Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Pyetje nga lexuesit

Meqenëse thuhet se tani procedurat e sterilizimit janë të kthyeshme nëse kërkohen, a mund t’i konsiderojë një i krishterë këto procedura si një alternativë për kontrollin e lindjeve?

Meqenëse thuhet se tani procedurat e sterilizimit janë të kthyeshme nëse kërkohen, a mund t’i konsiderojë një i krishterë këto procedura si një alternativë për kontrollin e lindjeve?

Sterilizimi është bërë mjeti më i përdorur për planifikimin familjar. Pranimi ose jo i kësaj procedure, për shumë njerëz duket se përcaktohet nga prejardhja shoqërore dhe kulturore, si edhe nga pikëpamjet fetare. Aspekti i bindjeve fetare është i rëndësishëm për Dëshmitarët e Jehovait, të cilët kanë të njëjtën dëshirë si psalmisti: «O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë [drejtësie, BR].» (Psalmi 27:11) Çfarë përfshihet në procedurat e sterilizimit?

Sterilizimi i meshkujve për të kontrolluar lindjet quhet vazektomi. Dy gypat ose tubat e vegjël të spermës, të cilët gjenden në skrotum ose në qesen e testikujve priten dhe bllokohen. Kjo mund të bëhet me disa metoda mjekësore, por qëllimi është që ta pengojë spermën ose farën të kalojë nga testikujt. Sterilizimi i femrave quhet lidhje tubash. Zakonisht bëhet duke prerë dhe lidhur (ose djegur) tubat e Falopit, të cilat i çojnë vezët nga vezoret në mitër.

Për shumë kohë ishte menduar se këto hapa ishin përfundimtarë, domethënë se shkaktonin një sterilizim të pakthyeshëm. Por disa njerëz, ngaqë janë penduar për këtë hap ose si rezultat i rrethanave të reja që u janë krijuar, kanë kërkuar ndihmë mjekësore për të zhbërë një vazektomi ose një lidhje tubash. Me shpikjen e instrumentave të specializuar dhe të mikrokirurgjisë, përpjekjet për rikthim kanë qenë më të suksesshme. Nuk është e pazakontë të lexojmë se me individë të zgjedhur mund të ketë 50 deri në 70 për qind sukses në rikthimin e vazektomisë, duke bashkuar prapë skajet e prera të gypave të vegjël. Pohohet se është arritur një sukses prej 60 deri në 80 për qind në rikthimin e lidhjes së tubave te femrat. Disa njerëz që kanë marrë vesh këto rezultate, kanë menduar se sterilizimi nuk duhet konsideruar më si përfundimtar. Ata mund të mendojnë se vazektomia dhe lidhja e tubave mund të konsiderohen në të njëjtën kategori si kontraceptivët që merren nga goja, si prezervativët dhe diafragmat, metoda që mund të ndërpriten nëse dëshirohet një shtatzëni. Megjithatë, nuk duhen shpërfillur disa aspekte që të vënë në mendime.

Një aspekt është se perspektivat për rikthim mund të dëmtohen rëndë nga këta faktorë që janë: shkalla e dëmtimit të tubave gjatë procedurës së sterilizimit, gjatësia e pjesës së hequr ose të dëmtuar të tubit, numri i viteve që kanë kaluar që nga procedura dhe në rastin e vazektomisë, nëse te ai janë formuar antitrupa kundër spermës. Gjithashtu, nuk duhet shpërfillur fakti se në shumë zona mund të mos ketë klinika mikrokirurgjie ose shpenzimet mund të jenë të papërballueshme. Në këtë mënyrë, shumë veta që do të dëshironin tepër të bënin një rikthim të sterilizimit, nuk do të mund ta bënin. Për ta, sterilizimi është përfundimtar. * Prandaj, përqindjet e treguara më sipër për rikthime janë në të vërtetë thjesht teorike e jo mesatare të besueshme.

