«Unë e kam thënë, dhe unë do ta plotësoj. Unë e kam vendosur, dhe unë do ta realizoj.»​—ISA. 46:11.

KËNGËT: 147, 149

1, 2. (a) Çfarë na ka zbuluar Jehovai? (b) Çfarë sigurie gjejmë tek Isaia 46:10, 11 dhe 55:11?

BIBLA hapet me këto fjalë të thjeshta, por të thella: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zan. 1:1) Është e vërtetë që kemi fare pak njohuri për gjërat e shumta që ka krijuar Perëndia​—të tilla si hapësira kozmike, drita, forca e rëndesës—​dhe kemi parë vetëm një pjesëz të vockël të universit. (Ekl. 3:11) Ama, Jehovai na ka zbuluar qëllimin e tij për tokën dhe për njerëzimin. Toka do të ishte shtëpia ideale për burrat e gratë të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. (Zan. 1:26) Ata do të ishin fëmijët e tij dhe Jehovai do të ishte Ati i tyre.

2 Por siç shpjegohet në kapitullin e tretë të Zanafillës, qëllimi i Jehovait hasi një vështirësi. (Zan. 3:1-7) Gjithsesi, ajo vështirësi nuk ishte aspak e pakapërcyeshme. Askush nuk e pengon dot Jehovain. (Isa. 46:10, 11; 55:11) Prandaj, mund të jemi të sigurt se qëllimi që kishte në fillim Jehovai do të plotësohet tamam në kohë!

3. (a) Cilat të vërteta janë jetësore që të kuptojmë mesazhin e Biblës? (b) Pse po i rishikojmë tani këto mësime? (c) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Sigurisht, i njohim mirë të vërtetat e Biblës rreth qëllimit të Perëndisë për tokën e për njerëzimin, si edhe rreth rolit kyç të Jezu Krishtit në plotësimin e qëllimit të Perëndisë. Këto të vërteta kanë rëndësi jetësore dhe ka të ngjarë të jenë ndër të  vërtetat e para që mësuam kur filluam të studionim Fjalën e Perëndisë. Prandaj, duam t’i ndihmojmë njerëzit e sinqertë t’i njohin mirë këto mësime jetësore. Tani, teksa po studiojmë këtë artikull si kongregacion, po përpiqemi fort të ftojmë sa më shumë veta në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit. (Luka 22:19, 20) Të pranishmit do të mësojnë shumë për qëllimin e Perëndisë. Kështu, këto pak ditë që na ndajnë nga Përkujtimi janë momenti i duhur që të mendojmë çfarë pyetjesh specifike mund të përdorim, që t’u ngjallim interes për këtë ngjarje të rëndësishme studentëve tanë të Biblës dhe njerëzve të tjerë të sinqertë. Do të shqyrtojmë tri pyetje: cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën dhe për njerëzimin? Çfarë shkoi keq? Dhe pse flijimi shpërblyes i Jezuit është çelësi që hap derën për t’u bërë realitet qëllimi i Perëndisë?

CILI ISHTE QËLLIMI FILLESTAR I KRIJUESIT?

4. Si e shpall krijimi lavdinë e Perëndisë?

4 Si Krijues, Jehovai na mbush me nderim të thellë. Çdo gjë që krijon është e standardeve më të larta. (Zan. 1:31; Jer. 10:12) Ç’mund të mësojmë nga bukuria dhe rregulli që shihen qartë te krijimi? Kur vëzhgojmë krijimin, na lë pa fjalë mënyra se si çdo vepër që ka krijuar Jehovai, e vogël a e madhe, shërben për një qëllim të dobishëm. E kush nuk mrekullohet nga hollësitë e ndërlikuara të qelizës njerëzore, nga njomësia e një foshnje të sapolindur ose nga bukuria magjepsëse e një perëndimi dielli?! Ne i admirojmë këto krijime, sepse kemi një ndjenjë të lindur për bukurinë e vërtetë.​—Lexo Psalmin 19:1; 104:24.

5. Çfarë ka bërë Jehovai për t’u siguruar që i gjithë krijimi të funksionojë në harmoni?

