«I thoni të vërtetën njëri-tjetrit.»​—ZAK. 8:16.

KËNGËT: 56, 124

1, 2. Cila shpikje e ka dëmtuar njerëzimin më shumë se çdo gjë tjetër, dhe kush ishte përgjegjës për të?

TELEFONI, llamba elektrike, automjetet dhe frigoriferi janë vetëm disa nga shpikjet që e kanë përmirësuar jetesën e përditshme. Mirëpo risi të tjera si baruti, minat tokësore, cigaret dhe bomba atomike, sa për të përmendur disa, e kanë bërë jetën më të pasigurt. Megjithatë, ekziston një shpikje më e hershme se të gjitha këto, që e ka dëmtuar njerëzimin më shumë se çdo gjë tjetër. Çfarë është? Gënjeshtra. Të gënjesh do të thotë të pohosh diçka që ti e di se nuk është e vërtetë me synimin për të mashtruar dikë. Kush e shpiku gënjeshtrën? Jezu Krishti identifikoi ‘Djallin’ si «ati i gënjeshtrës». (Lexo Gjonin 8:44.) Kur e tha Djalli gënjeshtrën e parë?

2 Kjo ndodhi mijëra vjet më parë në kopshtin e Edenit. Çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, gëzonin jetën në Parajsën që u kishte siguruar Krijuesi. Më pas, hyri në skenë Djalli. Ai e dinte se Perëndia i kishte urdhëruar Adamin dhe Evën të mos hanin «nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes», se ndryshe do të vdisnin për mosbindjen e tyre. Prapëseprapë, me anë të një gjarpri, Satanai i tha Evës: «Ju s’keni për të vdekur aspak [gënjeshtra e parë fare]. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»—Zan. 2:15-17; 3:1-5.

3. Pse mund të themi se gënjeshtra e Satanait ishte keqdashëse, dhe çfarë ka sjellë si pasojë?

 3 Gënjeshtra e Satanait ishte keqdashëse, sepse ai e dinte fare mirë që nëse Eva e besonte dhe hante frytin, do të vdiste. Eva dhe Adami nuk iu bindën urdhrit të Jehovait dhe në fund vdiqën. (Zan. 3:6; 5:5) Veç kësaj, nëpërmjet këtij mëkati, «vdekja u përhap në të gjithë njerëzit». Në fakt, «vdekja mbretëroi . . . edhe mbi ata që s’kishin mëkatuar ashtu si bëri shkelje Adami». (Rom. 5:12, 14) Sot, në vend që të gëzojnë jetën e përsosur e të pafund që kishte si qëllim Perëndia në fillim, është arritje nëse njerëzit jetojnë ‘shtatëdhjetë vjet, dhe më të fortët, tetëdhjetë’. Gjithsesi, jeta shpesh është plot «telashe e të këqija». (Psal. 90:10) Sa tragjike, dhe e gjithë kjo si pasojë e gënjeshtrës së Satanait!

4. (a) Cilave pyetje duhet të dimë t’u përgjigjemi? (b) Sipas Psalmit 15:1, 2, cilët janë të vetmit që mund të gëzojnë miqësinë me Jehovain?

4 Duke shpjeguar veprimet e Djallit, Jezui tha se ai «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të». E vërteta nuk është akoma te Satanai, sepse ai vazhdon ‘të mashtrojë gjithë tokën e banuar’ me gënjeshtrat e tij. (Zbul. 12:9) Ne nuk duam që Djalli të na mashtrojë. Prandaj le të shqyrtojmë tri pyetje: Si i mashtron Satanai njerëzit? Pse njerëzit e kanë zakon të gënjejnë? Dhe, që të mos e humbasim kurrë miqësinë e Jehovait siç ndodhi me Adamin dhe Evën, si mund të tregojmë se gjithmonë ‘themi të vërtetën’?—Lexo Psalmin 15:1, 2.

SI I MASHTRON SATANAI NJERËZIT

5. Si i mashtron sot Satanai njerëzit?

5 Apostulli Pavël e dinte se ne mund t’ia dalim që «të mos na e hedhë Satanai, sepse nuk jemi në padije të intrigave të tij». (2 Kor. 2:11) E dimë se e gjithë bota​—ku përfshihet feja e rreme, politika e korruptuar dhe tregtia lakmitare—​është nën kontrollin e Djallit. (1 Gjon. 5:19) Ndaj nuk habitemi që Satanai dhe demonët ndikojnë te njerëz me pushtet që ‘të thonë gënjeshtra’. (1 Tim. 4:1, 2) Kjo është më se e vërtetë për bizneset e mëdha që reklamojnë produkte të dëmshme dhe skema mashtruese me anë të publicitetit plot gënjeshtra.

