Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Bindjuni Perëndisë që të nxirrni dobi nga betimet e tij

Bindjuni Perëndisë që të nxirrni dobi nga betimet e tij

«Meqenëse [Perëndia] nuk mund të betohej për dikë më të madh, u betua për veten.»​—HEBR. 6:13.

1. Si ndryshon fjala e Jehovait nga ajo e njerëzve mëkatarë?

JEHOVAI është «Perëndi i së vërtetës». (Psal. 31:5) Njerëzve mëkatarë nuk mund t’u zësh besë gjithnjë, nga ana tjetër «është e pamundur që Perëndia të gënjejë». (Hebr. 6:18; lexo Numrat 23:19.) Çdo gjë që ai ka si qëllim për njerëzimin, realizohet gjithmonë. Për shembull, gjithçka që Perëndia tha se do ta bënte në fillim të çdo epoke të krijimit, «kështu u bë». Si rrjedhim, në fund të ditës së gjashtë të krijimit, «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë».​—Zan. 1:6, 7, 30, 31.

2. Çfarë është dita e pushimit të Perëndisë? Pse «e shenjtëroi» Perëndia atë ditë?

2 Pasi pa gjithçka që kishte krijuar, Perëndia Jehova shpalli fillimin e një dite të shtatë​—jo të një dite 24-orëshe, por të një periudhe të gjatë kohore gjatë së cilës pushoi nga veprat e tjera të krijimit në tokë. (Zan. 2:2) Dita e pushimit të Perëndisë nuk ka mbaruar ende. (Hebr. 4:9, 10) Bibla nuk e zbulon se kur filloi tamam ajo ditë. Nisi diku pas krijimit të Evës, gruas së Adamit, rreth 6.000 vjet më parë. Para nesh shtrihet Mbretërimi Mijëvjeçar i Jezu Krishtit, i cili do të bëjë të mundur plotësimin e qëllimit të Perëndisë. Ai e krijoi tokën që të jetë një parajsë e përhershme e mbushur me njerëz të përsosur. (Zan. 1:27, 28; Zbul. 20:6) A mund të jesh i sigurt se do të kesh këtë të ardhme të lumtur? Po, duhet të jesh! Sepse «Perëndia e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtatë». Kjo ishte një garanci se çfarëdo problemesh të papritura të dilnin, qëllimi i Perëndisë do të realizohej patjetër në fund të ditës së tij të pushimit.​—Zan. 2:3.

3. (a) Cili rebelim ndodhi pasi nisi dita e pushimit të Perëndisë? (b) Si tregoi Jehovai se kishte ndër mend ta shtypte rebelimin?

 3 Por, pasi filloi dita e pushimit të Perëndisë, ndodhi një ngjarje tronditëse. Satanai, një bir engjëllor i Perëndisë, e bëri veten perëndi rival. Ai tha gënjeshtrën e parë dhe e mashtroi Evën që të mos i bindej Jehovait. (1 Tim. 2:14) Eva nga ana e saj e shtyu të shoqin që të bashkohej në këtë rebelim. (Zan. 3:1-6) Edhe në atë pikë të errët të historisë universale, kur u vu në dyshim besueshmëria e Perëndisë, Jehovai nuk e pa të nevojshme të ripohonte me një betim se prapëseprapë qëllimi i tij do të realizohej. Përkundrazi, me anë të fjalëve që do të kuptoheshin në kohën e caktuar të Perëndisë, thjesht tregoi si do të shtypej rebelimi: «Unë do të vë armiqësi mes teje [Satanait] dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai [Fara e premtuar] do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.»​—Zan. 3:15; Zbul. 12:9.

BETIMI​—NJË MJET LIGJOR I DOBISHËM

4, 5. Cilin mjet ligjor përdori ndonjëherë Abrahami?

4 Deri në atë kohë, ndoshta nuk kishte qenë kurrë e nevojshme që dikush të betohej për vërtetësinë e diçkaje. Krijesat e përsosura që e duan Perëndinë dhe e imitojnë atë, nuk kanë pse të bëjnë be; thonë gjithnjë të vërtetën dhe kanë besim të plotë te njëra-tjetra. Por gjërat ndryshuan me futjen e mëkatit dhe të papërsosmërisë. Si përfundim, kur gënjeshtrat dhe mashtrimet u bënë të zakonshme mes njerëzve, u bë e nevojshme për ta që të betoheshin për vërtetësinë e çështjeve të rëndësishme.