5 Siç shihet qartë nga krijimi, me dashuri Jehovai ka vënë kufij. Ai bëri qoftë ligjet e natyrës, qoftë ligjet morale për t’u siguruar që çdo gjë të funksionojë në harmoni. (Psal. 19:7-9) Si rrjedhojë, të gjitha gjërat në univers kanë një vend të caktuar dhe funksionojnë sipas rolit të tyre në qëllimin e Perëndisë. Jehovai përcakton standardin se si duhet të bashkëpunojë krijimi i tij. Për shembull, ligji i rëndesës e mban atmosferën afër tokës, mban nën kontroll baticat, zbaticat e oqeanet dhe ndikon te rregullsia në natyrë që është thelbësore për jetën në tokë. I gjithë krijimi, përfshirë njerëzit, lëviz dhe funksionon brenda këtyre kufijve. Është e qartë se rregullsia në krijim dëshmon se Perëndia ka një qëllim për tokën e për njerëzimin. Pse të mos ua tërheqim vëmendjen njerëzve te Shkaku i kësaj rregullsie mbresëlënëse kur jemi në shërbim?​—Zbul. 4:11.

6, 7. Cilat janë disa dhurata që u dha Jehovai Adamit dhe Evës?

6 Qëllimi fillestar i Jehovait ishte që njerëzimi të jetonte përgjithmonë këtu në tokë. (Zan. 1:28; Psal. 37:29) Me bujari, ai u dha Adamit dhe Evës një shumëllojshmëri dhuratash të çmuara që ta shijonin jetën. (Lexo Jakovin 1:17.) Jehovai u dha vullnet të lirë, aftësinë për të arsyetuar dhe potencialin për të dashur e për të gëzuar miqësi. Krijuesi foli me Adamin dhe e udhëzoi si të tregonte bindje. Veç kësaj, Adami mësoi si të plotësonte nevojat e veta dhe si të kujdesej për kafshët e për tokën. (Zan. 2:15-17, 19, 20) Gjithashtu, Jehovai i krijoi Adamin dhe Evën me shqisat e të shijuarit, të prekjes, të shikimit, të dëgjimit dhe të nuhatjes. Kështu mund të kënaqeshin në maksimum me bukurinë dhe begatinë e shtëpisë së tyre parajsore. Çifti i parë njerëzor kishte mundësi të pafundme  për punë të kënaqshme, arritje dhe zbulime të reja.

7 Çfarë përfshinte tjetër qëllimi i Perëndisë? Jehovai i krijoi Adamin dhe Evën me aftësinë për të pasur fëmijë të përsosur. Perëndia kishte si synim që edhe fëmijët e tyre të lindnin fëmijë, derisa familja njerëzore të mbushte tokën mbarë. Ai dëshironte që Adami dhe Eva, si edhe gjithë prindërit pas tyre, t’i donin fëmijët ashtu siç i donte Jehovai fëmijët e tij të parë të përsosur njerëzorë. Toka bashkë me tërë pasuritë e saj do të bëhej shtëpia e tyre e përhershme.​—Psal. 115:16.

ÇFARË SHKOI KEQ?

8. Për çfarë qëllimi shërbente ligji që gjendet te Zanafilla 2:16, 17?

8 Gjërat nuk shkuan menjëherë sipas qëllimit të Perëndisë. Pse? Jehovai u dha Adamit dhe Evës një ligj të thjeshtë që shërbente për të provuar nëse i pranonin kufijtë e lirisë së tyre. Ai tha: «Mund të hash sa të ngopesh nga çdo pemë e kopshtit. Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zan. 2:16, 17) Për Adamin dhe Evën nuk ishte e vështirë ta kuptonin atë ligj, e as do të hiqnin ndonjë vështirësi duke iu bindur atij. Tekefundit, ata kishin në dispozicion më tepër ushqim nga ç’mund të hanin.

9, 10. (a) Cilën akuzë hodhi Satanai kundër Jehovait? (b) Çfarë vendimi morën Adami dhe Eva? (Shih figurën hapëse.)

9 Me anë të një gjarpri, Satana Djalli e mashtroi Evën që të mos i bindej Atit të saj, Jehovait. (Lexo Zanafillën 3:1-5; Zbul. 12:9) Satanai e bëri çështje të madhe faktin që fëmijëve njerëzorë të Perëndisë nuk u lejohej të hanin «nga çdo pemë e kopshtit». Ishte sikur po i thoshte Evës: «Po më thua që nuk bëni dot çfarë të doni?!» Pastaj, tha një gënjeshtër sheshit: «Ju s’keni për të vdekur aspak.» Më pas u përpoq t’i mbushte mendjen Evës se nuk kishte nevojë të dëgjonte Perëndinë, duke thënë: «Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen.» Satanai la të kuptohej se Jehovai nuk donte që ata të hanin frytin ngaqë kështu do t’u hapeshin sytë. Më tej, Satanai bëri këtë premtim bosh: «Ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.»

