«Po i harroj gjërat që lashë pas, po synoj drejt atyre që kam para.»FILIP. 3:13.

1-3. (a) Çfarë është keqardhja dhe si mund të ndikojë te ne? (b) Ç’mund të mësojmë nga Pavli për mënyrën si t’i shërbejmë Perëndisë pa keqardhje?

NJË poet shkroi: «Nga gjithë fjalët e trishta të penës e të gjuhës, më të trishtueshmet janë: ‘Ah, sikur!’» Poeti ishte Xh. G. Uitiër dhe po u referohej gjërave për të cilat ndiejmë keqardhje, që do të donim t’i bënim nga e para dhe ndryshe. «Keqardhja» është mendim që të brengos e të sjell dhembje për diçka që ke bërë ose mbase s’e ke bërë a e ke lënë përgjysmë. Ajo mund të ketë kuptimin «të qash përsëri». Të gjithë kemi bërë gjëra që do të donim t’u ktheheshim përsëri e t’i bënim ndryshe. Për çfarë gjërash të vjen keq ty?

2 Disa kanë bërë gabime që u kanë sjellë dhembje, madje kanë kryer mëkate të rënda. Të tjerë nuk kanë bërë ndonjë gjë kaq të keqe, por vrasin mendjen nëse ca nga zgjedhjet e tyre ishin vërtet më të mirat. Disa kanë arritur të hedhin pas krahëve të shkuarën e të ecin përpara. Të tjerë i mundojnë vazhdimisht «Ah, sikur-et» për të kaluarën. (Psal. 51:3) Po ti? A dëshiron t’i shërbesh Perëndisë pa keqardhje, të paktën që sot e tutje? A ka ndonjë shembull real nga i cili mund të mësojmë? Patjetër që ka, është apostulli Pavël.

3 Gjatë jetës, Pavli bëri edhe gabime të tmerrshme, edhe zgjedhje të mençura. Ai ndiente keqardhje të thellë për të kaluarën, por mësoi edhe të bënte një jetë të suksesshme teksa i shërbente besnikërisht Perëndisë. Le të shohim se çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tij se si të shërbejmë pa keqardhje.

E KALUARA PLOT KEQARDHJE E PAVLIT

4. Ç’të kaluar plot keqardhje kishte Pavli?

4 Kur ishte një farise i ri në moshë, Pavli bëri gjëra për të cilat më vonë i erdhi keq. Për shembull, ai i priu një fushate përndjekjeje të egër kundër dishepujve të Krishtit. Sipas dokumentimit biblik, menjëherë pas martirizimit të Stefanit, «Sauli [i njohur më vonë si Pavli] nisi ta trajtonte mizorisht kongregacionin.  Hynte me forcë nga njëra shtëpi në tjetrën, nxirrte zvarrë jashtë burra e gra dhe i dorëzonte në burg». (Vep. 8:3) Studiuesi Albert Barnz tha se fjala greke e përkthyer «trajtonte mizorisht» është «një shprehje e fortë që tregon zellin dhe furinë me të cilën [Sauli] përfshihej në përndjekje». Pra, sipas Barnzit, «Sauli u tërbua si bishë kundër kishës». Si jude i përkushtuar, Sauli mendonte se e kishte detyrë nga Perëndia të shfaroste krishterimin. Prandaj i ndoqi këmba-këmbës të krishterët mizorisht e brutalisht, ‘duke i kërcënuar dhe duke bërë çmos t’i vriste, qoftë burrë, qoftë grua’.Vep. 9:1, 2; 22:4. *

5. Shpjego se si Sauli u kthye nga përndjekës i dishepujve të Jezuit në predikues të Krishtit.

5 Sauli kishte ndër mend të shkonte në Damask, t’i nxirrte me dhunë nga shtëpitë dishepujt e Jezuit dhe t’i çonte zvarrë në Jerusalem që të përballeshin me tërbimin e Sinedrit. Por i ngeci sharra në gozhdë, pasi u ndesh me Kreun e kongregacionit të krishterë. (Efes. 5:23) Ndërsa ishte rrugës për në Damask, i doli para Jezui dhe Sauli u verbua nga një dritë e mbinatyrshme. Më pas, Jezui e dërgoi Saulin në Damask që të priste udhëzime të tjera. E dimë se ç’ndodhi më tej.Vep. 9:3-22.

6, 7. Ç’gjë tregon se Pavli ishte më se i vetëdijshëm për të kaluarën mëkatare?

