ÇFARË tragjedie të tmerrshme pësoi njerëzimi në fillim të historisë! Një engjëll u rebelua kundër autoritetit të Atij që e kishte krijuar. Ky rebel mashtroi gruan e parë, Evën, që të hante nga fryti i ndaluar. Duke iu drejtuar asaj dhe të shoqit, Adamit, ky engjëll u tha: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 2:16, 17; 3:1-5) Ky engjëll rebel u quajt Djall dhe Satana.Zbulesa 12:9.

A ia vuri veshin Eva fjalëve të Satanait? Bibla thotë: «Gruaja pa që fryti i pemës ishte i mirë si ushqim dhe i lakmueshëm për sytë, po, fryti i pemës ishte i dëshirueshëm për t’u parë. Prandaj ajo mori nga fryti i pemës dhe hëngri. Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.» (Zanafilla 3:6) Po, çifti i parë, Adami dhe Eva, u bashkuan me Satanain në këtë rebelim. Për pasojë, si ata, si pasardhësit e tyre, e humbën Parajsën. Fëmijët që do të kishin lindur të përsosur dhe do të jetonin përgjithmonë, tani do të trashëgonin mëkatin dhe vdekjen.Romakëve 5:12.

Po si reagoi Perëndia Jehova, Sundimtari Sovran i universit? Ai vendosi të bënte të mundur faljen e mëkateve të njerëzimit. (Romakëve 5:8) Madje Perëndia Jehova ka ngritur një strukturë qeverisëse për t’i dhënë fund problemeve të njerëzimit. Ajo quhet «mbretëria e Perëndisë». (Luka 21:31) E formuar si një mjet ndihmës për të vendosur sundimin universal të Perëndisë, kjo mbretëri ka një qëllim të veçantë.

Çfarë qëllimi ka Mbretëria e Perëndisë? Cilat janë disa nga veçoritë e saj dhe në ç’aspekt ndryshon nga sundimi njerëzor? Kur do të fillonte të sundonte? Këto pyetje do të marrin përgjigje në artikullin vijues.