10 Tani Adami dhe Eva duhej të vendosnin çfarë të bënin. A do t’i bindeshin Jehovait apo do t’i vinin veshin gjarprit? Ata vendosën të mos i bindeshin Perëndisë. Në këtë mënyrë u bashkuan me Satanain në rebelimin e tij. Ata e hodhën poshtë Jehovain si Atin e tyre dhe u shkëputën nga siguria që jepte qeverisja e tij mbrojtëse.​—Zan. 3:6-13.

11. Pse nuk e toleron rebelimin Jehovai?

11 Duke u rebeluar kundër Jehovait, Adami dhe Eva humbën përsosmërinë. Veç kësaj, si pasojë e rebelimit u larguan nga Jehovai, sepse ‘sytë e tij janë tepër të pastër për të parë të keqen’. Ja pse ai nuk mund ta tolerojë ose ‘ta shohë ligësinë’. (Hab. 1:13) Po ta kishte toleruar, do të vihej në rrezik mirëqenia e gjithë krijesave të tij, në qiell e në tokë. Mbi gjithçka, sikur Perëndia të mos kishte bërë asgjë për mëkatin që u krye në Eden, do të ishte vënë në pikëpyetje besueshmëria e tij. Por Jehovai është besnik ndaj normave të tij; nuk i shkel kurrë ato. (Psal. 119:142) Prandaj, fakti që kishin vullnet të lirë nuk u jepte leje Adamit dhe Evës të shpërfillnin ligjin e Perëndisë. Si pasojë e rebelimit kundër Jehovait, ata vdiqën dhe u kthyen në pluhur, nga i cili ishin krijuar.​—Zan. 3:19.

12. Çfarë u ndodhi fëmijëve të Adamit?

12 Kur Adami dhe Eva hëngrën nga  fryti, e vunë veten në një pozitë ku s’mund të pranoheshin më si pjesëtarë të familjes universale të Perëndisë. Perëndia i dëboi nga Edeni, dhe ata s’kishin kurrfarë shprese se do të ktheheshin ndonjëherë. (Zan. 3:23, 24) Kështu, Jehovai me të drejtë bëri të përballeshin me pasojat e vendimit që morën vetë. (Lexo Ligjin e përtërirë 32:4, 5.) Tani që s’ishte më i përsosur, njeriu nuk i pasqyronte dot në mënyrë të përsosur cilësitë e Perëndisë. Adami jo vetëm që humbi një të ardhme të mrekullueshme për veten, por edhe u la trashëgimi fëmijëve të tij papërsosmërinë, mëkatin dhe vdekjen. (Rom. 5:12) Ai u grabiti pasardhësve perspektivën për të jetuar pafundësisht. Gjithashtu, Adami dhe Eva, e as ndonjë nga fëmijët e tyre, nuk mund të lindnin më fëmijë të përsosur. Pasi largoi nga Perëndia Adamin dhe Evën, Satana Djalli ka vazhduar të mashtrojë njerëzimin deri sot e kësaj dite.​—Gjoni 8:44.

SHPËRBLESA MBYLL NJË HENDEK

13. Çfarë do Jehovai për njerëzimin?

13 Pavarësisht nga këto, dashuria e Perëndisë për njerëzit nuk është venitur. Ndonëse Adami dhe Eva u rebeluan, Jehovai do që njerëzimi të gëzojë një marrëdhënie të mirë me të. Ai nuk dëshiron që të vdesë ndonjë. (2 Pjet. 3:9) Prandaj, fill pas rebelimit, Perëndia mori masa që njerëzit të rifitonin miqësinë me të, e njëkohësisht mbajti normat e tij të drejta. Si e arriti Jehovai këtë?

14. (a) Sipas Gjonit 3:16, çfarë siguroi Perëndia për ta kthyer njerëzimin në gjendjen e mëparshme? (b) Cilën pyetje mund të shqyrtojmë me të interesuarit?

14 Lexo Gjonin 3:16. Disa nga ata që ftojmë në Përkujtim e njohin këtë varg. Por çështja është: si e bën të mundur jetën e përhershme flijimi i Jezuit? Fushata e Përkujtimit, vetë Përkujtimi dhe vizitat që bëjmë më vonë tek ata që ishin të pranishëm mund të na japin rast t’i ndihmojmë njerëzit që kërkojnë me zemër të vërtetën ta kuptojnë përgjigjen e kësaj pyetjeje të rëndësishme. Ata mund të preken kur të fillojnë të kuptojnë më mirë se si ka treguar dashuri dhe mençuri Jehovai nëpërmjet shpërblesës. Cilat aspekte të shpërblesës mund të theksojmë?

