«Të mos të lëshojnë duart.»SOF. 3:16, shën.

KËNGËT: 81, 32

1, 2. (a) Ç’lloj problemesh hasin shumë veta sot, dhe cila është pasoja? (b) Çfarë shprese të sigurt na jep Isaia 41:10, 13?

NJË motër që është pioniere e rregullt dhe është martuar me një plak kongregacioni thotë: «Edhe pse mbaj një program të mirë për adhurimin, kam luftuar për vite të tëra me ankthin. Ai më grabit gjumin, më keqëson shëndetin, ndikon te mënyra si i trajtoj të tjerët dhe ndonjëherë nga ankthi më vjen të dorëzohem e të futem në ndonjë skutë.»

2 A i kupton ndjenjat e kësaj motre? Mjerisht, jeta në botën e ligë të Satanait sjell tmerrësisht shumë presione që mund të shkaktojnë ankth. Ankthi mund të të rëndojë, ashtu si një spirancë që nuk e lë anijen të ecë para. (Prov. 12:25) Për ç’arsye mund të ndihesh kështu? Po mbase po përpiqesh të përballosh vdekjen e një njeriu të dashur, t’i bësh ballë një sëmundjeje të rëndë ose të mbash familjen në këto kohë të vështira ekonomike, a ndoshta po has kundërshtime. Me kohë, stresi emocional që sjell kjo mund të t’i shterojë forcat, e madje mund të bëjë të humbësh gëzimin. Megjithatë, ji i sigurt se Perëndia është gati të zgjatë dorën për të të ndihmuar.Lexo Isainë 41:10, 13.

3, 4. (a) Në ç’kuptime përdoret në Bibël fjala «duar»? (b) Për ç’arsye mund të na lëshojnë duart ose zemra?

3 Bibla i përdor shpesh pjesët e trupit të njeriut për të ilustruar cilësi ose veprime të ndryshme. Dora, për shembull,  përmendet me qindra herë. Të forcosh duart mund të ketë kuptimin të inkurajohesh, të forcohesh dhe të marrësh forcë për të vepruar. (1 Sam. 23:16; Ezd. 1:6, shën.) Kjo shprehje mund të nënkuptojë ta shohësh të ardhmen me optimizëm e me shpresë.

4 Kur Shkrimet thonë se dikë e kanë lëshuar duart, ndonjëherë kjo do të thotë se atë e ka lëshuar zemra, është i shkurajuar ose pa shpresë. (2 Kron. 15:7, shën.; Hebr. 12:12) Shpesh në rrethana të tilla njeriu mund të dorëzohet. Ku të gjesh inkurajimin e nevojshëm nëse je i sfilitur nga ana emocionale a fizike ose ndien se po të dobësohet marrëdhënia me Jehovain? Çfarë mund të të japë forcë dhe të të motivojë të qëndrosh e të ruash gëzimin?

«DORA E JEHOVAIT NUK ËSHTË SHKURTUAR AQ SA TË MOS SHPËTOJË DOT»

5. (a) Çfarë ka rrezik të bëjmë kur lindin probleme, por ç’duhet t’i kujtojmë vetes? (b) Çfarë do të shqyrtojmë?

5 Lexo Sofoninë 3:16, 17. Le të mos na lëshojnë duart ose zemra, pra të mos na vënë poshtë frika e shkurajimi. Ati ynë i dhembshur, Jehovai, na fton ‘ta hedhim gjithë ankthin tonë mbi të’. (1 Pjet. 5:7) Mund t’i ngulitim në zemër fjalët që u tha Perëndia izraelitëve, se ‘dora e tij [e fuqishme] nuk është shkurtuar aq sa të mos i shpëtojë dot’ besnikët e tij. (Isa. 59:1) Do të shqyrtojmë tri shembuj të shkëlqyer nga Bibla që tregojnë se Jehovai dëshiron dhe është i aftë t’i forcojë shërbëtorët e vet që të bëjnë vullnetin e tij, edhe mes vështirësive në dukje të papërballueshme. Shih se si mund të marrësh forcë nga këta shembuj.

6, 7. Cilat mësime jetësore mund të nxjerrim nga fitorja e Izraelit mbi amalekitët?

