Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Të imitojmë dhembshurinë e Jehovait

Të imitojmë dhembshurinë e Jehovait

«Jehovai, Jehovai, një Perëndi i mëshirshëm dhe hirmadh [i dhembshur].»​—DAL. 34:6.

KËNGËT: 57, 147

1. Në ç’mënyrë të veçantë iu zbulua Jehovai Moisiut, dhe pse është domethënëse kjo?

NË NJË rast, Perëndia iu zbulua Moisiut duke shpallur emrin dhe cilësitë e Tij. Të parat cilësi që renditi ishin mëshira e dhembshuria. (Lexo Eksodin [Daljen] 34:5-7.) Jehovai mund ta kishte vënë theksin te fuqia ose te mençuria e vet. Mirëpo, Moisiu po kërkonte siguri se Perëndia do ta mbështeste, ndaj Jehovai u përqendrua te cilësi që theksojnë gatishmërinë për të ndihmuar shërbëtorët e vet. (Dal. 33:13) A nuk të ngrohet zemra që Perëndia përmendi para gjithë të tjerave këto cilësi që të bëjnë për vete? Në këtë artikull do të ndalemi te cilësia e dhembshurisë​—një ndjeshmëri plot empati ndaj vuajtjeve ose vështirësive të tjetrit e gërshetuar me dëshirën për t’ia lehtësuar vuajtjet.

2, 3. (a) Ç’gjë tregon se dhembshuria është pjesë e natyrës njerëzore? (b) Pse duhet të të interesojë ajo që thotë Bibla për dhembshurinë?

2 Njerëzit u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Prandaj, meqë Jehovai është i dhembshur, interesimi për mirëqenien e të tjerëve është i rrënjosur në natyrën njerëzore. Madje edhe ata që nuk e njohin Perëndinë e vërtetë tregojnë shpesh dhembshuri. (Zan. 1:27) Në Bibël gjejmë shumë tregime ku del në pah fare  qartë ndjenja e dhembshurisë. Të sjellim ndër mend tregimin për dy prostitutat që debatuan para Solomonit se kush ishte nëna e vërtetë e një fëmije. Kur Solomoni i vuri në provë duke urdhëruar të ndahej më dysh foshnja, nënës së vërtetë iu ndez në zemër dhembshuria. Kjo e nxiti të vepronte, madje deri aty sa të sakrifikonte duke ia lënë fëmijën gruas tjetër. (1 Mbret. 3:23-27) Ose të kujtojmë vajzën e faraonit që i shpëtoi jetën Moisiut të vogël. Ndonëse e kuptoi se foshnja që gjeti ishte një fëmijë hebre dhe nuk duhej lënë gjallë, «asaj iu dhimbs» dhe vendosi ta rriste si të ishte fëmija i vet.​—Dal. 2:5, 6.

3 Pse duhet të të interesojë tema e dhembshurisë? Sepse Bibla të nxit të imitosh Jehovain. (Efes. 5:1) Mirëpo, edhe pse njerëzit u krijuan që të jenë të dhembshur, papërsosmëria si pasardhës të Adamit na shtyn të shohim interesin tonë. Ndonjëherë mund të na duket e vështirë të vendosim nëse do të ndihmojmë të tjerët apo do të përqendrohemi te vetja. Për disa, ky është një konflikt i pareshtur, ose një përpjekje për të gjetur ekuilibrin. Ç’mund të të ndihmojë që të zhvillosh interesimin për të tjerët dhe ta ruash? Së pari, lër kohë të shqyrtosh si ka treguar dhembshuri Jehovai dhe si e kanë shfaqur të tjerë këtë cilësi. Së dyti, mendo si mund të imitosh shembullin e Perëndisë dhe si do të nxjerrësh dobi duke e bërë këtë.

JEHOVAI​—MODELI I PËRSOSUR I DHEMBSHURISË

4. (a) Pse dërgoi engjëj në Sodomë Jehovai? (b) Ç’na mëson tregimi për Lotin dhe vajzat e tij?

4 Në Shkrime gjejmë shumë raste që flasin për dhembshurinë e Jehovait. Të mendojmë pak çfarë bëri Ai për Lotin. Atë njeri të drejtë «e brengoste së tepërmi» sjellja e pacipë e banorëve të Sodomës dhe Gomorrës. Në fakt, Perëndia vendosi që ata njerëz imoralë e kishin hak vdekjen. (2 Pjet. 2:7, 8) Perëndia dërgoi engjëj që ta shpëtonin Lotin. Engjëjt e nxitën atë dhe familjen e tij të largoheshin nga qytetet e dënuara. «Meqë po ngurronte, nga dhembshuria që kishte Jehovai për të, [engjëjt] e zunë fort për dore atë, gruan e tij dhe dy vajzat e tij, e nxorën nga atje dhe e çuan jashtë qytetit.» (Zan. 19:16) A nuk tregon ky shembull se Jehovai është plotësisht i vetëdijshëm për situatat e vështira ku ndodhen nganjëherë shërbëtorët e tij besnikë?​—Isa. 63:7-9; Jak. 5:11; 2 Pjet. 2:9.

