«Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.»JOS. 1:9.

1, 2. (a) Cilat cilësi do të na ndihmojnë të përballojmë sprovat? (b) Çfarë është besimi? Ilustroje.

SHËRBIMI i Jehovait na sjell gëzim. Megjithatë, si të gjithë, edhe ne kemi probleme dhe ‘vuajmë për hir të drejtësisë’. (1 Pjet. 3:14; 5:8, 9; 1 Kor. 10:13) Për t’i përballuar me sukses këto sprova, kemi nevojë për besim e guxim.

2 Çfarë është besimi? Apostulli Pavël shkroi: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.» (Hebr. 11:1) Një tjetër version thotë: «Besimi është akti i pronësisë për gjërat e shpresuara. Besimi është siguria te gjërat që nuk mund t’i shohim.» (The Simple English Bible) Nëse zotërojmë aktin e pronësisë së një gjëje, jemi të sigurt se ajo është jona. Meqë kemi besim se Perëndia e përmbush gjithmonë fjalën e tij, është sikur zotërojmë një akt pronësie me vlerë të madhe. Besimi na krijon bindjen se do të shohim përmbushjen e premtimeve të Biblës në të ardhmen dhe jemi të sigurt për realitetet frymore që na presin ndonëse s’mund t’i shohim.

3, 4. (a) Çfarë është guximi? (b) Cila është një mënyrë për të pasur më shumë besim e guxim?

3 Guximi përkufizohet si «forcë frymore, emocionale dhe morale për të folur e vepruar pa frikë përballë pengesave e rreziqeve». (The New Interpreter’s Dictionary of the Bible) Të kesh guxim do të thotë të jesh i fortë, i patrembur e ndonjëherë edhe trim.Mar. 6:49, 50; 2 Tim. 1:7.

4 Besimi dhe guximi janë cilësi të dëshirueshme. Nëse ndiejmë nevojën për më shumë besim e guxim, në Bibël gjejmë shembuj të mijëra individëve që i kanë shfaqur këto cilësi. Prandaj, një mënyrë për të pasur më shumë besim e guxim  është shqyrtimi i disa prej këtyre shembujve.

JEHOVAI ISHTE ME JOSIUN

5. Për çfarë kishte nevojë Josiu që ta përmbushte me sukses caktimin?

5 Le të kthehemi me mendje rreth 35 shekuj më parë. Kanë kaluar dyzet vjet që kur dora e fuqishme e Jehovait çliroi miliona izraelitë nga zgjedha e Egjiptit. Në krye të popullit ishte profeti Moisi. Tani, në moshën 120-vjeçare, ai sodit nga njëfarë largësie Tokën e Premtuar, e më pas vdes në majë të malit të Nebos. Pasues i tij bëhet Josiu, një njeri «plot frymë mençurie». (Ligj. 34:1-9) Izraelitët janë në prag të pushtimit të Kanaanit. Që të ketë sukses si udhëheqësi i tyre, Josiu ka nevojë për mençurinë e Perëndisë. Gjithashtu, duhet të ketë besim te Jehovai dhe të tregohet guximtar e i fortë.Ligj. 31:22, 23.

6. (a) Ç’lloj guximi na nxit të kemi Josiu 23:6? (b) Çfarë mësojmë nga Veprat 4:18-20 dhe Veprat 5:29?

6 Mençuria, guximi dhe besimi që tregoi Josiu gjatë pushtimit të Kanaanit që zgjati për shumë kohë, duhet t’u kenë dhënë forcë izraelitëve. Megjithatë, përveç trimërisë në beteja, u nevojitej edhe ajo që mund të quhet guxim i heshtur për të zbatuar fjalët e Josiut. Në fund të jetës, në fjalën e lamtumirës, ai tha: «Ju duhet të jeni shumë guximtarë që të mbani dhe të bëni gjithçka që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, pa u kthyer kurrë prej tij as djathtas, as majtas.» (Jos. 23:6) Edhe ne kemi nevojë për guxim që t’i bindemi Jehovait gjithmonë. Kjo përfshin raste kur të tjerët na kërkojnë të mos kryejmë vullnetin e Perëndisë. (Lexo Veprat 4:18-20; 5:29.) Nëse lutemi dhe mbështetemi te Jehovai, ai do të na ndihmojë të kemi këtë qëndrim të guximshëm.

SI TË KEMI SUKSES NË UDHËN TONË

7. Ç’duhej të bënte Josiu që të vepronte me guxim e të kishte sukses?