6 Pak pasi izraelitët u çliruan nga skllavëria në Egjipt me anë të mrekullive, amalekitët u hodhën në sulm kundër tyre. Josiu guximtar u priu izraelitëve në betejë, sipas drejtimit të Moisiut. Ndërkaq, Moisiu mori Aaronin dhe Hurin e u ngjitën në një kodër aty pranë, prej nga mund të shihnin fushën e betejës. A po ia mbathnin nga frika ata tre burra? Aspak!

7 Moisiu ndoqi një strategji që ishte tamam çelësi i suksesit. Ai mbante të ngritura drejt qiellit duart dhe shkopin e Perëndisë së vërtetë. Për sa kohë që e bënte këtë, Jehovai i fuqizonte duart e izraelitëve që të kishin sukses kundër amalekitëve. Megjithatë, kur duart e Moisiut rëndoheshin dhe fillonin të vareshin, nisnin të fitonin amalekitët. Menjëherë e me vendosmëri, Aaroni dhe Huri «morën një gur, ia vunë nën vete [Moisiut] dhe ai u ul. Aaroni dhe Huri ia mbanin duart, njëri në këtë anë dhe tjetri në atë anë, kështu që duart e tij mbetën të ngritura lart, deri në perëndim të diellit». Po, falë dorës së fuqishme të Perëndisë, izraelitët e fituan betejën.Dal. 17:8-13.

8. (a) Si reagoi Asa kur etiopasit kërcënuan Judën? (b) Si mund ta imitojmë mbështetjen e plotë të Asës te Perëndia?

8 Edhe në ditët e mbretit Asa, Jehovai tregoi se dora e tij nuk ishte shkurtuar. Në Bibël përmenden shumë beteja. Por ushtria më e madhe e mobilizuar ishte ajo e etiopasit Zerah, që kishte 1.000.000 ushtarë me përvojë. Etiopasit ishin thuajse dyfishi i ushtrisë së Asës. Mund ta marrësh me mend sa kollaj ishte që Asa të ndihej në ankth e i frikësuar dhe ta lëshonin duart, pra të dorëzohej. Në vend të kësaj, Asa iu drejtua menjëherë Jehovait për ndihmë. Nga pikëpamja ushtarake, dukej e pamundur t’i mposhtje etiopasit, por «për Perëndinë gjithçka është e mundur». (Mat. 19:26) Perëndia tregoi fuqinë  e tij të madhe dhe «i mundi etiopasit para Asës», që «i ishte kushtuar me gjithë zemër Jehovait gjatë gjithë jetës».2 Kron. 14:8-13; 1 Mbret. 15:14.

9. (a) Cila situatë nuk e pengoi Neheminë të rindërtonte muret e Jerusalemit? (b) Si iu përgjigj Perëndia lutjes së Nehemisë?

9 Imagjino si duhet të jetë ndier Nehemia kur shkoi në Jerusalem. Qyteti ishte thuajse i pambrojtur, dhe bashkatdhetarët e tij judenj ishin shumë të shkurajuar. Kërcënimet e kundërshtarëve nga vende të tjera bënë që judenjve t’u plogështoheshin duart dhe, zemërlëshuar, ta ndërpritnin rindërtimin e mureve të Jerusalemit. A lejoi Nehemia që kjo situatë t’i priste krahët e ta shkurajonte edhe atë vetë? Jo! Ashtu si Moisiu, Asa dhe shërbëtorë të tjerë besnikë të Jehovait, Nehemia e kish bërë zakon prej kohësh të mbështetej te Jehovai me anë të lutjes. E njësoj bëri edhe kësaj radhe. Përballë pengesave që judenjve ndoshta u dukeshin të pakapërcyeshme, Jehovai iu përgjigj përgjërimit të sinqertë të Nehemisë për ndihmë. Perëndia përdori ‘fuqinë e madhe’ dhe ‘dorën e tij të fortë’ për të forcuar duart e ligështuara të judenjve. (Lexo Neheminë 1:10; 2:17-20; 6:9.) A e beson se Jehovai përdor ‘fuqinë e madhe’ dhe ‘dorën e tij të fortë’ për të forcuar shërbëtorët e tij sot?

JEHOVAI DO TË FORCOJË DUART E TUA

10, 11. (a) Çfarë përpjekjesh bën Satanai që të na lëshojnë duart? (b) Çfarë përdor Jehovai që të na përtërijë e të na japë forcë? (c) Si ke nxjerrë dobi nga stërvitja dhe arsimimi teokratik?

