DISA vjet më parë, Roaldi dhe Elsebeta, një çift pranë të 50-ave, jetonin rehat në Bergen, qyteti i dytë i madh i Norvegjisë. Bashkë me vajzën e djalin, Izabelën dhe Fabianin, merrnin pjesë besnikërisht në aktivitetet e kongregacionit. Roaldi shërbente si plak, Elsebeta si pioniere, kurse Izabela dhe Fabiani po ecnin mirë si lajmëtarë.

Megjithatë, në shtator 2009, familja vendosi të bënte diçka ndryshe, të predikonte për një javë në një zonë të izoluar. Kështu, Roaldi dhe Elsebeta bashkë me Fabianin, që atëherë ishte 18 vjeç, shkuan në Nordkin, një gadishull në provincën e Finmarkut, sipër Rrethit Polar të Veriut. Atje, në fshatin Këlëfjord predikuan bashkë me vëllezër e motra të tjerë që po ashtu kishin vajtur në atë rajon të izoluar për të predikuar. Roaldi kujton: «Në fillim të javës u ndjeva mjaft mirë me veten që kisha arritur t’i rregulloja punët në atë mënyrë që të merrja pjesë në këtë aktivitet të veçantë për një javë të plotë.» Por më vonë atë javë, Roaldi filloi të trazohej. Pse kështu?

 NJË PYETJE E PAPRITUR

Roaldi tregon: «Si një rrufe në qiell të hapur, Mario, një pionier që shërben në Finmark, na pyeti nëse do të ishim të gatshëm të transferoheshim në qytezën e Lakselvit, për të ndihmuar kongregacionin e atjeshëm me 23 lajmëtarë.» Roaldit i humbi fjala nga goja prej pyetjes së papritur. Ai shpjegon: «Elsebeta dhe unë kishim menduar të shërbenim atje ku kishte më shumë nevojë, por më vonë kur fëmijët të jetonin më vete.» Megjithatë, në ato pak ditë që predikoi në atë rajon të izoluar, Roaldi mundi të shihte se njerëzit ishin të gatshëm të mësonin për Jehovain. Tani kishin nevojë për ndihmë e jo më vonë. Roaldi kujton: «Ajo pyetje më ngacmonte ndërgjegjen e madje më hoqi gjumin për disa net.» Pastaj, Mario e çoi Roaldin dhe familjen e tij në Lakselv, rreth 240 kilometra në jug të Këlëfjordit. Ai donte që vizitorët të shihnin me sytë e tyre kongregacionin e vogël atje.

Në Lakselv, Andrea, një nga dy pleqtë vendës, u tregoi vizitorëve zonën dhe Sallën e Mbretërisë. Kongregacioni i mirëpriti me ngrohtësi e u thanë Roaldit dhe Elsebetës se do të dëshironin shumë që familja e tyre të transferohej atje për të ndihmuar në veprën e Mbretërisë. Duke buzëqeshur, Andrea tha se tashmë kishte organizuar një intervistë pune për Roaldin dhe Fabianin. Çfarë do të bënin vizitorët?

Ç’VENDIM TË MERRNIN?

Reagimi i parë i Fabianit ishte: «S’kam qejf të transferohem këtu.» Ideja që të linte miqtë e ngushtë, me të cilët ishte rritur në kongregacionin e vet, dhe të jetonte në një qytet të vogël, nuk i pëlqente fare. Përveç kësaj, nuk kishte mbaruar ende praktikën për t’u bërë elektricist. Kurse, kur e pyetën Izabelën (në atë kohë 21-vjeçare) se ç’mendonte për transferimin, tha me entuziazëm: «Tamam këtë kam dashur të bëj gjithmonë!» Por më pas, Izabela thotë: «Kur e mendova më gjatë, pyeta veten: ‘A është vërtet një ide e mirë? Do të më marrë malli për miqtë? A është më mirë të rri në kongregacionin tim ku ndihem rehat dhe gjërat janë të parashikueshme?’» Po Elsebeta, si reagoi? Ajo thotë: «E kuptoja se Jehovai i kishte dhënë familjes sonë një caktim, por njëkohësisht mendoja për shtëpinë tonë të saporestauruar dhe për tërë orenditë që kishim mbledhur në 25 vjet.»

