Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A e njeh Jehovain ashtu si Noeja, Danieli dhe Jobi?

A e njeh Jehovain ashtu si Noeja, Danieli dhe Jobi?

«Njerëzit e dhënë pas së keqes nuk mund ta kuptojnë drejtësinë, kurse ata që e kërkojnë Jehovain mund të kuptojnë gjithçka.»​—PROV. 28:5.

KËNGËT: 126, 150

1-3. (a) Çfarë do të na ndihmojë ta mbajmë të fortë besimin te Perëndia gjatë këtyre ditëve të fundit? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

TEKSA ditët e fundit po mbarojnë, të ligjtë vazhdojnë ‘të mbijnë si bari’. (Psal. 92:7) Ndaj s’është çudi që shumë veta i braktisin normat morale. Në këtë ambient, si mund të jemi «foshnja për sa i përket së keqes», por «tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar»?​—1 Kor. 14:20.

2 Përgjigjen e gjejmë te shkrimi kryesor i këtij artikulli, që pjesërisht thotë: «Ata që e kërkojnë Jehovain mund të kuptojnë gjithçka», domethënë gjithçka që nevojitet për t’i pëlqyer atij. (Prov. 28:5) Një mendim të ngjashëm e gjejmë te Proverbat 2:7, 9, që thotë se Jehovai ‘e ruan si thesar mençurinë për të drejtët’. Si rezultat, të drejtët janë në gjendje ‘të kuptojnë drejtësinë, gjykimin dhe ndershmërinë, gjithë udhën e asaj që është e mirë’.

3 Noeja, Danieli dhe Jobi e fituan këtë mençuri. (Ezek. 14:14) Kështu ndodh edhe me shërbëtorët e Perëndisë sot. Po ç’të themi për ty personalisht? A ‘kupton gjithçka’ që nevojitet  për t’i pëlqyer Jehovait? Çelësi është të kemi njohuri të saktë për të. Duke pasur parasysh këtë, le të shqyrtojmë (1) si e njohën Perëndinë Noeja, Danieli dhe Jobi, (2) si u solli dobi kjo njohuri dhe (3) si të kultivojmë një besim si besimi i tyre.

NOEJA ECI ME PERËNDINË NË NJË BOTË TË LIGË

4. Si e njohu Noeja Jehovain, dhe si e ndihmoi njohuria e saktë?

4 Si e njohu Noeja Jehovain. Që në fillim të historisë njerëzore, burra e gra plot besim kanë mësuar për Perëndinë në këto tri mënyra kryesore: nga vëzhgimi i veprave të krijimit, nga njerëz të tjerë me frikë Perëndie dhe duke provuar bekimet që sjell një jetë në harmoni me normat dhe parimet e drejta të Perëndisë. (Isa. 48:18) Ndërsa vëzhgonte krijimin, Noeja do të ketë parë prova të bollshme jo vetëm të ekzistencës së Perëndisë, por edhe të shumë cilësive të tij të padukshme, si «fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij». (Rom. 1:20) Si rezultat, Noeja jo thjesht besonte te Perëndia, por edhe zhvilloi besim të fortë tek Ai.

5. Si mësoi Noeja rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzimin?

5 Besimi «vjen pasi dikush ka dëgjuar». (Rom. 10:17) Si dëgjoi Noeja për Jehovain? Pa dyshim që ai mësoi shumë nga të afërmit. Ndër ta ishte i ati, Lameku, një burrë plot besim që kishte lindur kur ishte ende gjallë Adami. (Shih figurën hapëse.) Gjithashtu, ishte gjyshi i tij, Metuselahu, si edhe katragjyshi, Jaredi, që ishte bashkëkohës i Noesë për 366 vjet. * (Luka 3:36, 37) Mbase nga këta burra dhe nga gratë e tyre, Noeja mësoi për zanafillën e njerëzimit, për qëllimin e Perëndisë që një familje e drejtë njerëzore të mbushë tokën dhe për rebelimin në Eden—pasojat e të cilit Noeja mund t’i shihte me sytë e vet. (Zan. 1:28; 3:16-19, 24) Sido të ketë qenë, ajo që mësoi, e preku në zemër Noenë dhe e nxiti t’i shërbente Perëndisë.​—Zan. 6:9.

