Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Pesë dekada në shërbimin e plotkohor pranë Rrethit Polar të Veriut

Pesë dekada në shërbimin e plotkohor pranë Rrethit Polar të Veriut

«E ke kollaj të jesh pioniere. Të dy prindërit i ke në të vërtetën dhe mund të të mbështetin», i thamë një shoqeje që ishte në shërbimin e plotkohor. Ajo na u përgjigj: «Dëgjoni këtu, ju! Kemi të gjithë të njëjtin Atë.» Përgjigjja e saj përmbante një mësim të rëndësishëm: Ati ynë qiellor kujdeset për shërbëtorët e tij dhe i forcon. Jeta jonë dëshmon se kjo është e vërtetë.

 LINDËM në një familje bujqish me 10 fëmijë, në Ostrobothninë Veriore, Finlandë. Lufta II Botërore ndikoi në fëmijërinë tonë. Edhe pse jetonim qindra kilometra nga vija e frontit, llahtari i luftës na la mbresa të thella. Kur u bombarduan qytetet fqinje, Oulu dhe Kalajoki, pamë se gjatë natës qiejt u përflakën. Prindërit na urdhëruan të fshiheshim me të parë avionët luftarakë që kalonin mbi kokat tona. Prandaj, u prekëm në zemër kur Tauno, vëllai më i madh, na foli për një tokë parajsore pa padrejtësi.

Tauno e mësoi të vërtetën biblike kur ishte 14 vjeç nga literatura e Studentëve të Biblës. Kur shpërtheu Lufta II Botërore, për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla, ai nuk pranoi të shërbente në ushtri dhe e burgosën. Atje, e trajtuan çnjerëzisht dhe kjo vetëm sa i forcoi vendosmërinë t’i shërbente Jehovait me më shumë zell pasi u lirua. Shembulli i tij i shkëlqyer na nxiti të shkonim në mbledhjet që mbanin Dëshmitarët në një fshat fqinj. Ndiqnim edhe kongreset, megjithëse na duhej të përpiqeshim fort të kursenim mjaft para për udhëtimin. Qepnim rroba për komshinjtë, kultivonim qepë dhe mblidhnim fruta pylli. Me gjithë punën që kishim në fermë, rrallë na binte të shkonim bashkë në kongrese, prandaj e bënim me radhë.

Nga e majta: Mati (babai), Tauno, Saimi, Maria Emilia (mamaja), Vaino (foshnjë), Aili dhe Aniki më 1935

Të vërtetat për Jehovain dhe për qëllimin e tij na e thelluan dashurinë për të dhe vendosëm t’i kushtonim jetën. Më 1947, të dyja u pagëzuam në ujë në simbol të kushtimit tonë. (Aniki ishte 15 dhe Aili 17 vjeçe.) Motra jonë Saimi, u pagëzua po atë vit. Studiuam Biblën edhe me motrën tjetër, Linean, që ishte tashmë e martuar. Edhe ajo bashkë me familjen u bënë Dëshmitarë të Jehovait. Pas pagëzimit, vumë si synim të shërbenim si pioniere dhe herë pas here shërbyem si «pioniere pushimi» (ose pioniere ndihmëse).

FILLOJMË SHËRBIMIN E PLOTKOHOR

Nga e majta: Eva Kalio, Saimi Matila-Suerjala, Aili, Aniki dhe Sara Noponeni më 1949

Më 1955, u transferuam në Kemi, qytet më në veri. Edhe pse punonim në kohë të plotë, ende donim të bëheshim pioniere, por kishim merak se nuk do t’ia dilnim të mbanim veten. Mendonim se më parë duhej të vinim diçka mënjanë. Pikërisht atëherë bëmë bisedën me motrën pioniere që përmendëm në fillim. Kjo na ndihmoi të kuptonim se t’i shërbesh Jehovait në kohë të plotë nuk varet vetëm nga sa të ardhura ke ose nga ndihma e familjes. Gjëja më e rëndësishme është të mbështetemi tek Ati ynë qiellor.

Rrugës për në kongres në Kuopio, më 1952. Nga e majta: Aniki, Aili, Eva Kalio

Në këtë moment, kishim kursyer mjaftueshëm që të mbanim veten për dy muaj. Kështu, në maj 1957, me pak ngurrim, bëmë kërkesën për të shërbyer si pioniere për dy muaj në Pello, një komunë në Laponi, mbi Rrethin Polar të Veriut. Kaluan dy muaj dhe akoma i kishim kursimet, ndaj  bëmë kërkesë të shërbenim edhe për dy muaj të tjerë. Pas këtyre dy muajve, i kishim akoma në xhep të gjitha paratë. Tani s’kishim pikë dyshimi se Jehovai do të kujdesej për ne. Pas pesëdhjetë vjetësh në shërbimin si pioniere, i kemi ende ato kursime. Kur mendojmë për të kaluarën, ndihemi sikur Jehovai të na kishte kapur nga dora duke thënë: ‘Mos kini frikë, se unë do t’ju ndihmoj.’Isa. 41:13.

