Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Jeni kujdestarë të besueshëm

Jeni kujdestarë të besueshëm

«Ju nuk i përkitni vetes.»​—1 KOR. 6:19.

1. Çfarë u vjen ndër mend njerëzve kur mendojnë për skllevërit?

RRETH 2.500 vjet më parë, një dramaturg grek shkroi: «Askush nuk e vë me dëshirë zgjedhën e skllavërisë.» Shumë sot do të ishin dakord me këtë pohim. Skllavëria të sjell ndër mend imazhet e njerëzve të shtypur e të robëruar, të cilët me punën dhe sakrificat nuk i sjellin dobi vetes, por atyre që i zotërojnë e i sundojnë.

2, 3. (a) Çfarë gëzojnë skllevërit ose shërbëtorët e gatshëm të Krishtit? (b) Cilat pyetje për kujdestarinë do të shqyrtojmë?

2 Megjithatë, Jezui tregoi se dishepujt e tij do të ishin shërbëtorë të përulur ose skllevër. Por kjo lloj skllavërie e të krishterëve të vërtetë nuk është aspak poshtëruese ose shtypëse. Këtyre skllevërve u tregohet nderim, besim dhe respekt. Për shembull, të shqyrtojmë fjalët që tha Jezui për një «skllav» pak para se të vdiste. Krishti paratha se do t’i jepte disa detyra ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.​—Mat. 24:45-47.

3 Është domethënëse që në një tregim paralel, ky skllav quhet ‘kujdestar’. (Lexo Lukën 12:42-44.) Shumica e të krishterëve të sotëm besnikë nuk bëjnë pjesë në klasën e kujdestarit të besueshëm. Gjithsesi, Shkrimet tregojnë se të gjithë atyre që i shërbejnë Perëndisë u është besuar një kujdestari. Cilat përgjegjësi përfshin ajo? Si duhen parë? Për të gjetur përgjigjet, le të shqyrtojmë rolin e kujdestarëve në kohët e lashta.

ROLI I KUJDESTARËVE

4, 5. Cilat përgjegjësi kishin kujdestarët në lashtësi? Jepni shembuj.

4 Në kohët e lashta, shpesh kujdestar ishte një skllav i besuar që caktohej të mbikëqyrte shtëpinë  ose biznesin e të zotit. Zakonisht, kujdestarët kishin mjaft autoritet dhe duhej të administronin zotërimet e paratë, si edhe të mbikëqyrnin shërbëtorët e tjerë. Mund ta kuptojmë këtë nga rasti i Eliezerit, të cilit i ishin besuar zotërimet e mëdha të Abrahamit. Ndoshta Abrahami dërgoi këtë skllav në Mesopotami që t’i gjente një grua për të birin, Isakun. Sa caktim i rëndësishëm e me peshë që ishte ky!​—Zan. 13:2; 15:2; 24:2-4.

5 Stërnipi i Abrahamit, Jozefi, kujdesej për shtëpinë e Potifarit. (Zan. 39:1, 2, 4) Me kalimin e kohës, Jozefi pati vetë një kujdestar, i cili ishte caktuar si ‘përgjegjës i shtëpisë’ së tij. Ky kujdestar organizoi mikpritjen për dhjetë vëllezërit e të zotit. Po ashtu, me urdhër të Jozefit, i manovroi gjërat për kupën e argjendtë që ishte «vjedhur». Është e qartë se kujdestarëve u besohej shumë.​—Zan. 43:19-25; 44:1-12.

6. Ç’kujdestari kanë pleqtë e ndryshëm të krishterë?

6 Shekuj më pas, apostulli Pavël shkroi se mbikëqyrësit e krishterë do të ishin ‘kujdestarë nga Perëndia’. (Titit 1:7) Ata janë emëruar të kullotin «kopenë e Perëndisë», prandaj japin udhëzime dhe marrin drejtimin në kongregacione. (1 Pjet. 5:1, 2) Natyrisht, përgjegjësitë e tyre janë të ndryshme. Për shembull, shumica e mbikëqyrësve të krishterë sot i shërbejnë një kongregacioni. Mbikëqyrësit udhëtues u shërbejnë shumë kongregacioneve. Kurse anëtarët e Komiteteve të Degëve kujdesen për kongregacionet e gjithë vendit përkatës. Sidoqoftë, nga të gjithë pritet që t’i përmbushin detyrat me besnikëri; të gjithë duhet ‘t’i japin llogari’ Perëndisë.​—Hebr. 13:17.

