«Shkojmë ne!» Kështu iu përgjigjëm unë me burrin dhe vëllai im me të shoqen ftesës për të nisur një caktim. Pse e pranuam atë caktim dhe si na bekoi Jehovai? Në fillim dua t’ju tregoj pak për jetën time.

KAM lindur më 1923 në Hemsuorth, një qytet në Jorkshir, Angli. Kisha një vëlla më të madh, Bobin. Kur isha nja 9 vjeçe, babai ynë, që e kishte zët hipokrizinë fetare, mori disa libra që demaskonin fenë e rreme. I bëri shumë përshtypje ajo që lexoi. Pak vite më vonë, Bob Atkinsoni trokiti në derën tonë dhe vuri në gramafon një nga fjalimet e regjistruara të vëllait Radhërford. E kuptuam se ai fjalim ishte nga i njëjti grup që kishte botuar librat. Prindërit sugjeruan që vëlla Atkinsoni të darkonte çdo natë me ne dhe t’u përgjigjej pyetjeve të shumta që kishim rreth Biblës. Ai na ftoi të ndiqnim mbledhjet në shtëpinë e një vëllai ca kilometra më tutje. Iu përgjigjëm shpejt asaj ftese dhe në Hemsuorth u formua një kongregacion i vogël. S’kaloi shumë dhe në shtëpinë tonë mirëpritnim shërbëtorët e zonës (që tani quhen mbikëqyrës qarkorë) e ftonim pionierët aty pranë që të hanin bashkë me ne. Shoqëria me ta la gjurmë të thella tek unë.

Atëherë kishim filluar një biznes, megjithatë babai i tha vëllait: «Nëse dëshiron të largohesh për të shërbyer si pionier, do ta mbyllim.» Bobi pranoi dhe në moshën 21-vjeçare iku nga shtëpia për të shërbyer si pionier. Dy vjet më vonë, kur isha 16 vjeçe, më emëruan pioniere. Predikoja kryesisht vetëm, përveç fundjavëve, dhe përdorja një kartë dëshmie e një gramafon. Ama Jehovai më bekoi me një studim biblik që bëri përparim të shkëlqyer. Me kohë, edhe shumë nga familjarët e asaj studenteje e pranuan të vërtetën. Vitin pasues më emëruan pioniere speciale, bashkë me Meri Henshëllin. Na dërguan në një territor të pacaktuar në krahinën e Çeshirit.

Ishte mesi i Luftës II Botërore, dhe grave u kërkohej të ndihmonin në veprimtaritë e luftës. Si shërbëtorë fetarë në kohë të plotë, ne pionierët specialë pritnim të na përjashtonin nga këto veprimtari, siç kishin bërë me shërbëtorë të tjerë fetarë. Mirëpo gjykatat nuk pranuan, prandaj më dënuan me 31 ditë burg. Vitin tjetër kur mbusha 19 vjeç, u regjistrova si person që refuzonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Më nxorën dy herë para gjyqit, por më shpallën të  pafajshme. Gjatë gjithë kësaj kohe, e dija se fryma e shenjtë po më ndihmonte dhe se Jehovai po më mbante nga dora, duke më bërë të palëkundur e të fortë.​—Isa. 41:10, 13.

NJË SHOK I RI SHËRBIMI

Artur Methjusi dhe unë u takuam më 1946. Ai sapo kishte bërë tre muaj burg ngaqë refuzonte shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes. Pas kësaj shkoi të shërbente në Hemsuorth me vëllanë e tij Denisin që ishte pionier special. I ati u kishte mësuar për Jehovain që në vogëli dhe ishin pagëzuar në adoleshencë. Pak më vonë Denisin e caktuan në Irlandë, e kështu Arturi mbeti pa shok shërbimi. Prindërve të mi u bëri përshtypje sjellja e këtij pionieri të ri që punonte pa u lodhur, ndaj e ftuan Arturin të qëndronte me ta. Kur shkoja për vizitë, Arturi dhe unë ofroheshim të lanim enët pasi hanim. Më vonë filluam t’i shkruanim njëri-tjetrit. Gjatë vitit 1948, Arturin e dënuan përsëri me tre muaj burg. U martuam në janar të 1949-s me synimin për të qëndruar sa më gjatë në shërbimin e plotkohor. Përdornim ditët e pushimeve që të fitonim ca para duke vjelur fruta. Me bekimin e Jehovait dhe me pak ekonomi, ia dolëm të vazhdonim si pionierë.