7 Që të kemi guximin e nevojshëm për të kryer vullnetin e Perëndisë, duhet ta studiojmë dhe ta zbatojmë Fjalën e tij. Pikërisht këtë duhej të bënte Josiu kur u bë pasues i Moisiut. Jehovai i tha: «Ti veç ji shumë i fortë dhe guximtar, që të veprosh me kujdes në përputhje me tërë ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im. . . . Ky libër i ligjit të mos ndahet nga goja jote. Lexoje nën zë ditë e natë, që të veprosh me kujdes në përputhje me atë që është shkruar aty, sepse atëherë do të kesh sukses në udhën tënde, atëherë do të veprosh me mençuri.» (Jos. 1:7, 8) Josiu e ndoqi këshillën dhe ‘pati sukses në udhën e tij’. Nëse bëjmë edhe ne kështu, do të kemi më shumë guxim e sukses në shërbim të Perëndisë.

Shkrimi për vitin 2013: «Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.»Josiu 1:9

8. Nga janë marrë fjalët e shkrimit për vitin 2013 dhe si mendon se do të na ndihmojnë?

8 Josiu duhet të ketë marrë shumë forcë kur ka dëgjuar fjalët e Jehovait më tej: «Ji i fortë dhe guximtar. Mos u trondit e mos u tremb, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty kudo që të shkosh.» (Jos. 1:9) Jehovai është edhe me ne. Ndaj ‘të mos tronditemi e të mos trembemi’ para çfarëdo sprove. Veçanërisht domethënëse janë fjalët: «Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia  yt, do të jem me ty.» Këto fjalë të Josiut 1:9 janë zgjedhur si shkrimi i vitit 2013. Me siguri ato do të na japin forcë në muajt që do të vijnë, njësoj si edhe fjalët e veprat e të tjerëve që ishin shembuj besimi e guximi.

MORËN NJË QËNDRIM TË GUXIMSHËM

9. Në cilat mënyra tregoi besim e guxim Rahaba?

9 Kur Josiu nisi dy zbulues në Kanaan, prostituta Rahabë i fshehu dhe u ngatërroi rrugën armiqve të tyre. Falë veprave të besimit e të guximit, ajo dhe familja e saj shpëtuan gjallë kur izraelitët rrafshuan qytetin e Jerikosë. (Hebr. 11:30, 31; Jak. 2:25) Pa dyshim, Rahaba hoqi dorë nga jeta e saj imorale që t’i pëlqente Jehovait. Edhe disa që janë bërë të krishterë kanë treguar besim, guxim e forcë morale për të bërë ndryshime të ngjashme që t’i pëlqenin Perëndisë.

10. Në cilat rrethana vendosi të qëndronte në adhurimin e vërtetë Rutha dhe ç’bekime pati?

10 Pas vdekjes së Josiut, Rutha, një moabite, me guxim vendosi të qëndronte në adhurimin e vërtetë. Ajo duhet të ketë ditur diçka për Jehovain, pasi kishte qenë e martuar me një izraelit. Vjehrra e saj, Naomi, kishte jetuar në Moab por, pasi i vdiq i shoqi dhe djemtë, vendosi të kthehej në Betlehem, në Izrael. Rrugës Naomi i kërkoi Ruthës që të kthehej te populli i saj, por moabitja i tha: «Mos m’u lut që të të braktis, të largohem dhe të mos të shoqëroj. . . . Populli yt do të jetë populli im dhe Perëndia yt, Perëndia im.» (Rutha 1:16) Rutha e kishte me gjithë zemër. Pas ca kohësh, ajo u martua me Boazin, një të afërm të Naomit, dhe lindi një djalë falë të cilit u bë paraardhëse e Davidit dhe e Jezuit. Po, Jehovai i bekon veprat e besimit dhe të guximit.Rutha 2:12; 4:17-22; Mat. 1:1-6.

SHUMË RREZIKUAN JETËN

11. Si treguan guxim Jehojada dhe Jehosheba, e çfarë solli si rezultat guximi i tyre?

11 Guximi dhe besimi na forcohen kur shohim se Perëndia është me ata që vënë interesat e tij dhe mirëqenien e bashkëbesimtarëve para interesave të tyre. Për shembull, të mendojmë për kryepriftin Jehojada dhe gruan e tij, Jehosheba. Pas vdekjes së mbretit Ahaziah, Atalia, nëna e tij, vrau të gjithë pasardhësit e mbretit, përveç Jehoasit, dhe rrëmbeu fronin. Jehojada dhe Jehosheba kishin vënë veten në rrezik duke shpëtuar Jehoasin, birin e Ahaziahut, dhe e kishin mbajtur të fshehur për gjashtë vjet. Vitin e shtatë, Jehojada e shpalli Jehoasin mbret dhe dha urdhër që Atalia të vritej. (2 Mbret. 11:1-16) Më vonë, Jehojada e ndihmoi mbretin Jehoas për restaurimin e tempullit. Kur vdiq në moshën 130-vjeçare, Jehojadën e varrosën bashkë me mbretërit, «sepse kishte bërë mirë në Izrael, ndaj Perëndisë së vërtetë dhe ndaj shtëpisë së Tij». (2 Kron. 24:15, 16) Mbi të gjitha, veprat e guximshme të Jehojadës dhe të gruas së tij ruajtën linjën mbretërore nga Davidi deri te Mesia.