5. Si na ndihmojnë Shkrimet, si për shembull 1 Gjonit 3:17, që të mësojmë të tregojmë dhembshuri?

5 Jehovai jo vetëm ka treguar dhembshuri, por edhe e ka mësuar popullin e tij sa e nevojshme është të shfaqin këtë cilësi. Të marrim ligjin që iu dha Izraelit për rastin kur dikujt i mbahej peng rroba si garanci për një borxh. (Lexo Eksodin [Daljen] 22:26, 27.) Një huadhënës zemërakull mund të donte t’ia mbante peng rrobën borxhliut, duke e lënë kështu pa asgjë që të mbulohej kur të flinte. Mirëpo, Jehovai e mësoi popullin e tij ta shmangte këtë qëndrim e sjellje të pandjeshme. Populli i tij duhej të ishte i dhembshur. A nuk na nxit parimi i pasqyruar te ky ligj që të veprojmë me dhembshuri? A do të donim t’i linim vëllezërit tanë, si të thuash, jashtë në të ftohtë, po të kishim në dorë diçka për t’ua lehtësuar vuajtjen?​—Kolos. 3:12; Jak. 2:15, 16; lexo 1 Gjonit 3:17.

6. Ç’mësim mund të nxjerrim nga përpjekjet ngulmuese të Jehovait për t’i kthyer në rrugë të drejtë izraelitët mëkatarë?

6 Jehovai ndiente dhembshuri për popullin e tij, Izraelin, edhe kur mëkatonin. Shkrimet thonë: «Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tyre, vazhdoi t’u dërgonte  paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij. Ai u dërgonte vazhdimisht, sepse i dhimbsej populli i tij dhe banesa e vet.» (2 Kron. 36:15) A nuk duhet të ndiejmë një dhembshuri të ngjashme për njerëzit që mund të pendohen për jetën mëkatare dhe të fitojnë miratimin e Perëndisë? Jehovai nuk do që të shkatërrohet askush gjatë gjykimit që po afron. (2 Pjet. 3:9) Prandaj, derisa Perëndia të veprojë për të shkatërruar të ligjtë, le të vazhdojmë të përhapim mesazhin e tij të dhembshur paralajmërues.

7, 8. Pse një familje mendon se Jehovai tregoi dhembshuri për ta?

7 Ka sa e sa përvoja që nxjerrin në pah veprat e dhembshura të Perëndisë. Të mendojmë për atë që i ndodhi familjes së një djali 12-vjeçar, që po e quajmë Ivan. Ishte një periudhë konfliktesh etnike në fillim të viteve 90. Ivani, i vëllai, prindërit e tij dhe disa Dëshmitarë të tjerë po udhëtonin me autobus nga Bosnja për në Serbi. Po shkonin në një kongres ku prindërit e Ivanit do të pagëzoheshin. Mirëpo në kufi ushtarët e zbritën nga autobusi familjen për shkak të prejardhjes etnike, ndërsa Dëshmitarët e tjerë i lanë të vazhdonin rrugën. Pasi i mbajtën dy ditë, oficeri foli me radiomarrës me shefin për ta pyetur ç’të bënin me ta. Oficeri po rrinte tamam përpara familjes, prandaj të gjithë e dëgjuan përgjigjen: «Merrini dhe pushkatojini!»

8 Teksa oficeri fliste me ushtarët e tij, familjes iu afruan dy të panjohur dhe me zë të ulët u thanë se ishin Dëshmitarë. Kishin marrë vesh për atë situatë kritike nga vëllezërit në autobus. Ata i thanë Ivanit dhe të vëllait të hipnin në makinën e tyre për të kaluar kufirin, pasi dokumentet e fëmijëve nuk po kontrolloheshin. Pastaj u thanë prindërve t’i binin nga pas doganës dhe të takoheshin me ta në anën tjetër. Ivani nuk dinte të gëzohej apo të qante kur dëgjoi atë sugjerim. Prindërit pyetën: «A thoni se do të na lënë të ikim kaq lehtë?!» Megjithatë, ndërsa largoheshin, dukej sikur ushtarët i kishin sytë nga ata por nuk arrinin t’i shihnin. Prindërit dhe fëmijët u ribashkuan në anën tjetër të kufirit. Ata vazhduan rrugën për në qytetin e kongresit, të bindur se Jehovai u ishte përgjigjur lutjeve të tyre gjithë dëshpërim për t’i ndihmuar. Nga Bibla e dimë se ka pasur raste kur Jehovai nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt për të mbrojtur shërbëtorët e vet. (Vep. 7:58-60) Gjithsesi, Ivani tregon si u ndie. Ai shprehet: «M’u duk sikur engjëjt i verbuan ushtarët dhe Jehovai na çliroi.»​—Psal. 97:10.

