Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 6

Mbaj integritetin!

Mbaj integritetin!

«Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»—JOBI 27:5.

KËNGA 34 Ecim me integritet

PËRMBLEDHJE *

1. Si i qëndruan besnikë Jehovait tre Dëshmitarët që përmenden në paragraf?

IMAGJINO këto tri situata ku përfshihen Dëshmitarë të Jehovait. (1) Një vajzë është në shkollë, dhe mësuesja u kërkon të gjithë nxënësve të klasës të marrin pjesë në një festë. Vajza e di se kjo festë nuk i pëlqen Perëndisë, ndaj me respekt nuk pranon të marrë pjesë. (2) Një i ri i ndrojtur po predikon shtëpi më shtëpi. Ai e di se në shtëpinë tjetër jeton një djalë nga shkolla e tij, që më parë është tallur me Dëshmitarët e Jehovait. Prapëseprapë shkon tek ajo shtëpi dhe troket në derë. (3) Një burrë punon fort që të sigurojë gjërat e nevojshme për familjen e tij, dhe një ditë shefi i kërkon të bëjë diçka të pandershme ose të paligjshme. Ndonëse mund të humbasë punën, ai i shpjegon se duhet të jetë i ndershëm dhe duhet t’i bindet ligjit, sepse këtë kërkon Perëndia nga shërbëtorët e tij.—Rom. 13:1-4; Hebr. 13:18.

2. Cilat pyetje do të shqyrtojmë, dhe pse?

2 Çfarë cilësie dallon te këta tre individë? Mbase vëren disa, si guximi dhe ndershmëria. Por mes të tjerave, spikat një cilësi shumë e vyer—integriteti. Secili nga ata tregon besnikëri ndaj Jehovait. Secili nuk pranon të bëjë kompromis me normat e Perëndisë. Është integriteti ai që i shtyn të veprojnë në këtë mënyrë. Me siguri Jehovai ndihet krenar për secilin prej tyre sepse shfaqin këtë cilësi. Edhe ne duam ta bëjmë krenar Atin tonë qiellor. Prandaj le të shqyrtojmë këto pyetje: Çfarë është integriteti? Pse kemi nevojë për këtë cilësi? Dhe si mund ta forcojmë vendosmërinë për të mbajtur integritetin në këto kohë të vështira?

 ÇFARË ËSHTË INTEGRITETI?

3. (a) Çfarë kuptimi ka fjala integritet për shërbëtorët e Perëndisë? (b) Cilët shembuj tregojnë se për ne ka rëndësi që diçka të jetë e plotë ose pa mangësi?

3 Kur përdoret për ne si shërbëtorë të Perëndisë, integritet do të thotë dashuri me gjithë zemër për Jehovain dhe përkushtim i pathyeshëm ndaj Tij si person, në mënyrë që vullneti i tij të zërë vendin e parë në çdo vendim tonin. Mendo në çfarë konteksti është përdorur fjala «integritet». Një kuptim kryesor i fjalës biblike të përkthyer «integritet» është ky: i plotë, i shëndetshëm ose pa mangësi. Për shembull, izraelitët paraqitnin kafshë si flijim për Jehovain, dhe Ligji thoshte që kafshët duhej të ishin të shëndetshme. * (Lev. 22:21, 22) Shërbëtorëve të Perëndisë nuk u lejohej të ofronin kafshë që u mungonte një këmbë, një vesh ose një sy; as nuk mund të ofronin një kafshë të sëmurë. Për Jehovain ishte e rëndësishme që kafsha të ishte e plotë, e shëndetshme ose pa mangësi. (Mal. 1:6-9) E kuptojmë pse Jehovai ka merak që një gjë të jetë e shëndetshme ose pa mangësi. Kur blejmë ndonjë frutë, një libër a një mjet pune, nuk duam të ketë diçka të prishur a pjesë që i mungojnë. Duam diçka që është e plotë, e shëndetshme, pa asnjë mangësi. Jehovai ndihet njësoj kur bëhet fjalë për dashurinë dhe besnikërinë tonë ndaj tij. Ato duhet të jenë të plota, pa mangësi.

