«Vazhdoni të ecni sipas frymës.»​—GAL. 5:16.

KËNGËT: 22, 75

1, 2. Çfarë mangësie zbuloi një vëlla në marrëdhënien e tij me Jehovain dhe si e ndreqi?

ROBERTI u pagëzua kur ishte adoleshent, por nuk e merrte seriozisht të vërtetën. Ai thotë: «Nuk bëra kurrë diçka të gabuar, por thjesht i bëja gjërat mekanikisht. Dukej sikur kisha marrëdhënie të fortë me Jehovain ngaqë ndiqja të gjitha mbledhjet dhe shërbeja si pionier ndihmës disa herë në vit. Por, diçka nuk shkonte.»

2 Vetë Roberti nuk e dalloi çfarë nuk shkonte derisa u martua. Ai dhe e shoqja kalonin kohë duke i bërë pyetje njëri-tjetrit për tema biblike. E shoqja, që kishte marrëdhënie të fortë me Jehovain, u përgjigjej pa problem pyetjeve, kurse Roberti ishte vazhdimisht në siklet se nuk dinte ç’të thoshte. Ai tregon: «Dukej sikur nuk dija asgjë. Thashë me vete: ‘Nëse do të marr drejtimin në adhurimin e Jehovait në familje, duhet të bëj diçka!’» Dhe ashtu bëri. Ai thotë: «Studiova, studiova e prapë studiova Biblën, e kështu copëzat u bashkuan në një tablo. Fitova kuptueshmëri dhe, më e rëndësishmja, zhvillova një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain.»

3. (a) Ç’mund të mësojmë nga përvoja e Robertit? (b) Cilat pika kryesore do të shqyrtojmë?

3 Nga përvoja e Robertit mund të nxjerrim mësime të rëndësishme. Mbase kemi ca njohuri nga Bibla dhe shoqërohemi rregullisht me kongregacionin, por këto gjëra nuk na bëjnë medoemos  njerëz që drejtohen nga fryma. Ose mund të kemi bërë tashmë përparim, por kur e shqyrtojmë më thellë veten zbulojmë se kemi ende nevojë të bëjmë përmirësime. (Filip. 3:16) Si ndihmë për të vazhduar përparimin tonë, në këtë artikull do t’i përgjigjemi tri pyetjeve kryesore: (1) Ç’do të na ndihmojë të analizojmë si është në të vërtetë marrëdhënia jonë me Jehovain? (2) Si mund ta kultivojmë marrëdhënien me Jehovain dhe të vazhdojmë të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma? (3) Si mund të na ndihmojë marrëdhënia e fortë me Jehovain në jetën e përditshme?

TË ANALIZOJMË VETEN

4. Për cilët vlen këshilla e Efesianëve 4:23, 24?

4 Kur u bëmë shërbëtorë të Perëndisë, bëmë një transformim që ndikoi në çdo aspekt të jetës sonë. Ky transformim nuk përfundoi kur u pagëzuam. Shkrimet na thonë [të vazhdojmë] të rinohemi në forcën që vë në veprim mendjen tonë’. (Efes. 4:23, 24) Meqë nuk jemi të përsosur, të gjithë duhet të vazhdojmë të bëjmë ndryshime. Madje edhe ata që i shërbejnë Jehovait nga shumë kohë duhet ta mbajnë të fortë marrëdhënien me të.​—Filip. 3:12, 13.

5. Cilat pyetje mund të na ndihmojnë të analizojmë veten?

5 Që ta përmirësojmë dhe ta mbajmë të fortë marrëdhënien me Jehovain duhet të analizojmë me ndershmëri veten. Të rinj a të moshuar qofshim, mund t’i bëjmë vetes këto pyetje: «A vërej te vetja ndryshime që tregojnë se po përparoj për t’u bërë njeri që mendon si Jehovai? A po bëhet personaliteti im si i Krishtit? Çfarë zbulon për thellësinë e marrëdhënies sime me Jehovain qëndrimi dhe sjellja ime në mbledhje? Çfarë tregojnë për dëshirat e mia bisedat që bëj? Çfarë zbulojnë për mua zakonet e studimit, veshja dhe paraqitja ose reagimi ndaj këshillave? Si reagoj kur përballem me tundime? A kam përparuar përtej gjërave elementare duke u bërë i krishterë i pjekur, tërësisht i rritur?» (Efes. 4:13) Meditimi për përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na ndihmojë të matim përparimin tonë.

6. Ç’gjë tjetër mund të nevojitet për të analizuar si është marrëdhënia jonë me Jehovain?