6, 7. Si ia forcoi besimin Noesë shpresa?

6 Besimi forcohet nga shpresa. Imagjino, pra, si duhet të jetë ndier Noeja kur mësoi se emri i tij, që ka të ngjarë të ketë kuptimin «prehje, ngushëllim», mbartte shpresë! (Zan. 5:29) Nën frymëzim, Lameku tha: «Ky [Noeja] do të na sjellë ngushëllim për . . . mundin e duarve tona, ngaqë toka është e mallkuar nga Jehovai.» Noeja shpresonte te Perëndia. Njësoj si Abeli dhe Enoku para tij, ai kishte besim te ‘fara’ që do t’i shtypte kokën gjarprit.​—Zan. 3:15.

7 Edhe pse ndoshta nuk i kuptonte hollësitë e profecisë së dokumentuar te Zanafilla 3:15, pa dyshim që Noeja dalloi tek ajo shpresën e çlirimit. Veç kësaj, ai premtim edenik përputhej me mesazhin që kishte shpallur Enoku, që gjithashtu parathoshte gjykimin e Perëndisë për të ligjtë. (Jud. 14, 15) Mesazhi i Enokut, që do ta ketë përmbushjen përfundimtare në Harmagedon, me siguri ia forcoi besimin dhe shpresën Noesë!

8. Në cilat mënyra e mbrojti Noenë njohuria e saktë për Perëndinë?

8 Si i solli dobi Noesë njohuria e saktë për Perëndinë. Njohuria e saktë i dha Noesë besim dhe mençuri hyjnore, që ishin një mbrojtje për të, sidomos një mbrojtje për të mos bërë asgjë që do ta lëndonte Jehovain. Për shembull, ngaqë «eci me Perëndinë e vërtetë», Noeja nuk ecte, ose nuk shoqërohej, me njerëz që s’kishin respekt për Perëndinë. Nuk u mashtrua nga demonët me trupa njerëzorë, që me aftësitë e  tyre të mbinatyrshme pa dyshim i linin gojëhapur njerëzit pa besim e naivë​—mbase deri aty sa i adhuronin si idhuj. (Zan. 6:1-4, 9) Veç kësaj, Noeja e dinte se Perëndia u kishte thënë njerëzve të shumoheshin e të mbushnin tokën. (Zan. 1:27, 28) Ndaj, duhet ta ketë ditur se lidhjet seksuale mes grave dhe engjëjve me trupa njerëzorë ishin të panatyrshme dhe të gabuara. Ky përfundim që nxori Noeja patjetër u vërtetua kur nga ato lidhje lindën pasardhës të pazakontë. Me kohë, Perëndia e paralajmëroi Noenë se do të sillte një përmbytje në tokë. Besimi tek ai paralajmërim e nxiti Noenë të ndërtonte arkën, duke shpëtuar kështu familjen e tij.​—Hebr. 11:7.

9, 10. Si mund ta imitojmë besimin e Noesë?

9 Si të kultivojmë një besim si ai i Noesë. Çelësi është të jemi studiues të mirë të Fjalës së Perëndisë, ta çojmë thellë në zemër atë që mësojmë dhe të lejojmë që kjo njohuri të na modelojë e të na udhëheqë. (1 Pjet. 1:13-15) Kështu, besimi dhe mençuria hyjnore do të na mbrojnë nga intrigat dinake të Satanait dhe nga fryma e ligë e botës. (2 Kor. 2:11) Kjo frymë ushqen dashurinë për dhunën dhe imoralitetin. Ajo i shtyn njerëzit të përqendrohen te dëshirat e mishit. (1 Gjon. 2:15, 16) Madje mund t’i nxitë njerëzit me besim të dobët të shpërfillin provat se dita e madhe e Perëndisë është afër. Vër re se kur Jezui e krahasoi kohën tonë me atë të Noesë, nuk u përqendrua te dhuna a imoraliteti, por te rreziqet e këtij indiferentizmi.​—Lexo Mateun 24:36-39.