4. (a) Pse një njeri i papërsosur mund të ketë integritet? (b) Sipas Psalmit 103:12-14, çfarë pret Jehovai nga ne?

4 A duhet të nxjerrim përfundimin se duhet të jemi të përsosur që të kemi integritet? Tekefundit, mbase mendojmë që s’jemi aspak të plotë, e madje kemi shumë të meta. Mendo pak për dy arsye pse s’duhet të kemi merak për këtë. Së pari, Jehovai nuk përqendrohet te të metat tona. Fjala e tij thotë: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psal. 130:3) Ai e di se jemi njerëz të papërsosur, mëkatarë, dhe na fal bujarisht. (Psal. 86:5) Së dyti, Jehovai i njeh kufizimet tona dhe nuk pret nga ne më shumë nga ç’mund të bëjmë. (Lexo Psalmin 103:12-14.) Atëherë në ç’kuptim mund të jemi të plotë, të shëndetshëm e pa mangësi në sytë e tij?

5. Pse dashuria është çelësi që të kemi integritet?

5 Për shërbëtorët e Jehovait, çelësi për të pasur integritet është dashuria. Dashuria jonë për Perëndinë dhe përkushtimi besnik ndaj tij si Ati ynë qiellor, duhet të mbeten të plota, pa mangësi. Nëse dashuria jonë mbetet e plotë e me gjithë zemër edhe kur sprovohemi, atëherë kemi integritet. (1 Kron. 28:9; Mat. 22:37) Mendo sërish për tre Dëshmitarët që përmendëm në fillim. Pse vepruan ashtu? Mos ndoshta ajo vajzë s’ka qejf t’ia kalojë bukur në shkollë? Mos dëshiron ai i ri ta vënë në siklet në shërbim? Mos do ai kryefamiljar të humbasë punën? Sigurisht që jo. Por e dinë se Jehovai ka norma të drejta, dhe mendja e tyre është e përqendruar tek ajo që e kënaq Atin e tyre qiellor. Dashuria për Jehovain i shtyn të mendojnë në radhë të parë për të kur marrin vendime. Kështu e tregojnë me vepra integritetin.

PSE KEMI NEVOJË PËR INTEGRITET

6. (a) Pse ke nevojë për integritet? (b) Pse nuk treguan integritet Adami dhe Eva?

6 Pse integriteti është kaq jetësor për secilin prej nesh? Ti ke nevojë për integritet sepse Satanai ka sfiduar Jehovain, dhe të ka sfiduar edhe ty. Ai engjëll  rebel u bë Satana, ose «Kundërshtar», në kopshtin e Edenit. Satanai hodhi baltë mbi emrin e mirë të Jehovait duke nënkuptuar se Ai është një Sovran i keq, egoist dhe mashtrues. Mjerisht, Adami dhe Eva morën anën e Satanait dhe u rebeluan kundër Jehovait. (Zan. 3:1-6) Jeta në Eden u kishte dhënë mundësi pa fund që të forconin dashurinë për Jehovain. Por në kohën kur Satanai ngriti sfidën, dashuria e tyre nuk ishte e plotë, me gjithë zemër ose pa mangësi. U ngrit edhe një çështje tjetër: a do t’i qëndronte ndonjë njeri besnik Perëndisë Jehova nga dashuria për të? Me fjalë të tjera, a janë të aftë njerëzit të tregojnë integritet? Kjo çështje u ngrit në rastin e Jobit.

7. Siç tregon Jobi 1:8-11, si ndiheshin Jehovai dhe Satanai për integritetin e Jobit?

7 Jobi jetoi në kohën kur izraelitët ishin në Egjipt. Integriteti i tij ishte i pashoq. Ashtu si ne, ai ishte i papërsosur. Bënte gabime. Por, Jehovai e donte Jobin për integritetin e tij. Ka shumë mundësi që Satanai ta kishte sfiduar tashmë Jehovain për integritetin e njerëzve. Ja pse Jehovai ia drejtoi vëmendjen Satanait te Jobi. Jeta e Jobit e demaskonte Satanain si gënjeshtar. Satanai kërkoi që integriteti i Jobit të vihej në provë. Jehovai kishte besim te miku i tij Job, ndaj i dha leje Satanait ta sprovonte.—Lexo Jobin 1:8-11.

