«Lëvdoni Jehovain . . . ju djem të rinj e ju virgjëresha.»PSAL. 148:7, 12.

KËNGËT: 88, 115

1, 2. (a) Çfarë sfide hasin prindërit, dhe si mund ta përballojnë? (b) Cilat janë katër pikat që do të shqyrtojmë tani?

«NE BESOJMË te Jehovai, po kjo s’do të thotë medoemos se edhe fëmijët tanë do të kenë besim,—u shpreh një çift në Francë.—Besimi nuk është një gjë që trashëgohet. Fëmijët tanë e fitojnë pak nga pak.» Një vëlla nga Australia shkroi: «Ta ndihmosh fëmijën të kultivojë besim në zemër, mbase është sfida më e madhe që do të hasësh ndonjëherë. Duhet të shfrytëzosh çdo mjet të mundshëm. Ndoshta mendon se fëmija është kënaqur me përgjigjen që i ke dhënë për një pyetje. Kur ja, më vonë ai ngre po atë pyetje. Përgjigjet që e kënaqin sot mendjen kureshtare të fëmijës, nesër mund të mos i mjaftojnë. Mund të të duhet t’u kthehesh shpesh disa temave.»

2 Nëse je prind, a ndihesh hera-herës i pazoti për përgjegjësinë që t’i mësosh e t’i modelosh fëmijët të bëhen burra e gra me besim? Vërtet, po të jetë vetëm për mençurinë tonë, asnjë nga ne nuk është i aftë për këtë detyrë. (Jer. 10:23) Por, kur kërkojmë drejtim nga Perëndia mund t’ia dalim mbanë. Të shohim katër gjëra që mund të të vlejnë kur i ndihmon fëmijët të zhvillojnë besim: (1) Njihi mirë fëmijët. (2) Mësoju ato që ke  rrënjosur në zemrën tënde. (3) Përdor ilustrime të mira. (4) Trego durim dhe mbështetu te Jehovai në lutje.

NJIHI MIRË FËMIJËT E TU

3. Si mund ta imitojnë prindërit mënyrën si mësonte Jezui?

3 Jezui nuk druhej t’i pyeste dishepujt se çfarë besonin. (Mat. 16:13-15) Imitoje shembullin e tij. Më e mira është që, në një atmosferë të çlirët, t’i ftosh fëmijët të shprehen si ndihen. Kjo përfshin të flasin për çfarëdo pasigurie a dyshimi që mund të kenë. Një vëlla 15-vjeçar në Australi shkroi: «Babi bisedon shpesh me mua për besimin tim dhe më ndihmon të arsyetoj. Ai më pyet: ‘Çfarë thotë Bibla?’ ‘A e beson atë që thotë?’ ‘Pse e beson?’ Do që të përgjigjem me fjalët e mia, e jo thjesht të përsërit fjalët e tij ose të mamit. Ndërsa rritesha, duhej t’i zgjeroja përgjigjet.»

4. Pse është e rëndësishme t’i marrësh seriozisht pyetjet e fëmijës? Jepni një shembull.

4 Nëse fëmija është i pasigurt për ndonjë mësim, përpiqu të mos reagosh në mënyrë të ekzagjeruar ose të përgjigjesh sikur po mbrohesh. Me durim, ndihmoje të arsyetojë. Një baba tha: «Merri seriozisht pyetjet e fëmijëve të tu. Mos i shpërfill si jo fort të rëndësishme, e as mos e shmang një temë thjesht ngaqë mund të të vërë në siklet.» Në të vërtetë, është mirë t’i shohësh pyetjet e sinqerta të fëmijës si shenjë se nuk është indiferent dhe dëshiron të kuptojë. Edhe Jezui bëri pyetje serioze që kur ishte 12 vjeç. (Lexo Lukën 2:46.) Një 15-vjeçar në Danimarkë kujton: «Kur thashë se dyshoja nëse ne kishim fenë e vërtetë, prindërit e morën me qetësi, edhe pse mund të kenë qenë të shqetësuar për mua. Iu përgjigjën të gjitha pyetjeve të mia duke përdorur Biblën.»

5. Si mund të tregojnë prindërit se nuk e flenë mendjen që fëmija ka patjetër besim?

5 Njihi mirë fëmijët e tu—si mendojnë, si ndihen dhe çfarë i shqetëson. Kurrë mos e fli mendjen se kanë patjetër besim thjesht ngaqë ndjekin mbledhjet dhe dalin në shërbim me ty. Përfshi në aktivitetet e përditshme biseda rreth Jehovait. Lutu me fëmijët e tu dhe për ta. Përpiqu të dish çfarëdo gjëje që u vë në provë besimin dhe ndihmoji t’i përballojnë këto sprova.

