A ke vite që je Dëshmitar i Jehovait dhe dëshiron me zjarr që bashkëshorti të adhurojë Jehovain bashkë me ty?

Ose, a je shkurajuar kur studenti yt i Biblës nuk e bëri të veten të vërtetën edhe pse në fillim dukej shumë i interesuar?

 Disa përvoja nga Britania do të të ndihmojnë të kuptosh pse nuk duhet t’i humbësh kurrë shpresat. Gjithashtu, do të shohësh ç’mund të bësh që, si të thuash, ‘ta nisësh bukën tënde mbi sipërfaqen e ujërave’, për t’i ndihmuar ata që ende nuk e kanë pranuar të vërtetën.Ekl. 11:1.

QËNDRUESHMËRIA—NJË FAKTOR JETËSOR

Një faktor jetësor është qëndrueshmëria jote. Duhet të kapesh fort pas së vërtetës dhe të qëndrosh i lidhur me Jehovain. (Ligj. 10:20) Kështu bëri Jorgjina. Kur filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait më 1970, i shoqi, Qirjakosi, u tërbua. U përpoq t’ia ndërpriste studimin, nuk i linte Dëshmitarët në shtëpi dhe ia merrte botimet e tyre.

Kur Jorgjina nisi të ndiqte mbledhjet, Qirjakosi u tërbua edhe më shumë. Një ditë shkoi në Sallën e Mbretërisë që të bënte sherr. Me ta marrë vesh se Qirjakosi fliste më mirë greqisht se anglisht, një motër i telefonoi një vëllai grek nga një kongregacion tjetër që të vinte për ndihmë. Qirjakosi reagoi mirë ndaj sjelljes dashamirëse të vëllait dhe madje për ca muaj studioi Biblën me të. Por, pastaj e la studimin.

Për tre vite të tjera Jorgjina vazhdoi të haste kundërshtim. Qirjakosi tha se, po të pagëzohej, do ta linte. Ditën e pagëzimit Jorgjina iu lut me zjarr Jehovait që burri të mos e linte. Kur Dëshmitarët shkuan që ta merrnin Jorgjinën në asamble, Qirjakosi u tha: «Nisuni para. Do të vijmë pas jush me makinën tonë.» Ai ndoqi sesionin e paradites dhe pa gruan teksa pagëzohej.

Gati 40 vjet pasi takoi për herë të parë Dëshmitarët, Jorgjina pa burrin të pagëzohej

Më pas, kundërshtimi i Qirjakosit u pakësua dhe dalëngadalë bëri ndryshime të mëdha. Gati 40 vjet pasi takoi për herë të parë Dëshmitarët, Jorgjina pa burrin të pagëzohej. Çfarë e ndihmoi Qirjakosin? Ai thotë: «Isha shumë i kënaqur me Jorgjinën, sepse ishte mjaft e vendosur.» Jorgjina shprehet: «Pavarësisht nga kundërshtimi i tim shoqi, as më shkonte ndër mend të mos e adhuroja më Perëndinë tim. Gjatë gjithë kësaj kohe, vazhdova t’i lutesha Jehovait dhe kurrë nuk i humba shpresat.»

VLERA E PERSONALITETIT TË RI

Kultivimi i personalitetit të krishterë është një faktor tjetër për të ndihmuar bashkëshortin. Apostulli Pjetër i këshilloi gratë e krishtere: «Jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, që, nëse disa nuk i binden fjalës, t’i fitoni pa fjalë, nëpërmjet sjelljes suaj.» (1 Pjet. 3:1) Kristina jetoi në përputhje me këtë këshillë, ndonëse u deshën shumë vjet që ta fitonte burrin. Kur u bë Dëshmitare mbi 20 vjet më parë, i shoqi, Xhoni, nuk e ndiente nevojën për Perëndinë në jetën e tij. Ai nuk donte të merrej me fe, megjithatë mund të shihte sa i rëndësishëm ishte për Kristinën besimi i saj i ri. Xhoni thotë: «Shihja se e bënte të lumtur. Ajo u bë më e fortë dhe e qëndrueshme, e kjo më ndihmoi të përballoja mjaft situata të vështira.»

Kristina nuk i bënte moral për fenë burrit. Ai thotë: «Kristina e kuptoi që në fillim se do të ishte më mirë të më linte rehat dhe, me durim, më lejoi të mësoja me ritmin tim dhe sipas mënyrës sime.» Kur Kristina shihte në revistat Kulla e Rojës ose Zgjohuni! artikuj për ndonjë temë që e dinte se do t’i dukej interesante Xhonit, si për shembull, rreth shkencës a natyrës, ia tregonte dhe i thoshte: «Mendoj se do të të pëlqejë ta lexosh këtë.»

Me kalimin e kohës, Xhoni doli në pension dhe filloi të bënte ca punë kopshtarie. Ngaqë ishte më i qetë të mendonte për pyetjet më të thella të jetës, nisi të vriste mendjen: a ekzistojmë falë një sërë aksidentesh apo u krijuam për një qëllim? Një ditë, një vëlla që po bisedonte me të, e pyeti: «Si thua, studiojmë bashkë?» Xhoni thotë: «Tanimë që kisha filluar të besoja te Perëndia, pranova.»