Në Hemsuorth pak pas dasmës më 1949

Pak më shumë se një vit më vonë, na kërkuan të shkonim në Irlandën e Veriut, në fillim në Armá e pastaj në Njuri, të dyja qytete kryesisht katolike. Mbizotëronte një atmosferë shumë e tensionuar, ndaj duhet të bënim mjaft kujdes e të dallonim kur ishte momenti të flisnim me njerëzit. Mbledhjet mbaheshin te shtëpia e një çifti Dëshmitarësh 16 kilometra larg banesës sonë. Merrnin pjesë rreth tetë veta. Kur na ftonin ta kalonim natën aty, flinim në dysheme dhe të nesërmen shijonim një mëngjes të bollshëm. Më gëzon zemra kur mendoj se tani në atë zonë ka shumë Dëshmitarë.

«SHKOJMË NE!»

Im vëlla me gruan e tij, Lotian, ishin tashmë në Irlandën e Veriut dhe shërbenin si pionierë specialë. Më 1952, të katërt ndoqëm një kongres krahinor në Belfast. Një vëlla na strehoi me dashamirësi të gjithëve ne, bashkë me Prajs Hjuzin, që atëherë ishte shërbëtori i degës në Britani. Një mbrëmje po bisedonim për broshurën e re Udha e Perëndisë është dashuri, që ishte botuar enkas për Irlandën. Vëllai Hjuz po tregonte sa e vështirë ishte t’u predikoje katolikëve në Republikën e Irlandës. Vëllezërit tanë i dëbonin nga shtëpitë dhe përballeshin me turma të dhunshme të nxitura nga priftërinjtë. Vëllai Prajs tha: «Kemi nevojë për çifte me makina që të marrin pjesë në një fushatë speciale për ta shpërndarë broshurën anembanë vendit.» * Menjëherë u përgjigjëm: «Shkojmë ne!» Ja, ky ishte rasti që përmenda në fillim.

Me pionierë të tjerë në një motor me kosh

 Një vend në Dublin ku pionierët e kishin derën gjithnjë të hapur ishte shtëpia e «mama» Rutlandës, një motër besnike prej kohësh. Pas një ndalese atje dhe pasi shitëm disa gjëra, të katër i hipëm motorit me kosh të Bobit dhe u nisëm të kërkonim ndonjë automjet. Gjetëm një makinë të përdorur që na bënte punë dhe i kërkuam shitësit të na e sillte, sepse asnjë nga ne nuk e ngiste makinën. Gjatë gjithë asaj mbrëmje, Arturi ndenji ulur në krevat dhe praktikohej sikur lëvizte marshin. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa Arturi përpiqej t’i jepte makinës për ta nxjerrë nga garazhi, erdhi misionarja Mildred Uillet (që më vonë u martua me Xhon Barrin). Shyqyr që ajo dinte ta ngiste makinën! Me këtë fillim të mbarë dhe me pak praktikë, ishim gati.

Makina dhe rulota jonë

Tani na duhej të gjenim strehim. Na kishin paralajmëruar të mos jetonim në një rulotë, sepse kundërshtarët mund t’i vinin flakën. Prandaj kërkuam shtëpi, por më kot. Atë natë fjetëm të katër në makinë. Të nesërmen, arritëm të gjenim vetëm një rulotë të vogël të bërë vetë, me dy krevate marinari të vegjël. Ajo u bë shtëpia jonë. Për çudi, nuk patëm problem ta parkonim rulotën në pronat e fermerëve miqësorë. Predikonim në një territor që shtrihej nga 16 deri 24 kilometra larg rulotës. Pastaj, pasi transferoheshim diku tjetër, ktheheshim për të vizituar njerëzit në zonën ku kishim parkuar më parë.

Vizituam të gjitha shtëpitë në juglindje të Republikës pa shumë kundërshtime, shpërndamë mbi 20.000 broshura dhe i dërguam degës së Britanisë emrat e të interesuarve. Çfarë bekimi i madh që tani atje ka qindra Dëshmitarë!

KTHEHEMI NË ANGLI, PASTAJ DREJT SKOCISË

Më vonë, na ricaktuan në jug të Londrës. Brenda pak javësh, Arturin e telefonuan nga zyra e degës së Britanisë dhe i kërkuan që të nesërmen të fillonte në veprën qarkore. Pas një jave stërvitje, udhëtuam drejt qarkut tonë në Skoci. Arturi s’kish pasur kohë të përgatitej për fjalimet, por gatishmëria e tij për t’i përballuar sfidat në shërbim të Jehovait më jepte shumë zemër. U kënaqëm jashtë mase në veprën qarkore. Për disa vjet kishim qenë në territor të pacaktuar, kurse tani ishte një bekim i mrekullueshëm të gëzonim shoqërinë e gjithë atyre vëllezërve e motrave.