6 Për të analizuar si është marrëdhënia jonë me Jehovain, me raste mund të kemi nevojë për ndihmën e të tjerëve. Apostulli Pavël vuri në dukje se njeriu që ecën sipas mishit nuk e dallon se qëndrimi i tij para Perëndisë është i gabuar. Nga ana tjetër, njeriu që drejtohet nga fryma kupton pikëpamjen e Perëndisë, si edhe udhën e gabuar të njeriut fizik. (1 Kor. 2:14-16; 3:1-3) Meqë pleqtë kanë mendjen e Krishtit, shpesh dallojnë shenjat e para paralajmëruese të një mënyre të menduari sipas mishit. Nëse na i vënë në dukje, a i pranojmë këshillat e tyre dhe a i zbatojmë? Duke vepruar kështu, japim prova se dëshirojmë ta zhvillojmë marrëdhënien me Jehovain.​—Ekl. 7:5, 9.

TË KULTIVOJMË MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN

7. Pse njohuria nga Bibla nuk mjafton për t’u bërë njeri që mendon si Jehovai?

7 Të mbajmë ndër mend se për t’u bërë njerëz që mendojnë si Jehovai nuk mjafton të kemi njohuri nga Bibla. Solomoni, mbreti i lashtë, kishte shumë njohuri për udhët e Jehovait. Thëniet e tij u bënë më pas pjesë e Biblës. Por, si përfundim, ai nuk i qëndroi besnik Jehovait si burrë që drejtohej nga fryma. (1 Mbret. 4:29, 30; 11:4-6) Pra, çfarë nevojitet përveç njohurisë nga Bibla? Duhet të vazhdojmë të bëjmë përparim. (Kolos. 2:6, 7) Por, si ta bëjmë këtë?

8, 9. (a) Çfarë do të na ndihmojë të bëhemi të qëndrueshëm në besim? (b) Cilin synim kemi kur studiojmë dhe meditojmë? (Shih figurën hapëse.)

8 Pavli i nxiti të krishterët e shekullit të parë ‘të suleshin drejt pjekurisë’. (Hebr. 6:1)  Cilët hapa mund të bëjmë që të zbatojmë këshillën e Pavlit sot? Një hap i rëndësishëm është të studiosh librin Ruaj veten në dashurinë e Perëndisë’. Studimi i këtij libri deri në fund do të të ndihmojë të kuptosh si të zbatosh parimet e Biblës në jetën tënde. Nëse e ke përfunduar studimin e këtij libri, pse të mos kalosh në botime të tjera për studim që mund të të ndihmojnë të bëhesh i qëndrueshëm në besim? (Kolos. 1:23) A mediton e lutesh si ta zbatosh në jetën tënde atë që po studion?

9 Mos harro se studimi e meditimi duhen bërë me synimin që të zhvillojmë një dëshirë nga zemra për t’i pëlqyer Jehovait dhe për t’iu bindur ligjeve të tij. (Psal. 40:8; 119:97) Njëkohësisht, përpiqemi të hedhim poshtë gjërat që do të pengojnë përparimin tonë.​—Titit 2:11, 12.

10. Ç’mund të bëjnë të rinjtë që të kultivojnë marrëdhënien me Jehovain?

10 Nëse je i ri, a ke synime të qarta në shërbim të Jehovait? Një vëlla që shërben në Bethel, e ka zakon që kur ndjek asambletë qarkore të bisedojë me kandidatët për pagëzim para programit. Shumë kandidatë janë të rinj. Vëllai i pyet se çfarë synimesh kanë në shërbim të Jehovait. Përgjigjet e shumë prej tyre tregojnë se kanë një ide të qartë se çfarë duan të bëjnë për t’i shërbyer Jehovait​—mbase të nisin ndonjë formë të shërbimit në kohë të plotë ose të shërbejnë ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Por, me raste, disa të rinj nuk kanë ndonjë përgjigje. Mos ndoshta kjo tregon se ende nuk kanë vendosur në zemër të kenë synime të qarta për t’i shërbyer Jehovait? Si i ri, pyet veten: «A marr pjesë në aktivitete teokratike vetëm ngaqë prindërit e presin këtë nga unë? A po i afrohem më shumë Perëndisë duke kultivuar një marrëdhënie personale me të?» Pa dyshim që këshilla për të pasur synime në shërbim të Jehovait nuk vlen vetëm për të rinjtë. Synime të tilla do të na ndihmojnë të gjithëve si shërbëtorë të Jehovait ta thellojmë marrëdhënien me të.​—Ekl. 12:1, 13.