10 Mund të jemi të sigurt se Djalli kurrë nuk do të dorëzohet e nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të ndalur aktivitetet tona të krishtere. Ai përdor gënjeshtrat dhe kërcënimet nga qeveritë, krerët fetarë dhe apostatët. Cili është synimi i tij? Të bëjë që të na lëshojë zemra e të na plogështohen duart në veprën e predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë. Megjithatë, Jehovai ka aftësinë dhe dëshirën të na japë forcë nëpërmjet frymës së tij të shenjtë. (1 Kron. 29:12) Është jetësore të përfitojmë nga ndihma e frymës së tij për t’i bërë ballë çdo sprove a vështirësie që na bie nga Satanai dhe sistemi i tij i lig. (Psal. 18:39; 1 Kor. 10:13) Veç kësaj, jemi mirënjohës që kemi Fjalën e Perëndisë, e cila është rezultat i frymës së shenjtë. Mendo edhe për ushqimin e bazuar në Bibël që marrim çdo muaj. Sa të goditura janë për ne sot fjalët e Zakarisë 8:9, 13 (lexoje) që u thanë teksa rindërtohej tempulli i Jerusalemit!

11 Gjithashtu, forcat na përtërihen nga arsimimi hyjnor në mbledhje, në asamble, në kongrese dhe në shkollat teokratike. Kjo stërvitje na ndihmon të kemi motivet e duhura, të vendosim synime në adhurimin e Jehovait dhe të përmbushim përgjegjësitë e shumta të krishtere. (Psal. 119:32) A përpiqesh me zell të marrësh forcë nga ky lloj arsimimi?

12. Çfarë duhet të bëjmë që të mbetemi të fortë në besim?

12 Jehovai i ndihmoi izraelitët të mposhtnin amalekitët dhe etiopasit, e i dha fuqi Nehemisë dhe shokëve të tij të përfundonin punën e rindërtimit. Po njësoj, Perëndia do të na japë forcë edhe neve të qëndrojmë të patundur që të kryejmë veprën e predikimit, pavarësisht nga kundërshtimi, apatia dhe ankthi. (1 Pjet. 5:10) Nuk presim që Jehovai të bëjë mrekulli për ne. Në vend të kësaj, duhet të bëjmë pjesën tonë. Kjo përfshin të lexojmë Biblën çdo ditë, të përgatitemi dhe të ndjekim çdo javë mbledhjet, të ushqejmë mendjen e zemrën nëpërmjet studimit personal e adhurimit familjar  dhe gjithmonë të mbështetemi te Jehovai me anë të lutjeve. Të mos lejojmë kurrë që synime dhe aktivitete të tjera të na pengojnë të nxjerrim dobi nga mjetet që përdor Jehovai për të na dhënë forcë e zemër. Nëse ndien se të kanë lëshuar duart në një nga këto gjëra, kërkoji ndihmë Perëndisë. Pastaj shih se si fryma e tij ‘vepron brenda teje [të fuqizon], me qëllim që të kesh vullnet dhe të veprosh’. (Filip. 2:13) Por, çfarë mund të bësh që t’u forcosh duart të tjerëve?

FORCO DUART QË VAREN

13, 14. (a) Si mori forcë një vëlla pasi i vdiq e shoqja? (b) Në cilat mënyra mund t’i forcojmë të tjerët?

13 Jehovai na ka dhënë një vëllazëri mbarëbotërore me bashkadhurues të dashur që mund të na japin zemër. Sill ndër mend këto fjalë të apostullit Pavël: «Drejtoni [forconi] duart që varen dhe gjunjët e këputur, dhe vazhdoni të bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja.» (Hebr. 12:12, 13) Shumë veta në shekullin e parë morën këtë lloj ndihme e force. Njësoj ndodh edhe sot. Ja çfarë tha një vëlla pasi i vdiq e shoqja dhe u përball me rrethana të tjera të dhimbshme: «Mësova se nuk mund t’i zgjedhim sprovat, as kohën kur na bien, as sa të shpeshta janë. Lutja dhe studimi personal kanë qenë si një kamerdare që më ka mbajtur mbi ujë. E mbështetja e vëllezërve dhe e motrave më ka sjellë shumë ngushëllim. Kam kuptuar sa rëndësi ka të zhvillosh një marrëdhënie të mirë personale me Jehovain para se të lindin situata të vështira.»

Secili në kongregacion mund të jetë burim inkurajimi për të tjerët (Shih paragrafin 14.)

