Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A e çmoni trashëgiminë frymore?

A e çmoni trashëgiminë frymore?

«Perëndia e drejtoi . . . vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij.»VEP. 15:14.

1, 2. (a) Çfarë ishte ‘kasollja e Davidit’ dhe si do të rindërtohej? (b) Cilët shërbejnë së bashku si shërbëtorë të Jehovait sot?

GJATË një mbledhjeje të shënuar të trupit udhëheqës në Jerusalem, në vitin 49 të e.s., dishepulli Jakov tha: «Simioni [Pjetri] na tregoi nga fillimi në fund se si Perëndia e drejtoi për herë të parë vëmendjen nga kombet, për të nxjerrë prej tyre një popull për emrin e tij. Me këtë pajtohen edhe fjalët e Profetëve, sikurse është shkruar: ‘Pas këtyre gjërave do të kthehem e do të rindërtoj kasollen e Davidit, që ka rënë. Do të rindërtoj rrënojat e saj dhe do ta ngre sërish, me qëllim që ata njerëz që mbeten, bashkë me njerëz nga të gjitha kombet, që thirren me emrin tim, të kërkojnë me ngulm Jehovain’,—thotë Jehovai që po i bën këto gjëra të njohura që nga lashtësia.»Vep. 15:13-18.

2 ‘Kasollja [ose shtëpia mbretërore] e Davidit’ ra kur mbretin Zedekia e hoqën nga froni. (Amo. 9:11) Megjithatë, ‘kasollja’ do të rindërtohej dhe si Mbret të përhershëm do të kishte pasardhësin e Davidit, Jezuin. (Ezek. 21:27; Vep. 2:29-36) Siç theksoi Jakovi në atë mbledhje historike, kjo profeci e Amosit po plotësohej teksa mblidheshin trashëgimtarët e Mbretërisë si nga judenjtë, edhe nga jojudenjtë. Sot, një mbetje e të krishterëve të mirosur dhe miliona «dele të tjera» të Jezuit janë bashkuar për të shpallur të vërtetën biblike si shërbëtorë të Jehovait.Gjoni 10:16.

POPULLI I JEHOVAIT KAPËRCEN NJË SFIDË

3, 4. Si mbijetoi frymësisht në Babiloni populli i Jehovait?

3 Kur judenjtë i morën rob në Babiloni, ishte e qartë se ‘kasollja e Davidit’ kishte rënë. Meqë atje lulëzonte feja e rreme, si arriti të mbijetonte frymësisht populli i Perëndisë gjatë mërgimit 70-vjeçar nga viti 607 p.e.s deri më 537 p.e.s.? Njësoj si arrijmë të mbijetojmë ne si populli i Jehovait në këtë botë që është  nën kontrollin e Satanait. (1 Gjon. 5:19) Trashëgimia e pasur frymore na ka ndihmuar shumë për këtë.

4 Si pjesë të trashëgimisë sonë frymore kemi Fjalën e shkruar të Perëndisë. Të mërguarit judenj në Babiloni nuk i kishin tërë Shkrimet e Shenjta, ama kishin njohuri për Ligjin e Moisiut, me Dhjetë Urdhërimet e tij. I dinin ‘këngët e Sionit’, mund të sillnin ndër mend mjaft proverba dhe i njihnin bëmat e shërbëtorëve të mëparshëm të Jehovait. Po, ata të mërguar qanin kur kujtonin Sionin dhe nuk e harruan Jehovain. (Lexo Psalmin 137:1-6.) Kjo i ndihmoi të mbeteshin gjallë frymësisht edhe në Babiloni, e cila ishte e mbushur me doktrina dhe praktika të rreme.

TRINITETI NUK ËSHTË I RI

5. Çfarë dëshmish për triadat ose për trinitetet fetare kemi nga Babilonia dhe Egjipti i lashtë?

5 Triada ose triniteti fetar ishte një veçori e spikatshme e adhurimit në Babiloni. Një triadë babilonase përbëhej nga Sini (perëndia-hënë), Shamashi (perëndia-diell) dhe Ishtari (perëndesha e pjellorisë dhe e luftës). Në Egjiptin e lashtë, shpesh mendohej se një perëndi martohej me një perëndeshë, e cila i lindte një djalë. Të tre «formonin një triadë ose një trinitet hyjnor, ku për më tepër ati nuk ishte gjithnjë kreu, por me raste kënaqej me rolin e princit-bashkëshort, ndërkohë që hyjnia kryesore e vendit mbetej perëndesha». (New Larousse Encyclopedia of Mythology) Një triadë egjiptiane përbëhej nga perëndia Osiris, perëndesha Isidë dhe biri i tyre Horus.

