perëndia Jehova të mos lejojë të biem kur dikush përpiqet të na tundojë që të mos i bindemi. (Mat. 6:13) Por, Satanai përpiqet pareshtur të minojë gjendjen tonë frymore, ndërsa punojmë fort që të mbajmë integritetin në këtë botë të degjeneruar. (Efes. 6:12) Si perëndia i këtij sistemi të lig, Djalli di si t’i shfrytëzojë dëshirat tona të papërsosura, duke na vënë para tundime të zakonshme për njerëzit e papërsosur. (1 Kor. 10:8, 13) Për shembull, përfytyro sikur je në një situatë të favorshme ku mund të plotësosh ndonjë dëshirë në mënyrë imorale. Çfarë zgjedhje do të bëje? A do të ishe si Esau dhe të thoshe: ‘Shpejt, më jep!’ Apo do t’i bëje ballë tundimit dhe t’ia mbathje, siç bëri biri i Jakobit, Jozefi, të cilin e tundoi gruaja e Potifarit?Lexo Zanafillën 39:10-12.

13. (a) Si kanë vepruar shumë veta sot si Jozefi, kurse disa të tjerë si Esau? (b) Për ç’nevojë jetësore na bëjnë të vetëdijshëm shembujt e atyre që veprojnë si Esau?

13 Mjaft vëllezër e motra janë gjendur në situata në të cilat duhej të vendosnin nëse do të vepronin si Esau apo si Jozefi, dhe shumica kanë vepruar me mençuri e ia kanë gëzuar zemrën Jehovait. (Prov. 27:11) Sidoqoftë, disa nga bashkëbesimtarët tanë kanë vendosur të veprojnë si Esau kur kanë hasur ndonjë tundim, duke rrezikuar të humbnin trashëgiminë e tyre frymore. Në fakt, pjesa dërrmuese e përjashtimeve dhe e çështjeve gjyqësore që trajtohen çdo vit lidhen me sjelljet e gabuara seksuale. Sa jetësore është të përgatitim zemrat që tani, mjaft kohë përpara se të gjendemi në situata që sprovojnë integritetin tonë. (Psal. 78:8) Mund të bëjmë të paktën dy hapa që do të na shërbejnë si një mur mbrojtës kundër tundimit dhe do të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura më vonë.

TË MENDOJMË THELLË DHE TË FORCOHEMI

Kur kërkojmë mençurinë e Jehovait, jemi më të mbrojtur

14. Meditimi për cilat pyetje mund të na ndihmojë ‘të urrejmë thellësisht atë që është e ligë’ dhe ‘të kapemi fort pas asaj që është e mirë’?

14 Hapi i parë është të mendojmë thellë për pasojat e veprimeve tona. Sa më e thellë të jetë dashuria jonë për Jehovain, për Atë që na e ka dhënë trashëgiminë frymore, aq më tepër do ta çmojmë këtë trashëgimi. Tek e fundit, nëse e duam dikë, as që e çojmë ndër mend ta lëndojmë. Përkundrazi, përpiqemi fort të meritojmë miratimin e tij. Duke pasur parasysh këtë, le të gjejmë kohë që të mendojmë thellë për pasojat që do të kishim ne dhe të tjerët, po të dorëzoheshim para dëshirave të papastra të mishit. Duhet të pyesim veten: «Si do të ndikonte veprimi im egoist te marrëdhënia me Jehovain? Si do të ndikonte ky veprim i gabuar te familja ime? Po te vëllezërit e motrat në kongregacion? A do t’i pengoja të tjerët?» (Filip. 1:10) Gjithashtu, mund të pyesim: «Për pak çaste kënaqësie të paligjshme, a ia vlejnë tërë ato plagë që do të hapte vendimi im? A dua të përfundoj si Esau, duke derdhur lot me hidhërim kur të kuptoj ç’kam bërë?» (Hebr. 12:17) Meditimi për këto pyetje do të na ndihmojë ‘të urrejmë thellësisht atë që është e ligë’ dhe ‘të kapemi fort pas asaj që është e mirë’. (Rom. 12:9) Veçanërisht dashuria për Jehovain do të na nxitë të kapemi fort pas trashëgimisë sonë.Psal. 73:28.

