Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë do të bëjë Mbretëria e Perëndisë?

«Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe mbi tokë.»​—MATEU 6:10.

1. Çfarë do të nënkuptojë ardhja e Mbretërisë së Perëndisë?

KUR Jezui u mësoi ithtarëve të tij që të luten për Mbretërinë e Perëndisë, e dinte se ardhja e saj do të sillte fundin e mijëra vjetëve të sundimit njerëzor të pavarur nga Perëndia. Gjatë gjithë asaj kohe, në përgjithësi në tokë nuk ishte bërë vullneti i Perëndisë. (Psalmi 147:19, 20) Por, pas vendosjes së Mbretërisë në qiell, vullneti i Perëndisë kishte për t’u bërë kudo. Koha për ndryshimin e jashtëzakonshëm nga sundimi njerëzor në sundimin e Mbretërisë qiellore të Perëndisë po afrohet shumë.

2. Çfarë do të shërbejë si shenjë për ndryshimin nga sundimi njerëzor në sundimin e Mbretërisë?

2 Si shenjë e këtij ndryshimi do të jetë periudha kohore që Jezui e quajti ‘shtrëngimi i madh, i atillë që nuk ka ndodhur  që nga fillimi i botës e deri tani, jo, as nuk do të ndodhë përsëri’. (Mateu 24:21) Bibla nuk thotë sa do të zgjatë kjo periudhë kohore, por katastrofat që do të ndodhin gjatë saj do të jenë më të këqija se çdo gjë tjetër që ka parë ndonjëherë bota. Në fillim të shtrëngimit të madh, do të ndodhë diçka që do të jetë një tronditje e madhe për shumicën e njerëzve në tokë: shkatërrimi i gjithë fesë së rreme. Kjo nuk do të jetë një tronditje për Dëshmitarët e Jehovait, sepse e kanë pritur nga shumë kohë këtë gjë. (Zbulesa 17:1, 15-17; 18:1-24) Shtrëngimi i madh mbaron në Harmagedon, kur Mbretëria e Perëndisë të thërrmojë tërë sistemin satanik.​—Danieli 2:44; Zbulesa 16:14, 16.

3. Si e përshkruan Jeremia shortin e njerëzve të pabindur?

3 Çfarë do të nënkuptojë kjo për njerëzit ‘që nuk e njohin Perëndinë dhe për ata që nuk i binden lajmit të mirë’ rreth Mbretërisë qiellore në duart e Krishtit? (2 Selanikasve 1:6-9) Profecia biblike na thotë: «Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës. Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut.»​—Jeremia 25:32, 33.

Fundi i ligësisë

4. Përse Jehovai është i justifikuar për t’i sjellë fundin këtij sistemi të lig?

4 Për mijëra vjet, Perëndia Jehova e ka toleruar ligësinë, duke lënë kohë të mjaftueshme që njerëzit me zemër të drejtë ta shihnin se sundimi i njeriut është një katastrofë. Për shembull, sipas një burimi, vetëm në shekullin e 20-të më shumë se 150 milionë njerëz u vranë në luftëra, revolucione dhe në trazira të tjera civile. Egërsia e njeriut u pa në veçanti gjatë Luftës II Botërore, kur u vranë rreth 50 milionë veta e shumë prej tyre patën një vdekje të tmerrshme nëpër kampet naziste të përqendrimit. Ashtu si kishte parathënë Bibla, në kohën tonë ‘njerëzit e ligj dhe mashtrues kanë shkuar keq e më keq’. (2 Timoteut 3:1-5, 13) Sot, imoraliteti, krimi, dhuna, korrupsioni dhe përbuzja e normave të Perëndisë janë mbizotëruese. Kështu, Jehovai është plotësisht i justifikuar që të sjellë fundin e këtij sistemi të lig.

5, 6. Përshkruani ligësinë që ekzistonte në Kanaanin e lashtë.

5 Situata e tanishme është e ngjashme me atë në Kanaan rreth 3500 vjet më parë. Në Bibël thuhet: «Ata me perënditë e tyre kanë bërë tërë ato gjëra të neveritshme për Zotin dhe që ai i urren; kanë djegur madje në zjarr bijtë dhe bijat e tyre për nder të perëndive të tyre.» (Ligji i përtërirë 12:31) Jehovai e informoi kombin e Izraelit: «Nga ligësia e këtyre kombeve Zoti, Perëndia yt, po i dëbon para teje.» (Ligji i përtërirë 9:5) Historiani biblik Henri H. Hallei vërejti: «Adhurimi i Baalit, i Ashtorethit dhe i perëndive të tjera kananease konsistonte në orgjitë më ekstravagante; tempujt e tyre ishin qendra vesesh.»