14 Aaroni dhe Huri ia mbështetën ose ia mbajtën duart Moisiut në kuptimin e mirëfilltë. Sot ne mund të kërkojmë mënyra si t’i mbështetim dhe t’u japim ndihmë praktike të tjerëve. Kujt? Atyre që po luftojnë me problemet e moshës së shkuar, me kufizimet shëndetësore, me kundërshtimin nga familja, me vetminë ose me humbjen e një njeriu të dashur. Mund të forcojmë gjithashtu të rinjtë që përballen me presione për të bërë gjëra të këqija si të tjerët ose për të rendur pas «suksesit» në këtë sistem, qoftë në shkollë, në punë ose nga ana financiare. (1 Sel. 3:1-3; 5:11, 14) Kërko mënyra si t’u shfaqësh interes të sinqertë të tjerëve në Sallën e Mbretërisë, në shërbim, kur hani një vakt bashkë ose ndërsa bisedoni në telefon.

15. Si mund të ndikojnë fjalët inkurajuese te bashkëbesimtarët?

15 Pas fitores mbresëlënëse të Asës, profeti Azariah e inkurajoi atë dhe popullin me fjalët: «E pra, jini guximtarë dhe të mos ju lëshojnë duart, sepse për këtë do të shpërbleheni.» (2 Kron. 15:7, shën.) Kjo e nxiti Asën të bënte shumë ndryshime që të rivendoste adhurimin e pastër. Po njësoj, fjalët e tua inkurajuese mund të kenë ndikim të thellë te të tjerët. Kështu mund t’i ndihmosh t’i shërbejnë Jehovait më plotësisht. (Prov. 15:23) E kur je në mbledhje, kurrë mos e nënvlerëso ndikimin e fuqishëm që mund të kesh te të tjerët teksa ngre dorën dhe jep komente që u forcojnë besimin.

16. Ashtu si Nehemia, si mund t’ua forcojnë duart pleqtë pjesëtarëve të kongregacionit? Jep shembuj se si të kanë ndihmuar personalisht bashkëbesimtarët.

16 Me mbështetjen e Jehovait, Nehemia dhe ata që ishin me të forcuan duart për t’iu përveshur punës. Ata i përfunduan muret e Jerusalemit për vetëm 52 ditë. (Neh. 2:18, shën.; 6:15, 16) Nehemia nuk u mor thjesht me mbikëqyrjen e punës. Ai u përfshi edhe vetë në rindërtimin e  mureve të Jerusalemit. (Neh. 5:16) Po njësoj, shumë pleq të dashur kanë pasur mundësi të imitojnë Neheminë duke ndihmuar në projekte ndërtimi teokratike ose duke pastruar e mirëmbajtur Sallën e Mbretërisë. Gjithashtu, ata forcojnë duart e dobëta të atyre që kanë ankth në zemër, duke punuar përkrah lajmëtarëve në shërbim dhe duke bërë vizita baritore.Lexo Isainë 35:3, 4.

MOS LEJO ‘TË TË LËSHOJNË DUART’!

17, 18. Për çfarë mund të jemi të sigurt kur hasim probleme ose jemi në ankth?

17 Kur shërbejmë sup më sup me vëllezërit dhe motrat nxitim unitetin. Gjithashtu, ndërtojmë miqësi jetëgjata dhe i forcojmë besimin njëri-tjetrit te bekimet që do të sjellë së shpejti Mbretëria e Perëndisë. Ndërsa u forcojmë duart të tjerëve, i ndihmojmë të luftojnë me rrethanat shkurajuese dhe të vazhdojnë ta shohin të ardhmen me optimizëm e me shpresë. Po ashtu, kjo na ndihmon ne vetë të mbetemi të përqendruar tek e ardhmja që na premton Perëndia dhe të ndiejmë se sa reale është ajo. E pra, kur forcojmë të tjerët, forcojmë edhe duart tona.

18 Teksa vërejmë se si i mbështeti dhe i mbrojti Jehovai në raste të ndryshme shërbëtorët e tij besnikë në të kaluarën, duhet të na thellohet besimi dhe siguria tek ai. Prandaj, kur përballesh me presione dhe probleme, mos lejo ‘të të lëshojnë duart’! Në vend të kësaj, mbështetu te Jehovai në lutje dhe lejo që dora e tij e fuqishme të të forcojë dhe të të prijë drejt bekimeve të Mbretërisë.Psal. 73:23, 24.