9. Si reagonte Jezui ndaj gjendjes së turmave që e ndiqnin? (Shih figurën hapëse.)

9 Nga shembulli i Jezuit mund të nxjerrim një mësim. Atij i dhimbseshin turmat e njerëzve që takonte, sepse «ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari». Si reagoi para gjendjes së tyre të vajtueshme? «Nisi t’u mësonte shumë gjëra.» (Mat. 9:36; lexo Markun 6:34.) Qëndrimi i tij ishte në kontrast të thellë me atë të farisenjve, që nuk kishin pikë dëshire të ndihmonin njerëzit e thjeshtë. (Mat. 12:9-14; 23:4; Gjoni 7:49) A nuk ndien edhe ti, ashtu si Jezui, një dëshirë të zjarrtë që t’i ndihmosh njerëzit të njohin Jehovain?

10, 11. A është gjithmonë me vend dhembshuria? Shpjegoni.

10 Kjo s’do të thotë se duhet treguar dhembshuri në çdo situatë. Në shembujt biblikë të përmendur më sipër, dhembshuria e Perëndisë ishte me vend. Ndërsa, kur mbreti Saul mund të ketë menduar se po shfaqte dhembshuri, në fakt po tregohej i pabindur. Ai i kurseu jetën Agagut, një armiku të popullit të Perëndisë, e gjithashtu la gjallë pjesën më të mirë të kopesë. Si pasojë, Jehovai e hodhi poshtë Saulin si mbret të Izraelit.  (1 Sam. 15:3, 9, 15) Pa dyshim, Jehovai është Gjykatësi i drejtë. Ai mund të lexojë zemrën e njerëzve dhe e di kur është e pavend dhembshuria. (Vajt. 2:17; Ezek. 5:11) Po afrohet koha kur ai do të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithë atyre që refuzojnë t’i binden. (2 Sel. 1:6-10) Ajo nuk do të jetë koha për t’u treguar dhembshuri atyre që do t’i ketë gjykuar si të ligj. Përkundrazi, ekzekutimi i tyre do të jetë një shprehje e përshtatshme e dhembshurisë së Perëndisë për të drejtët, që do t’i ruajë gjallë.

11 Natyrisht, nuk është roli ynë të gjykojmë nëse dikush duhet ekzekutuar apo duhet lënë gjallë. Në vend të kësaj, duhet të bëjmë gjithë sa kemi në dorë sot që t’i ndihmojmë njerëzit. Si mund të shfaqim, pra, dhembshuri të përshtatshme për të tjerët në mënyra praktike? Të shohim disa sugjerime.

TË KULTIVOJMË E TË SHFAQIM DHEMBSHURI TË PËRSHTATSHME

12. Si mund të shfaqësh dhembshuri në marrëdhëniet me të tjerët?

12 Ji i gjindshëm në jetën e përditshme. Shfaqja e dhembshurisë për të tjerët dhe për bashkëbesimtarët është kërkesë themelore për ata që përpiqen të imitojnë Jezuin. (Gjoni 13:34, 35; 1 Pjet. 3:8) Një kuptim i fjalës «dhembshuri» është «të vuash bashkë me tjetrin». Ai që tregon dhembshuri për të tjerët ndihet i nxitur t’ua lehtësojë vuajtjet, ndoshta duke i ndihmuar t’u bëjnë ballë vështirësive. Kërko mundësi që ta bësh këtë! Për shembull, a mund të ndihmosh dikë duke u ofruar t’i bësh ndonjë punë të nevojshme, si për shembull të kryesh një porosi për të?—Mat. 7:12.

Trego dhembshuri për të tjerët duke u ofruar ndihmë praktike (Shih paragrafin 12.)

13. Cilat cilësi të popullit të Perëndisë bien veçanërisht në sy pas katastrofave?

13 Jep ndihmë në rast katastrofash. Vuajtjet e atyre që goditen nga katastrofat i shtyjnë shumë veta të shprehin dhembshuri. Populli i Jehovait është i mirënjohur për faktin që merr iniciativën të ndihmojë në këto raste nevoje. (1 Pjet. 2:17) Një motër japoneze jetonte në një zonë që u dëmtua rëndë nga tërmeti dhe tsunami i vitit 2011. Ajo thotë se «mori zemër dhe u ngushëllua shumë» nga përpjekjet që bënë tërë ata  vullnetarë nga zona të tjera të Japonisë dhe nga jashtë shtetit për të meremetuar pronat e dëmtuara. Motra shkruan: «Kjo përvojë më ndihmoi të kuptoj se Jehovai merakoset për ne. Edhe Dëshmitarët kujdesen për njëri-tjetrin. Shumë vëllezër e motra anekënd botës luten për ne.»

