‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’FILIP. 1:10.

1, 2. Cila profeci për ditët e fundit duhet t’u ketë ngjallur kureshtje dishepujve të Jezuit dhe pse?

MË NË fund Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Andrea ishin vetëm me Zotërinë e tyre. Nuk u shqiteshin nga mendja komentet e mëparshme të Jezuit për shkatërrimin e tempullit. (Mar. 13:1-4) Prandaj e pyetën: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:1-3) Jezui filloi t’u fliste për ngjarje, ose kushte që jo vetëm do të sillnin ndryshime rrënjësore në jetë, por edhe do të identifikonin ditët e fundit të sistemit të lig të Satanait. Dishepujve të Jezuit duhet t’u ketë ngjallur kureshtje sidomos një gjë. Pasi foli për situata që të mundojnë, si luftërat, mungesa e ushqimit, rritja e paligjshmërisë, Jezui paratha diçka pozitive që do të spikaste në ditët e fundit: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»Mat. 24:7-14.

2 Dishepujt e Jezuit u kënaqën kur predikuan lajmin e mirë për Mbretërinë bashkë me Krishtin. (Luka 8:1; 9:1, 2) Mund t’u kishin ardhur ndër mend fjalët e tij: «Të korrat janë vërtet të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj, lutjuni Zotërisë së të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta.» (Luka 10:2) Por, si do të predikonin «në gjithë tokën e banuar» dhe të jepnin «dëshmi për të gjitha kombet»? Nga do të vinin tërë këta punëtorë? Ah, sikur ta shihnin para në të ardhmen ditën kur po flitnin me Jezuin! Pa dyshim, do të mahniteshin duke parë plotësimin e atyre pak fjalëve që tani i lexojmë te Mateu 24:14.

3. Si po përmbushet sot Luka 21:34 dhe ç’vetëshqyrtim duhet të bëjmë?

3 Jetojmë në kohën kur po përmbushet profecia  e Jezuit. Miliona veta janë bashkuar duke predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë në çdo cep të botës. (Isa. 60:22) Megjithatë, Jezui tha se disa do ta kishin të vështirë të mbeteshin të përqendruar aty ku duhet gjatë ditëve të fundit. Mund të shpërqendroheshin e ‘të rëndoheshin’. (Lexo Lukën 21:34.) Edhe ne po shohim përmbushjen e këtyre fjalëve. Disa mes popullit të Perëndisë po hallakaten. Kjo kuptohet nga vendimet që marrin lidhur me punën, shkollën e lartë, grumbullimin e gjërave materiale si edhe nga sa kohë harxhojnë me sporte e zbavitje. Të tjerë po lodhen nga presionet e ankthet e jetës së përditshme. Pyet veten: «Po unë, çfarë po bëj? Çfarë tregojnë për përparësitë e mia në jetë vendimet që marr?»

4. (a) Për çfarë lutej Pavli për të krishterët në Filipi dhe pse? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë vijues, dhe me çfarë synimi?

4 Të krishterët që jetuan në shekullin e parë duhej të përpiqeshin të ruanin përparësitë frymore. Apostulli Pavël e pa të nevojshme të lutej për ata në Filipi që ‘të siguroheshin për gjërat më të rëndësishme’. (Lexo Filipianëve 1:9-11.) Ashtu si Pavli, në këtë kohë, shumica po ‘tregonte edhe më shumë guxim për ta thënë fjalën e Perëndisë pa frikë’. (Filip. 1:12-14) Po njësoj, pjesa dërrmuese prej nesh e predikon me guxim Fjalën e Perëndisë. Megjithatë, a mund të na ndihmojë të përqendrohemi më tepër në veprën tejet të rëndësishme të predikimit shqyrtimi i asaj që po bën organizata e Jehovait? Patjetër që po! Në këtë artikull, le të reflektojmë mbi masat që ka marrë Jehovai për të lehtësuar përmbushjen e Mateut 24:14. Ku është përqendruar organizata e tij dhe për çfarë mund të na nxitë ne dhe familjen tonë? Në artikullin vijues do të shqyrtojmë çfarë do të na ndihmojë të durojmë e të ecim në një hap me organizatën e Jehovait.