15. Si ndryshonte njeriu Jezu nga Adami?

15 Jehovai siguroi një njeri të përsosur që të bëhej shpërblyesi. Ky njeri i përsosur duhej të ishte besnik ndaj Jehovait dhe i gatshëm të jepte jetën e tij në këmbim të njerëzimit që ishte dënuar të vuante e të vdiste. (Rom. 5:17-19) Jehovai e kaloi nga qielli në tokë jetën e krijesës së tij të parë. (Gjoni 1:14) Kështu Jezui u bë një njeri i përsosur, siç kishte qenë Adami. Por ndryshe nga Adami, Jezui jetoi në lartësinë e standardit që kërkonte Jehovai nga një njeri i përsosur. Edhe nën sprovat më të tmerrshme Jezui nuk mëkatoi kurrë, e as shkeli ndonjë ligj të Perëndisë.

16. Pse është një dhuratë kaq e çmuar shpërblesa?

16 Si njeri i përsosur, Jezui mund ta shpëtonte njerëzimin nga mëkati dhe vdekja duke vdekur për ta. Ai përkonte saktësisht me gjithçka që duhej të kishte qenë Adami, pra një njeri i përsosur, plotësisht besnik dhe i bindur ndaj Perëndisë. (1 Tim. 2:6) Jezui u bë flijimi shpërblyes që çeli rrugën drejt jetës së pafund «për shumë njerëz»​—burra, gra e fëmijë. (Mat. 20:28) Vërtet, shpërblesa është çelësi që hap derën për t’u plotësuar qëllimi fillestar i Perëndisë. (2 Kor. 1:19, 20) Shpërblesa u  jep të gjithë njerëzve besnikë shpresën për të jetuar përgjithmonë.

JEHOVAI NA HAPI DERËN QË TË KTHEHEMI

17. Çfarë bën të mundur shpërblesa?

17 Jehovait i kushtoi shtrenjtë shpërblesa që siguroi. (1 Pjet. 1:19) Ai e vlerëson aq shumë njerëzimin, sa ishte i gatshëm të lejonte që Biri i tij i vetëmlindur të vdiste për ne. (1 Gjon. 4:9, 10) Në njëfarë kuptimi, Jezui ka zënë vendin e atit tonë të parë njerëzor, Adamit. (1 Kor. 15:45) Kështu, Jezui jo vetëm na kthen jetën pa fund, por edhe na jep mundësinë që në fund të kthehemi në familjen e Perëndisë. Vërtet, në bazë të flijimit të Jezuit, Jehovai mund t’i pranojë njerëzit përsëri në familjen e tij pa bërë kompromis me drejtësinë e tij. A nuk na ngrohet zemra kur mendojmë për kohën kur të gjithë njerëzit besnikë do të çohen drejt përsosmërisë? Mes pjesës qiellore dhe asaj tokësore të familjes së Jehovait do të ketë unitet të plotë. Do të jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë në kuptimin më të plotë.​—Rom. 8:21.

18. Kur do të bëhet Jehovai «gjithçka për të gjithë»?

18 Rebelimi i Satanait nuk e pengoi Jehovain të shfaqte dashuri për njerëzimin, e nuk i pengon dot as njerëzit e papërsosur t’i qëndrojnë besnikë Jehovait. Me anë të shpërblesës që siguroi, Jehovai do t’i ndihmojë të gjithë fëmijët e tij të bëhen plotësisht të drejtë. Përfytyro pak si do të jetë jeta kur kushdo «që e sheh Birin dhe tregon besim» të ketë jetë të përhershme. (Gjoni 6:40) Me dashuri dhe mençuri të madhe, Jehovai do ta çojë drejt përsosmërisë familjen njerëzore, sipas qëllimit që kishte në fillim. Atëherë Jehovai, Ati ynë, do të bëhet «gjithçka për të gjithë».—1 Kor. 15:28.

19. (a) Çfarë duhet të na shtyjë të bëjmë mirënjohja për shpërblesën? (Shih kutinë « Le të vazhdojmë të kërkojmë ata që e meritojnë».) (b) Cilin aspekt të shpërblesës do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

19 Mirënjohja për shpërblesën duhet të na shtyjë të bëjmë gjithë sa kemi mundësi për t’i ndihmuar të tjerët të kuptojnë se mund të nxjerrin dobi nga kjo dhuratë që s’ka të çmuar. Njerëzit kanë nevojë të dinë se shpërblesa është mjeti nëpërmjet të cilit Jehovai i jep me dashuri gjithë njerëzimit shpresën e jetës së përhershme. Gjithsesi, falë shpërblesës arrihet më tepër se kaq. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë se si flijimi i Jezuit u jep përgjigje edhe çështjeve morale që ngriti Satanai në kopshtin e Edenit.