Elsebeta dhe Izabela

Kur mbaroi java e veçantë, Roaldi dhe familja u kthyen në Bergen, por mendjen e kishin te vëllezërit e motrat në Lakselv, rreth 2.100 kilometra larg. Elsebeta thotë: «I lutesha shumë herë Jehovait dhe mbaja lidhje me miqtë që kishim njohur duke shkëmbyer fotografi e përvoja.» Roaldi rrëfen: «Më duhej kohë që të pranoja idenë e transferimit. Gjithashtu, duhej të mendoja nëse do të ishte vërtet praktik. Si do ta mbanim veten? Iu luta Jehovait jashtë mase dhe fola me familjen e me vëllezër me përvojë.» Fabiani kujton: «Sa më shumë mendoja për transferimin, aq më tepër kuptoja se faktikisht nuk kisha ndonjë arsye të vlefshme që të thosha jo. I lutesha shpesh Jehovait dhe dëshira për t’u transferuar bëhej gjithnjë e më e fortë.» Po Izabela? Që të përgatitej për transferimin e mundshëm, nisi të shërbente si pioniere në qytetin e saj. Pas gjashtë muajsh si pioniere, gjatë të cilëve i kushtoi mjaft kohë edhe studimit personal të Biblës, u ndie gati për këtë hap.

NDËRMARRIN HAPA PËR TË ARRITUR SYNIMIN

Teksa rritej dëshira për të shërbyer atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë, familja ndërmori hapa për të arritur synimin. Roaldi kishte një punë me rrogë të mirë që i pëlqente goxha, prapëseprapë kërkoi një vit leje. Gjithsesi, punëdhënësi i tha të punonte në kohë të pjesshme, dy javë punë, gjashtë javë pushim. Roaldi thotë: «Të ardhurat u pakësuan ndjeshëm, por na doli për mirë.»

Elsebeta tregon: «Im shoq më kërkoi të gjeja një shtëpi në Lakselv dhe ta jepnim me qira shtëpinë në Bergen. U deshën mjaft kohë e përpjekje, por ia dolëm. Pas ca kohësh, fëmijët gjetën punë në kohë të pjesshme dhe na ndihmuan të mbulonim shpenzimet për ushqimin dhe transportin.»

Izabela thotë: «Meqë qyteza ku u transferuam është e vogël, sfida më e madhe ishte të gjeja  punë që të mbaja veten si pioniere. Ndonjëherë situata dukej e pashpresë.» Sidoqoftë, duke pranuar çdo punë të vogël në kohë të pjesshme që mund të gjente, nëntë vetëm gjatë vitit të parë, Izabela arriti t’i mbulonte shpenzimet e veta. Si shkuan gjërat për Fabianin? «Që të përfundoja shkollën si elektricist, duhej të bëja ende praktikën. E bëra në Lakselv. Më vonë mora provimin dhe gjeta punë në kohë të pjesshme si elektricist.»

SI E ZGJERUAN SHËRBIMIN TË TJERË?

Mareliusi dhe Kesia po i dëshmojnë një gruaje sami në Norvegji

Edhe Mareliusi dhe gruaja e tij, Kesia, donin të shërbenin atje ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë. Mareliusi, që tani është 29 vjeç, thotë: «Fjalimet dhe intervistat në kongrese në lidhje me shërbimin si pionier më nxitën të mendoja ta zgjeroja shërbimin.» Mirëpo, Kesia, tani 26-vjeçare, stepej nga ideja që të transferohej larg familjes. Ajo thotë: «Më tmerronte mendimi që të rrija shumë larg njerëzve që dua.» Për më tepër, Mareliusi punonte në kohë të plotë që të shlyente kredinë e shtëpisë. Ai shprehet: «Me mbështetjen e Jehovait dhe të shumë lutjeve, gjatë të cilave i kërkuam ndihmë që të bënim ndryshime, arritëm të transferoheshim.» Së pari, i kushtuan më tepër kohë studimit të Biblës. Pastaj, çifti shiti shtëpinë, lanë punët dhe në gusht të 2011-s u transferuan në qytetin e Altës, në veri të Norvegjisë. Atje, për të mbajtur veten si pionierë, Mareliusi punon si llogaritar, kurse Kesia në një dyqan.

Knuti dhe Lisbeta, një çift në mes të të 30-ave, u prekën nga tregimet në Librin vjetor për ata që shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Lisbeta thotë: «Këto përvoja na bënë të mendonim që të shërbenim në një vend të huaj, por ngurroja ngaqë nuk besoja se mund ta bënte një person i zakonshëm si unë.» Prapëseprapë, ndërmorën hapa për të arritur synimin. Knuti thotë: «Shitëm apartamentin dhe, për të kursyer, shkuam të jetonim te mamaja ime. Më vonë, për të krijuar një ide të shërbimit në një territor të huaj, u transferuam për një vit në një kongregacion anglishtfolës në Bergen ku jetuam me mamanë e Lisbetës.» S’kaloi shumë dhe Knuti e Lisbeta u ndien gati për transferimin, e ishte goxha transferim: në Ugandë. Kthehen në Norvegji dy muaj në vit që të punojnë. Kështu kanë fonde të mjaftueshme që për pjesën tjetër të vitit të jetojnë në Ugandë e të predikojnë në kohë të plotë atje.