6 Hallei tregoi sa e madhe ishte bërë ligësia, pasi në një nga zonat e shumta të tilla, arkeologët «gjetën shumë poçe që mbanin mbetjet e fëmijëve të cilët i ishin flijuar Baalit». Ai tha: «E gjithë zona doli se ishte një varrezë e foshnjave të sapolindura. . . . Kananeasit adhuronin duke u dhënë pas imoralitetit, si një rit fetar, në prani të perëndive të tyre, dhe pastaj, duke vrarë fëmijët e tyre të parëlindur si flijim ndaj të njëjtëve perëndi. Duket se në një masë të madhe, vendi i Kanaanit ishte bërë një lloj Sodome dhe Gomorre në shkallë kombëtare. . . . A kishte ndonjë të drejtë për të ekzistuar më gjatë një qytetërim me një fëlliqësi dhe brutalitet të tillë të urryer? . . . Arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qyteteve kananease, pyesin veten përse Perëndia nuk i shkatërroi më shpejt nga ç’kishte bërë.»

Trashëgimi i tokës

7, 8. Si do ta pastrojë Perëndia tokën?

7 Siç e pastroi Kanaanin, Perëndia së shpejti do ta pastrojë të gjithë tokën dhe do t’ua japë  atyre që bëjnë vullnetin e tij. «Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.» (Proverbat 2:21, 22) Edhe psalmisti thotë: «Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.» (Psalmi 37:10, 11) Po ashtu, do të hiqet Satanai, që ‘të mos i mashtrojë më kombet derisa të mbarojnë një mijë vjetët’. (Zbulesa 20:1-3) Tamam, «bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë».​—1 Gjonit 2:17.

8 Duke përmbledhur shpresën madhështore të atyre që duan të jetojnë përgjithmonë në tokë, Jezui tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, pasi ata do ta trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Ka të ngjarë që ai t’i referohej Psalmit 37:29, ku parathuhej: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Jezui e dinte se ishte pikërisht qëllimi i Jehovait që njerëz me zemër të drejtë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Jehovai thotë: «Unë kam bërë tokën, njerëzit dhe kafshët që janë mbi faqen e dheut, me fuqinë time të madhe . . . dhe ia jap atij që më duket i mirë në sytë e mi.»​—Jeremia 27:5.

 Një botë e re e mrekullueshme

9. Çfarë lloj bote do të sjellë Mbretëria e Perëndisë?

9 Pas Harmagedonit, Mbretëria e Perëndisë do të sjellë një «tokë të re» të mrekullueshme, ku «ka për të banuar drejtësia». (2 Pjetrit 3:13) Çfarë lehtësimi i jashtëzakonshëm do të jetë për ata që do të mbijetojnë në Harmagedon të çlirohen nga ky sistem i lig shtypës! Sa të kënaqur do të jenë ata për faktin se kanë hyrë në botën e re të drejtë, nën qeverinë e Mbretërisë qiellore, me bekime të mrekullueshme dhe me jetën e përhershme përpara!​—Zbulesa 7:9-17.

10. Cilat gjëra të këqija nuk do të ekzistojnë më nën sundimin e Mbretërisë?

10 Njerëzit nuk do të kërcënohen më nga lufta, krimi, uria ose edhe nga kafshët grabitqare. «Do të vendos me [popullin tim] një besëlidhje paqeje dhe do të zhduk nga vendi kafshët e liga . . . Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre.» «Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrejë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten më për luftë. Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më.»​—Ezekieli 34:25-28; Mikea 4:3, 4.

11. Përse mund të jemi të sigurt se sëmundjet fizike do të mbarojnë?

11 Sëmundjet, brengat e, madje, edhe vdekja do të eliminohen. «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’ Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.» (Isaia 33:24) «[Perëndia] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar. . . . ‘Ja, unë po bëj çdo gjë të re.’» (Zbulesa 21:4, 5) Kur ishte në tokë, Jezui e tregoi aftësinë e tij për t’i bërë këto gjëra, me anë të fuqisë që i kishte dhënë Perëndia. Me mbështetjen e frymës së shenjtë, Jezui përshkoi gjithë vendin duke shëruar të çalët dhe të sëmurët.​—Mateu 15:30, 31.