Pas 50 vjetësh në shërbimin si pioniere, i kemi ende ato kursime

Kaisu Reiko dhe Aili në shërbim

Më 1958, mbikëqyrësi qarkor sugjeroi të transferoheshim e të shërbenim si pioniere speciale në Sodankuelë, Laponi. Atëherë, në atë zonë ishte vetëm një Dëshmitar, një motër. Ajo e kishte mësuar të vërtetën në një mënyrë të veçantë. I biri kishte bërë ekskursion me shkollën në Helsinki, në kryeqytetin e Finlandës. Teksa shëtitnin në qytet, një motër e moshuar i kishte dhënë një revistë Kulla e Rojës djalit që ishte në fund të rreshtit, duke i kërkuar t’ia jepte mamasë. Djali bëri kështu, dhe e ëma e dalloi menjëherë tingullin e së vërtetës.

Morëm një dhomë me qira mbi një punishte sharre. Atje bënim mbledhjet. Në fillim, të vetmit që merrnin pjesë ishim ne të dyja, motra vendëse dhe e bija. E lexonim së bashku materialin për studim. Më vonë, një burrë që e kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait erdhi të punonte në punishte. Bashkë me familjen filloi të shoqërohej me grupin tonë. Me kohë, ai dhe e shoqja u pagëzuan. Ky vëlla mori drejtimin në mbledhjet tona. Përveç kësaj, disa nga burrat që punonin me të në punishte, filluan të ndiqnin mbledhjet dhe e bënë të tyren të vërtetën biblike. Rreth dy vjet më vonë grupi ynë u rrit aq sa u formua një kongregacion.

KUSHTET E VËSHTIRA

Largësitë e mëdha ishin një sfidë për predikimin tonë. Që të takonim njerëz në territore, në verë, ecnim më këmbë, përdornim biçikletën ose vozitnim me varka. Biçikletat na bënin shumë punë. I përdornim edhe për të vajtur në kongrese e kur vizitonim prindërit që jetonin qindra kilometra larg. Gjatë dimrit, merrnim autobusë herët në mëngjes për të shkuar në ndonjë fshat në territor dhe pastaj vazhdonim më këmbë shtëpi më shtëpi. Pasi mbulonim një fshat, venim më këmbë te tjetri. Rrugët ziheshin shpesh nga trashësia e borës. Herë pas here ecnim në gjurmët që linin në borë sajat me kuaj. Me raste, bora  i mbulonte gjurmët e udhëtarëve të mëparshëm, dhe për më tepër, në fillim të pranverës bora bëhej aq e qullët, saqë mezi çaje para.

Bashkë në shërbim në një ditë dimri të ftohtë

Mësuam të visheshim ngrohtë për shkak të temperaturave nën zero dhe ngaqë binte shpesh borë. Përdornim geta të leshta, dy a tre palë çorape dhe çizme të trasha. Megjithatë, jo rrallë mbusheshin me borë. Me të mbërritur te shkallët pranë ndonjë dere, hiqnim çizmet dhe zbraznim borën. Gjithashtu, cepat e palltove të gjata lageshin teksa çanim mes për mes borës. Pastaj, kur temperaturat uleshin, cepat e palltove ngrinin si fletë metalike. Një zonjë tha: «Meqë keni dalë në këtë mot pa ju detyruar njeri, me siguri keni vërtet besim.» Për të arritur në shtëpinë e saj, kishim bërë 11 km më këmbë.

Për shkak të largësive të mëdha, shpesh e kalonim natën në shtëpitë vendëse. Kur bëhej vonë, fillonim të pyetnim për strehim. Shtëpitë ishin të thjeshta, mirëpo njerëzit ishin miqësorë e mikpritës, pasi jo vetëm na siguronin një vend për të fjetur, por edhe na jepnin diçka për të ngrënë. Shpesh krevati ynë ishte një postiqe me lëkurë dreri polar, dreri brilopatë ose ariu. Nganjëherë, na përkëdhelnin pak. Për shembull, një zonjë me një shtëpi të madhe, na ngjiti në një dhomë miqsh në kat të dytë ku na priste një krevat i bukur me çarçafë xixë prej tyli të bardha. Shpeshherë, bënim biseda biblike me njerëzit e shtëpisë ku rrinim deri natën vonë. Në një shtëpi, çifti që na strehoi fjeti në njërin cep të dhomës, ndërsa ne në cepin tjetër. Biseda biblike me ta vazhdoi gjatë natës e deri në orët e para të mëngjesit. Burri dhe gruaja bënin pyetje me radhë, njëri pas tjetrit.