PJESA QIELLORE E ORGANIZATËS SË JEHOVAIT NË LËVIZJE

5, 6. (a) Pse i siguroi Jehovai vegimet për pjesën qiellore të organizatës së tij? (b) Çfarë pa në vegim Ezekieli?

5 Ka shumë gjëra që Jehovai i ka lënë enkas jashtë Fjalës së tij të shkruar. Për shembull, nuk e shpjegoi me hollësi si funksionon truri a universi, edhe pse një informacion i tillë do të ishte tejet tërheqës. Në vend të kësaj, Jehovai siguroi informacionin e nevojshëm për të kuptuar qëllimin e tij e për të jetuar në përputhje me të. (2 Tim. 3:16, 17) Pra, është shumë interesante që Bibla jep disa pamje kalimthi të pjesës së padukshme të organizatës së Jehovait. Emocionohemi kur lexojmë për rregullimin qiellor të Jehovait, përshkruar nga Isaia, Ezekieli e Danieli, si edhe Zbulesën e treguar nga Gjoni. (Isa. 6:1-4; Ezek. 1:4-14, 22-24; Dan. 7:9-14; Zbul. 4:1-11) Është sikur Jehovai të ketë hapur pak perden dhe të na lejojë të vështrojmë brenda qiellit. Pse e dha këtë informacion?

6 Jehovai donte që ne të mos e harronim kurrë se jemi pjesë e një organizate universale. Ka shumë aktivitete që e mbështetin qëllimin e Jehovait të cilat nuk na i rrok dot syri. Për shembull, Ezekieli pa pjesën e padukshme të organizatës së Jehovait, e përshkruar si një karrocë qiellore gjigante. Kjo karrocë mund të lëvizte shpejt dhe ndryshonte drejtimin në çast. (Ezek. 1:15-21) Me çdo rrotullim të rrotave, karroca përshkonte distanca të mëdha. Gjithashtu, në vizionin e tij, Ezekieli pa kalimthi atë që ngiste karrocën. Ai tha: «Pashë diçka që  dukej si rrëzëllimë ar-argjendi, diçka që ngjante si zjarr . . . Ajo ngjante si lavdia e Jehovait.» (Ezek. 1:25-28) Sa mbresëlënës duhet t’i jetë dukur Ezekielit ky vegim! Ai pa Jehovain që e kishte nën kontroll absolut organizatën e tij, duke e lëvizur me anë të frymës së shenjtë. Sa mahnitës është ky përshkrim i pjesës qiellore të organizatës së Jehovait në lëvizje!

7. Si na mbush me siguri vegimi i Danielit?

7 Edhe Danieli pa një vegim që na mbush me siguri. Atij iu lejua ta shihte Jehovain të përshkruar si «i Lashti i Ditëve», ulur në një fron me flakë zjarri. Froni rrinte mbi rrota. (Dan. 7:9) Jehovai donte që Danieli të kuptonte se organizata e tij po lëviz duke plotësuar qëllimin e tij. Po ashtu, pa «dikë si një bir njeriu», Jezuin, ndërsa i jepej autoritet të mbikëqyrte pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Sundimi i përsosur i Krishtit nuk do të qëndronte vetëm pak vjet. Përkundrazi, ‘do të zgjaste përgjithmonë dhe nuk do të kalonte, dhe mbretëria e tij nuk do të shkatërrohej’. (Dan. 7:13, 14) Kjo na shtyn të kemi besim te Jehovai dhe të kuptojmë atë që po bën. Ai i dha «sundim, lavdi dhe mbretëri» Birit të tij të sprovuar e të provuar. Jehovai ka besim te Biri i tij. Prandaj edhe ne mund të ndihemi të sigurt nën udhëheqjen e Jezuit.

8. Ç’ndikim kishin tek Ezekieli dhe Isaia vegimet që u dha Jehovai, dhe si duhet të ndikojnë te ne?