Disa fakte mbështeten në gjëra reale. Një artikull i botuar në Shtetet e Bashkuara mbi kthimin mbrapsht të vazektomisë, komentonte se pas një operacioni prej 12.000 dollarësh, «vetëm 63 për qind e pacientëve mund të lënë shtatzëna partneret e tyre». Për më tepër, vetëm «gjashtë për qind e burrave që bëjnë vazektomi kërkojnë më pas një rikthim të kësaj procedure». Në një studim gjerman të bërë për Evropën Qendrore tregohej se rreth 3 për qind e burrave që kishin zgjedhur të sterilizoheshin, kishin kërkuar më vonë një rikthim. Edhe sikur gjysma e atyre operacioneve të dilte me sukses, kjo do të nënkuptonte se për 98,5 për qind të njerëzve, bërja e një vazektomie do të thotë sterilizim përfundimtar. Po kështu, përqindja do të ishte më e lartë në vendet ku ka pak ose s’ka fare mikrokirurgë.

Për pasojë, nuk është realiste ta konsiderojmë sterilizimin e meshkujve ose të femrave me lehtësi, sikur të ishte një kontroll i përkohshëm i lindjeve. Gjithashtu, të krishterët e vërtetë duhet të mbajnë parasysh edhe disa aspekte të tjera.

 Një pikë kryesore është se aftësia e riprodhimit është një dhuratë nga Krijuesi ynë. Qëllimi i tij fillestar përfshinte shtimin e njerëzve të përsosur, të cilët do ta ‘mbushnin tokën e do ta nënshtronin atë’. (Zanafilla 1:28) Pasi Përmbytja e reduktoi në tetë veta popullsinë e botës, Perëndia i përsëriti këto udhëzime bazë. (Zanafilla 9:1) Perëndia nuk ia përsëriti këtë urdhër kombit të Izraelit, por izraelitët e konsideronin një gjë shumë të dëshirueshme pasjen e pasardhësve.1. Samuelit 1:1-11; Psalmi 128:3.

Ligji që Perëndia i dha Izraelit përmbante tregues të respektit të tij për lindjen njerëzore. Për shembull, nëse një burrë i martuar vdiste para se të lindte një djalë për linjën e gjenealogjisë së tij, vëllai i tij duhej të lindte një djalë, duke u martuar me kunatën e vet. (Ligji i përtërirë 25:5) Akoma më afër kësaj pike ishte ligji lidhur me një grua që përpiqej të ndihmonte të shoqin në një përleshje. Nëse ajo e kapte kundërshtarin e të shoqit në pjesët intime, do t’i pritej dora. Në mënyrë domethënëse, Perëndia nuk kërkonte një zhdëmtim sy për sy, pra, organet riprodhuese të saj ose të të shoqit. (Ligji i përtërirë 25:11, 12) Ky ligj patjetër që do të krijonte respekt për organet riprodhuese, pasi ato nuk duheshin shkatërruar më kot. *

Ne e dimë se të krishterët nuk janë nën Ligjin e Izraelit, kështu që rregullimi i paraqitur në Ligjin e përtërirë 25:11, 12 nuk është i detyrueshëm për ta. Jezui as nuk urdhëroi, as nuk nënkuptoi që dishepujt e tij duhet të martohen e të kenë sa më shumë fëmijë që të jetë e mundur, gjë që shumë çifte e kanë marrë parasysh kur kanë vendosur nëse duhet të përdorin apo jo ndonjë metodë për kontrollin e lindjeve. (Mateu 19:10-12) Apostulli Pavël i inkurajoi vejushat e reja me impulse seksuale ‘të martohen, të kenë fëmijë’. (1. Timoteut 5:11-14) Ai nuk përmendi ndonjë sterilizim përfundimtar për të krishterët, pra, sakrifikimin e vullnetshëm të aftësive të tyre riprodhuese për të pasur fëmijë.