6, 7. (a) Pse udhëheqësit fetarë që gënjejnë janë veçanërisht fajtorë? (b) Cilat gënjeshtra ke dëgjuar nga disa udhëheqës fetarë?

6 Udhëheqësit fetarë që gënjejnë janë veçanërisht fajtorë, sepse vënë në rrezik shpresën për të ardhmen të njerëzve që besojnë gënjeshtrat e tyre. Nëse dikush pranon një mësim të rremë dhe praktikon diçka që në të vërtetë Perëndia e dënon, kjo mund t’i kushtojë jetën e përhershme. (Hoz. 4:9) Jezui e dinte se udhëheqësit fetarë në kohën e tij, ishin fajtorë për këtë lloj mashtrimi. Ai ua tha në sy: «Mjerë ju, skribë dhe farisenj, hipokritë! Ju përshkoni det e tokë që të bëni një prozelit [një që ka kthyer fenë]. Dhe, kur bëhet, e bëni të meritojë Gehenën [shkatërrimin e përhershëm] dy herë më shumë se ju.» (Mat. 23:15; shën.) Jezui i dënoi ata udhëheqës fetarë të rremë me fjalët më të forta. Ata ishin vërtet ‘nga ati i tyre, Djalli, një vrasës’.—Gjoni 8:44.

7 Pavarësisht nga titulli që kanë, pastor, prift, rabi a ndonjë titull tjetër, sot në botë ka plot udhëheqës fetarë. Ashtu si në shekullin e parë, edhe këta udhëheqës «po e mbytin të vërtetën» e Fjalës së Perëndisë dhe ‘e kanë këmbyer të vërtetën e Tij me gënjeshtrën’. (Rom. 1:18, 25) Ata përhapin mësime të rreme të tilla si, ferri i zjarrtë, pavdekësia e shpirtit, rimishërimi dhe idenë e pamend se Perëndia do të  mbyllë një sy para homoseksualizmit dhe martesave të të njëjtit seks.

8. Cilën gënjeshtër presim që të thonë së shpejti politikanët, por si duhet të reagojmë ndaj saj?

8 Politikanët i kanë përdorur gënjeshtrat për të mashtruar njerëzimin. Një nga gënjeshtrat më të mëdha, do të dëgjohet në të ardhmen kur njerëzit të shpallin se kanë arritur «paqe dhe siguri». Por «atëherë një shkatërrim i beftë do të bjerë në çast mbi ta». Mos rënçim pre e përpjekjeve të tyre për të minimizuar faktin që ky sistem është në fije të perit! Në të vërtetë, ne ‘e dimë fort mirë se dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën’.​—1 Sel. 5:1-4.

PSE NJERËZIT E KANË ZAKON TË GËNJEJNË

9, 10. (a) Pse gënjejnë njerëzit, dhe çfarë sjell kjo si pasojë? (b) Çfarë nuk duhet të harrojmë në lidhje me Jehovain?

9 Kur një shpikje e re bëhet e njohur, me kohë prodhohet në masë. Njësoj ka ndodhur edhe me gënjeshtrën. Gënjeshtrat janë bërë të zakonshme në shoqërinë e sotme, dhe njerëzit me influencë nuk janë të vetmit që i mashtrojnë të tjerët. Siç thuhet në artikullin «Pse gënjejmë» nga J. Boteçarji, «gënjeshtra është pranuar si një tipar i rrënjosur thellë te njeriu». Shpesh njerëzit gënjejnë për t’u mbrojtur ose për ta ngritur veten mbi të tjerët. Gënjejnë për të mbuluar gabimet ose shkeljet e tyre ose për leverdi ekonomike a personale. Siç tregon artikulli, ka njerëz që «u thonë si pa të keq gënjeshtra të panjohurve, kolegëve, miqve dhe njerëzve të dashur, për gjëra të mëdha e të vogla».

