Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pranoje gjithmonë disiplinën e Jehovait!

Pranoje gjithmonë disiplinën e Jehovait!

«Disiplinën e Jehovait mos e hidh poshtë.»PROVERBAT 3:11.

1. Pse duhet ta pranojmë disiplinën e Perëndisë?

MBRETI SOLOMON i Izraelit të lashtë i jep secilit prej nesh një arsye të vlefshme për të pranuar disiplinën e Perëndisë. Solomoni thotë: «Disiplinën e Jehovait mos e hidh poshtë, o biri im, dhe mos e urre qortimin e tij, sepse Jehovai qorton atë që do, sikurse bën një atë me birin që i pëlqen.» (Proverbat 3:11, 12) Po, Ati yt qiellor të disiplinon, sepse të do.

2. Si përkufizohet fjala «disiplinë» dhe si mund të disiplinohet një individ?

2 Fjala «disiplinë» i referohet ndëshkimit, ndreqjes, mësimit dhe arsimimit. Apostulli Pavël shkroi: «Për momentin asnjë disiplinë nuk duket se sjell gëzim, por hidhërim. Mirëpo më pas, u jep fryt paqeje, domethënë drejtësi, atyre që janë stërvitur nga ajo.» (Hebrenjve 12:11) Pranimi dhe zbatimi i disiplinës së Perëndisë mund të të ndihmojë që të ndjekësh një rrugë të drejtë, e kështu t’i afrohesh më shumë Perëndisë së shenjtë, Jehovait. (Psalmi 99:5) Ndreqja mund të vijë nga bashkëbesimtarët, nga gjërat që mëson në mbledhjet e krishtere dhe nga studimi i Fjalës së Perëndisë e i botimeve të ‘kujdestarit të besueshëm’. (Luka 12:42-44) Sa mirënjohës mund të jesh kur të drejtojnë vëmendjen te diçka që ke nevojë ta ndreqësh! Por, ç’disiplinë mund të kërkohet kur është kryer një mëkat i rëndë?

Pse disa përjashtohen?

3. Kur përjashtohet një pjesëtar i kongregacionit?

3 Shërbëtorët e Perëndisë studiojnë Biblën dhe botimet e krishtere. Në mbledhjet, asambletë dhe kongreset e tyre shqyrtohen normat e Jehovait. Prandaj të krishterët e  dinë se çfarë kërkon Ai prej tyre. Një pjesëtar i kongregacionit përjashtohet vetëm nëse pa u penduar kryen një mëkat të rëndë.

4, 5. Cili shembull biblik për përjashtimin është paraqitur këtu dhe pse iu bë thirrje kongregacionit që ta rivendoste atë individ?

4 Shqyrto në Bibël një shembull të dikujt që u përjashtua. Kongregacioni i Korintit toleronte «një kurvëri të tillë që nuk [kishte] as mes kombeve, aq sa një burrë [shkonte] me gruan e të atit». Pavli u bëri thirrje korintasve që ‘t’ia dorëzonin një njeri të tillë Satanait, që të shkatërrohej mishi, por që fryma të shpëtonte’. (1 Korintasve 5:1-5) Kur u përjashtua dhe kështu iu dorëzua Satanait, mëkatari u bë përsëri pjesë e botës së Djallit. (1 Gjonit 5:19) Me anë të përjashtimit, u hoq një ndikim i lig nga kongregacioni dhe u ruajt ‘fryma’ ose qëndrimi mbizotërues i perëndishëm.2 Timoteut 4:22; 1 Korintasve 5:11-13.

5 Jo shumë kohë më vonë, Pavli u bëri thirrje të krishterëve në Korint që ta rivendosnin keqbërësin në kongregacion. Pse? Siç tha apostulli, që të mos ‘ua hidhte Satanai’. Me sa duket mëkatari ishte penduar dhe e kishte pastruar jetën e tij. (2 Korintasve 2:8-11) Në qoftë se korintasit nuk do të pranonin ta rivendosnin të penduarin, Satanai do t’ua hidhte në kuptimin që ata do të ishin të pandjeshëm e nuk do të ishin të gatshëm të falnin, pikërisht siç i dëshironte Djalli të ishin. Ka shumë të ngjarë që, pa kaluar shumë kohë, ata ‘e falën dhe e ngushëlluan’ të penduarin.2 Korintasve 2:5-7.