11. (a) Çfarë hapash duhet të hedhim që të përparojmë vërtet? (b) Cilin shembull nga Bibla mund të imitojmë?

11 Pasi kemi identifikuar aspekte ku duhet të përmirësohemi, kemi nevojë të hedhim hapa pozitivë që do të na ndihmojnë të përparojmë. Të bëhesh njeri i pjekur që drejtohet nga fryma është shumë e rëndësishme. Faktikisht, është një çështje për jetë a vdekje. (Rom. 8:6-8) Sidoqoftë, të jesh i krishterë i pjekur nuk do të thotë të jesh i përsosur. Fryma e Jehovait mund të na ndihmojë të bëjmë përparimin e nevojshëm. Prapëseprapë, duhen përpjekje nga ana jonë. Vite më parë, Xhon Barri, që shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës, bëri këtë koment në lidhje me Lukën 13:24: «Shumë nuk ia dalin mbanë, sepse nuk bëjnë përpjekje të zellshme për t’u bërë të fortë.» Duhet të jemi si Jakobi që u përlesh pa u dorëzuar me një engjëll derisa mori një bekim. (Zan. 32:26-28) Edhe pse studimi i Biblës mund të jetë i këndshëm, nuk duhet të presim që Bibla të jetë si një roman i shkruar thjesht për të na argëtuar. Duhet të përpiqemi të gjejmë në të xhevahire që do të na ndihmojnë.

12, 13. (a) Çfarë do të na ndihmojë të veprojmë sipas Romakëve 15:5? (b) Si mund të na ndihmojnë shembulli dhe këshilla e apostullit Pjetër? (c) Çfarë mund të bësh për të kultivuar marrëdhënien me Jehovain? (Shih kutinë « Hapa për të përparuar si njeri që drejtohet nga fryma».)

12 Teksa punojmë për të kultivuar një marrëdhënie të fortë me Jehovain, fryma e shenjtë do të na japë fuqinë për të transformuar mendjen. Me ndihmën e frymës, gradualisht mund të nisim të mendojmë gjithnjë e më shumë si Krishti. (Rom. 15:5) Veç kësaj, fryma do të na ndihmojë të çrrënjosim dëshirat e mishit dhe të kultivojmë cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. (Gal. 5:16, 22, 23)  Nëse zbulon se mendja po të shtyn drejt një mënyre të menduari materialiste ose drejt dëshirave të mishit nuk duhet të dorëzohesh. Vazhdo të kërkosh frymën e shenjtë, dhe Jehovai do të të ndihmojë ta ndryshosh qëndrimin mendor që të përqendrohesh te gjërat e duhura. (Luka 11:13) Kujto apostullin Pjetër. Disa herë në jetën e tij nuk reagoi siç duhet të reagojë një burrë që drejtohet nga fryma. (Mat. 16:22, 23; Luka 22:34, 54-62; Gal. 2:11-14) Por nuk u dorëzua. Gradualisht, me ndihmën e Jehovait, Pjetri zhvilloi një mënyrë të menduari si e Krishtit. Edhe ne mund ta bëjmë këtë.

13 Në fakt, Pjetri përmendi më pas aspekte specifike ku mund të punojmë. (Lexo 2 Pjetrit 1:5-8.) Ndërsa ‘bëjmë çdo përpjekje të zellshme’ për të zhvilluar cilësi si vetëkontrolli, qëndrueshmëria dhe përzemërsia vëllazërore do ta kemi më të lehtë të vazhdojmë të përparojmë. Pse të mos e pyesësh veten çdo ditë: «Në ç’aspekt mund të punoj sot që të përparoj?»

TË ZBATOJMË PARIMET E BIBLËS NË JETËN E PËRDITSHME

14. Kur e mbajmë mendjen te fryma, si ndikon kjo te jeta jonë?

14 Mënyra e të menduarit si Krishti do të ndikojë tek i foluri ynë, te sjellja jonë në punë a në shkollë dhe te vendimet që marrim çdo ditë. Këto vendime do të zbulojnë se bëjmë çmos të jemi dishepuj të Krishtit. Si njerëz që drejtohemi nga fryma, duam që asgjë të mos na e vërë në rrezik marrëdhënien me Atin tonë qiellor. Kur përballemi me tundime, qëndrimi ynë si i Krishtit do të na nxitë t’i largojmë tej. Kur marrim vendime do të ndalemi e do të meditojmë për këto pyetje: «Cilat parime nga Bibla do të më ndihmojnë që të vendos? Ç’do të bënte Krishti në këtë situatë? Cili vendim do të kënaqë Jehovain?» Që të stërvitemi për të menduar në këtë mënyrë, le të marrim si shembuj disa situata. Në çdo shembull do të veçojmë një parim nga Bibla që mund të na ndihmojë të marrim një vendim të mençur.