8. Si e sulmoi Satanai Jobin?

8 Satanai është mizor dhe vrasës. Ai sulmoi zotërimet e Jobit duke i grabitur pasurinë, shërbëtorët dhe reputacionin e mirë. Sulmoi familjen e Jobit duke u grabitur jetën dhjetë fëmijëve të tij të shtrenjtë. Pastaj, sulmoi vetë Jobin duke i grabitur  shëndetin dhe e goditi me çibanë të dhimbshëm nga koka te këmbët. Gruaja e Jobit, e tronditur dhe e dërrmuar nga hidhërimi, e nxiti të dorëzohej, të mallkonte Perëndinë e të vdiste. Edhe vetë Jobi donte të vdiste, por prapë e mbajti integritetin. Pastaj Satanai provoi një taktikë tjetër sulmi. Përdori tre shokë të Jobit. Ata ndenjën me Jobin për ditë të tëra, por nuk e ngushëlluan aspak. Përkundrazi, në mënyrë të pashpirt i bënë moral dhe e qortuan ashpër. Ata nënkuptuan se hallet po ia shkaktonte Perëndia dhe se Atij s’i bëhej vonë për integritetin e Jobit. Madje lanë të kuptohej se Jobi ishte njeri i lig që i kishte hak tmerret që po i ndodhnin.—Jobi 1:13-22; 2:7-11; 15:4, 5; 22:3-6; 25:4-6.

9. Çfarë nuk pranoi të bënte Jobi pavarësisht nga sprovat?

9 Si reagoi Jobi ndaj gjithë atyre vuajtjeve? Ai nuk ishte i përsosur. I qortoi plot zemërim ngushëlluesit e tij të rremë dhe tha fjalë që më vonë pranoi se ishin të rrëmbyera. Ai mbrojti drejtësinë e vet më shumë se drejtësinë e Perëndisë. (Jobi 6:3; 13:4, 5; 32:2; 34:5) Megjithatë, edhe në momentet më të errëta, Jobi nuk pranoi t’i kthente shpinën Perëndisë Jehova. Ai nuk pranoi të besonte gënjeshtrat e shokëve të rremë. Jobi tha: «As që e çoj nëpër mend t’ju shpall të drejtë! Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.» (Jobi 27:5) Kështu shprehu vendosmërinë se për të, integriteti ishte jetësor. Jobi nuk pranoi të dorëzohej; edhe ne mund të veprojmë njësoj.

10. Si përfshihesh ti në çështjen që ngriti Satanai lidhur me Jobin?

10 Satanai ngre të njëjtat akuza për secilin prej nesh. Si përfshihesh ti? Me fjalë të tjera, Satanai thotë se ti nuk e do me të vërtetë Perëndinë Jehova, se për të shpëtuar veten nuk do t’i shërbesh më dhe se integriteti yt është i rremë. (Jobi 2:4, 5; Zbul. 12:10) Si ndihesh nga kjo? Të lëndon shumë, apo jo? Por mendo për këtë: Jehovai ka aq besim te ti, sa të jep një mundësi të shkëlqyer. Jehovai e lejon Satanain të të sprovojë integritetin. Jehovai është i bindur se ti mund ta mbash integritetin dhe mund të ndihmosh për të provuar se Satanai është gënjeshtar. Ai premton se do të të ndihmojë t’ia dalësh mbanë. (Hebr. 13:6) Çfarë privilegji është të gëzosh besimin e Sovranit të universit! A e kupton pse është kaq i rëndësishëm integriteti? Na jep mundësi të demaskojmë gënjeshtrat e Satanait, të mbrojmë emrin e mirë të Atit tonë dhe të përkrahim mënyrën si qeveris ai. Si mund ta zhvillojmë këtë cilësi jetësore?