6. Çfarë arrihet me anë të përjashtimit?

6 Çfarë arrihet me anë të përjashtimit? Nuk shahet emri i shenjtë i Jehovait dhe mbrohet reputacioni i shkëlqyer i popullit të Tij. (1 Pjetrit 1:14-16) Duke hequr nga kongregacioni një keqbërës të papenduar, përkrahen normat e Perëndisë dhe ruhet pastërtia frymore e kongregacionit. Gjithashtu, përjashtimi mund ta sjellë në vete të papenduarin.

Pse apostulli Pavël u dërgoi korintasve udhëzime për përjashtimin?

Pendimi është i rëndësishëm

7. Si ndihej Davidi ngaqë nuk i kishte rrëfyer shkeljet e tij?

7 Shumica e atyre që mëkatojnë rëndë pendohen vërtet dhe nuk përjashtohen nga kongregacioni. Sigurisht që pendimi i vërtetë mund të mos vijë gjithnjë lehtë. Mendo për Davidin, mbretin e Izraelit, i cili kompozoi Psalmin 32. Kjo këngë tregon se për njëfarë kohe Davidi nuk i rrëfeu mëkatet e tij të rënda, që ka shumë mundësi të kishin lidhje me Betshebën. Si pasojë, brenga që ndiente prej mëkateve ia shteroi fuqitë, pikërisht si thatësira e verës ia than lëngun një peme. Davidi vuante fizikisht dhe mendërisht, por, kur ‘i rrëfeu shkeljet, Jehovai e fali’. (Psalmi 32:3-5) Atëherë Davidi këndoi: «Lum njeriu që Jehovai nuk i ngarkon asnjë faj!» (Psalmi 32:1, 2) Sa e mrekullueshme ishte të përjetonte mëshirën e Perëndisë!

8, 9. Si shfaqet pendimi dhe sa i rëndësishëm është ai për rivendosjen e një të përjashtuari?

8 Pra, është e qartë se një mëkatar duhet të pendohet, që t’i tregohet mëshirë. Megjithatë, të pendohesh nuk do të thotë të kesh turp ose frikë se do të zbulohet mëkati. «Të pendohesh» do të thotë «të ndërrosh mendim» për një sjellje të keqe, ngaqë të vjen keq. Një njeri i penduar e ka ‘zemrën të vrarë dhe të dërrmuar’ dhe do që, po të jetë e mundur, të bëjë ‘zhdëmtimin’ e asaj që ka bërë.Psalmi 51:17; 2 Korintasve 7:11.

9 Pendimi është një faktor shumë i rëndësishëm për t’u rivendosur në kongregacionin e krishterë. Një i përjashtuar nuk ripranohet automatikisht në kongregacion pasi ka kaluar një kohë e caktuar. Para se të rivendoset, gjendja e tij e zemrës duhet të pësojë një ndryshim të madh. Ai duhet të arrijë të kuptojë sa i rëndë është mëkati i tij dhe sa sharje i ka sjellë Jehovait dhe kongregacionit. Mëkatari duhet të pendohet, të lutet me ngulm për falje dhe ta përputhë jetën e tij me kërkesat e drejta të Perëndisë. Kur të kërkojë që të  rivendoset, duhet të jetë në gjendje të japë prova se është penduar dhe po bën «vepra të denja për pendim».Veprat 26:20.

Pse ta rrëfesh keqbërjen?

10, 11. Pse nuk duhet të përpiqemi ta fshehim mëkatin?