8 Si duhet të ndikojë te ne kjo tablo e pjesës së padukshme të organizatës së Jehovait? Ashtu si Ezekieli, pa dyshim mahnitemi e ndihemi të përulur  para asaj që po kryen Jehovai. (Ezek. 1:28) Meditimi për organizatën e Jehovait mund të na nxitë të veprojmë, si në rastin e Isaisë. Kur iu dha mundësia t’u tregonte të tjerëve çfarë po bënte Jehovai, u përgjigj pa ngurruar. (Lexo Isainë 6:5, 8.) Ishte i sigurt se kishte mbështetjen e Jehovait dhe se mund t’ia dilte mbanë çdo lloj sfide. Po njësoj, ky shikim kalimthi i pjesës së padukshme të organizatës së Jehovait duhet të na mbushë me nderim të thellë e të na shtyjë të veprojmë. Sa nxitëse është të mendojmë thellë për organizatën gjithnjë në lëvizje e të përqendruar plotësisht në përmbushjen e qëllimit të Jehovait!

PJESA TOKËSORE E ORGANIZATËS SË JEHOVAIT

9, 10. Pse ka nevojë për një pjesë të dukshme të organizatës së Jehovait?

9 Nëpërmjet Birit të tij, Jehovai themeloi pjesën tokësore të organizatës që bashkëpunon harmonishëm me pjesën e padukshme të saj. Pse duhet një rregullim i dukshëm për të përmbushur veprën e përshkruar në Mateun 24:14? Le të shohim tri arsye.

10 Së pari, Jezui tha se falë kësaj vepre predikimi, dishepujt e tij do të arrinin «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8) Së dyti, duheshin bërë rregullime për t’u siguruar ushqim frymor të nevojshëm atyre që do të merrnin pjesë në këtë vepër dhe për t’u kujdesur për ta. (Gjoni 21:15-17) Së treti, duheshin marrë masa që ata të cilët do të predikonin lajmin e mirë, të mblidheshin bashkë që të adhuronin Jehovain e të mësoheshin si ta bënin këtë vepër. (Hebr. 10:24, 25) Këto synime nuk mund të përmbusheshin rastësisht. Që ithtarët e Krishtit t’ia dilnin mbanë, vepra duhej organizuar mirë.

11. Si tregojmë se i mbështetim masat që merr organizata e Jehovait?

11 Si tregojmë se i mbështetim masat që merr organizata e Jehovait? Një mënyrë e rëndësishme është të mos dyshojmë kurrë tek ata që Jehovai e Jezui kanë besim dhe që u kanë caktuar të drejtojnë veprën e predikimit. Në botën e sotme, ka plot veprimtari a kauza ku mund të përfshiheshin ata që marrin drejtimin mes nesh. Megjithatë, ku është përqendruar vazhdimisht pjesa e dukshme e organizatës së Jehovait?

TË PËRQENDRUAR NË «GJËRAT MË TË RËNDËSISHME»

12, 13. Si e kryejnë caktimin pleqtë e krishterë dhe pse të inkurajon kjo?

12 Pleqtë e krishterë me përvojë anembanë botës janë emëruar të mbikëqyrin e të çojnë para veprën e predikimit në vendet ku shërbejnë. Ndërsa këta vëllezër marrin vendime, kërkojnë drejtim nga Fjala e Perëndisë, duke e bërë ‘një llambë për këmbën dhe një dritë për shtegun e tyre’, dhe i luten me zjarr Jehovait për udhëheqje.Psal. 119:105; Mat. 7:7, 8.

13 Ashtu si ata që morën drejtimin në shekullin e parë, pleqtë e krishterë që mbikëqyrin veprën e predikimit sot, i janë kushtuar «mësimit të fjalës së Perëndisë». (Vep. 6:4) Gëzohen jashtë mase për përparimin e veprës së predikimit të lajmit të mirë si në vendin e tyre, edhe në mbarë botën. (Vep. 21:19, 20) Ata nuk vendosin një listë rregullash e procedurash të pafundme. Në vend të kësaj, ndjekin Shkrimet dhe drejtimin e frymës së shenjtë të Perëndisë ndërsa marrin masat e nevojshme për të çuar para veprën e predikimit. (Lexo Veprat 15:28.) Duke bërë kështu, këta vëllezër me përgjegjësi lënë një shembull të  shkëlqyer për të gjithë në kongregacionet vendëse.Efes. 4:11, 12.