12. Ç’veprim të guximshëm bëri Ebed-Meleku?

12 Ebed-Meleku, një eunuk në shtëpinë e mbretit Zedekia, rrezikoi jetën për Jereminë. Princat e Judës e kishin akuzuar Jereminë para mbretit se gjoja nxiste kryengritje. Me urdhër të mbretit ata e hodhën Jereminë në një sternë me llucë që të vdiste. (Jer. 38:4-6) Ebed-Meleku ndërhyri te Zedekia për profetin, ndonëse kjo e futi në një situatë të rrezikshme, pasi Jereminë e urrenin shumë. Zedekia pranoi të ndihmonte dhe nisi 30 burra bashkë me Ebed-Melekun që të shpëtonin Jereminë. Me anë të Jeremisë, Perëndia e siguroi Ebed-Melekun se do të mbetej gjallë kur babilonasit të pushtonin  Jerusalemin. (Jer. 39:15-18) Perëndia i shpërblen ata që tregojnë guxim për të bërë vullnetin e tij.

13. Ç’qëndrim të guximshëm mbajtën tre hebrenjtë dhe si mund të nxjerrim dobi nga përvoja e tyre?

13 Në shekullin e shtatë p.e.s., tre hebrenj, shërbëtorë të Jehovait, panë me sytë e tyre dëshmi të qarta se Perëndia e shpërblen besimin dhe guximin. Mbreti Nabukodonosor mblodhi parinë e Babilonisë dhe u kërkoi të adhuronin një shëmbëlltyrë gjigante prej ari. Kush nuk bindej, vdiste në furrën e zjarrtë. Tre hebrenjtë i thanë me respekt Nabukodonosorit: «Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë. Ai do të na çlirojë nga furra me zjarr përvëlues dhe nga dora jote, o mbret. Por edhe sikur të mos e bëjë, ta dish, o mbret, se ne nuk u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do ta adhurojmë shëmbëlltyrën prej ari që ke ngritur.» (Dan. 3:16-18) Shpëtimi mbresëlënës i tre hebrenjve përshkruhet me terma të gjallë te Danieli 3:19-30. Sot, zor se do të na kërcënonin me vdekje në një furrë të zjarrtë, megjithatë edhe ne përballojmë sprova integriteti dhe mund të jemi të sigurt se Perëndia do të na bekojë për besimin e guximin tonë.

14. Sipas kapitullit 6 të librit të Danielit, si veproi me guxim Danieli dhe cili ishte rezultati?

14 Danieli tregoi besim e guxim kur armiqtë e tij i mbushën mendjen mbretit Dar të nxirrte dekretin sipas të cilit ‘kushdo që për tridhjetë ditë i drejtonte lutje ndonjë perëndie a njeriu tjetër përveç mbretit, të hidhej në gropën e luanëve’. Sapo dëgjoi se dekreti ishte nënshkruar, Danieli «hyri në shtëpi dhe me dritaret e dhomës mbi tarracë të hapura drejt Jerusalemit, tri herë në ditë binte në gjunjë, lutej dhe thurte lavde para Perëndisë së tij, ashtu si kishte bërë rregullisht edhe më parë». (Dan. 6:6-10) Danieli i guximshëm përfundoi në gropën e luanëve, por Jehovai e shpëtoi.Dan. 6:16-23.

15. (a) Ç’shembull besimi e guximi lanë Akuila dhe Prishila? (b) Ç’domethënie kanë fjalët e Jezuit te Gjoni 13:34 dhe si e kanë treguar mjaft të krishterë këtë lloj dashurie?