SI MUND TA MBAJMË INTEGRITETIN SOT

11. Ç’mund të mësojmë nga Jobi?

11 Satanai i ka intensifikuar sulmet në këto ‘ditë të fundit’ plot telashe. (2 Tim. 3:1) Në kohë të tilla të errëta, si mund të marrim forcë për të mbajtur integritetin? Sërish, mund të mësojmë shumë nga Jobi. Goxha kohë para se të haste sprovat, Jobi tashmë e kishte mbajtur integritetin ndër vite. Të shqyrtojmë tri mësime nga shembulli i Jobit se si të marrim forcë për të mbajtur integritetin.

Cilat janë disa mënyra se si marrim forcë për të mbajtur integritetin? (Shih paragrafin 12.) *

12. (a) Siç kuptohet nga Jobi 26:7, 8, 14, si zhvilloi Jobi nderim të thellë e respekt për Jehovain? (b) Si mund ta mbushim zemrën me nderim të thellë për Perëndinë?

12 Jobi e forcoi dashurinë për Jehovain duke zhvilluar nderim të thellë për të. Jobi kalonte kohë duke medituar për mrekullitë e krijimit të Jehovait. (Lexo Jobin 26:7, 8, 14.) Ndiente nderim të thellë kur mendonte për tokën, qiellin, retë e bubullimat, por njëkohësisht e kuptonte se dinte fare pak për krijimin e paanë. Ai  mbushej me nderim të thellë edhe nga fjalët e Jehovait. Jobi tha: ‘Fjalët e gojës së tij për mua janë thesar.’ (Jobi 23:12) Nderimi i thellë dhe respekti për Jehovain ndikonin pa masë te Jobi. Ai e donte Atin e tij dhe dëshironte ta kënaqte. Kështu, vendosmëria e Jobit për të mbajtur integritetin forcohej. Kemi nevojë të imitojmë Jobin. Ne dimë shumë më tepër për mrekullitë e krijimit se ç’dinin njerëzit në kohën e tij. Po ashtu, kemi gjithë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë që na ndihmon ta njohim Jehovain siç është me të vërtetë. Gjithë sa mësojmë mund të na e mbushë zemrën me nderim të thellë. Pastaj nderimi i thellë dhe respekti për Jehovain do të na shtyjnë ta duam e t’i bindemi dhe të zhvillojmë një dëshirë nga zemra për të mbajtur integritetin.—Jobi 28:28.

Marrim forcë për të mbajtur integritetin duke flakur tej pornografinë (Shih paragrafin 13.) *

13-14. (a) Siç tregon Jobi 31:1, në cilat mënyra u bind Jobi? (b) Si mund ta ndjekim shembullin e Jobit?

13 Jobi mori forcë për të mbajtur integritetin duke u bindur në çdo gjë. Jobi e dinte se për të pasur integritet, duhej t’i bindej Jehovait. Në fakt, çdo rast që tregojmë bindje na forcon vendosmërinë për të mbajtur integritetin. Jobi bënte çmos t’i bindej Perëndisë në jetën e përditshme. Për shembull, bënte kujdes për mënyrën si sillej ndaj grave. (Lexo Jobin 31:1.) Si burrë i martuar, e dinte se ishte e papërshtatshme t’i kushtonte vëmendje romantike ndonjë gruaje tjetër përveç gruas së vet. Sot, ne jetojmë në një botë që na bombardon me tundime seksuale. Ashtu si Jobi, a do të refuzojmë t’i kushtojmë vëmendje të papërshtatshme dikujt që nuk është bashkëshorti ynë? A do të refuzojmë edhe të shohim pamje të fëlliqura a pornografike në çfarëdo forme? (Mat. 5:28) Nëse tregojmë çdo ditë vetëkontroll, do të marrim forcë që ta mbajmë integritetin.