12. Çfarë shprese ka për të vdekurit?

 12 Jezui bëri edhe më shumë. Ai ngjalli të vdekurit. Si reaguan njerëzit e përulur? Kur ai ringjalli një vajzë 12-vjeçare, prindërit e saj «mbetën gojëhapur, të pushtuar nga gëzimi i madh». (Marku 5:42) Ky ishte një shembull tjetër i asaj që do të bëjë Jezui në mbarë tokën nën sundimin e Mbretërisë, sepse atëherë «do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve». (Veprat 24:15) Imagjinoni gëzimin e madh që do të ketë kur të vdekurit, grup pas grupi, të kthehen në jetë dhe të bashkohen përsëri me të dashurit e tyre! Pa dyshim, do të ketë një vepër të madhe arsimimi nën mbikëqyrjen e Mbretërisë, me qëllim që ‘vendi të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin’.​—Isaia 11:9.

«Do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, edhe të të padrejtëve»

Shfajësohet sovraniteti i Jehovait

13. Si do të bëhet e qartë e drejta e sundimit të Perëndisë?

13 Nga fundi i një mijë vjetëve të sundimit të Mbretërisë, familja njerëzore do të jetë rivendosur në përsosmëri mendjeje dhe trupi. Toka do të jetë një kopsht global Edeni, një parajsë. Do të jetë arritur paqja, lumturia, siguria dhe një shoqëri e dashur njerëzore. Diçka e tillë nuk ishte parë kurrë në historinë njerëzore para sundimit të Mbretërisë. Sa kontrast i madh do të tregohet në atë kohë ndërmjet mijëra vjetëve të mëparshëm me sundim të mjerueshëm nga njerëzit dhe sundimit të mrekullueshëm me anë të Mbretërisë qiellore të Perëndisë për një mijë vjet! Do të bëhet e qartë se sundimi i Perëndisë nëpërmjet Mbretërisë së tij është krejtësisht më i lartë në çdo aspekt. E drejta e Perëndisë për të sunduar, sovraniteti i tij, do të jetë shfajësuar plotësisht.

14. Çfarë do të ndodhë me rebelët kur të mbarojnë të një mijë vjetët?

14 Në fund të një mijë vjetëve, Jehovai do t’i lejojë njerëzit e përsosur të ushtrojnë zgjedhjen e tyre të lirë, duke vendosur kujt dëshirojnë t’i shërbejnë. Bibla tregon se «Satanai do të zgjidhet nga burgu i tij». Ai do të përpiqet përsëri t’i mashtrojë njerëzit, disa prej të cilëve do të zgjedhin të jenë të pavarur nga Perëndia. Për të parandaluar që ‘vuajtja të ngrihet për herë të dytë’, Jehovai do ta shfarosë Satanain, demonët e tij dhe të gjithë ata që rebelohen kundër sovranitetit të Jehovait. Asnjë nuk do të mund të kundërshtojë se njerëzve që do të shkatërrohen përjetësisht në atë kohë nuk iu dha një mundësi ose që sjellja e tyre e gabuar ishte për shkak të papërsosmërisë. Jo, ata do të jenë të përsosur si Adami dhe Eva, të cilët zgjodhën vullnetarisht të rebeloheshin kundër sundimit të drejtë të Jehovait.​—Zbulesa 20:7-10; Naumi 1:9, BR.

Njerëzit besnikë do të rikthehen në një marrëdhënie të duhur me Jehovain

15. Çfarë marrëdhënieje do të kenë njerëzit besnikë me Jehovain?

15 Nga ana tjetër, ka të ngjarë që shumica dërrmuese e njerëzve do të zgjedhin të mbështetin sovranitetin e Jehovait. Pasi të shfaroset çdo rebel, të drejtët do të qëndrojnë para Jehovait, pasi kanë kaluar sprovën e fundit të besnikërisë. Atëherë, këta besnikë do të pranohen nga Jehovai si bijtë dhe bijat e tij. Prandaj, ata vijnë përsëri në marrëdhënien që Adami dhe Eva kishin me Perëndinë para se të rebeloheshin. Kështu, do të përmbushet Romakëve 8:21: «Vetë krijesa [njerëzimi] do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.» Profeti Isaia parathotë: «[Perëndia] do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë.»​—Isaia 25:8.