10 Disa që kanë mëkatuar mund të arsyetojnë: ‘Po t’ia tregoj dikujt mëkatin, ndoshta do të më duhet t’u përgjigjem pyetjeve të sikletshme dhe mund të përjashtohem. Por, po të mos flas, nuk do ta kem këtë siklet dhe askush në kongregacion nuk do ta marrë vesh ndonjëherë.’ Kjo mënyrë të menduari nuk merr parasysh disa faktorë të rëndësishëm. Cilët janë?

11 Jehovai është «një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh, që nuk zemërohet shpejt, që është plot dashamirësi e të vërtetë, që e ruan dashamirësinë për mijëra breza, që fal fajin, shkeljen dhe mëkatin». Gjithsesi ai e ndreq popullin e tij «në masën e duhur». (Dalja 34:6, 7; Jeremia 30:11) Nëse do të mëkatoje rëndë, si do të të tregonte mëshirë Perëndia po të përpiqeshe të fshihje mëkatin? Jehovai e di se çfarë ke bërë dhe ai nuk i mbyll sytë para keqbërjes.Proverbat 15:3; Habakuku 1:13.

12, 13. Ç’pasoja mund të vijnë nëse përpiqesh të fshehësh një keqbërje?

12 Në rast se ke bërë një mëkat të rëndë, rrëfimi mund të të ndihmojë që të rifitosh një ndërgjegje të pastër. (1 Timoteut 1:18-20) Po të mos e rrëfesh mëkatin, do të kesh një ndërgjegje të ndotur e cila mund të të çojë në mëkate të tjera. Mos harro se mëkati që bën, nuk është vetëm kundër një njeriu tjetër ose kundër kongregacionit. Ai është kundër Perëndisë. Psalmisti këndoi: «Jehovai e ka fronin në qiej. Syri i tij sheh bijtë e njerëzve, me sytë e tij rrezatues i heton. Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun.»Psalmi 11:4, 5.

13 Jehovai nuk do ta bekojë dikë që fsheh një mëkat të rëndë dhe përpiqet të qëndrojë brenda kongregacionit të pastër të krishterë. (Jakovi 4:6) Prandaj, nëse ke rënë në mëkat dhe do që të bësh atë që është e drejtë, mos ngurro të bësh një rrëfim të ndershëm. Përndryshe do të të vrasë ndërgjegjja, sidomos kur lexon ose dëgjon këshilla për çështje të ngjashme me mëkatin tënd të rëndë. Po sikur Jehovai të të heqë frymën e tij, siç bëri me mbretin Saul? (1 Samuelit 16:14) Nëse do të të hiqej fryma e Perëndisë, mund të bije në mëkate edhe më të rënda.

Ki besim te vëllezërit e tu besnikë

14. Pse një keqbërës duhet të ndjekë këshillën që gjendet te Jakovi 5:14, 15?

14 Atëherë, çfarë duhet të bëjë një keqbërës i penduar? «Le të thërrasë pranë vetes pleqtë e kongregacionit dhe ata le të luten për të, duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë.» (Jakovi 5:14, 15) Të flasë me pleqtë është një mënyrë që individi ‘të japë fryte të denja për pendim’. (Mateu 3:8) Këta burra besnikë dhe mirëdashës ‘do të luten për të dhe do ta lyejnë me vaj në emër të Jehovait’. Ashtu si vaji që të qetëson dhembjen, këshillat e tyre biblike do të ngushëllojnë këdo që është penduar vërtet.Jeremia 8:22.

15, 16. Si e ndjekin pleqtë e krishterë shembullin që ka lënë Perëndia, siç thuhet tek Ezekieli 34:15, 16?

15 Çfarë shembulli të dashur la Bariu ynë, Jehovai, kur i çliroi judenjtë nga robëria babilonase në vitin 537 p.e.s. dhe kur e çliroi Izraelin frymor nga «Babilonia e Madhe» në vitin 1919 të e.s.! (Zbulesa 17:3-5; Galatasve 6:16) Në këtë mënyrë ai përmbushi premtimin e tij: «Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i vë të pushojnë. . . . Do ta kërkoj të humburën, do të kthej të larguarën, do ta fashoj të vrarën dhe do t’i jap forcë të sëmurës.»Ezekieli 34:15, 16.