SHËRBIM SHPËRBLYES

Laponia është djerrinë, por e bukur, dhe bukuria e saj ndryshon sipas stinëve. Megjithatë, për ne, më të bukur ishin ata që vlerësonin Jehovain. Mes këtyre njerëzve të sinqertë të cilëve u dëshmuam, ishin edhe druvarët që kishin ardhur për të punuar në kampet e thella të Laponisë. Nganjëherë, ne dy motra shtatvogël, hynim në një shtëpizë me dhjetëra burra. Ata burra të bëshëm e mirëpritnin mesazhin e Biblës dhe e merrnin me kënaqësi literaturën tonë.

Kishim shumë përvoja prekëse. Një ditë, ora në stacionin e autobusit ishte pesë minuta para, kështu që e humbëm autobusin që donim. Vendosëm të merrnim një tjetër për në një fshat tjetër. Nuk kishim predikuar asnjëherë në atë zonë. Në shtëpinë e parë takuam një grua të re që na tha: «Ja ku janë çupat, po ju prisja!» Bënim studim biblik me motrën e saj. Ajo i kishte lënë porosi motrës të na ftonte për vizitë po atë ditë. Gjithsesi, nuk e kishim marrë mesazhin e saj. Filluam studimin me të dhe me të afërm që e kishin  shtëpinë pranë. S’kaloi shumë dhe, nga dy studime bëmë një me rreth dymbëdhjetë të pranishëm. Që atëherë, shumë nga kjo familje janë bërë Dëshmitarë të Jehovait.

Më 1965, u ricaktuam në kongregacionin ku jemi tani, në Kusamo, pak më poshtë Rrethit Polar të Veriut. Në atë kohë, në kongregacion ishin vetëm një grusht lajmëtarë. Fillimisht, territori i ri na dukej pak i vështirë. Njerëzit ishin goxha fetarë dhe na paragjykonin. Megjithatë, shumë e respektonin Biblën, dhe kjo krijoi një bazë të përbashkët për biseda. Kështu, avash-avash u përpoqëm t’i njihnim banorët e zonës dhe gati dy vjet më vonë e kishim më të lehtë të nisnim studime biblike.

ENDE AKTIVE NË SHËRBIM

Disa me të cilët kemi studiuar

Sot, nuk kemi aq energji sa të kalojmë ditë të gjata në shërbim, megjithatë dalim në shërbim thuajse çdo ditë. Predikimi i lajmit të mirë te njerëzit në territorin tonë të stërmadh, u bë më i lehtë kur Aili, e nxitur nga nipi, bëri një kurs për shofere dhe mori patentën më 1987, në moshën 56 vjeçare. U lehtësuam edhe më tepër kur u ndërtua një Sallë Mbretërie e re dhe u transferuam në një apartament ngjitur me të.

Rritja që kemi parë na ka sjellë gëzim të madh. Kur filluam shërbimin e plotkohor në veri të Finlandës, në atë zonë të paanë ishin vetëm pak lajmëtarë të shpërndarë tek-tuk. Tani ka disa kongregacione që formojnë një qark. Na ndodh shpesh që në asamble e kongrese të na afrohet ndokush që prezantohet e na pyet nëse e mbajmë mend. Në disa raste, studionim Biblën në shtëpitë e tyre kur ishin fëmijë. Farat që mbollëm vite a dekada më parë kishin sjellë fryt.1 Kor. 3:6.

Kënaqemi në shërbim edhe në shi

Më 2008, mbushëm 50 vjet në shërbimin si pioniere speciale. Falënderojmë Jehovain që ishim në gjendje t’i jepnim zemër njëra-tjetrës të qëndronim në veprën e tij të çmuar. Kemi bërë një jetë të thjeshtë, por kurrë nuk na ka munguar as edhe një gjë. (Psal. 23:1) Kot që ngurruam në fillim! Lumturisht, gjatë tërë këtyre viteve, Jehovai na ka forcuar tamam siç premtoi tek Isaia 41:10: «Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.»