6 Parimet e Pavlit ndryshuan sapo u bë i krishterë. Në vend që të ishte një armik i egër i krishterimit, u bë një mbrojtës i zjarrtë i tij. Gjithsesi, më pas shkroi për veten: «Sigurisht që keni dëgjuar se si sillesha më parë në judaizëm, që e përndiqja tej mase kongregacionin e Perëndisë dhe e shkretoja.» (Gal. 1:13) Më vonë, ai përmendi përsëri të kaluarën e tij plot keqardhje kur u shkroi korintasve, filipianëve dhe Timoteut. (Lexo 1 Korintasve 15:9; Filip. 3:6; 1 Tim. 1:13) Pavli nuk ndihej krenar që iu desh të shkruante gjëra të tilla për veten, por as u përpoq të hiqej sikur nuk kishte ndodhur asgjë nga këto. Ishte më se i vetëdijshëm që kishte bërë gabime të rënda.Vep. 26:9-11.

7 Studiuesi biblik Frederik Farrar përmendi rolin që kishte luajtur Sauli «në përndjekjen e llahtarshme». Farrari shtoi se, vetëm kur peshojmë domethënien e tmerrshme të kësaj periudhe të trishtueshme të jetës së Pavlit, «ndiejmë barrën e keqardhjes që kishte mbi supe dhe talljet që mund të haste nga armiqtë dashaligës». Ndonjëherë mbase Pavlit i afroheshin vëllezër nga kongregacione të ndryshme që vizitonte, të cilët e takonin për herë të parë e i thoshin: «Pra, ti qenke Pavli, ai që na përndiqte!»Vep. 9:21.

8. Si ndihej Pavli për mëshirën dhe dashurinë që Jehovai e Jezui treguan për të? Ç’mësim nxjerrim nga kjo?

8 Megjithatë, Pavli e kuptonte se arrinte ta kryente shërbimin vetëm falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Ai e përmend këtë cilësi të mëshirshme të Perëndisë rreth 90 herë në 14 letrat e tij, pra më tepër se cilido shkrimtar tjetër biblik. (Lexo 1 Korintasve 15:10.) Pavli e çmonte thellësisht mënyrën e mëshirshme si ishte trajtuar dhe donte të sigurohej që dashamirësia e pamerituar e Perëndisë të mos kishte shkuar kot. Prandaj ‘u mundua më tepër’ se të gjithë apostujt e tjerë. Shembulli i Pavlit tregon qartë se, po t’i rrëfejmë mëkatet dhe të ndryshojmë rrugë, Jehovai është i gatshëm të fshijë edhe mëkatet më të rënda në bazë të flijimit shpërblyes të Jezuit. Ç’mësim i mirë për këdo që e ka të vështirë të besojë se dobitë e flijimit të Krishtit mund të vlejnë edhe për të! (Lexo 1 Timoteut 1:15, 16.)  Ndonëse Pavli kishte qenë një përndjekës i tërbuar i Krishtit, mundi të shkruante: «Biri i Perëndisë . . . deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Gal. 2:20; Vep. 9:5) Po, Pavli mësoi parimin se si të shërbente pa pasur raste të tjera për të ndier keqardhje. A e ke mësuar edhe ti?

Pavli mësoi si të shërbente pa keqardhje

A NDIEN KEQARDHJE PËR DIÇKA?

9, 10. (a) Pse disa shërbëtorë të Jehovait ndiejnë keqardhje? (b) Ç’të keqe ka të vrasësh mendjen pa pushim për të kaluarën?

9 A ke bërë gjëra për të cilat tani të vjen keq? A ke harxhuar kot ndonjëherë energji dhe kohë të vlefshme për gjëra të gabuara? A ke vepruar në ndonjë mënyrë që i ka dëmtuar të tjerët? Ose ndoshta të trazojnë ndjenjat e keqardhjes për ndonjë arsye tjetër. Pyetja është: ç’mund të bësh?

10 Mjaft njerëz e vrasin shumë mendjen. Të vrasësh mendjen pa pushim do të thotë ta mundosh, ta mërzitësh, ta përndjekësh veten. Kjo sjell ankth të madh. A zgjidh ndonjë problem? As edhe një! Imagjino të përpiqesh të lëvizësh para duke u lëkundur për orë të tëra në një karrige të lëkundshme ndërsa harxhon tërë atë energji pa shkuar gjëkundi. Në vend që të vrasësh mendjen më kot, bëj diçka konkrete dhe mund të kesh rezultate të mira. Mund t’i kërkosh falje atij ndaj të cilit ke gabuar, ndoshta duke rivendosur marrëdhënie të mira. Mund të shmangësh çfarëdo gjëje që çoi në veprimin e gabuar, duke parandaluar kështu probleme në të ardhmen. Sidoqoftë, disa situata në jetë mbase thjesht të duhet t’i përballosh. Megjithatë, të vrasësh mendjen më kot s’është veçse një lloj paralize që mund ta bëjë dikë të paaftë t’i shërbejë plotësisht Perëndisë. Po të vrasësh mendjen, nuk ke asnjë shpërblim.