10 Pyet veten: «A tregon mënyra si jetoj se e njoh vërtet Jehovain? A më nxit besimi që jo vetëm të jetoj sipas normave të drejta të Perëndisë, por edhe t’u flas të tjerëve për to?» Përgjigjet e tua tregofshin se edhe ti ‘ecën me Perëndinë e vërtetë’!

DANIELI TREGOI MENÇURI HYJNORE NË BABILONINË PAGANE

11. (a) Çfarë na zbulon përkushtimi hyjnor i Danielit gjatë rinisë për mënyrën si u rrit? (b) Cilat cilësi të Danielit dëshiron të imitosh?

11 Si e njohu Danieli Jehovain. Me sa duket prindërit e kishin stërvitur mirë Danielin dhe e kishin mësuar të donte Jehovain dhe Fjalën e tij të shkruar. Atë dashuri Danieli e mbajti të fortë gjatë gjithë jetës. Madje edhe në moshë të shkuar shohim se ishte i përpirë në studimin e Shkrimeve. (Dan. 9:1, 2) Profeti e njihte thellë Perëndinë, përfshirë mënyrën si vepronte Ai me Izraelin, dhe kjo pasqyrohet bukur te lutja e tij plot pendim e nga zemra që gjendet te Danieli 9:3-19. Pse të mos ndalesh pak që ta lexosh këtë lutje e të meditosh rreth saj? Ndërsa e bën këtë, përpiqu të dallosh çfarë tregon ajo për personalitetin e Danielit.

12-14. (a) Në cilat mënyra tregoi mençuri hyjnore Danieli? (b) Si e bekoi Perëndia Danielin për besnikërinë dhe guximin?

12 Si i solli dobi Danielit njohuria e saktë për Perëndinë. Për një jude besnik, jeta në Babiloninë pagane paraqiste vështirësi të mëdha. Për shembull, Jehovai i udhëzoi judenjtë: «Kërkoni paqen e qytetit ku ju kam çuar në mërgim.» (Jer. 29:7) Mirëpo, në të njëjtën kohë, u kërkoi t’i përkushtoheshin vetëm atij. (Dal. 34:14) Çfarë e ndihmoi Danielin të mbante ekuilibrin mes këtyre dy kërkesave? Falë mençurisë hyjnore ai kuptoi parimin e nënshtrimit relativ ndaj autoriteteve qeveritare. Shekuj më vonë, Jezui u mësoi njerëzve pikërisht këtë parim.​—Luka 20:25.

13 Mendo pak se çfarë bëri Danieli kur doli një dekret zyrtar që për 30 ditë ndalonte t’i drejtohej lutje ndonjë perëndie a njeriu tjetër përveç mbretit. (Lexo Danielin 6:7-10.) Danieli mund të nxirrte justifikime e të thoshte: «Hajt se vetëm 30 ditë janë!» Mirëpo ai nuk lejoi që një urdhër i mbretit të dilte mbi detyrimet e tij biblike.  Sigurisht, edhe mund të lutej më privatisht që të mos binte në sy. Ama ai e dinte se zakonin e tij të përditshëm për t’u lutur e njihnin shumë veta. Prandaj, vendosi të mos jepte as edhe përshtypjen se po bënte kompromis me adhurimin e tij, ndonëse kjo mund t’i kushtonte jetën.