5 Betimi ishte një mjet ligjor që patriarku Abraham e përdori më së miri në të paktën tri raste. (Zan. 21:22-24; 24:2-4, 9) Ndodhi kështu, për shembull, kur ai u kthye pasi kishte mundur mbretin e Elamit dhe aleatët e tij. Mbretërit e Salemit dhe të Sodomës dolën për ta takuar Abrahamin. Melkisedeku, mbreti i Salemit, ishte edhe «prift i Perëndisë Më të Lartë». Si i tillë, ai e bekoi Abrahamin dhe e lëvdoi Perëndinë që i dha fitoren mbi armiqtë e tij. (Zan. 14:17-20) Pastaj, kur mbreti i Sodomës donte ta shpërblente Abrahamin meqë kishte shpëtuar popullin e mbretit nga ushtritë pushtuese, Abrahami u betua: «Betohem duke ngritur dorën para Jehovait, Perëndisë Më të Lartë, Bërësit të qiellit e të tokës, se s’do të marr asgjë, jo, as një fill dhe as një lidhëse sandalesh, nga çdo gjë jotja, që të mos thuash: ‘Unë e bëra Abramin të pasur.’»​—Zan. 14:21-23.

BETIMI QË JEHOVAI I BËRI ABRAHAMIT

6. (a) Çfarë shembulli na la Abrahami? (b) Si mund të nxjerrim dobi nga bindja e Abrahamit?

6 Për dobinë e njerëzimit mëkatar, edhe Perëndia Jehova ka bërë betime duke përdorur shprehje të tilla, si: «Siç është e vërtetë që unë rroj,—thotë Zotëria Sovran Jehova.» (Ezek. 17:16) Bibla përshkruan më tepër se 40 raste kur Perëndia Jehova bëri betime. Një shembull shumë i njohur është betimi që Perëndia i bëri Abrahamit. Gjatë jetës së Abrahamit, Jehovai bëri disa besëlidhje ose premtime. Prej atyre besëlidhjeve, ai mësoi se Fara e premtuar do të vinte nga familja e tij, nëpërmjet të birit, Isakut. (Zan. 12:1-3, 7; 13:14-17; 15:5, 18; 21:12) Më pas Jehovai e vuri  Abrahamin nën një sprovë të rëndë, duke e urdhëruar të flijonte birin e tij të shtrenjtë. Pa vonesë, Abrahami u bind dhe thuajse e flijoi Isakun po të mos kishte ardhur një engjëll që e ndaloi. Atëherë Perëndia bëri këtë betim: «Meqë ti bëre këtë gjë dhe nuk e kurseve birin tënd të vetëm, betohem për veten time . . . se me siguri do të të bekoj dhe me siguri do ta shumoj farën tënde si yjet e qiellit e si kokrrizat e rërës në breg të detit. Fara jote do të shtjerë në dorë portat e armiqve të vet. Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës, falë faktit që ti e dëgjove zërin tim.»​—Zan. 22:1-3, 9-12, 15-18.

7, 8. (a) Pse iu betua Perëndia Abrahamit? (b) Si do të nxjerrin dobi ‘delet e tjera’ nga ky betim i Perëndisë?

7 Pse Perëndia iu betua Abrahamit se premtimet e Tij do të përmbusheshin? Për të siguruar ata që do të bëheshin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, të cilët do të formonin pjesën dytësore të ‘farës’ së premtuar, dhe për t’u forcuar besimin. (Lexo Hebrenjve 6:13-18; Gal. 3:29) Siç shpjegoi apostulli Pavël, Jehovai «ndërhyri me një be, që nëpërmjet këtyre dy gjërave të pandryshueshme [premtimit dhe besë së tij], në të cilat është e pamundur që Perëndia të gënjejë, ne . . . të kemi inkurajim të fortë që të rrokim shpresën që na është vënë përpara».

Së shpejti, Abrahami do të shohë realizimin e premtimeve të Jehovait

8 Të krishterët e mirosur nuk janë të vetmit që përfitojnë nga betimi që Perëndia i bëri Abrahamit. Jehovai u betua se me anë të «farës» së Abrahamit, njerëz nga ‘të gjitha kombet e tokës do të merrnin bekime’. (Zan. 22:18) Ndër këta të bekuar përfshihen ‘delet e tjera’ të bindura të Krishtit, të cilat kanë para tyre shpresën e jetës së përhershme në një parajsë tokësore. (Gjoni 10:16) Pavarësisht nëse shpresa jote është qiellore ose tokësore, ‘rroke’ atë duke vazhduar t’i bindesh Perëndisë në gjithçka.​—Lexo Hebrenjve 6:11, 12.

