JEHOVAI është ‘Mësuesi ynë i Madh’. (Isa. 30:20) Dashuria e nxit t’i arsimojë dhe t’i stërvitë të tjerët. Për shembull, dashuria e thellë e motivon Jehovain t’i tregojë Jezuit «gjithçka që ai vetë bën». (Gjoni 5:20) Nga dashuria për ne, Dëshmitarët e tij, Jehovai na jep «gjuhën e të mësuarve», teksa përpiqemi me gjithë forcat ta nderojmë e të ndihmojmë njerëzit.​—Isa. 50:4.

Duke imituar dashurinë e Jehovait, Komiteti i Mësimit i Trupit Udhëheqës përdor dhjetë shkolla teokratike për të stërvitur ata që kanë edhe dëshirën, edhe rrethanat të regjistrohen në to. A i sheh këto shkolla si dëshmi e dashurisë së Jehovait?

Të ftojmë t’u hedhësh një sy shkollave teokratike që zhvillohen sot dhe komenteve të disave që kanë marrë pjesë në to. Pastaj pyet veten: «Si mund të nxjerr dobi nga ky arsimim që jep Perëndia?»

 NXIRR DOBI NGA ARSIMIMI TEOKRATIK

Si «Perëndia i dashurisë», Jehovai siguron një arsimim që i jep më tepër kuptim jetës sonë, na përgatit t’u bëjmë ballë vështirësive dhe na ndihmon të ndiejmë shumë gëzim në shërbim. (2 Kor. 13:11) Ashtu si dishepujt e shekullit të parë, jemi të pajisur më së miri të ndihmojmë të tjerët, ‘duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat’ që na janë urdhëruar.​—Mat. 28:20.

Edhe pse ndoshta nuk i ndjekim dot të gjitha këto shkolla, mund të nxjerrim dobi nga një a më shumë prej tyre. Pastaj mund t’i vëmë në jetë mësimet që na japin nga Bibla. Gjithashtu, mund të bëhemi më të efektshëm në shërbim duke punuar krah shërbëtorëve të stërvitur mirë të Jehovait.

Pyet veten: «A më lejojnë rrethanat që të synoj të marr pjesë në ndonjë nga këto shkolla?»

Adhuruesit e Jehovait e quajnë privilegj t’i ndjekin këto shkolla të dobishme e të mësojnë nga to. Urojmë që ky arsimim të të afrojë më tepër me Perëndinë dhe të të përgatitë të plotësosh përgjegjësitë që ke para tij, sidomos detyrën urgjente për të predikuar lajmin e mirë.