Të krishterët bëjnë mirë t’i peshojnë këta faktorë që tregojnë se Perëndia e vlerëson aftësinë e tyre riprodhuese. Çdo çift duhet të përcaktojë nëse dhe kur do të përdorë metoda të përshtatshme për planifikimin familjar. Kuptohet, vendimi i tyre do të ishte veçanërisht me rëndësi në rast se mjekësia do të vërtetonte në mënyrë të sigurt se me një shtatzëni të ardhshme, nëna ose fëmija do të hasnin rreziqe të mëdha shëndetësore, madje edhe mundësinë e vdekjes. Disa që janë gjendur në këtë situatë, i janë nënshtruar pa dëshirë një procedure sterilizimi si ajo që u përshkrua më lart, për t’u siguruar se asnjë shtatzëni nuk do të rrezikojë jetën e nënës (e cila mund të ketë tashmë fëmijë të tjerë) ose jetën e një fëmije që mund të lindë më vonë me një problem shëndetësor kërcënues për jetën.

Por të krishterët që nuk po hasin një rrezik të tillë të pazakontë e të veçantë, patjetër që do të donin të përdornin ‘mendje të shëndoshë’ dhe t’i modelonin mendimet dhe veprat e tyre sipas vlerësimit të Perëndisë për aftësinë riprodhuese. (1. Timoteut 3:2; Titit 1:8; 2:2, 5-8) Kjo do të pasqyronte një ndjeshmëri dhe pjekuri ndaj treguesve të Shkrimeve. Në të kundërt, po sikur të bëhej e njohur publikisht se një i krishterë, pa u menduar shumë, ka shpërfillur vlerësimet e Perëndisë? A nuk do të dyshonin të tjerët nëse ai (ose ajo) është një shembull i mirë e që ka reputacionin se merr vendime në harmoni me Biblën? Një njollë e tillë shqetësuese në reputacionin e një shërbëtori të Perëndisë sigurisht që do të mund të ndikonte mbi kualifikimin e tij për privilegje të veçanta shërbimi, edhe pse mund të mos jetë kështu sikur një person ta ketë kryer këtë procedurë nga padija.1. Timoteut 3:7.

^ par. 6 «Përpjekjet e kirurgjisë për të lidhur [gypat deferentë] kanë një përqindje suksesi të paktën 40 për qind dhe ka disa dëshmi se me teknikat më të përmirësuara mikrokirurgjike mund të arrihet një sukses më i madh. Megjithatë, sterilizimi i bërë me anë të vazektomisë duhet konsideruar përfundimtar.» (Encyclopædia Britannica) «Sterilizimi duhet konsideruar si një procedurë përfundimtare. Pavarësisht nga çfarë mund të ketë dëgjuar pacienti për rikthimin, ribashkimi i një ene të këputur me anë të kirurgjisë është i kushtueshëm dhe nuk mund të garantohet suksesi. Për gratë që bëjnë një rikthim të sterilizimit të tubave, rreziku i një shtatzënie ektopike (jashtë mitre) është i lartë.»Contemporary OB/GYN, qershor 1998.

^ par. 10 Një ligj tjetër që mund të duket i rëndësishëm thoshte se asnjë burrë, organet gjinore të të cilit ishin dëmtuar rëndë, nuk mund të hynte në kongregacionin e Perëndisë. (Ligji i përtërirë 23:1) Megjithatë, libri Mendjehollësi mbi Shkrimet (anglisht), vëren se me sa duket kjo «kishte të bënte me tredhjen e vullnetshme për qëllime imorale, siç ishte homoseksualizmi». Prandaj, ligji përjashtonte tredhjen ose ekuivalentin e saj për kontrollin e lindjeve. Libri Mendjehollësi thotë, gjithashtu: «Në mënyrë ngushëlluese Jehovai paratha kohën kur eunukët do të pranoheshin prej tij si shërbëtorë dhe nëse do të tregoheshin të bindur, do të kishin një emër më të mirë sesa bij e bija. Me anulimin e Ligjit nga Jezu Krishti, të gjithë personat që ushtronin besim, pavarësisht nga statusi ose gjendja e tyre e mëparshme, mund të bëheshin bij frymorë të Perëndisë. Ndarjet që bëheshin sipas mishit u hoqën.Is 56:4, 5; Gjo 1:12