Marrim forcë për të mbajtur integritetin duke pasur një pikëpamje të ekuilibruar për gjërat materiale (Shih paragrafin 14.) *

14 Jobi i bindej Jehovait edhe në pikëpamjen që kishte për gjërat materiale. Ai e kuptonte se po të kishte besim te zotërimet  e tij, do të bënte një gabim të rëndë që meritonte ndëshkim. (Jobi 31:24, 25, 28) Sot, jetojmë në një botë tepër materialiste. Nëse zhvillojmë një pikëpamje të ekuilibruar për paratë dhe të mirat materiale, siç na këshillon Bibla, do të forcojmë vendosmërinë që të mbajmë integritetin.—Prov. 30:8, 9; Mat. 6:19-21.

Marrim forcë për të mbajtur integritetin duke mbajtur të gjallë shpresën tonë (Shih paragrafin 15.) *

15. (a) Cila shpresë e ndihmoi Jobin ta mbante integritetin? (b) Pse është e dobishme të mbajmë në mendje shpresën që na jep Jehovai?

15 Jobi e mbajti integritetin duke u përqendruar te shpresa se Perëndia do ta shpërblente. Ai besonte se integriteti i tij kishte vërtet rëndësi për Perëndinë. (Jobi 31:6) Pavarësisht nga sprovat, Jobi ishte i sigurt se në fund Jehovai do ta shpërblente. Kjo siguri pa dyshim e ndihmoi ta mbante fort integritetin. Jehovai ishte kaq i kënaqur me integritetin e Jobit, sa e shpërbleu me bollëk ndërsa ishte ende i papërsosur! (Jobi 42:12-17; Jak. 5:11) E bekime më të mëdha e presin Jobin në të ardhmen. A ke shpresë të fortë se Jehovai do të të shpërblejë për integritetin tënd? Perëndia ynë nuk ka ndryshuar. (Mal. 3:6) Nëse nuk harrojmë që ai e vlerëson integritetin tonë, mund ta mbajmë të gjallë në zemër shpresën për një të ardhme të mrekullueshme.—1 Sel. 5:8, 9.

16. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

16 Ji i vendosur, pra, të mos heqësh dorë kurrë nga integriteti yt! Ndonjëherë, mund të ndihesh i vetmuar në udhën e integritetit, por nuk do të jesh asnjëherë vetëm. Do të jesh mes miliona besnikëve anembanë botës që mbajnë integritetin. Veç kësaj, do të hysh në radhët e burrave e grave plot besim që mbajtën integritetin në të kaluarën, madje edhe përballë kërcënimit të vdekjes. (Hebr. 11:36-38; 12:1) Qofshim të gjithë të vendosur të jetojmë në përputhje me fjalët e Jobit: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë.» Integriteti ynë i dhëntë lavdi Jehovait sot e përgjithmonë!

KËNGA 124 Të rrimë besnikë

^ par. 5 Çfarë është integriteti? Pse Jehovai e vlerëson këtë cilësi te shërbëtorët e tij? Pse është i rëndësishëm integriteti për secilin prej nesh? Ky artikull do të na ndihmojë të gjejmë përgjigjet që u jep Bibla këtyre pyetjeve. Gjithashtu do të na ndihmojë të kuptojmë qartë si mund të marrim forcë që ta mbajmë integritetin ditë pas dite. Kjo do të na sjellë bekime të mëdha.

^ par. 3 Fjala hebraike e përkthyer «e shëndetshme» në rastin e kafshëve, lidhet me fjalën «integritet» që përdoret për njerëzit.

^ par. 50 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jobi si baba i ri duke mësuar disa nga fëmijët e tij për mrekullitë e krijimit të Jehovait.

^ par. 52 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla refuzon të bashkohet me shokët e punës për të parë pornografi.

^ par. 54 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla i reziston nxitjes për të blerë një televizor të madh e të shtrenjtë që nuk i nevojitet e nuk ia mban xhepi.

^ par. 56 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një vëlla lë kohë që të meditojë e të lutet për shpresën e Parajsës.