14 Jehovai e bekoi vendimin e guximshëm dhe besnik të Danielit duke bërë një mrekulli për ta shpëtuar nga një vdekje mizore. Në fakt, rezultati ishte një dëshmi e mrekullueshme për Jehovain që arriti deri në skajet më të largëta të Perandorisë Medo-Perse.​—Dan. 6:25-27.

15. Si mund të kultivojmë një besim si ai i Danielit?

15 Si të kultivojmë një besim si ai i Danielit. Çelësi për të zhvilluar besim të fortë nuk është thjesht të lexojmë Fjalën e Perëndisë, por ‘të kapim kuptimin’ e saj. (Mat. 13:23) Duam të kuptojmë si mendon Jehovai për çështje të ndryshme, e kjo përfshin të kuptojmë parimet e Biblës. Ja pse duhet të meditojmë rreth asaj që lexojmë. Është e rëndësishme edhe të lutemi rregullisht nga zemra, sidomos kur hasim sprova ose situata të tjera të vështira. Kur lutemi me besim për mençuri dhe forcë, Jehovai do të na i japë bujarisht.​—Jak. 1:5.

JOBI ZBATOI PARIMET HYJNORE NË KOHË TË MIRA E TË KËQIJA

16, 17. Si fitoi njohuri të saktë për Perëndinë Jobi?

16 Si e njohu Jobi Jehovain. Jobi nuk ishte izraelit. Megjithatë ishte farefis i largët i Abrahamit, Isakut e Jakobit, të cilëve Jehovai u kishte zbuluar hollësi për veten dhe për qëllimin e tij për njerëzimin. Në ndonjë mënyrë që s’e dimë, Jobi mësoi shumë nga ato të vërteta të çmuara. (Jobi 23:12) «Kisha dëgjuar për ty»,​—i tha Jobi Perëndisë. (Jobi 42:5) Veç kësaj, vetë Jehovai u shpreh se Jobi tha të vërtetën për Të.​—Jobi 42:7, 8.

Besimi ynë forcohet kur shohim cilësitë e padukshme të Perëndisë te krijimi i dukshëm (Shih paragrafin 17.)

17 Gjithashtu, Jobi pa shumë nga cilësitë e padukshme të Perëndisë te krijimi i dukshëm. (Jobi 12:7-9, 13) Më vonë, Elihu dhe Jehovai përdorën aspekte të krijimit për t’i kujtuar Jobit sa i vogël është njeriu në krahasim me madhështinë e Perëndisë. (Jobi 37:14; 38:1-4) Fjalët e Jehovait i shkuan në zemër Jobit, sepse i tha me përulësi Perëndisë: «Tani e di se ti je në gjendje të bësh gjithçka, dhe s’ka synim që ti s’e arrin. . . . Pendohem e ulem në pluhur dhe në hi.»​—Jobi 42:2, 6.

18, 19. Në cilat mënyra tregoi Jobi se e njihte vërtet Jehovain?

 18 Si i solli dobi Jobit njohuria e saktë për Perëndinë. Jobi i kuptonte thellë parimet hyjnore. Ai e njihte vërtet Jehovain dhe vepronte sipas asaj njohurie. Mendo pak: Jobi e dinte mirë se nuk mund të pohonte që e donte Perëndinë e nga ana tjetër të mos u tregonte dashamirësi njerëzve. (Jobi 6:14) Ai nuk e ngrinte veten mbi të tjerët, por tregonte merak vëllazëror për këdo, i pasur a i varfër. «Ai që më bëri mua në bark të nënës, a nuk bëri edhe atë?»​—tha ai. (Jobi 31:13-22) Është e qartë se Jobi nuk kishte lejuar që prestigji dhe pasuria e dikurshme t’i shtrembëronin pikëpamjen për veten a për të tjerët. Çfarë kontrasti me shumë njerëz të pasur e me pushtet në botë!