7. Si e dimë se në njëfarë kuptimi të gjithë të krishterët janë kujdestarë?

7 Por, ç’mund të themi për mjaft të krishterë besnikë që nuk janë mbikëqyrës? Apostulli Pavël u shkroi një letër të krishterëve në përgjithësi e u tha: «Secili nga ju ta përdorë dhuratën e vet në atë masë që ka marrë, që t’i bëni shërbim njëri-tjetrit si kujdestarë të shkëlqyer të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, të shprehur në mënyra të ndryshme.» (1 Pjet. 1:1; 4:10) Nga dashamirësia e tij e pamerituar, Perëndia i ka dhënë secilit prej nesh dhurata, zotërime, aftësi ose talente që mund t’i përdorim për dobinë e bashkëbesimtarëve. Si rrjedhim, të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë janë kujdestarë. Ai ka besim te ne, na nderon dhe pret që ta përdorim sa më mirë atë që na ka dhënë.

I PËRKASIM PERËNDISË

8. Cili është një parim i rëndësishëm që duhet të kemi parasysh?

8 Tani do të shqyrtojmë tri parime që, si kujdestarë, duhet t’i kemi parasysh. Së pari: të gjithë i përkasim Perëndisë dhe i japim llogari atij. Pavli shkroi: «Ju nuk i përkitni vetes, sepse u bletë me një çmim», me gjakun flijues të Krishtit. (1 Kor. 6:19, 20) Meqë i përkasim Jehovait, jemi nën detyrimin t’u bindemi urdhërimeve të tij, të cilat nuk janë të rënda. (Rom. 14:8; 1 Gjon. 5:3) Gjithashtu, bëhemi skllevër të Krishtit. Ashtu si kujdestarët në lashtësi, na është dhënë shumë liri, por kjo liri ka kufij. Duhet t’i përmbushim përgjegjësitë tona siç na udhëzohet. Pavarësisht nga privilegjet e shërbimit që mund të kemi, prapëseprapë jemi shërbëtorë të Perëndisë e të Krishtit.

9. Si e ilustroi Jezui marrëdhënien midis një pronari dhe një skllavi?

9 Jezui na ndihmon të kuptojmë marrëdhënien midis një pronari dhe një skllavi. Një herë ai u foli dishepujve për një skllav, i cili u kthye në shtëpi pasi kishte punuar gjithë ditën. A thotë pronari:  «Eja menjëherë dhe shtrohu në tryezë.» Jo. Ai thotë: «Më përgatit darkën, vër përparësen dhe më shërbe derisa të kem ngrënë e të kem pirë. Pastaj mund të hash e të pish edhe ti.» Si e zbatoi Jezui ilustrimin? «Edhe ju, pasi të keni bërë gjithçka që ju ishte caktuar, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.’»​—Luka 17:7-10.

10. Nga e kuptojmë se Jehovai i vlerëson përpjekjet tona për t’i shërbyer?

10 Patjetër, Jehovai i vlerëson përpjekjet tona për t’i shërbyer. Bibla na siguron: «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.» (Hebr. 6:10) Jehovai nuk është kurrë i paarsyeshëm kur kërkon diçka prej nesh. Për më tepër, çfarëdo që të kërkojë, është për të mirën tonë dhe kurrë nuk është tepër e rëndë. Megjithatë, në përputhje me ilustrimin e Jezuit, një skllav nuk përpiqet t’i pëlqejë vetes, duke vënë në vend të parë interesat personale. Pika për t’u theksuar është kjo: kur i kushtohemi Perëndisë, vendosim të vëmë në vend të parë në jetë interesat e tij. A nuk jeni dakord?

ÇFARË KËRKON JEHOVAI NGA TË GJITHË NE?

11, 12. Si kujdestarë, cilën cilësi duhet të shfaqim dhe çfarë duhet të shmangim?

11 Parimi i dytë që duhet të kujtojmë është: si kujdestarë, u përmbahemi të njëjtave standarde bazë. Vërtet, disa përgjegjësi i janë caktuar një pakice në kongregacion. Megjithatë, shumica e përgjegjësive janë të njëjta për të gjithë. Për shembull, si dishepuj të Krishtit dhe si Dëshmitarë të Jehovait, kemi marrë urdhrin të duam njëri-tjetrin. Jezui tha se dashuria është shenja identifikuese e të krishterëve të vërtetë. (Gjoni 13:35) Por, dashuria jonë shkon përtej vëllazërisë. Përpiqemi t’u tregojmë dashuri edhe atyre që nuk janë të lidhur me ne në besim. Këtë mund dhe duhet ta bëjmë të gjithë.