Shpresa e jetës së përhershme

16. Përse është e përshtatshme të presim me padurim shpërblimin e jetës së përhershme?

16 Sa perspektivë e mrekullueshme i pret njerëzit besimplotë​—të dinë se Perëndia do të derdhë përgjithmonë mbi ta një vërshim dobish frymore e materiale! Me të drejtë psalmisti tha: «Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën [e duhur] të çdo qenieje të gjallë.» (Psalmi 145:16) Jehovai i inkurajon ata të klasës tokësore që ta kenë këtë shpresë të jetës në Parajsë si pjesë të besimit që kanë tek ai. Ndonëse  çështja e sovranitetit të Jehovait është më e rëndësishme, ai nuk u kërkon njerëzve t’i shërbejnë pa asnjë perspektivë për një shpërblim. Në të gjithë Biblën, besnikëria ndaj Perëndisë dhe shpresa e jetës së përjetshme janë të lidhura në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën, si pjesë të nevojshme të besimit të një të krishteri te Perëndia. «Ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.»​—Hebrenjve 11:6.

17. Si e tregoi Jezui se ishte e përshtatshme të mbështeteshim nga shpresa jonë?

17 Jezui tha: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Këtu, ai e lidhi njohjen e Perëndisë dhe të qëllimeve të tij me shpërblimin që sjell kjo. Si një shembull, kur një keqbërës i kërkoi Jezuit që ta kujtonte kur të vinte në Mbretërinë e tij, ky i tha: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Ai nuk i tha këtij njeriu të kishte besim, edhe sikur të mos merrte ndonjë shpërblim. E dinte se Jehovai dëshiron që shërbëtorët e tij ta kenë shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, pasi kjo i ndihmon, duke i mbështetur ndërsa hasin sprova të ndryshme në këtë botë. Kështu, një ndihmë jetësore për të qëndruar si të krishterë është të shohim përpara drejt shpërblimit.

E ardhmja e Mbretërisë

18, 19. Çfarë do të ndodhë me Mbretin dhe Mbretërinë në fund të mbretërimit mijëvjeçar?

18 Duke qenë se Mbretëria ishte një qeveri ndihmëse që Jehovai e përdori për të çuar tokën dhe banorët e saj njerëzorë në përsosmëri dhe në pajtimin me të, çfarë roli ka për Mbretin Jezu Krisht dhe për 144 000 mbretërit e priftërinjtë pas Mijëvjeçarit? «Pastaj, fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij, kur të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi. Sepse ai duhet të sundojë si mbret derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij.»​—1 Korintasve 15:24, 25.

19 Si do të kuptohen shkrimet që flasin se Mbretëria do të zgjatë përgjithmonë, kur Krishti t’ia dorëzojë atë Perëndisë? Arritjet e Mbretërisë do të qëndrojnë përgjithmonë. Krishti do të nderohet përgjithmonë për shkak të rolit që ka luajtur duke punuar për shfajësimin e sovranitetit të Perëndisë. Por, meqë mëkati dhe vdekja atëherë do të eliminohen plotësisht dhe njerëzimi do të jetë shpenguar, kjo i jep fund nevojës për të si një Shpengues. Sundimi Mijëvjeçar i Mbretërisë do të jetë kryer, gjithashtu, plotësisht, prandaj nuk do të ketë më nevojë për një qeveri ndihmëse që të mbetet ndërmjet Jehovait dhe njerëzimit të bindur. Kështu, «Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë».​—1 Korintasve 15:28.

20. Si mund ta zbulojmë çfarë rezervon e ardhmja për Krishtin dhe për 144 000 të tjerët?

20 Çfarë roli të ardhshëm do të kenë Krishti dhe bashkësundimtarët e tij, pasi mbretërimi mijëvjeçar të ketë përfunduar? Bibla nuk e thotë. Megjithatë, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u japë atyre shumë privilegje të mëtejshme shërbimi që kanë të bëjnë me gjithë krijimin e tij. Le ta mbështetim të gjithë sot sovranitetin e Jehovait dhe na u dhëntë jeta e përjetshme, kështu që në të ardhmen do të jemi gjallë për të zbuluar çfarë ka si qëllim Jehovai për Mbretin dhe për bashkëmbretërit e priftërinjtë e tjerë, si edhe për tërë universin e tij madhështor!