BETIME TË TJERA TË PERËNDISË

9. Ç’betim bëri Perëndia kur pasardhësit e Abrahamit ishin nën skllavërinë e egjiptianëve?

9 Shekuj më vonë, përsëri Jehovai u betua në lidhje me premtimet e përmendura më sipër, kur dërgoi Moisiun t’u fliste pasardhësve të Abrahamit që në atë kohë ishin nën skllavërinë e egjiptianëve. (Dal. 6:6-8) Perëndia tha për atë rast: «Ditën kur zgjodha Izraelin, . . .  iu betova atyre duke ngritur dorën se do t’i nxirrja nga Egjipti dhe do t’i çoja në një vend që kisha vëzhguar për ta, një vend ku rridhte qumësht dhe mjaltë.»​—Ezek. 20:5, 6.

10. Ç’premtim i bëri Perëndia Izraelit pasi e çliroi nga Egjipti?

10 Më tej, pas çlirimit të Izraelit nga Egjipti, Jehovai u bëri një betim tjetër: «Nëse i bindeni pikë për pikë zërit tim dhe mbani besëlidhjen time, nga të gjithë popujt e tjerë, ju keni për t’u bërë prona ime e veçantë, sepse gjithë toka më përket mua. Ju do të bëheni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Dal. 19:5, 6) Ç’pozitë të privilegjuar i ofroi kështu Perëndia Izraelit! Kjo do të thoshte që, po të bindeshin, individë nga ky komb mund të kishin shpresën që të përdoreshin nga Perëndia si mbretëri priftërinjsh për bekimin e gjithë njerëzimit. Më vonë, duke përshkruar atë që kishte bërë për Izraelin në atë rast, Jehovai pohoi: «U betova para teje, lidha një besëlidhje me ty.»​—Ezek. 16:8.

11. Si iu përgjigj Izraeli ftesës së Perëndisë që të hynte në një besëlidhje me të si populli i tij i zgjedhur?

11 Në atë kohë, Jehovai nuk e detyroi Izraelin të bënte një betim se do të bindeshin. Po ashtu, Perëndia nuk i futi me zor izraelitët në këtë marrëdhënie të privilegjuar. Përkundrazi, ata thanë me vullnet të lirë: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që thotë Jehovai.» (Dal. 19:8) Tri ditë më pas, Perëndia Jehova i tregoi Izraelit se çfarë do të kërkonte nga kombi i tij i zgjedhur. Së pari, ata dëgjuan Dhjetë Urdhërimet e më pas Moisiu u tregoi urdhërime të tjera që janë dokumentuar nga Dalja 20:22 deri te Dalja 23:33. Si u përgjigj Izraeli? «Tërë populli u përgjigj njëzëri: ‘Jemi gati t’i zbatojmë të gjitha fjalët e Jehovait.’» (Dal. 24:3) Atëherë Moisiu i hodhi me shkrim ligjet në «librin e besëlidhjes» dhe i lexoi me zë të lartë në mënyrë që i gjithë kombi t’i dëgjonte përsëri. Pas kësaj, për herë të tretë, populli u zotua: «Jemi gati të bëjmë gjithçka që ka thënë Jehovai dhe të jemi të bindur.»​—Dal. 24:4, 7, 8.

12. Si veproi Jehovai dhe populli i tij i zgjedhur ndaj besëlidhjes që kishin bërë mes tyre?

12 Jehovai nisi menjëherë të përmbushte pjesën e tij të besëlidhjes së Ligjit duke marrë masa që të ngrihej një tendë adhurimi dhe një priftëri, të cilat bënin të mundur që njerëz mëkatarë t’i afroheshin Atij. Nga ana tjetër, izraelitët harruan shpejt kushtimin që i kishin bërë Perëndisë dhe «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit». (Psal. 78:41) Për shembull, kur Moisiu ishte i zënë pasi po merrte udhëzime të tjera në malin Sinai, izraelitët u bënë të paduruar dhe filluan të humbnin besimin te Perëndia, duke menduar se Moisiu i kishte braktisur. Kështu bënë një shëmbëlltyrë, një viç prej ari, dhe i thanë popullit: «Ky është Perëndia yt, o Izrael, që të nxori nga vendi i Egjiptit.» (Dal. 32:1, 4) Më pas mbajtën atë që e quajtën «një festë për Jehovain» dhe u përkulën para shëmbëlltyrës së sajuar nga njerëzit e bënë flijime. Kur pa këtë, Jehovai i tha Moisiut: «Janë larguar me vrap nga udha në të cilën i urdhërova të shkonin.» (Dal. 32:5, 6, 8) Mjerisht, nga ajo kohë e më tej, historia e Izraelit u mbush me zotime që i bënin Perëndisë e më pas i shkelnin.​—Num. 30:2.