15, 16. Jepni shembuj si na ndihmon mënyra e të menduarit si Krishti kur marrim vendime për (a) zgjedhjen e bashkëshortit. (b) zgjedhjen e shoqërisë.

15 Zgjedhja e bashkëshortit. Parimi biblik gjendet te 2 Korintasve 6:14, 15. (Lexoje.) Fjalët e Pavlit e tregojnë qartë se një njeri që drejtohet nga fryma nuk mund të jetë në harmoni të plotë me një njeri fizik. Si mund të zbatohet ky parim në zgjedhjen e bashkëshortit?

16 Shoqëria. Shiko parimin biblik që gjendet te 1 Korintasve 15:33. (Lexoje.) Një njeri i përkushtuar nuk do të përzihet me ata që mund t’i vënë në rrezik marrëdhënien me Jehovain. Cilat pyetje mund të të ndihmojnë ta vësh këtë në praktikë? Për shembull, si zbatohet ky parim për rrjetet sociale? Çfarë duhet të bësh nëse të ftojnë të luash online me të panjohur?

A do të më ndihmojnë vendimet e mia që të përparoj? (Shih paragrafin 17.)

17-19. Kur i sheh gjërat si Jehovai, si të ndihmon kjo (a) të shmangësh aktivitetet e kota? (b) të vësh synime në jetë? (c) të përballosh mosmarrëveshjet?

17 Aktivitetet që pengojnë përparimin tonë. Fjalët që u shkroi Pavli bashkëbesimtarëve  përmbajnë një paralajmërim. (Lexo Hebrenjve 6:1.) Çfarë janë «veprat e vdekura» që duhet të shmangim? Çdo aktivitet që është i vdekur, pra i kotë ose i pafrytshëm për të na forcuar marrëdhënien me Jehovain. Ky parim mund të na ndihmojë për shumë pyetje që na dalin në jetë, si: «A futet ky aktivitet te veprat e vdekura? A duhet të përfshihem në këtë ofertë për të fituar para? Pse nuk duhet të bashkohem me lëvizjet reformuese të botës?»

A do të më ndihmojnë vendimet e mia që të vë synime në shërbim të Jehovait? (Shih paragrafin 18.)

18 Synimet në shërbim të Jehovait. Fjalët e Jezuit te Predikimi në Mal na japin një drejtim të qartë për synimet që duhet të vëmë. (Mat. 6:33) Një njeri që drejtohet nga fryma ndjek synime të përqendruara te shërbimi i Jehovait. Mbajtja në mendje e këtij parimi na ndihmon t’u përgjigjemi pyetjeve të tilla, si: «A duhet të ndjek planet për një arsimim të lartë? A duhet ta pranoj këtë ofertë pune?»

A do të më ndihmojnë vendimet e mia që ‘të jem paqësor’? (Shih paragrafin 19.)

19 Mosmarrëveshjet. Si na ndihmon këshilla që i dha Pavli kongregacionit të Romës kur kemi mosmarrëveshje? Si dishepuj të Krishtit përpiqemi të jemi «paqësorë me të gjithë». (Rom. 12:18) Si reagojmë kur lindin mosmarrëveshje? A e kemi të vështirë të hapim rrugë apo na njohin si njerëz «që bëjnë paqe»?​—Jak. 3:18.

20. Pse dëshiron të përparosh si njeri që drejtohet nga fryma?

20 Këta janë vetëm disa shembuj që tregojnë si na ndihmon meditimi për parimet e Biblës të marrim vendime që provojnë se drejtohemi nga fryma. Kur jemi njerëz që mendojnë si Jehovai, kjo na e bën çdo ditë jetën më të lumtur e më të kënaqshme. Roberti, për të cilin folëm në fillim të artikullit, thotë: «Pasi zhvillova një marrëdhënie të vërtetë me Jehovain u bëra bashkëshort e baba më i mirë. Isha i kënaqur dhe i lumtur.» Nëse për ne ka përparësi të përparojmë si njerëz që drejtohen nga fryma, mund të shijojmë bekime të ngjashme. Do të gëzojmë një jetë më të kënaqshme tani dhe «jetën e vërtetë» në të ardhmen.​—1 Tim. 6:19.