Sa e rëndësishme ishte që Kristina kurrë nuk i humbi shpresat! Pasi ishte lutur për 20 vjet që Xhoni të pranonte të vërtetën, ai u pagëzua. Tani i shërbejnë me zell Jehovait së bashku. Xhoni komenton: «Më bënë për vete dy gjëra në veçanti: mirëdashja dhe qëndrimi miqësor i Dëshmitarëve. Po ashtu, kur je i martuar me një Dëshmitare të Jehovait, ke një bashkëshorte besnike, të palëkundur dhe vetëmohuese.» Po, Kristina zbatoi fjalët e 1 Pjetrit 3:1 dhe funksionoi.

 FARAT JAPIN FRYT VITE MË VONË

Ç’të themi për studentët e Biblës që për ndonjë arsye mund të kenë humbur interesin e fillimit? Mbreti Solomon shkroi: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.» (Ekl. 11:6) Ndonjëherë duhen shumë vite që të mbijnë farat e së vërtetës. Megjithatë, në fund një person mund të arrijë të kuptojë sa e rëndësishme është t’i afrohet Perëndisë. (Jak. 4:8) Po, një ditë mund të kesh ndonjë surprizë të këndshme.

Mendo për Alisën që kishte emigruar nga India në Angli. Më 1974 nisi të studionte Biblën. Ajo fliste gjuhën hindi, por donte të përmirësonte anglishten. Studioi për disa vjet dhe ndoqi ca mbledhje në një kongregacion anglishtfolës. E dinte se ajo që po studionte ishte e vërteta, por e konsideronte si hobi. Përveç kësaj, e kishte mendjen te paratë dhe vdiste të shkonte në festa. Pas ca kohësh, Alisa e la studimin.

Pothuajse 30 vjet më vonë, Stela, e cila i kishte bërë studimin Alisës, mori një letër prej saj. Aty shkruhej: «Jam e sigurt se do të jesh shumë e lumtur të dish se studentja jote e Biblës në vitin 1974, u pagëzua në një kongres krahinor kohët e fundit. Ti ke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në jetën time. Mbolle tek unë farën e së vërtetës dhe, ndonëse në atë kohë nuk isha gati t’i kushtohesha Perëndisë, e ruajta atë farë në mendje e në zemër.»

Në letrën që Stela mori nga Alisa shkruhet: «Jam e sigurt se do të jesh shumë e lumtur të dish se studentja jote e Biblës në vitin 1974, u pagëzua në një kongres krahinor kohët e fundit»

Ç’kishte ndodhur? Alisa shpjegon se kaloi një depresion të rëndë pas vdekjes së të shoqit më 1997. Ajo iu lut Perëndisë. Brenda dhjetë minutash, dy Dëshmitare që flitnin gjuhën punjabe shkuan në shtëpinë e saj dhe i lanë fletushkën Çfarë shprese ka për të vdekurit? Alisa mendoi se i ishte dëgjuar lutja dhe vendosi të lidhej me Dëshmitarët e Jehovait. Po, ku mund t’i gjente? Rastësisht gjeti një ditar të vjetër me adresën e kongregacionit të gjuhës punjabe që i kishte dhënë Stela. Alisa shkoi në Sallën e Mbretërisë dhe vëllezërit e motrat që flitnin atë gjuhë e mirëpritën ngrohtë. Ajo thotë: «Atë ngrohtësi vazhdova ta ndieja edhe më pas e kjo më ndihmoi të gjeja lehtësim nga depresioni.»

Ajo nisi t’i ndiqte mbledhjet rregullisht, rifilloi studimin e ndërkohë mësoi të fliste e të lexonte rrjedhshëm gjuhën punjabe. U pagëzua më 2003. Letra që i kishte shkruar Stelës përfundonte kështu: «Faleminderit shumë që mbolle tek unë farat e së vërtetës 29 vjet më parë dhe që më le një shembull të mirë për ta imituar!»

«Faleminderit shumë që mbolle tek unë farat e së vërtetës 29 vjet më parë dhe që më le një shembull të mirë për ta imituar!»—Alisa

Ç’mund të mësosh nga këto përvoja? Që e vërteta të rritet në zemrën e dikujt mund të duhet më shumë kohë se sa prisje. Por, nëse personi është i etur frymësisht, i ndershëm dhe i përulur, Jehovai do ta lejojë këtë rritje. Kujto komentin në ilustrimin e Jezuit: «Fara mbin e rritet, por se si [mbjellësi] nuk e di. Toka vetvetiu jep fryt dalëngadalë: më parë filizin, pastaj kallirin e së fundi kokrrën e pjekur në kalli.» (Mar. 4:27, 28) Kjo rritje bëhet dalëngadalë dhe ndodh «vetvetiu». Në parim, lajmëtari i Mbretërisë nuk e di se si mund të ndodhë kjo. Prandaj, vazhdo të mbjellësh me bollëk. Mund të korrësh me bollëk.

Gjithashtu, mos harro rëndësinë e lutjes. Jorgjina dhe Kristina iu lutën Jehovait pareshtur. Nëse ‘ngulmon në lutje’ dhe kurrë nuk i humb shpresat, «pas shumë ditëve» fare mirë mund ta gjesh përsëri «bukën» që kishe nisur mbi sipërfaqen e ujërave.Rom. 12:12; Ekl. 11:1.