11. (a) Si mund të kemi mëshirën dhe dashamirësinë e Jehovait? (b) Cila është formula hyjnore për të pasur paqe mendore për dështimet e së kaluarës?

11 Disa priren t’i lejojnë dështimet e  së kaluarës t’i vënë aq poshtë sa të ndihen të pavlerë në sytë e Perëndisë. Mund të mendojnë se Perëndia nuk mund t’u tregojë mëshirë ngaqë kanë devijuar nga rruga kaq shumë ose kaq shpesh. Por, e vërteta është se, pavarësisht se çfarë kanë bërë në të kaluarën, mund të pendohen, të ndryshojnë dhe të kërkojnë falje. (Vep. 3:19) Jehovai mund t’u tregojë mëshirë e dashamirësi atyre, ashtu siç ka bërë edhe me shumë të tjerë. Jehovai do t’i tregojë hir një personi të përulur e të ndershëm dhe do t’i pëlqejë pendimi i tij nga zemra. Kështu bëri Perëndia me Jobin, i cili tha: «Pendohem [«ndiej keqardhje», shën. BR me referime, angl.] e ulem në pluhur dhe në hi.» (Jobi 42:6) Të gjithë duhet të zbatojmë këtë formulë hyjnore për të pasur paqe mendore: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» (Prov. 28:13; Jak. 5:14-16) Pra, mund t’i rrëfehemi Perëndisë, t’i lutemi për falje dhe të ndërmarrim hapa për të ndrequr gabimin. (2 Kor. 7:10, 11) Nëse bëjmë këto gjëra, mund të gëzojmë mëshirën e Atij që ‘fal në masë të madhe’.Isa. 55:7.

12. (a) Duke parë shembullin e Davidit, cila është mënyra më e mirë për të vepruar kur kemi një ndërgjegje fajtore? (b) Në ç’kuptim i vinte keq Jehovait dhe si na ndihmon dijenia e këtij fakti? (Shih kutinë.)

12 Lutja ka fuqi të madhe; bën shumë punë para Perëndisë. Davidi shprehu ndjenjat e tij më të thella në një lutje besimi të ruajtur bukur te Psalmet. (Lexo Psalmin 32:1-5.) Siç e pranoi Davidi, sa më shumë përpiqej të mbyste zërin e ndërgjegjes fajtore, aq më tepër dërrmohej. Duket se vuajti mendërisht e fizikisht dhe humbi gëzimin ngaqë nuk e kishte rrëfyer mëkatin. Si e fitoi faljen dhe si u lehtësua? Vetëm duke iu rrëfyer Perëndisë. Jehovai iu përgjigj lutjeve të Davidit dhe e forcoi të ecte përpara e të bënte gjëra të vlefshme në jetë. Po njësoj edhe ti, nëse lutesh sinqerisht nga zemra, mund të jesh i sigurt se Jehovai do t’i kushtojë vëmendje të veçantë përgjërimit tënd. Nëse të mundojnë gabime të së kaluarës, ndreqi aq sa mundesh e pastaj beso te premtimi i Jehovait se të ka falur.Psal. 86:5.

MBAJI SYTË TEK E ARDHMJA

13, 14. (a) Cili duhet të jetë meraku ynë kryesor? (b) Cilat pyetje mund të na nxitin të analizojmë situatën tonë të tanishme?

13 Është thënë se jeta mund të kuptohet duke parë pas, por mund të jetohet duke parë përpara. Pra, në vend që të vrasim mendjen për të kaluarën, duhet të merakosemi për të tashmen dhe për të ardhmen. Çfarë po bëjmë ose nuk po bëjmë sot që, pas disa vitesh, nuk do të donim ta kishim bërë ose do të donim ta kishim bërë ndryshe? A po qëndrojmë në vijën e besnikërisë falë së cilës  do të parandalojmë çfarëdo ndjenje keqardhjeje në të ardhmen?