16 Jehovai i kulloti delet e tij simbolike, i vuri të pushojnë të sigurta dhe kërkoi delet e humbura. Në mënyrë të ngjashme barinjtë  e krishterë sigurohen që kopeja e Perëndisë të jetë nga ana frymore e ushqyer mirë dhe e sigurt. Pleqtë kërkojnë delet që largohen nga kongregacioni. Ashtu si Perëndia ‘fashoi të vrarën’, mbikëqyrësit ‘fashojnë’ delet që janë plagosur nga fjalët e dikujt ose që vuajnë nga diçka që kanë bërë vetë. Dhe, ashtu si Perëndia ‘i dha forcë të sëmurës’, pleqtë i ndihmojnë ata që janë sëmurur frymësisht, ndoshta për shkak të një keqbërjeje që kanë kryer.

Si japin ndihmë barinjtë?

17. Pse nuk duhet të ngurrojmë t’u kërkojmë pleqve ndihmë frymore?

17 Pleqtë ndjekin me gëzim këtë këshillë: ‘Vazhdoni të tregoni mëshirë, duke e bërë këtë me frikë.’ (Juda 23) Duke kryer imoralitet, disa të krishterë kanë mëkatuar rëndë. Por, nëse pendohen vërtet, mund të presin një trajtim të mëshirshëm e të dashur nga pleqtë që janë gati t’i ndihmojnë frymësisht. Pavli, duke përfshirë edhe veten, tha për këta burra: «Jo se ne jemi zotërinj mbi besimin tuaj, por se jemi bashkëpunëtorë për gëzimin tuaj.» (2 Korintasve 1:24) Prandaj, kurrë mos ngurro t’u kërkosh atyre ndihmë frymore!

18. Si sillen pleqtë me bashkëbesimtarët që kanë gabuar?

18 Pse mund të kesh besim te pleqtë, në qoftë se ke mëkatuar rëndë? Sepse ata janë para së gjithash barinj të kopesë së Perëndisë. (1 Pjetrit 5:1-4) Asnjë bari i dashur nuk e godet një qengj të butë e që blegërin ngaqë është vrarë. Prandaj, kur pleqtë kanë të bëjnë me një bashkëbesimtar që ka gabuar, nuk përqendrohen se si ta ndëshkojnë, por te mëkati dhe si ta ripërtërijnë frymësisht, kur është e mundur. (Jakovi 5:13-20) Pleqtë duhet të gjykojnë me drejtësi dhe «ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi». (Veprat 20:29, 30; Isaia 32:1, 2) Ashtu si gjithë të krishterët e tjerë, pleqtë duhet ‘të tregojnë drejtësi, të duan mirëdashjen dhe të jenë modestë ndërsa ecin me Perëndinë’. (Mikea 6:8) Këto cilësi janë thelbësore kur marrin vendime që kanë të bëjnë me jetën dhe shërbimin e shenjtë të ‘deleve të kullotës së Jehovait’.Psalmi 100:3.

Ashtu si barinjtë e lashtë, pleqtë e krishterë i ‘fashojnë’ delet e plagosura të Perëndisë

19. Me ç’qëndrim përpiqen pleqtë e krishterë të ndreqin një individ?

19 Barinjtë e krishterë janë emëruar nga fryma e shenjtë dhe përpiqen të udhëhiqen prej saj. Në rast se ‘një njeri hedh ndonjë hap të gabuar përpara se të jetë i vetëdijshëm për të’—si pa e kuptuar—burrat e kualifikuar frymësisht,  përpiqen ‘ta ndreqin atë me një frymë butësie’. (Galatasve 6:1; Veprat 20:28) Me butësi, por me vendosmëri për t’iu përmbajtur normave të Perëndisë, pleqtë përpiqen të ndreqin mënyrën e tij të të menduarit, ashtu si një mjek i vëmendshëm vë në vend me kujdes një kockë të thyer, që të mos shkaktojë dhembje të panevojshme, e megjithatë të zgjidhë problemin. (Kolosianëve 3:12) Meqë çdo shfaqje e mëshirës nga ana e pleqve duhet bazuar në lutje dhe në Shkrime, vendimi i tyre duhet të pasqyrojë pikëpamjen e Perëndisë për atë çështje.Mateu 18:18.