15. Çfarë do ta bëjë më të fortë mbrojtjen tonë kundër faktorëve që na rrezikojnë gjendjen frymore?

15 Hapi i dytë është të forcojmë mbrojtjen tonë. Jehovai ka marrë shumë masa që mbrojtja jonë të jetë më e fortë kundër ndikimeve të botës që na rrezikojnë  gjendjen frymore. Ndër masat e tij janë studimi i Biblës, mbledhjet e krishtere, shërbimi dhe lutja. (1 Kor. 15:58) Sa herë që i zbrazim zemrën Jehovait në lutje dhe sa herë që marrim pjesë me zell në shërbim, forcojmë murin mbrojtës kundër tundimeve. (Lexo 1 Timoteut 6:12, 19.) Se sa e fortë është mbrojtja jonë, varet shumë nga përpjekjet që bëjmë. (Gal. 6:7) Kjo del në pah te kapitulli i dytë i Proverbave.

‘TË VAZHDOJMË T’I KËRKOJMË’

16, 17. Si mund t’ia dalim të fitojmë aftësinë për të marrë vendime të mençura?

16 Kapitulli 2 i Proverbave na nxit të fitojmë mençuri dhe aftësi për të menduar. Falë këtyre dhuratave, mund të zgjedhim të drejtën ose të gabuarën, të tregojmë vetëdisiplinë ose të jepemi pas dëshirave. Por, do t’ia dalim apo jo, varet nga sa përpiqemi. Bibla e nënvizon këtë të vërtetë themelore me fjalët: «Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan si thesar brenda teje urdhërimet e mia, që me veshin tënd t’i kushtosh vëmendje mençurisë, për ta prirur zemrën drejt aftësisë dalluese; nëse i thërret kuptueshmërisë dhe nëse e ngre zërin për aftësi dalluese, nëse vazhdon t’i kërkosh si argjendin dhe nëse vazhdon të rrëmosh për to si për thesare të fshehura, atëherë do të kuptosh frikën nga Jehovai dhe do të gjesh njohurinë e Perëndisë. Sepse Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese.»Prov. 2:1-6.

17 Pra, që t’ia dalim të fitojmë aftësinë e nevojshme për të marrë vendime të mençura, duhet të plotësojmë kushtet e përmendura te Proverbat. Mund të qëndrojmë të patundur përballë tundimeve nëse lejojmë që fjalët e Jehovait të na modelojnë zemrën, nëse i lutemi me ngulm Perëndisë për drejtim dhe nëse vazhdojmë të kërkojmë njohurinë e Perëndisë si margaritarë të fshehur.

18. Çfarë je i vendosur të vazhdosh të bësh dhe pse?

18 Jehovai u jep njohuri, kuptueshmëri, aftësi dalluese dhe mençuri atyre që përpiqen t’i gjejnë këto dhurata. Sa më shumë i kërkojmë e i përdorim, aq më shumë afrohemi me Atë që na i dhuron, Jehovain. Kështu, kur të përballemi me ndonjë tundim, marrëdhënia jonë e ngushtë me Perëndinë Jehova do të na mbrojë. Kur i afrohemi Jehovait dhe kur e nderojmë thellë atë, jemi të mbrojtur e nuk përfshihemi në keqbërje. (Psal. 25:14; Jak. 4:8) Miqësia që gëzojmë me Jehovain dhe zbatimi i mençurisë hyjnore le të na nxitin të gjithëve të marrim përherë vendime me anë të të cilave ia gëzojmë zemrën Jehovait dhe ruajmë trashëgiminë tonë.