14. Si mund t’u bëhesh krah të sëmurëve dhe të moshuarve?

14 Bëju krah të sëmurëve dhe të moshuarve. Kur shohim njerëz që vuajnë nga pasojat e mëkatit të Adamit, me të drejtë ndihemi të nxitur të shfaqim dhembshuri. Na digjet zemra për ditën kur sëmundjet dhe plakja do të marrin fund, prandaj lutemi të vijë Mbretëria e Perëndisë. Ndërkohë, bëjmë ç’të mundemi për t’i ndihmuar ata që janë në nevojë. Një shkrimtar shkroi për diçka që ndodhi me mamanë e tij të moshuar, që vuante nga sëmundja e Alcajmerit. Një ditë ajo ndoti rrobat. Teksa po përpiqej të pastrohej, ra zilja e derës. Ishin dy Dëshmitare që e vizitonin rregullisht. Motrat e pyetën nëse mund të bënin ndonjë gjë për ta ndihmuar. Gruaja ua ktheu: «Zor më vjen, por ju lutem po.» Mysafiret e ndihmuan të pastrohej. Pastaj i bënë një çaj dhe ndenjën për pak muhabet. Djali i asaj gruaje ndihej shumë mirënjohës. Ai shkroi: «U heq kapelen atyre Dëshmitareve. Ato e praktikojnë atë që predikojnë.» A nuk të nxit dhembshuria për të sëmurët dhe të moshuarit të bësh gjithë sa ke në dorë për t’ua lehtësuar vuajtjet?​—Filip. 2:3, 4.

15. Cilat mundësi të rëndësishme na jep vepra jonë e predikimit?

15 Ndihmoji njerëzit të njohin Jehovain. Hallet dhe shqetësimet e njerëzve na nxitin t’i ndihmojmë. Mënyra më e mirë si ta bëjmë këtë është t’i mësojmë për Perëndinë dhe për atë që do të bëjë Mbretëria e tij për njerëzimin. Një mënyrë tjetër është duke i ndihmuar të kuptojnë sa e mençur është të jetojnë sipas normave të Perëndisë. (Isa. 48:17, 18) A mund të përfshihesh akoma më tepër në shërbim​—në këtë vepër që nderon vërtet Jehovain dhe pasqyron dhembshurinë tënde për të tjerët?​—1 Tim. 2:3, 4.

DHEMBSHURIA TË SJELL DOBI EDHE TY!

16. Si i sjell dobi vetes një njeri i dhembshur?

16 Specialistët e shëndetit mendor thonë se zakoni për të treguar dhembshuri mund të të përmirësojë shëndetin, mirëqenien dhe marrëdhëniet me të tjerët. Kur u lehtëson vuajtjet të tjerëve, ndihesh më i lumtur, më optimist, më pak i vetmuar dhe më pak i prirur të bluash mendime negative. Vërtet, po të tregosh dhembshuri për të tjerët do të nxjerrësh dobi. (Efes. 4:31, 32) Shërbëtorët e Perëndisë që përpiqen me dashuri të ndihmojnë të tjerët shpërblehen me një ndërgjegje të mirë, pasi e dinë se po veprojnë sipas parimeve të Perëndisë. Qëndrimi i dhembshur të ndihmon të jesh prind më i dashur, bashkëshort më i mirë dhe mik më i mirë. Kush është i gatshëm të tregojë dhembshuri, ka më shumë të ngjarë të marrë ndihmë dhe mbështetje kur të ketë nevojë.​—Lexo Mateun 5:7; Lukën 6:38.

17. Pse dëshiron të kultivosh e të shfaqësh dhembshuri?

17 Fakti që dhembshuria të sjell dobi nuk duhet të jetë arsyeja kryesore pse dëshiron ta kultivosh këtë cilësi. Arsyeja kryesore duhet të jetë dëshira që të imitosh e t’i japësh lavdi Burimit të dashurisë e të dhembshurisë, Perëndisë Jehova. (Prov. 14:31) Ai na lë shembullin e përsosur. Le të bëjmë çmos, pra, ta imitojmë! Le të nxitim përzemërsinë e ngrohtë mes vëllezërve dhe marrëdhënie të mira me të tjerët duke treguar dhembshuri!​—Gal. 6:10; 1 Gjon. 4:16.