6. Si do ta përkufizonit Trinitetin? Si kemi qenë të mbrojtur nga një shtrembërim i tillë?

6 I ashtuquajturi krishterim ka triadën e tij, Trinitetin. Klerikët thonë se Ati, Biri dhe fryma e shenjtë janë një Perëndi i vetëm. Por ky është një sulm kundër sovranitetit të Jehovait, pasi e bën Atë të duket sikur është trini e faktikisht vetëm një e treta e një hyjnie të supozuar. Populli i Jehovait ka qenë i mbrojtur nga një shtrembërim i tillë ngaqë është dakord me këto fjalë të frymëzuara: «Dëgjo, o Izrael: Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» (Ligj. 6:4) Këtë deklaratë e citoi edhe Jezui, prandaj, a do ta kundërshtonte një i krishterë i vërtetë?Mar. 12:29.

7. Pse dikush që beson te Triniteti s’mund të pagëzohet në simbol të një kushtimi të vlefshëm ndaj Perëndisë?

7 Doktrina e Trinitetit është në kundërshtim me caktimin që Jezui u dha ithtarëve që ‘të bënin dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë’. (Mat. 28:19) Që të pagëzohet si i krishterë i vërtetë dhe si Dëshmitar i Jehovait, një njeri duhet të pranojë se Ati, Jehovai, është më i larti, si edhe të pranojë pozitën dhe autoritetin e Birit të Perëndisë, Jezuit. Gjithashtu, kandidati për pagëzim duhet të besojë se fryma e shenjtë është forca aktive e Perëndisë e jo pjesë e një Triniteti. (Zan. 1:2) Ai që vazhdon të besojë te Triniteti nuk mund të pagëzohet në simbol të një kushtimi të vlefshëm ndaj Perëndisë Jehova. Sa mirënjohës jemi që trashëgimia jonë frymore na ka mbrojtur nga ky mësim që çnderon Perëndinë!

SPIRITIZMI NXJERR KRYE

8. Cila ishte pikëpamja babilonase për perënditë dhe demonët?

8 Mendimi fetar në Babiloni krijonte hapësirë të bollshme për doktrina të rreme, hyjni, demonë dhe spiritizëm. Një enciklopedi thotë: «Në fenë babilonase, më të rëndësishmit pas perëndive janë demonët, të cilët kishin fuqinë t’i mundonin njerëzit me sëmundje të shumta të trupit ose të mendjes. Një pjesë e madhe e fesë duket se i ishte kushtuar betejës  së ankthshme kundër këtyre demonëve dhe kudo u drejtoheshin lutje perëndive që t’i mbronin njerëzit nga këta demonë.»The International Standard Bible Encyclopaedia.

9. (a) Si ranë pre të ideve të rreme fetare shumë judenj pas mërgimit në Babiloni? (b) Si jemi të mbrojtur nga rreziqet që vijnë kur lidhemi me dashje me demonët?

9 Pas mërgimit në Babiloni, shumë judenj ranë pre të ideve jobiblike. Teksa depërtonin konceptet greke, mjaft judenj u gjendën të pambrojtur para kontrollit demonik pasi përvetësuan pikëpamjen se demonët mund të ishin të ligj ose të mirë. Trashëgimia jonë frymore na mbron nga rreziqet që vijnë kur lidhemi me dashje me demonët, sepse e dimë se Perëndia i dënoi praktikat spiritiste të Babilonisë. (Isa. 47:1, 12-15) Përveç kësaj, udhëhiqemi nga pikëpamja e Perëndisë për spiritizmin.Lexo Ligjin e përtërirë 18:10-12; Zbulesën 21:8.

10. Ç’mund të thuhet për praktikat dhe bindjet e Babilonisë së Madhe?

10 Spiritizmin nuk e kanë praktikuar vetëm babilonasit, por edhe përkrahësit e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. (Zbul. 18:21-24) Një fjalor thotë: «Babilonia [e Madhe] përfshin më shumë sesa një perandori ose kulturë. Ajo dallohet më tepër nga idhujtaritë mbizotëruese sesa nga kufijtë gjeografikë ose kohorë.» (The Interpreter’s Dictionary of the Bible, vëll. 1, f. 338) Babilonia e Madhe, e tejmbushur me spiritizëm, idhujtari dhe mëkate të tjera, ekziston ende, por jo për shumë kohë.Lexo Zbulesën 18:1-5.