15 Edhe pse nuk përmenden rrethanat, në Bibël thuhet se Akuila dhe Prishila ‘vunë kokën në rrezik për shpirtin e Pavlit’. (Vep. 18:2; Rom. 16:3, 4) Me guxim bënë atë që kish urdhëruar Jezui: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu siç ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34) Në Ligjin e Moisiut kërkohej që ta doje tjetrin si veten. (Lev. 19:18) Megjithatë urdhërimi i Jezuit ishte ‘i ri’, pasi i nxiste dishepujt të tregonin dashuri aq sa të mos  kursenin edhe jetën për të tjerët, njësoj si ai. Shumë të krishterë kanë treguar dashuri ‘duke rrezikuar kokën’ me guxim që t’i mbronin bashkëbesimtarët nga trajtimi çnjerëzor ose vdekja në duart e armiqve.Lexo 1 Gjonit 3:16.

Të krishterët e hershëm as që e çonin nëpër mend të bënin kompromis

16, 17. Cilën sprovë besimi përballuan disa dishepuj të hershëm të Krishtit? Si është sprovuar në mënyrë të ngjashme besimi i disa të krishterëve në ditët tona?

16 Njësoj si Jezui, të krishterët e hershëm adhuruan me guxim vetëm Jehovain. (Mat. 4:8-10) Ata nuk pranuan të digjnin temjan për nder të perandorit të Romës. (Shih figurën.) Një autor shkroi: «Vetëm fare pak të krishterë u tërhoqën, ndonëse për t’ua bërë më të lehtë, në arenë ndodhej një altar mbi të cilin digjej zjarr. Gjithçka që duhej të bënte një i burgosur, ishte të hidhte pak temjan mbi flakët, kështu i jepnin një Certifikatë Flijimi e lihej i lirë. Atij i shpjegohej gjithashtu se nuk po adhuronte perandorin; vetëm sa po pranonte natyrën hyjnore të perandorit si kreu i shtetit romak. E megjithatë, pothuajse asnjë i krishterë nuk e përdori këtë mundësi për të shpëtuar.»Those About to Die, nga Daniel P. Maniksi.

17 Të krishterëve nëpër kampet naziste të përqendrimit, të cilët përballeshin ditë pas dite me vdekjen, vazhdimisht u jepeshin mundësi për të fituar lirinë duke nënshkruar deklaratën se hiqnin dorë nga Jehovai. Pak ishin ata që nënshkruan. Para disa kohësh, gjatë gjenocidit në Ruandë Dëshmitarët hutu dhe tutsi rrezikuan jetën për të mbrojtur njëri-tjetrin. Këto sprova kërkojnë guxim e besim.

TË MOS HARROJMË, JEHOVAI ËSHTË ME NE!

18, 19. Cilët shembuj biblikë të besimit e të guximit mund të na ndihmojnë të vazhdojmë veprën e predikimit?

18 Tani kemi privilegjin e mrekullueshëm të shpallim lajmin për Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj. Kjo është vepra më e madhe që u ka besuar Perëndia shërbëtorëve të tij në tokë gjer më sot. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Shembulli i pakrahasueshëm i Jezuit na mbush me mirënjohje. Ai «nisi të shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 8:1) Si ai, edhe ne kemi nevojë për besim e guxim që të predikojmë lajmin për Mbretërinë. Me ndihmën e Perëndisë, mund të jemi si Noeja i guximshëm, i cili pa u trembur ‘i predikoi drejtësinë një bote me njerëz të paperëndishëm’ që ishte në prag të shfarosjes nga përmbytja.2 Pjet. 2:4, 5.

19 Lutja na ndihmon që të vazhdojmë veprën e predikimit. Disa dishepuj të Krishtit që po përndiqeshin, u lutën që ‘ta thoshin fjalën e Perëndisë plot guxim’ dhe lutja e tyre u dëgjua. (Lexo Veprat 4:29-31.) Nëse druhesh disi të predikosh nga shtëpia në shtëpi, lutju Jehovait për më shumë besim e guxim dhe ai do të të ndihmojë.Lexo Psalmin 66:19, 20. *

20. Ç’mbështetje kemi si shërbëtorë të Jehovait?

20 Nuk është e lehtë të vazhdosh të bësh vullnetin e Perëndisë përballë sprovave që hasim në këtë botë të ligë e të trazuar. Por nuk jemi vetëm. Perëndia është me ne. Po ashtu, edhe Biri i tij që është Kreu i kongregacionit. Gjithashtu, kemi edhe mbi 7.000.000 vëllezër e motra anekënd botës. Bashkë me ta, le të vazhdojmë të tregojmë besim e të shpallim lajmin e mirë ndërsa mbajmë në mendje shkrimin për vitin 2013: «Ji i fortë dhe guximtar. . . . Unë Jehovai, Perëndia yt, do të jem me ty.»Jos. 1:9.

^ par. 19 Për më shumë shembuj guximi, shih artikullin «Ji shumë i fortë dhe guximtar»Kullën e Rojës, 15 shkurt 2012.