12 Nga ne kërkohet edhe një sjellje e shkëlqyer. Duhet të shmangim ato lloj sjelljeje dhe mënyre jetese që dënohen në Fjalën e Perëndisë. Pavli shkroi: «As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» (1 Kor. 6:9, 10) Sigurisht, duhen përpjekje që të përshtatemi me standardet e drejta të Jehovait. Por përpjekje të tilla ia vlejnë, pasi na sjellin shumë dobi, përfshirë një mënyrë jetese që na ndihmon të kemi shëndet të mirë, marrëdhënie të mira me të tjerët dhe qëndrim të miratuar para Perëndisë.​—Lexo Isainë 48:17, 18.

13, 14. Cila përgjegjësi u është dhënë të gjithë të krishterëve? Si duhet ta shohim këtë përgjegjësi?

13 Të kujtojmë edhe se një kujdestar duhej të punonte. Po kështu edhe ne. Na është dhënë një dhuratë e çmuar: njohuria për të vërtetën. Perëndia pret që këtë njohuri t’ua japim të tjerëve. (Mat. 28:19, 20) Pavli shkroi: «Njerëzit le të na konsiderojnë si vartës të Krishtit dhe kujdestarë të sekretit të shenjtë të Perëndisë.» (1 Kor. 4:1) Pavli e dinte se kjo kujdestari nënkuptonte të kujdesej me përpikëri për ‘sekretin e shenjtë’ dhe të tregohej i besueshëm duke ua dhënë të tjerëve siç e urdhëroi Zotëria, Jezu Krishti.​—1 Kor. 9:16.

14 Në fund të fundit, kur u japim të tjerëve të vërtetën, tregojmë dashuri. Sigurisht, rrethanat e të krishterëve ndryshojnë. Nuk mund të japim të gjithë njësoj në shërbim. Jehovai e kupton këtë. E rëndësishme është që secili të bëjë  gjithçka mundet. Kështu tregojmë dashuri altruiste për Perëndinë dhe për të afërmin.

Le të jemi të besueshëm në caktimin që na është dhënë

PSE ËSHTË E RËNDËSISHME TË JEMI TË BESUESHËM?

15-17. (a) Pse është e domosdoshme që një kujdestar të jetë i besueshëm? (b) Si i ilustroi Jezui pasojat që vijnë kur nuk jemi të besueshëm?

15 Parimi i tretë që duhet të kujtojmë është: duhet të jemi besnikë e të besueshëm. Një kujdestar mund të ketë shumë cilësi dhe aftësi të mira, por asnjëra prej tyre nuk do të kishte vlerë nëse do të ishte i papërgjegjshëm dhe jobesnik ndaj të zotit. Që kujdestari ta bëjë mirë punën dhe t’i pëlqejë pronarit, duhet të jetë i besueshëm se s’bën. Të mos harrojmë çfarë shkroi Pavli: «Nga kujdestarët kërkohet që secili të gjendet i besueshëm.»​—1 Kor. 4:2.

16 Nëse jemi të besueshëm, patjetër që do të shpërblehemi. Nëse nuk jemi të besueshëm, nuk do të kemi miratimin e Perëndisë. Ky parim shihet qartë në ilustrimin e Jezuit për talentat. Skllevërit që ‘bënë tregti’ me paratë e zotërisë duke u treguar të besueshëm, u lavdëruan dhe u bekuan me bollëk. Skllavi që veproi në mënyrë të papërgjegjshme me ato që i kishte besuar zotëria, u gjykua si «i lig», «i plogësht» dhe ‘i pavlerë’. Zotëria ia mori talentën që i kishte dhënë dhe e flaku jashtë.​—Lexo Mateun 25:14-18, 23, 26, 28-30.