DY BETIME TË TJERA

13. Çfarë betimi i bëri Perëndia mbretit David? Si lidhet ky betim me Farën e premtuar?

13 Gjatë mbretërimit të Davidit, Jehovai bëri edhe dy betime të tjera për  dobinë e të gjithë atyre që i binden. Së pari, iu betua Davidit se froni i tij do të mbetej përgjithmonë. (Psal. 89:35, 36; 132:11, 12) Kjo nënkuptonte se Fara e premtuar do të quhej ‘Biri i Davidit’. (Mat. 1:1; 21:9) Me përulësi, Davidi e quajti këtë pasardhës të tij të ardhshëm «Zotëri», sepse Krishti do të kishte një pozitë më të lartë.​—Mat. 22:42-44.

14. Çfarë betimi bëri Jehovai në lidhje me Farën e premtuar? Si nxjerrim dobi nga ky betim?

14 Së dyti, Jehovai e frymëzoi Davidin të parathoshte se ky Mbret unik do të shërbente edhe si Kryeprifti i njerëzimit. Në Izrael mbretëria dhe priftëria ishin krejtësisht të ndara. Priftërinjtë ishin nga fisi i Levit, kurse mbretërit nga fisi i Judës. Por, për këtë trashëgimtar të tij të ardhshëm e të shquar, Davidi paratha: «Jehovai i thotë Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.’ Jehovai është betuar: ‘Ti do të jesh prift përgjithmonë sipas mënyrës së Melkisedekut’, dhe Atij nuk do t’i vijë keq.» (Psal. 110:1, 4) Në përmbushje të asaj profecie, Jezu Krishti, Fara e premtuar, tani sundon në qiell. Gjithashtu, ai shërben si Kryeprift i njerëzimit duke i ndihmuar ata që pendohen, të kenë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë.​—Lexo Hebrenjve 7:21, 25, 26.

IZRAELI I RI I PERËNDISË

15, 16. (a) Cilat janë dy Izraelet që përmenden në Bibël dhe cili e ka bekimin e Perëndisë sot? (b) Cilin urdhër u dha Jezui dishepujve për betimet?

15 Ngaqë e hodhi poshtë Jezu Krishtin, kombi i Izraelit e humbi favorin e Perëndisë bashkë me mundësinë që të bëhej «një mbretëri priftërinjsh». Jezui u tha udhëheqësve judenj: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mat. 21:43) Ai komb i ri lindi në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur fryma e Perëndisë u derdh mbi 120 dishepujt e Jezuit që ishin mbledhur në Jerusalem. Këta u bënë të njohur si ‘Izraeli i Perëndisë’ dhe shpejt numri i tyre arriti në disa mijëra veta, nga çdo komb i botës së njohur të asaj kohe.​—Gal. 6:16.

16 Ndryshe nga Izraeli natyror, kombi i ri frymor i Perëndisë ka vazhduar të prodhojë fryt duke iu bindur vazhdimisht Perëndisë. Një prej urdhërimeve që u binden pjesëtarët e tij ka të bëjë me betimet. Kur Jezui ishte në tokë, njerëzit abuzonin me betimet duke u betuar në mënyrë të gënjeshtërt ose për gjëra të parëndësishme. (Mat. 23:16-22) Ai u tha dishepujve: «Mos u betoni fare. . . . Nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’, dhe nëse thoni ‘Jo’, le të jetë ‘Jo’, sepse ato që thuhen më tepër se kaq, vijnë nga i ligu.»​—Mat. 5:34,37.

Premtimet e Jehovait përmbushen gjithmonë

17. Cilat pyetje do të shqyrtohen në artikullin vijues të studimit?

17 A do të thotë kjo se është gjithnjë e gabuar të betohesh? Ç’është më e rëndësishmja, ç’kuptim kanë fjalët «nëse thoni ‘Po’, le të jetë ‘Po’»? Këto pyetje do të shqyrtohen në artikullin tjetër të studimit. Ndërsa vazhdojmë të meditojmë rreth Fjalës së Perëndisë, qofshim të motivuar që të vazhdojmë t’i bindemi Jehovait! Si rrjedhim ai do të na bekojë përgjithmonë, siç ka premtuar dhe është betuar.