14 Teksa afrohet shtrëngimi i madh, nuk duam të na mundojnë mendime të tilla të ankthshme: «A mund të kisha bërë më tepër në shërbim të Perëndisë? Pse nuk shërbeva si pionier kur kisha mundësi? Çfarë më pengoi të synoja të shërbeja si shërbëtor ndihmës? A bëra vërtet përpjekje për të veshur personalitetin e ri? A jam ai lloj njeriu që Jehovai dëshiron në botën e tij të re?» Në vend që thjesht të vrasim mendjen për këto pyetje serioze, përmes tyre duam të analizojmë veten dhe të sigurohemi se po japim më të mirën në shërbim të Jehovait. Përndryshe, ndoshta do të vazhdonim në një udhë që mund të na sillte edhe më tepër keqardhje.2 Tim. 2:15.

KURRË TË MOS TË VIJË KEQ PËR SHËRBIMIN E SHENJTË!

15, 16. (a) Çfarë sakrificash kanë bërë shumë veta që të vinin shërbimin e Perëndisë në vend të parë në jetë? (b) Pse nuk duhet të na vijë keq për çfarëdo sakrifice që kemi bërë për të vënë në vend të parë interesat e Mbretërisë?

15 Ç’mund të thuhet për ju që keni bërë sakrifica për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë? Mbase keni hequr dorë nga një karrierë premtuese ose nga një biznes i suksesshëm, që ta thjeshtonit jetën e të kishit më tepër kohë për interesat e Mbretërisë. Ose ndoshta nuk jeni martuar dhe, nëse jeni martuar, vendosët të mos bënit fëmijë që të viheshit në dispozicion për ndonjë formë shërbimi të plotkohor që përndryshe nuk do të kishte qenë e mundur, si në Bethel, në veprën ndërkombëtare të ndërtimit, në veprën qarkore ose në shërbimin misionar. A duhet t’ju vijë keq për këto vendime tani ndërsa plakeni në shërbim të Jehovait? A duhet të mendoni se sakrificat që keni bërë, ishin të panevojshme apo nuk ishin në kohën e duhur? Aspak!

16 I morët këto vendime bazuar në dashurinë tuaj të thellë për Jehovain dhe në dëshirën e zjarrtë për t’i ndihmuar të tjerët që donin t’i shërbenin atij. Nuk keni pse të mendoni se do të kishte qenë më mirë sikur të kishit bërë një jetë ndryshe. Mund të provoni kënaqësi të thellë ngaqë e dini se keni bërë atë që ishte e drejtë në rastin tuaj. Mund të gëzoni që keni bërë më të mirën për t’i shërbyer Jehovait. Ai nuk do të harrojë që keni bërë një jetë vetëmohuese. Në jetën e vërtetë që do të vijë, do t’ju shpërblejë me bekime ku e ku më të mëdha se sa mund të imagjinoni tani.Psal. 145:16; 1 Tim. 6:19.

SI TË SHËRBESH PA KEQARDHJE?

17, 18. (a) Cili parim e ndihmoi Pavlin të shërbente pa keqardhje? (b) Për çfarë jeni të vendosur për sa i përket shërbimit tuaj ndaj Jehovait në të kaluarën, në të tashmen dhe në të ardhmen?

17 Cilin parim mësoi Pavli që e ndihmoi t’i shërbente Perëndisë pa pasur më raste për të ndier keqardhje? Sipas përkthimit të Xh. B. Filipsit, Pavli shkroi: «Po e lë pas të kaluarën dhe, me duart të zgjatura drejt çfarëdo gjëje që më pret, po shkoj drejt qëllimit.» (Lexo Filipianëve 3:13, 14.) Pavli nuk e mbajti mendjen tek udha e gabuar që kishte ndjekur në judaizëm. Përkundrazi, i përqendroi tërë energjitë që të ishte i denjë për çmimin e ardhshëm të jetës së përhershme.

18 Të gjithë ne mund të zbatojmë parimin që gjendet pas fjalëve të Pavlit. Në vend që të trazohemi pa pushim për të kaluarën, pra të mbajmë mendjen te gjërat që s’mund të zhbëhen, duhet të sulemi drejt asaj që na pret. Sigurisht që s’mund t’i harrojmë krejtësisht gabimet e së kaluarës, megjithatë s’ka pse të dënojmë veten vazhdimisht për to. Mund të përpiqemi ta hedhim pas krahëve të shkuarën, të bëjmë çmos t’i shërbejmë Perëndisë tani dhe t’i mbajmë sytë tek e ardhmja e lavdishme.

^ par. 4 Fakti që gratë përmenden përsëri si të përndjekura nga Pavli, tregon se ato luajtën një rol të madh në përhapjen e krishterimit në shekullin e parë, siç bëjnë edhe sot.Psal. 68:11.