17 Në një rast tjetër, Jezui theksoi pasojat që vijnë po të mos jemi të besueshëm. Ai tha: «Një njeri i pasur kishte një kujdestar, të cilin e akuzuan se i shpërdoronte pasurinë. Prandaj, ai e thirri dhe e pyeti: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Më dorëzo llogarinë e kujdestarisë sate, sepse ti nuk mund ta administrosh  më shtëpinë.’» (Luka 16:1, 2) Ngaqë kujdestari ia shpërdoroi pasurinë zotërisë, ai vendosi ta hiqte nga detyra. Ç’mësim i fuqishëm për ne! Duam të jemi gjithnjë të besueshëm në çdo gjë që na kërkohet.

A ËSHTË E MENÇUR TË KRAHASOHEMI ME TË TJERËT?

18. Pse nuk duhet të krahasohemi me të tjerët?

18 Secili nga ne mund të pyesë veten: «Si e shoh kujdestarinë time?» Nëse krahasohemi me të tjerët, mund të lindin probleme. Bibla na këshillon: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.» (Gal. 6:4) Në vend që të krahasojmë atë që bëjmë ne me atë që bëjnë të tjerët, duhet të përqendrohemi tek ajo që mund të bëjmë ne vetë. Kështu jo vetëm nuk do të krekosemi, por edhe nuk do të shkurajohemi. Kur shqyrtojmë veten, duhet të pranojmë se rrethanat ndryshojnë. Ndoshta për shkak të shëndetit jo të mirë, të moshës ose të përgjegjësive të ndryshme nuk mund të bëjmë gjithë sa bënim më parë. Nga ana tjetër, mbase kemi mundësi të bëjmë më tepër sesa po bëjmë. Nëse është kështu, a mund të përpiqemi të rritim aktivitetet tona?

19. Pse nuk duhet të na lëshojë zemra nëse nuk na jepet një privilegj që pritnim?

19 Një aspekt tjetër që duhet të shqyrtojmë janë përgjegjësitë që kemi ose dëshirojmë shumë të kemi. Për shembull, një vëlla mund të ketë dëshirë të shërbejë si plak në kongregacion ose që t’i caktohen pjesë në asamble e në kongrese. Është mirë të punojmë fort për t’u kualifikuar për privilegje të tilla, megjithatë nuk duhet të na lëshojë zemra nëse nuk na jepen kur shpresojmë. Për arsye që ndoshta nuk i kuptojmë menjëherë, disa privilegje mund të vonojnë shumë më tepër sesa mendonim. Të kujtojmë se Moisiu dukej sikur ishte gati t’i udhëhiqte izraelitët që t’i nxirrte nga Egjipti, por iu desh të priste 40 vjet para se ta bënte këtë. Kjo i dha mjaft kohë të zhvillonte cilësitë që i nevojiteshin për të udhëhequr një popull kryeneç dhe rebel.​—Vep. 7:22-25, 30-34.

20. Ç’mësim nxjerrim nga përvoja e Jonatanit?

20 Mund të ndodhë që të mos na jepet fare një privilegj që donim. Kështu ishte në rastin e Jonatanit. Ai ishte biri i Saulit dhe mund të bëhej mbret në mbarë Izraelin. Por Perëndia zgjodhi si mbret Davidin, i cili ishte ku e ku më i ri. Si reagoi Jonatani? E pranoi këtë vendim dhe e mbështeti Davidin, madje duke rrezikuar jetën. Ai i tha Davidit: «Ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje.» (1 Sam. 23:17) A e keni kapur pikën? Jonatani e pranoi situatën e tij dhe ndryshe nga i ati, nuk u bë xheloz për Davidin. Në vend që të kemi zili caktimet e të tjerëve, secili prej nesh mund të përqendrohet në përmbushjen e përgjegjësive që tashmë ka. Jemi të sigurt se në botën e re, Jehovai do të realizojë dëshirat e përshtatshme të të gjithë shërbëtorëve të tij.

21. Si duhet ta konsiderojmë kujdestarinë tonë?

21 Të mbajmë ndër mend se, si kujdestarë të besueshëm, nuk jemi nën skllavërinë e mjerë që karakterizohet nga shtypja dhe lotët. Është krejt e kundërta. Jemi shumë të nderuar ngaqë na është besuar vepra e papërsëritshme e shpalljes së lajmit të mirë në ditët e fundit të këtij sistemi. Ndërsa kryejmë këtë vepër, gëzojmë mjaft liri për mënyrën si t’i përmbushim përgjegjësitë. Prandaj, le të jemi kujdestarë të besueshëm. Po ashtu, le ta çmojmë privilegjin që kemi për t’i shërbyer Personit më të Madh në univers!