MËSOJU ATO QË KE RRËNJOSUR NË ZEMRËN TËNDE

6. Kur prindërit e rrënjosin të vërtetën e Biblës në zemrën e vet, si i ndihmon kjo të mësojnë fëmijët?

6 Si mësues, Jezui prekte zemrat ngaqë e donte Jehovain, Fjalën e Perëndisë dhe njerëzit. (Luka 24:32; Gjoni 7:46) Po kjo dashuri mund t’i ndihmojë prindërit t’u prekin zemrën fëmijëve. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:5-8; Lukën 6:45.) Prandaj, ti prind, ji studiues i mirë i Biblës dhe i mjeteve që kemi për të studiuar. Kushtoji vëmendje krijimit dhe artikujve nga botimet tona që flasin për këtë temë. (Mat. 6:26, 28) Kështu do të zgjerosh njohurinë tënde, do të thellosh çmueshmërinë për Jehovain dhe do të jesh më i përgatitur të mësosh fëmijët e tu.Luka 6:40.

7, 8. Cili do të jetë rezultati nëse zemra e prindit është e mbushur me të vërtetën e Biblës? Ilustrojeni.

7 Nëse zemra jote është e mbushur plot me të vërtetën e Biblës, do të kesh dëshirë të bisedosh për këtë me familjen tënde. Bëje këtë në çfarëdo momenti, jo vetëm kur përgatiteni për mbledhje ose gjatë adhurimit familjar. Veç kësaj, biseda të tilla s’duhet të bëhen me zor, por duhet të vijnë natyrshëm e të jenë spontane, si pjesë e bisedave të përditshme. Një çift në Shtetet e Bashkuara meditojnë për Jehovain kur shohin si familje diçka të  bukur në natyrë ose kur shijojnë ndonjë ushqim. Ata thonë: «U kujtojmë fëmijëve sa dashuri ka shprehur Jehovai dhe sa shumë ka menduar për çdo gjë që na ka siguruar.» Kur punojnë kopshtin me dy vajzat e tyre, një çift në Afrikën e Jugut u theksojnë sa gjë e mrekullueshme është, për shembull, se si mbijnë farërat e pastaj si rriten bimët. Këta prindër thonë: «Përpiqemi të kultivojmë te vajzat respekt të madh për jetën dhe për kompleksitetin e saj të mahnitshëm.»

8 Një baba në Australi bëri një vizitë në muze bashkë me të birin që ishte nja 10 vjeç. E shfrytëzoi atë rast për ta ndihmuar djalin të forconte besimin te Perëndia dhe te krijimi. Babai tregon: «Pamë të ekspozuara disa krijesa të lashta deti që quhen amonoide dhe trilobite. Vumë re se këto kafshë të zhdukura ishin të bukura, komplekse dhe pa ndonjë mangësi—aspak më poshtë se krijesat që shohim sot. Pra, nëse jeta evoluoi nga format e thjeshta tek ato më komplekse, pse këto krijesa të lashta ishin tashmë kaq komplekse? Ky ishte një mësim që më la shumë mbresë dhe bisedova për këtë me tim bir.»

PËRDOR ILUSTRIME TË EFEKTSHME

9. Pse janë të efektshme ilustrimet, dhe si e tregoi këtë një mama?

9 Jezui përdorte shpesh ilustrime. Ato vënë në punë mendjen, i bëjnë thirrje zemrës dhe ndihmojnë kujtesën. (Mat. 13:34, 35) Fëmijët në përgjithësi kanë imagjinatë të gjallë. Prandaj, prindër, mos i kurseni ilustrimet kur i mësoni. Pikërisht kështu bëri një mama në Japoni. Kur dy djemtë e saj ishin tetë dhe dhjetë vjeç, ajo i mësoi për atmosferën e tokës dhe për kujdesin e madh që tregoi Jehovai kur e përgatiti. Për t’ua mësuar këtë, u dha djemve qumësht, sheqer dhe kafe. Pastaj i kërkoi secilit t’i bënte një filxhan kafe. Ajo tregon: «E përgatitën me shumë merak. Kur i pyeta pse ishin aq të kujdesshëm, thanë se donin që kafeja të ishte tamam siç e kam qejf unë. U shpjegova se Perëndia tregoi një kujdes të ngjashëm kur përzieu gazet në atmosferë, që të ishin tamam siç na duhej neve.» Ky ishte një ilustrim i përshtatshëm për moshën e tyre dhe u la më shumë mbresa sesa po t’i kishin mësuar këto gjëra thjesht si fakte. Pa dyshim që ai mësim nuk iu shlye nga mendja për një kohë të gjatë!