19 Jobi hodhi poshtë çdo formë idhujtarie​—madje edhe në zemrën e tij. Ai e dinte se adhurimi i rremë, duke përfshirë edhe përkushtimin ndaj pasurive materiale, do të ishte njësoj si të mohonte «Perëndinë e vërtetë atje lart». (Lexo Jobin 31:24-28.) Jobi e konsideronte martesën si një lidhje të shenjtë mes një burri e një gruaje. Madje bëri një besëlidhje me sytë e tij për të mos parë në mënyrë imorale një virgjëreshë. (Jobi 31:1) Ki parasysh se ai jetoi në një kohë kur Perëndia e toleronte poligaminë. Pra, Jobi mund të kishte marrë një grua të dytë po të donte. * Por, me sa duket ai mori si model lidhjen martesore që themeloi Perëndia në Eden, duke e konsideruar këtë shembull si ligj për veten. (Zan. 2:18, 24) Rreth 1.600 vjet më vonë, Jezu Krishti i mësoi dëgjuesit e tij të respektonin të njëjtat parime të drejta lidhur me martesën dhe moralin seksual.​—Mat. 5:28; 19:4, 5.

20. Si na ndihmon njohuria e saktë për Jehovain dhe për normat e tij të zgjedhim një shoqëri të mirë dhe zbavitje të shëndetshme?

20 Si të kultivojmë një besim si ai i Jobit. Edhe një herë, çelësi është të kemi njohuri të saktë për Jehovain dhe të lejojmë që kjo njohuri të na udhëheqë në çdo aspekt të jetës. Për shembull, psalmisti David thotë se Jehovai ‘urren atë që do dhunën’; gjithashtu Davidi na paralajmëron të mos shoqërohemi me «njerëz që nuk ecin në të vërtetën». (Lexo Psalmin 11:5; 26:4.) Çfarë të zbulojnë këto shkrime për mënyrën si mendon Perëndia? Si duhet të ndikojë kjo te përparësitë e tua, te përdorimi i Internetit dhe te zgjedhja e shoqërisë dhe e zbavitjeve? Përgjigjet që jep mund të të ndihmojnë të kuptosh sa mirë e njeh Jehovain. Që të mbetemi të paqortueshëm në këtë botë të ligë e të ndërlikuar, duhet të stërvitim «aftësitë perceptuese» që të dallojmë jo thjesht një gjë të drejtë nga një e gabuar, por edhe një gjë të mençur nga një gjë e pamend.​—Hebr. 5:14; Efes. 5:15.

21. Çfarë do të na ndihmojë ‘të kuptojmë gjithçka’ që duhet të dimë për t’i pëlqyer Atit tonë qiellor?

21 Ngaqë Noeja, Danieli dhe Jobi e kërkuan Jehovain me gjithë zemër, ai i la ta gjenin. I ndihmoi ‘të kuptonin gjithçka’ që nevojitej për t’i pëlqyer atij. Kështu u bënë shembuj drejtësie dhe patën një jetë vërtet të suksesshme. (Psal. 1:1-3) Ndaj pyet veten: «A e njoh Jehovain po aq mirë sa Noeja, Danieli dhe Jobi?» Në fakt, falë dritës së të vërtetës që ndriçon më fort, ti mund ta njohësh edhe më plotësisht! (Prov. 4:18) Prandaj, gërmo thellë në Fjalën e Perëndisë. Medito rreth saj. Lutu për frymën e shenjtë. Atëherë do të afrohesh gjithnjë e më shumë me Atin tënd qiellor. E do të veprosh me gjykim të thellë dhe mençuri në botën e sotme të paperëndishme.​—Prov. 2:4-7.

^ par. 5 Edhe stërgjyshi i Noesë, Enoku, «vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë». Por «Perëndia e mori» 69 vjet para se të lindte Noeja.​—Zan. 5:23, 24.

^ par. 19 E njëjta gjë mund të thuhet për Noenë. Ai kishte vetëm një grua, ndonëse poligamia nisi të praktikohej pak pas rebelimit në Eden.​—Zan. 4:19.