10 Ç’pasoja sjellin gjithë këto gënjeshtra? Njerëzit humbin besimin te njëri-tjetri dhe marrëdhëniet mes tyre mund të shkatërrohen. Mendoni pak sa zhgënjyese është, për shembull, kur një grua tradhton burrin e saj besnik dhe gënjen për të fshehur lidhjen imorale. Ose kur një burrë keqtrajton gruan dhe fëmijët në shtëpi, por në publik hiqet si familjar shembullor. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se njerëz të tillë mashtrues s’mund t’i fshehin asgjë Jehovait, sepse «të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit» para tij.​—Hebr. 4:13.

11. Çfarë mësojmë nga shembulli i keq i Ananisë dhe Safirës? (Shih figurën hapëse.)

11 Bibla tregon një shembull se si ‘Satanai e trimëroi’ një çift të krishterësh në shekullin e parë që të gënjenin Perëndinë. Anania dhe Safira kurdisën në zemër plane për të mashtruar apostujt. Ata shitën një pronë, por u çuan apostujve vetëm një pjesë të të ardhurave që nxorën nga shitja. Me kontributin e tyre donin të bënin figurë të mirë para kongregacionit dhe të dukeshin më bujarë nga ç’ishin në të vërtetë. Mirëpo, Jehovai pa gjithçka që bënë dhe i ndëshkoi për këtë.​—Vep. 5:1-10.

12. Ku do të përfundojnë gënjeshtarët e papenduar dhe keqdashës, dhe pse?

12 Si ndihet Jehovai për gënjeshtrën? Satanai dhe gjithë gënjeshtarët e papenduar dhe keqdashës që e imitojnë, do të përfundojnë «në liqenin e zjarrit». (Zbul. 20:10; 21:8; Psal. 5:6) Pse? Sepse Jehovai i vendos këta gënjeshtarë në të njëjtën kategori me të tjerë që veprojnë si «qentë», pra, me ata që praktikojnë gjëra të neveritshme në sytë e Perëndisë.​—Zbul. 22:15.

13. Çfarë dimë për Jehovain, dhe çfarë na shtyn të bëjmë kjo njohuri?

13 Ne e dimë se Jehovai «nuk është njeri që të gënjejë». Në fakt, «është e pamundur që Perëndia të gënjejë». (Num. 23:19; Hebr. 6:18) ‘Jehovai e urren gjuhën gënjeshtare.’ (Prov. 6:16, 17) Që të kemi miratimin e tij, duhet të jetojmë në përputhje me standardin e tij për atë që është e vërtetë.  Ja pse ‘nuk e gënjejmë njëri-tjetrin’.​—Kolos. 3:9.

NE ‘THEMI TË VËRTETËN’

14. (a) Si jemi të ndryshëm nga anëtarët e feve të rreme? (b) Shpjegoni parimin që gjejmë te Luka 6:45.

14 Cili është një aspekt si ndryshojnë të krishterët e vërtetë nga anëtarët e feve të rreme? Ne ‘themi të vërtetën’. (Lexo Zakarinë 8:16, 17.) Pavli shpjegoi: «E rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë . . . përmes fjalëve të vërteta.» (2 Kor. 6:4, 7) Jezui tha kështu për njeriun: «Goja e tij flet nga mbushullia e zemrës.» (Luka 6:45) Pra, kur një njeri i mirë thotë të vërtetën në zemrën e tij, fjalë të vërteta do të dalin nga goja e tij. Ai do t’u thotë të vërtetën të panjohurve, kolegëve, miqve dhe njerëzve të dashur, për gjëra të mëdha e të vogla. Le të shqyrtojmë disa shembuj se si mund të tregojmë se përpiqemi të jemi të ndershëm në çdo gjë.

A dallon ndonjë problem në jetën e kësaj motre? (Shih paragrafët 15, 16.)

15. (a) Pse nuk është asnjëherë e mençur të përpiqemi të bëjmë një jetë të dyfishtë? (b) Çfarë mund t’i ndihmojë të rinjtë t’i rezistojnë presionit të dëmshëm të moshatarëve? (Shih shënimin.)