Mund të përdorësh gjëra të jetës së përditshme që t’i zhvillosh fëmijës besimin te Perëndia dhe te krijimi (Shih paragrafin 10.)

10, 11. (a) Cilin ilustrim mund të përdorësh që ta ndihmosh fëmijën të zhvillojë besim te Perëndia? (Shih figurën hapëse.) (b) Cilat ilustrime ke parë se janë të efektshme?

10 Mund të përdorësh madje edhe një recetë gatimi për ta ndihmuar fëmijën të zhvillojë besim te Perëndia. Si? Pasi të bësh një kek ose ca biskota, shpjegoji çfarë roli luajti receta. Pastaj jepi fëmijës një frutë, si për shembull një mollë, dhe pyete: «A e di se kjo mollë filloi me një ‘recetë’?» Pastaj ndaje mollën përgjysmë dhe jepi një farë. Mund t’i shpjegosh se receta «u shkrua» brenda farës, por me një gjuhë shumë më komplekse se fjalët  e një libri recetash. Mund ta pyesësh: «Nëse recetën e kekut e ka shkruar dikush, atëherë kush e shkroi recetën shumë më komplekse të mollës?» Nëse fëmija është më i rritur, mund t’i shpjegosh se receta e mollës—madje e krejt pemës ku u rrit—ishte pjesë e kodit të ADN-së. Mund të shihni së bashku edhe disa nga figurat në faqet 10 deri 20 të broshurës sonë Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh.

11 Shumë prindërve u pëlqen të diskutojnë me fëmijët artikuj nga seria «A është projektuar?» që del në revistën Zgjohuni! Ose e përdorin këtë rubrikë si një bazë për t’u mësuar ide të thjeshta fëmijëve në moshë të njomë. Për shembull, një çift në Danimarkë i krahasuan aeroplanët me zogjtë dhe thanë: «Aeroplanët ngjajnë tamam si zogj. Por, a munden të shtrojnë vezë e të lindin aeroplanë të vegjël? A u duhen zogjve pista të veçanta për t’u ulur? Dhe si të duket zhurma e aeroplanit në krahasim me këngën e zogjve? Pra, kush është më inteligjent—ai që bën aeroplanë apo Krijuesi i zogjve?» Komente të tilla, të shoqëruara me pyetje të përshtatshme, mund ta ndihmojnë fëmijën që të zhvillojë ‘aftësinë për të menduar’ dhe që t’i rritet besimi te Perëndia.Prov. 2:10-12.

12. Si mund t’i ndihmojnë ilustrimet fëmijët që të zhvillojnë besim te Bibla?

12 Veç kësaj, ilustrimet e efektshme mund t’i forcojnë fëmijës besimin se Bibla është e saktë. Për shembull, mendo pak për Jobin 26:7. (Lexoje.) Si mund të tregosh se këtë shkrim e frymëzoi Perëndia? Natyrisht, edhe mund të renditësh thjesht disa fakte. Por, në vend të kësaj, pse të mos i ngacmosh imagjinatën fëmijës? Përmend faktin që Jobi jetoi shumë kohë para teleskopëve dhe anijeve kozmike. Mund t’i caktosh si detyrë fëmijës të tregojë sa të vështirë mund ta kishin disa që të besonin se një objekt tepër i madh, siç është toka, të rrinte pezull në zbrazëti. Fëmija mund të përdorë një top ose një gur për ta ilustruar këtë, duke treguar se objektet që peshojnë duhet të mbështeten mbi diçka. Një mësim i tillë i ngulit në mendje fëmijës se Jehovai dokumentoi në Bibël fakte shumë kohë para se njerëzit të arrinin t’i vërtetonin.Neh. 9:6.

ILUSTRO SA VLERË KANË PARIMET E BIBLËS

13, 14. Si mund t’u ngulitin prindërit fëmijëve se sa vlerë kanë parimet biblike?

13 Është veçanërisht e rëndësishme që t’u ngulitësh fëmijëve sa vlerë kanë parimet biblike. (Lexo Psalmin 1:1-3.) Ka plot mënyra si ta bësh këtë. Për shembull, mund t’u kërkosh fëmijëve të imagjinojnë sikur do të jetojnë në një ishull të izoluar dhe duhet të zgjedhin disa njerëz që të jetojnë atje bashkë me ta. Pastaj pyeti: «Çfarë cilësish duhet të ketë secili, që të gjithë në grup të jetojnë në paqe e të shkojnë mirë me njëri-tjetrin?» Gjithashtu mund të bisedosh me fëmijët për udhëzimet e mençura që gjejmë te Galatasve 5:19-23.

