PAS shpërthimit të Luftës I Botërore, më 1914, qëndrimi asnjanës i Studentëve të Biblës tërhoqi vëmendjen e botës. (Isa. 2:2-4; Gjoni 18:36; Efes. 6:12) Ç’ndodhi me shërbëtorët e Perëndisë në Britani?

Henri Hudsoni

Me t’u miratuar Ligji për Shërbimin Ushtarak në vitin 1916, në Britani filloi rekrutimi i burrave të pamartuar nga 18-40 vjeç. Ai linte hapësirë të përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak ata që vërtet nuk pranonin për shkak të «bindjeve fetare e morale». Qeveria ngriti gjykata që të përcaktonin kush do të përjashtohej dhe deri në ç’masë.

Brenda një kohe të shkurtër, rreth 40 Studentë të Biblës përfunduan në burgje ushtarake dhe 8 u dërguan në front, në Francë. Të shtyrë nga ky veprim i padrejtë, vëllezërit në Britani i dërguan kryeministrit Herbert Askuit një letër proteste kundër burgosjeve bashkë me një peticion me 5.500 firma.

Pastaj u mor vesh se ata tetë që u dërguan në Francë, ishin dënuar me pushkatim, për shkak të refuzimit të disiplinës ushtarake. Mirëpo, kur vëllezërit u rreshtuan para skuadrës së pushkatimit, ua ndryshuan dënimin në dhjetë vjet burg. Ata u kthyen në Angli për të shlyer dënimin në burgje civile.

Xhejms Frederik Skoti

Ndërsa lufta vazhdonte, filluan të rekrutoheshin edhe burra të martuar. Në një rast gjyqësor në Mançester, Angli, i pandehur ishte Henri Hudsoni, një mjek dhe Student i Biblës. Më 3 gusht 1916, gjykata e shpalli fajtor për mospërmbushje detyrimi, e gjobiti dhe ia dorëzoi ushtrisë. Njëherazi, në Edinburg, Skoci, po zhvillohej një tjetër rast gjyqësor. Xhejms Frederik Skoti, një përhapës 25 vjeçar, u shpall i pafajshëm. Qeveria e apeloi çështjen, por më pas hoqi dorë që të merrej me një rast tjetër gjyqësor në Londër. Kësaj here, një vëlla të quajtur Herbert Kipsi e shpallën fajtor, e gjobitën dhe ia dorëzuan ushtrisë.

Deri në shtator 1916, kishin bërë kërkesë për t’u përjashtuar nga shërbimi ushtarak 264 vëllezër gjithsej. Pesë prej tyre u përjashtuan nga ky shërbim, 154 u caktuan të bënin «punë me rëndësi kombëtare», 23 u përfshinë në forcat joluftuese, 82 iu dorëzuan ushtrisë dhe disa i dënoi gjyqi ushtarak për mosbindje ndaj urdhrave. Publiku reagoi ndaj trajtimit çnjerëzor të këtyre burrave, prandaj qeveria i transferoi nga burgjet ushtarake në kampe pune.

Prajs Hjuzi

 Edgar Kleji dhe Prajs Hjuzi, që më vonë shërbeu si mbikëqyrës dege në Britani, punuan në ndërtimin e një dige në Uells. Kurse Herbert Seniorin, një nga ata të tetë që ishin kthyer nga Franca, e çuan në burgun e Ueikfildit në Jorkshir. Të tjerë vuajtën dënimin me punë të rëndë në kushte tejet të vështira në burgun e Dartmurit, ku përbënin grupin më të madh të atyre që nuk kishin pranuar të kryenin shërbimin ushtarak për arsye të ndërgjegjes.

Frank Platin, një Student të Biblës që kishte pranuar të kryente punë që nuk përfshinin luftimin, e përndoqën mizorisht për një kohë të gjatë pasi e dërguan në front. Edhe Atkinson Paxheti, që e mësoi të vërtetën pak pasi u fut në ushtri, u trajtua egërsisht nga autoritetet ushtarake ngaqë nuk pranoi të luftonte.

Herbert Seniori

Mbase vëllezërit tanë afro një shekull më parë nuk e kuptonin plotësisht qëndrimin si të krishterë asnjanës, por u përpoqën t’i pëlqenin Perëndisë Jehova. Ata që përmenden në këtë artikull lanë një shembull të shkëlqyer asnjanësie gjatë një ‘ore sprove’ veçanërisht të vështirë. (Zbul. 3:10)—Nga arkivat tanë në Britani.