11. Cilat paralajmërime për spiritizmin kemi pasur në botime?

11 Jehovai shpalli: «Nuk duroj dot . . . të përdoret fuqi magjike.» (Isa. 1:13) Praktika e spiritizmit luajti një rol të dukshëm në mendimin e shekullit të 19-të. Ja pse në Kullën e Rojës të Sionit, maj 1885, thuhej: «Besimi se të vdekurit jetojnë në një sferë ose gjendje tjetër, nuk është i ri. Ishte pjesë e fesë së të lashtëve dhe vetë rrënja e tërë mitologjisë.» Artikulli thoshte edhe se ideja jobiblike se të vdekurit komunikojnë me të gjallët «u ka dhënë mburojë dhe forcë mashtrimeve të praktikuara nga ‘demonët’ nën maskën e frymërave të njerëzve që lënë trupin. Ata e kanë shfrytëzuar tërë zell këtë mënyrë për të fshehur identitetin dhe kështu kanë ruajtur pushtetin e tyre mbi mendjen dhe jetën e shumë njerëzve». Në broshurën e hershme Çfarë thonë Shkrimet për spiritizmin? (angl.) u dhanë paralajmërime të ngjashme, siç janë dhënë edhe në botimet tona më të fundit.

A PO VUAJNË SHPIRTRAT NË NJË BOTË TË NËNDHESHME?

12. Çfarë tha nën frymëzim Solomoni për gjendjen e të vdekurve?

12 «Të gjithë ata që kanë arritur të njohin të vërtetën» mund t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. (2 Gjon. 1) Patjetër, jemi dakord me fjalët e Solomonit: «Një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur. Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Gjithë sa dora jote gjen për të bërë, bëje me fuqinë tënde, sepse nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol [varri i përbashkët i njerëzimit], në vendin ku po shkon.»Ekl. 9:4, 5, 10.

13. Si u ndikuan judenjtë nga kultura dhe feja helene?

13 Judenjtë kishin mundësi ta njihnin të vërtetën për të vdekurit. Por, kur Greqia u nda mes gjeneralëve të Aleksandrit të madh, u bënë përpjekje për të bashkuar Judën me Sirinë me anë të mjeteve të tilla, si feja greke dhe kultura helene. Si pasojë, judenjtë pranuan mësimet  e rreme se shpirti i njeriut është i pavdekshëm dhe se ekziston një vend mundimesh i nëndheshëm. Ideja e një bote të nëndheshme plot me shpirtra që vuajnë nuk zuri fill te grekët, sepse tashmë babilonasit e mendonin «botën e të vdekurve . . . si një vend plot tmerre, . . . që mbikëqyrej nga perëndi e demonë me forcë dhe egërsi të madhe». (The Religion of Babylonia and Assyria) Po, babilonasit besonin te pavdekësia e shpirtit.

14. Çfarë dinin Jobi dhe Abrahami për vdekjen e ringjalljen?

14 Megjithëse njeriu i drejtë Job nuk i kishte Shkrimet, e dinte të vërtetën për vdekjen. Gjithashtu, ishte i vetëdijshëm se Jehovai është një Perëndi i dashur që do të kishte mall ta ringjallte. (Jobi 14:13-15) Edhe Abrahami besonte te ringjallja. (Lexo Hebrenjve 11:17-19.) Meqë është e pamundur të ringjallësh dikë që s’mund të vdesë, ata burra që i frikësoheshin Perëndisë nuk besonin te pavdekësia e shpirtit të njeriut. Pa dyshim, fryma e Perëndisë i ndihmoi Jobin dhe Abrahamin të kuptonin gjendjen e të vdekurve dhe të tregonin besim te ringjallja. Edhe këto të vërteta janë pjesë e trashëgimisë sonë.

‘ÇLIRIMI NËPËRMJET SHPËRBLESËS’ ËSHTË JETËSOR

15, 16. Si jemi çliruar nga mëkati dhe vdekja?

15 I jemi mirënjohës Perëndisë që ka zbuluar edhe të vërtetën për mënyrën si do të na çlirojë nga mëkati e vdekja që trashëguam nga Adami. (Rom. 5:12) E kuptojmë se Jezui «nuk erdhi që t’i shërbejnë, por që të shërbejë dhe të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mar. 10:45) Sa mirë që dimë të vërtetën rreth «çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu»!Rom. 3:22-24.