20. Kur mund të jetë e nevojshme që të njoftohet kongregacioni se një individ është qortuar?

20 Nëse një mëkat njihet gjerësisht ose me siguri do të bëhet i njohur, ka shumë të ngjarë të jetë e përshtatshme të bëhet një njoftim për kongregacionin për të mbrojtur emrin e kongregacionit. Njoftim do të bëhet edhe në rast se ka nevojë të vihet në dijeni kongregacioni. Gjatë kohës që një individ i qortuar nga një komitet gjyqësor po shërohet frymësisht, ai mund të krahasohet me një njeri që po e merr veten nga një plagë, e cila përkohësisht ia kufizon veprimtaritë. Për njëfarë kohe, ka shumë të ngjarë të jetë e dobishme për të penduarin që të mos komentojë në mbledhje, por vetëm të dëgjojë. Pleqtë mund të marrin masa që dikush të bëjë një studim biblik me të për ta forcuar aty ku është i dobët, që të mund të bëhet sërish ‘i shëndoshë në besim’. (Titit 2:2) E gjithë kjo bëhet me dashuri dhe nuk ka si qëllim të ndëshkojë keqbërësin.

21. Si mund të trajtohen disa raste keqbërjesh?

21 Pleqtë mund të japin ndihmë frymore në mënyra të ndryshme. Për shembull, ta zëmë se një vëlla që në të kaluarën ka pasur probleme me pijen, ka ndodhur që një a dy herë, kur ka qenë vetëm në shtëpi, ka pirë tepër. Ose një vëlla që e ka lënë duhanin shumë kohë më parë, në një çast dobësie pi duhan në fshehtësi një ose dy herë. Edhe pse është lutur dhe mendon se Perëndia e ka falur, ai duhet të kërkojë ndihmën e një plaku, që ky mëkat të mos bëhet zakon. Një ose dy pleq mund të trajtojnë këtë situatë. Por plaku (pleqtë) duhet të njoftojë (njoftojnë) mbikëqyrësin drejtues, pasi mund të përfshihen edhe faktorë të tjerë.

Vazhdo të pranosh disiplinën e Perëndisë

22, 23. Pse duhet të vazhdosh ta pranosh disiplinën e Perëndisë?

22 Që të ketë miratimin e Perëndisë, çdo i krishterë duhet t’i kushtojë vëmendje disiplinës së Jehovait. (1 Timoteut 5:20) Prandaj, prano çdo ndreqje që merr kur studion Shkrimet dhe botimet e krishtere ose kur dëgjon këshilla që jepen në mbledhjet, asambletë dhe kongreset e popullit të Jehovait. Qëndro syçelë duke bërë vullnetin e Jehovait. Atëherë disiplina e Perëndisë do të të ndihmojë që të mbash një ledh frymor, pra, një mbrojtje të fortë si mur, kundër mëkatit.

23 Pranimi i disiplinës së Perëndisë do të të ndihmojë të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë. Vërtet që disa janë përjashtuar nga kongregacioni i krishterë, por kjo nuk ka pse të të ndodhë ty, nëse ‘ruan zemrën’ dhe ‘ecën si i mençur’. (Proverbat 4:23; Efesianëve 5:15) Megjithatë, në rast se tani je i përjashtuar, pse nuk bën hapat për t’u rivendosur? Perëndia do që të gjithë ata që i janë kushtuar, ta adhurojnë atë me besnikëri dhe me «hare zemre». (Ligji i përtërirë 28:47) Mund ta bësh këtë përgjithnjë, nëse e pranon gjithmonë disiplinën e Jehovait.Psalmi 100:2.