15 Ç’të themi nëse je një i ri që dëshiron të pranohesh në shoqërinë e moshatarëve të tu? Ji i vendosur të mos bësh kurrë atë që kanë bërë disa, pra një jetë të dyfishtë. Ata duken të dëlirë kur janë me familjen dhe me kongregacionin, por janë krejt ndryshe në shoqërinë e të rinjve nga bota ose në rrjetet sociale. Mbase përdorin gjuhë të ndyrë, vishen në mënyrë jomodeste, dëgjojnë muzikë të degraduar, abuzojnë me alkoolin a drogën, dalin në takime romantike fshehurazi ose edhe më keq se këto. Ata po jetojnë një gënjeshtër, po sillen pabesisht me prindërit, me bashkadhuruesit dhe me Perëndinë. (Psal. 26:4, 5) Jehovai e di mirë kur ‘e nderojmë me buzë, por zemra jonë është larguar shumë nga ai’. (Mar. 7:6) Sa mirë është kur bëjmë atë që thotë ky proverb: «Zemra jote të mos i ketë zili mëkatarët, por qëndro në frikën e Jehovait gjatë gjithë ditës.»​—Prov. 23:17. *

16. Si lidhet ndershmëria me aplikimin për një privilegj të veçantë shërbimi?

16 Mbase ke dëshirë të shërbesh si pionier i rregullt ose në ndonjë formë të shërbimit special të plotkohor, për shembull në Bethel. Ndërsa plotëson formularin, është e rëndësishme që të japësh përgjigje të ndershme e plotësisht të vërteta për të  gjitha pyetjet që bëhen për shëndetin, zgjedhjet e zbavitjes dhe moralin tënd. (Hebr. 13:18) Po nëse je përfshirë në ndonjë lloj sjelljeje të papastër ose të diskutueshme që nuk është trajtuar nga pleqtë? Kërko ndihmën e tyre që të jesh në gjendje të shërbesh me një ndërgjegje të pastër.​—Rom. 9:1; Gal. 6:1.

17. Çfarë duhet të bëjmë kur flasim me përndjekësit për vëllezërit tanë?

17 Po ç’duhet të bësh, për shembull, nëse autoritetet e kufizojnë veprën e Mbretërisë në vendin tënd, dhe të marrin në pyetje për vëllezërit e tu? A duhet t’u thuash gjithçka që di? Çfarë bëri Jezui kur e mori në pyetje guvernatori romak? Në përputhje me parimin biblik që thotë se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur», në disa raste Jezui nuk foli fare. (Ekl. 3:1, 7; Mat. 27:11-14) Në një rrethanë të tillë, është më mirë të tregohemi të matur, që të mos i vëmë në rrezik vëllezërit tanë.​—Prov. 10:19; 11:12.

Si do ta përcaktoje se kur duhet të heshtësh dhe kur duhet të thuash gjithë të vërtetën? (Shih paragrafët 17, 18.)

18. Cilën përgjegjësi kemi kur flasim me pleqtë për vëllezërit tanë?

18 Ç’të themi nëse dikush në kongregacion ka kryer një mëkat serioz dhe ti je në dijeni të asaj që ka ndodhur? Pleqtë, që janë përgjegjës për ta mbajtur kongregacionin të pastër moralisht, mund të kenë nevojë të të pyesin se çfarë di për atë çështje. Çfarë do të bësh, sidomos nëse përfshihet një mik i ngushtë ose një i afërmi yt? «Kush thotë fjalë të besueshme, do të tregojë të drejtën», domethënë të vërtetën. (Prov. 12:17; 21:28) Pra, ke përgjegjësinë t’u thuash pleqve gjithë të vërtetën, jo vetëm gjysmën e saj, dhe as nuk duhet ta shtrembërosh. Pleqtë kanë të drejtë të dinë faktet, që të përcaktojnë cila është mënyra më e mirë për ta ndihmuar atë që ka gabuar të rivendosë marrëdhënien e tij ose të saj me Jehovain.​—Jak. 5:14, 15.

19. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

19 Psalmisti David iu lut Jehovait: «Ti ke gjetur kënaqësi te besnikëria [ose, tek e vërteta] që gjendet brenda meje.» (Psal. 51:6) Davidi e dinte se të thuash të vërtetën buron nga brenda, nga zemra jonë. Të krishterët e vërtetë ‘i thonë të vërtetën njëri-tjetrit’ në çdo aspekt të jetës. Një mënyrë tjetër si mund të tregojmë që ne si shërbëtorë të Perëndisë jemi ndryshe, është t’u mësojmë të tjerëve të vërtetat e tij në shërbim. Artikulli vijues do të përqendrohet në këtë temë.

^ par. 15 Shih kapitullin 15 «S’i t’i rezistoj presionit të shoqërisë?» dhe kapitullin 16 «Pse të tregoj që bëj një jetë të dyfishtë?» në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2.