Kur Arturi mori ftesën për të ndjekur kursin dhjetëmujor të vitit 1962 të Shkollës së Galaadit, duhej të merrnim një vendim të rëndësishëm. Dolëm në përfundimin se gjëja e duhur ishte që Arturi ta pranonte atë privilegj, edhe pse do të shkonte pa mua. Meqë do të isha pa shok shërbimi, më dërguan përsëri në Hemsuorth si pioniere speciale. Kur Arturi u kthye një vit më vonë, na caktuan në veprën krahinore që përfshinte Skocinë, veriun e Anglisë dhe Irlandën e Veriut.

 NJË CAKTIM I RI NË IRLANDË

Më 1964, Arturi mori një caktim të ri si shërbëtor dege në Republikën e Irlandës. Ishim kënaqur jashtëzakonisht në veprën udhëtuese, prandaj në fillim isha goxha në ankth për ndryshimin. Por tani që kthej kokën pas jam shumë mirënjohëse që kam pasur privilegjin të shërbej në Bethel. Mendoj që nëse e pranon një caktim edhe kur s’e ke me qejf, gjithmonë do të shijosh bekime nga Jehovai. Çdo ditë kisha plot për të bërë: punë zyre, paketim literature, gatim dhe pastrim. Për njëfarë kohe shërbyem edhe në veprën krahinore dhe patëm mundësi të takonim vëllezër nga i gjithë vendi. Kjo, bashkë me faktin që shihnim studentët tanë të Biblës të përparonin, na lidhi fort me vëllezërit e motrat në Irlandë. Ç’bekim i mrekullueshëm!

NJË PIKË KTHESE NË HISTORINË TEOKRATIKE TË IRLANDËS

Kongresi i parë ndërkombëtar në Irlandë u mbajt në Dublin më 1965. * Me gjithë kundërshtimin e egër nga çdo anë, kongresi pati sukses të paparë. Morën pjesë gjithsej 3.948 veta dhe 65 u pagëzuan. Secili nga ata që siguroi strehim për 3.500 delegatët ndërkombëtarë mori një letër falënderimi. Nga ana tjetër, të zotët e shtëpive lavdëruan sjelljen e delegatëve. Ishte vërtet një pikë kthese për Irlandën.

Arturi takon Nejthën Norin që mbërrin për kongresin e vitit 1965

Arturi prezanton Libri im i tregimeve biblike në gjuhën gelike të Irlandës më 1983

Në vitin 1966, Irlanda e Veriut dhe Irlanda e Jugut u bashkuan nën zyrën e degës të Dublinit​—kontrast i thellë ky me përçarjet politike dhe fetare në këtë ishull. Çfarë emocioni të shihje aq shumë katolikë të përqafonin të vërtetën e të shërbenin përkrah vëllezërve që dikur ishin protestantë!

NA NDRYSHON CAKTIMI KRYEKËPUT

Më 2011 jeta jonë ndryshoi krejt kur degët e Britanisë dhe të Irlandës u shkrinë bashkë dhe ne u caktuam në Bethelin e Londrës. Ky lajm erdhi në një kohë kur po filloja të merakosesha për shëndetin e Arturit. Ai u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit. Më 20 maj 2015, shoku im i jetës prej 66 vitesh ra në gjumin e vdekjes.

Vitet e fundit kam ndier brengë në zemër, dëshpërim dhe pikëllim. Në të kaluarën Arturi më ishte gjendur gjithmonë pranë. Ah, sa më mungon! Por kur përjeton situata të tilla, afrohesh më shumë me Jehovain. Më ngrohet zemra edhe kur kuptoj sa shumë e donin të tjerët Arturin. Kam marrë letra nga miq në Irlandë, në Britani e madje edhe në Shtetet e Bashkuara. Këto letra, bashkë me inkurajimin nga vëllai i Arturit, Denisi, gruaja e tij, Mejvisa, dhe nga mbesat e mia Rutha e Xhudi, më kanë ndihmuar aq shumë sa s’gjej fjalë ta përshkruaj.

Një shkrim që më ka inkurajuar pa masë është Isaia 30:18. Aty thuhet: «Jehovai mezi pret që t’ju japë hir dhe do të ngrihet që t’ju tregojë mëshirë. Sepse Jehovai është një Perëndi që gjykon me drejtësi. Lum ata që presin të veprojë ai!» Sa më ngushëllon fakti që Jehovai mezi pret t’i ndreqë gjërat dhe të na japë caktime drithëruese në botën e tij të re!

Kur kthej kokën pas e mendoj për jetën tonë, shoh si e ka drejtuar dhe bekuar Jehovai veprën në Irlandë. Ka qenë një nder i pashoq për mua të kem ndihmuar sadopak në rritjen e veprës atje. S’ka pikë dyshimi se kur bëjmë atë që na kërkon Jehovai, korrim gjithnjë bekime.

^ par. 12 Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1988, f. 101-102, anglisht.

^ par. 22 Shih Librin vjetor 1988, f. 109-112, anglisht.