«PROVONI DHE SHIJONI SE SA I MIRË ËSHTË JEHOVAI!»

«Jemi afruar më tepër me njëri-tjetrin.»—Roaldi

Si shkuan gjërat për këta vullnetarë të zellshëm? Roaldi thotë: «Në këtë zonë të izoluar kalojmë më shumë kohë bashkë si familje sesa në Bergen. Jemi afruar më tepër me njëri-tjetrin. Ka qenë një bekim të shihnim përparimin frymor të fëmijëve.» Ai shton: «Përveç kësaj, tani nuk shqetësohemi kaq shumë për gjërat materiale. Nuk kanë aq rëndësi sa mendonim.»

 Elsebetës iu desh të mësonte një gjuhë tjetër. Pse? Territori i kongregacionit të Lakselvit përfshin fshatin e Karasjokut, në zemër të popullsisë sami, banorëve indigjenë të rajoneve veriore të Norvegjisë, të Suedisë, të Finlandës dhe të Rusisë. Prandaj, që ta kishte më të lehtë t’u fliste atyre njerëzve, ajo bëri një kurs të gjuhës sami. Tani arrin të bëjë një bisedë të thjeshtë në atë gjuhë. A i pëlqen territori i ri? Elsebeta thotë me fytyrën që i rrezaton: «Drejtoj gjashtë studime. E ku tjetër do të doja të isha!»

Fabiani, që tani shërben si pionier dhe shërbëtor ndihmës, tregon se ai dhe Izabela ndihmuan tre adoleshentë në kongregacionin e ri që kishin nevojë për inkurajim për t’u përfshirë më tepër në aktivitetet e kongregacionit. Tani të tre të rinjtë janë aktivë në shërbim. Në fakt, dy prej tyre janë pagëzuar dhe shërbyen si pionierë ndihmës në mars të 2012-s. Një nga adoleshentët që për pak po largohej nga e vërteta, falënderoi Fabianin dhe Izabelën që e ndihmuan ta «rimerrte veten». Fabiani tregon: «U preka vërtet kur tha këto fjalë. Ç’gëzim është të ndihmosh dikë!» Izabela shprehet: «Në këtë caktim vërtet ‘kam provuar dhe shijuar se sa i mirë është Jehovai’.» (Psal. 34:8) Ajo shton: «Përveç kësaj, është qejf të shërbesh këtu!»

Tani Mareliusi dhe Kesia bëjnë një jetë më të thjeshtë, por më të pasur. Kongregacioni në Altë ku u transferuan, tani ka 41 lajmëtarë. Mareliusi thotë: «Kur mendojmë për të kaluarën, inkurajohemi mjaft kur shohim sa ka ndryshuar jeta jonë. Falënderojmë Jehovain që mund t’i shërbejmë si pionierë këtu. Asgjë nuk na kënaq më tepër.» Kesia shton: «Mësova të besoj më plotësisht te Jehovai, dhe ai është kujdesur për ne. Po ashtu kam parë se, duke jetuar larg të afërmve, i vlerësoj edhe më shumë momentet që kalojmë bashkë. Kurrë nuk jam bërë pishman për vendimin tonë.»

Knuti dhe Lisbeta po studiojnë me një familje në Ugandë

Si po ia kalojnë Knuti dhe Lisbeta në Ugandë? Knuti tregon: «Na u desh kohë të përshtateshim me mjedisin dhe kulturën e re. Uji, dritat dhe problemet e stomakut shkojnë e vijnë, ama mund të drejtojmë aq studime biblike sa duam!» Lisbeta thotë: «Vetëm gjysmë ore larg shtëpisë ku jetojmë, ka territore ku nuk është predikuar kurrë lajmi i mirë. Megjithatë, kur shkojmë atje, gjejmë njerëz që po lexojnë Biblën dhe na kërkojnë t’ua mësojmë. T’u mësosh personave kaq të përulur mesazhin e Biblës është një gëzim që s’ka të krahasuar!»

Sa i lumtur duhet të ndihet Udhëheqësi ynë, Krishti Jezu, kur vëren nga qielli se si vepra e predikimit që nisi ai, po kryhet në gjithnjë e më shumë zona të botës! Po, i gjithë populli i Perëndisë ndien gëzim nga zemra të paraqitet vullnetarisht për të përmbushur urdhrin e Jezuit që ‘të bëjë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’.Mat. 28:19, 20.