14 Me këtë ushtrim mund t’u japësh dy mësime të rëndësishme. Së pari, normat e Perëndisë nxitin paqe dhe harmoni të vërtetë. Së dyti, duke na mësuar sot, Jehovai po na përgatit për jetën në botën e re. (Isa. 54:13; Gjoni 17:3) Këto mësime mund t’ua bësh më të qarta duke zgjedhur ndonjë përvojë nga botimet tona, si për shembull nga seria «Bibla të ndryshon jetën», që del në Kullën e Rojës. Ose nëse dikush në kongregacionin tuaj ka bërë ndryshime të mëdha për t’i pëlqyer Jehovait, mund ta ftosh të kalojë ca momente me ju dhe t’ju tregojë historinë e vet. Këta janë shembuj të gjallë se si veprojnë parimet e Biblës.Hebr. 4:12.

15. Cili duhet të jetë një synim kryesor kur mëson fëmijët e tu?

 15 Pra, ajo që ka rëndësi është: kur mëson fëmijët e tu, mos bjer në monotoni. Përpiqu të përdorësh imagjinatën. Vër në punë mendjen e fëmijëve, duke mbajtur parasysh moshën e tyre. Mësoji në një mënyrë që i gjallëron e i kënaq dhe që u forcon besimin. Një baba tha: «Kurrë mos u lodh duke eksperimentuar mënyra të reja për të trajtuar tema të vjetra.»

JI SHEMBULL PËR BESIMIN, DURIMIN DHE LUTJET

16. Pse është jetësore të kesh durim kur mëson fëmijët? Ilustrojeni.

16 Për të kultivuar një besim të fortë, nevojitet fryma e Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Ashtu si një frutë, besimi do kohë që të rritet. Prandaj do të duhet të shfaqësh durim dhe të ngulmosh ndërsa mëson fëmijët. Një baba në Japoni që ka dy fëmijë tha: «Unë dhe gruaja thjesht u kushtonim shumë vëmendje fëmijëve. Që kur ishin fare të vegjël, studioja me ta 15 minuta çdo ditë, përveç ditëve kur kishim mbledhje. Pesëmbëdhjetë minuta studim nuk ishin tepër të vështira as për ne, as për ata.» Një mbikëqyrës qarkor shkroi: «Në adoleshencë kisha shumë më tepër pyetje ose dyshime nga ç’arrija të shprehja. Me kalimin e kohës, shumë prej tyre morën përgjigje në mbledhje ose gjatë studimit familjar a personal. Ja pse është e rëndësishme që prindërit thjesht të vazhdojnë t’i mësojnë fëmijët.»

Që të jesh mësues i efektshëm, Fjala e Perëndisë duhet të jetë së pari në zemrën tënde (Shih paragrafin 17.)

17. Pse është i rëndësishëm shembulli i mirë i prindërve? Si u kanë lënë një shembull të mirë vajzave të tyre dy prindër?

17 Pa dyshim, diçka shumë e rëndësishme është shembulli yt i besimit. Fëmijët do ta vërejnë atë që bën, dhe kjo patjetër do të ndikojë për mirë tek ata. Prandaj, si prindër, vazhdoni të forconi besimin tuaj. Le ta shohin fëmijët sa real është Jehovai për ju. Sa herë që janë në ankth për diçka, dy prindër në ishujt Bermude luten bashkë me fëmijët që Jehovai t’i drejtojë, dhe i inkurajojnë që të luten edhe vetë. Ata thonë: «Gjithashtu, vajzës së madhe i themi: ‘Ki besim të plotë te Jehovai, zhytu në shërbimin e Mbretërisë dhe mos u shqetëso tepër.’ Kur sheh rezultatin, ajo e di mirë se Jehovai po na ndihmon. Kjo ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm te besimi i saj te Perëndia dhe te Bibla.»

18. Cilin fakt të rëndësishëm duhet të pranojnë prindërit?

18 Sigurisht, në fund, fëmijët duhet ta zhvillojnë vetë besimin e tyre. Ju si prindër, mund të mbillni dhe të ujitni, por vetëm Perëndia mund ta rritë. (1 Kor. 3:6) Prandaj lutuni për frymën e tij dhe përpiquni me mish e me shpirt që t’i mësoni fëmijët tuaj të shtrenjtë, pasi kështu i jepni Jehovait shumë mundësi për t’ju bekuar.Efes. 6:4.