16 Judenjtë dhe jojudenjtë e shekullit të parë kishin nevojë të pendoheshin për  mëkatet dhe të tregonin besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. Përndryshe, Perëndia nuk do t’i falte aspak. Situata është e njëjtë edhe sot. (Gjoni 3:16, 36) Nëse dikush u përmbahet ngushtësisht doktrinave të rreme, si Triniteti dhe pavdekësia e shpirtit, nuk mund të nxjerrë dobi nga shpërblesa. Ndërsa ne po. Dimë të vërtetën për ‘Birin e dashurisë së [Perëndisë], falë të cilit ne çlirohemi nëpërmjet shpërblesës, pra, na falen mëkatet’.Kolos. 1:13, 14.

TË VAZHDOJMË ME VENDOSMËRI SI POPULLI PËR EMRIN E JEHOVAIT!

17, 18. Ku mund të gjejmë informacione të dobishme për historinë tonë? Si mund të nxjerrim dobi duke mësuar për të?

17 Mund të themi edhe më shumë për mësimet e vërteta që kemi përqafuar, për përvojat tona si shërbëtorë të Perëndisë dhe për bekimet frymore e materiale që gëzojmë. Për dekada, në Librat vjetorë ka pasur tregime emocionuese për aktivitetet tona në vendet përreth globit. Historia jonë tregohet në videot Besimi në veprim, Pjesa 1 dhe 2 e në botime të tilla, si Dëshmitarët e Jehovait: Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë (angl.). Po ashtu, revistat tona përmbajnë shpesh jetëshkrime që të ngrohin zemrën të bashkëbesimtarëve tanë të dashur.

18 Nxjerrim dobi nga shqyrtimi i ekuilibruar i historisë së organizatës së Jehovait, ashtu si populli i Izraelit nxirrte dobi duke medituar si i çliroi Perëndia nga robëria egjiptiane. (Dal. 12:26, 27) Si një i moshuar që mund të dëshmonte për veprat e mrekullueshme të Perëndisë, Moisiu e nxiti popullin e Izraelit: «Kujto ditët e lashtësisë, mbaj parasysh vitet që kanë kaluar brez pas brezi; pyete atin tënd, se ai mund të ta rrëfejë; pyeti pleqtë e tu, se ata mund të ta tregojnë.» (Ligj. 32:7) Si ‘populli i Jehovait dhe kopeja e kullotës së tij’, të gjithë ne shpallim me gëzim lavdinë e tij dhe u flasim të tjerëve për veprat e veta të fuqishme. (Psal. 79:13) Përveç kësaj, është mirë të shqyrtojmë historinë tonë, të mësojmë prej saj dhe të bëjmë plane për të ardhmen.

19. Çfarë duhet të bëjmë meqë gëzojmë dritë frymore?

19 Sa mirënjohës jemi që nuk endemi në errësirë, por gëzojmë dritë frymore nga Perëndia! (Prov. 4:18, 19) Prandaj, le të studiojmë me etje Fjalën e Perëndisë dhe t’u flasim me zell të tjerëve për të vërtetën, me të njëjtën frymë të devotshme të psalmistit i cili e lëvdoi Zotërinë Sovran Jehova: «Do të përmend drejtësinë tënde, vetëm tënden. O Perëndi, ti më mësove që nga rinia ime, dhe deri tani tregoj veprat e tua të mrekullueshme. Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë, për fuqinë tënde.»Psal. 71:16-18.

20. Cilat janë dy çështje që lidhen mes tyre dhe ç’mendoni për to?

20 Si popull i kushtuar ndaj Jehovait, e kuptojmë çështjen e sovranitetit të Perëndisë dhe të integritetit të njeriut, që janë të lidhura mes tyre. Po, ne shpallim të vërtetën e pamohueshme se Jehovai është Sovrani Universal, i cili është i denjë për përkushtimin tonë me gjithë zemër. (Zbul. 4:11) Gjithashtu, falë frymës së tij që është mbi ne, u shpallim lajmin e mirë zemërbutëve, u lidhim plagën zemërvrarëve dhe ngushëllojmë ata që mbajnë zi. (Isa. 61:1, 2) Pavarësisht nga përpjekjet e kota të Satanait për të sunduar popullin e Perëndisë dhe tërë njerëzimin, e çmojmë thellësisht trashëgiminë tonë frymore dhe jemi të vendosur të ruajmë integritetin ndaj Perëndisë e të përlëvdojmë Zotërinë Sovran Jehova tani dhe përgjithmonë.Lexo Psalmin 26:11; 86:12.