14, 15. (a) Cilat rregullime janë bërë tashmë për të mbështetur veprën e predikimit në mbarë botën? (b) Si ndihesh për privilegjin që ke për të mbështetur veprën e predikimit të Mbretërisë?

14 Pa rënë në sy të shumicës, bëhet një punë e vazhdueshme për përgatitjen e ushqimit frymor për botime, mbledhje, asamble e kongrese. Mijëra vullnetarë punojnë pa u lodhur për ta përkthyer këtë ushqim frymor në rreth 600 gjuhë, që sa më shumë veta të jetë e mundur të mësojnë për «gjërat madhështore të Perëndisë» në gjuhën e tyre. (Vep. 2:7-11) Vëllezër e motra të rinj punojnë që të prodhojnë literaturë në shtypshkronja me shpejtësi të lartë dhe në makina të libralidhjes. Pastaj, kjo literaturë u shpërndahet kongregacioneve, madje deri në zonat më të skajshme të tokës.

15 Tashmë janë bërë rregullime të shumta që na lejojnë të përqendrohemi në predikimin e lajmit të mirë në kongregacionin tonë. Për shembull, mijëra kanë dalë vullnetarë të ndihmojnë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të Asambleve, të ndihmojnë ata që janë prekur nga katastrofat natyrore ose që kanë ndonjë rast shëndetësor urgjent. Të tjerë merren me organizimin e asambleve e të kongreseve e mësojnë në shkollat teokratike. Këto janë vetëm disa nga aktivitetet që nuk bien në sy. Cili është qëllimi i gjithë kësaj pune? Të lehtësojë predikimin e lajmit të mirë, të forcojë mirëqenien frymore të atyre që marrin pjesë në këtë vepër e të çojë para adhurimin e vërtetë. A është ende e përqendruar në gjërat më të rëndësishme pjesa tokësore e organizatës së Jehovait? Absolutisht, po!

NDIQ SHEMBULLIN E ORGANIZATËS SË JEHOVAIT

16. Cili do të ishte një projekt studimi biblik i mirë për ty dhe familjen tënde?

16 A marrim kohë herë pas here për të menduar thellë për atë çka bën organizata e Jehovait? Disa kanë vendosur të lënë ca kohë mënjanë gjatë adhurimit familjar a studimit personal që të bëjnë kërkime e të meditojnë për këtë. Një studim i vegimeve që morën Isaia, Ezekieli, Danieli dhe Gjoni është goxha nxitës. Libri Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë ose botime a DVD të tjera që janë në dispozicion në gjuhën tënde, japin informacione mjaft interesante për ta njohur më mirë organizatën.

17, 18. (a) Si ju ka ndihmuar ky diskutim? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

17 Meditimi për atë që po kryen Jehovai përmes organizatës, na bën mirë. Bashkë me këtë organizatë të mrekullueshme, qofshim të vendosur të mbetemi të përqendruar në gjërat më të rëndësishme! Kështu do të jemi po aq të vendosur sa Pavli, që shkroi: «Meqë kemi këtë shërbim sipas mëshirës që na është treguar, ne nuk dorëzohemi.» (2 Kor. 4:1) Gjithashtu, ai nxiti bashkëpunëtorët e tij: «Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në stinën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.»Gal. 6:9.

18 A kemi gjëra që duhet të ndreqim si individë a familje, për t’u siguruar për gjërat më të rëndësishme në programin e përditshëm? A mund ta thjeshtojmë jetën apo të pakësojmë shpërqendrimet që t’i kushtojmë vëmendje më të plotë veprës jetësore të predikimit? Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë pesë gjëra që do të na ndihmojnë të ecim në një hap me organizatën e Jehovait.