Apostulli Pavël shkroi se Jehovai «nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani». (1 Kor. 10:13) A do të thotë kjo se Jehovai e vlerëson që më përpara çfarë mund të mbajmë dhe pastaj zgjedh sprovat që do të hasim?

Të mendojmë pak çfarë do të nënkuptonte kjo pikëpamje. Një vëlla, djali i të cilit vrau veten, pyeti: «A e vlerësoi që më përpara Jehovai se unë dhe gruaja do të ishim në gjendje t’i bënim ballë vetëvrasjes së djalit tonë? A ndodhi kjo ngaqë Perëndia e kishte përcaktuar se ne mund t’i bënim ballë?» A ka arsye bindëse për të besuar se Jehovai i manovron ngjarjet në jetën tonë në mënyra të tilla specifike?

Një shqyrtim i mëtejshëm i fjalëve të Pavlit te 1 Korintasve 10:13 na çon në këtë përfundim: nuk ka asnjë arsye biblike për të besuar se Jehovai e vlerëson që më përpara atë që mund të mbajmë e pastaj, në bazë të këtij vlerësimi, zgjedh cilat sprova do të na bien. Le të shohim katër arsye pse mund të arrijmë në këtë përfundim.

Së pari, Jehovai u ka dhuruar njerëzve vullnetin e lirë. Ai dëshiron që ne të zgjedhim vetë çfarë udhe të ndjekim në jetë. (Ligj. 30:19, 20; Jos. 24:15) Po të zgjedhim udhën e drejtë, mund të mbështetemi te Jehovai që të drejtojë hapat tanë. (Prov. 16:9) Por, po të zgjedhim udhën e gabuar, atëherë do të na duhet të përballemi me pasojat. (Gal. 6:7) Nëse Jehovai do të zgjidhte cilat sprova do të na binin, a nuk do të ishte sikur ta zhvlerësonte dhuratën e vullnetit të lirë?

Së dyti, Jehovai nuk na mbron nga ‘kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’. (Ekl. 9:11) Aksidentet tragjike, ndoshta edhe me pasoja të tmerrshme, mund të ndodhin ngaqë gjendemi në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Jezui foli për një tragjedi ku 18 veta mbetën të vrarë kur një kullë ra mbi ta, dhe shpjegoi se ata nuk vdiqën ngaqë ashtu ishte vullneti i Perëndisë. (Luka 13:1-5) A nuk është e palogjikshme të mendojmë se Perëndia do të përcaktonte që më përpara kush do të jetojë e kush do të vdesë si pasojë e ngjarjeve të rastësishme?

Së treti, secili prej nesh është i përfshirë në çështjen e integritetit. Mos harro se Satanai ka sfiduar integritetin e gjithë atyre që i shërbejnë Jehovait, me pretendimin se nuk do t’i qëndrojnë besnikë Jehovait përballë sprovave. (Jobi 1:9-11; 2:4; Zbul. 12:10) Nëse Jehovai nuk do të lejonte të përballeshim me sprova të caktuara ngaqë gjykon se janë përtej asaj që mund të mbajmë, a nuk do të  mbështeste kjo akuzën e Satanait se i shërbejmë Perëndisë me interes?

Së katërti, Jehovai nuk është i detyruar të dijë që më përpara çdo gjë që na ndodh. Mendimi se Perëndia zgjedh që më përpara cilat sprova do të hasim nënkupton që ai duhet të dijë çdo gjë për të ardhmen tonë. Por kjo pikëpamje nuk ka bazë biblike. Patjetër që Perëndia mund të dijë që më përpara ç’do të ndodhë në të ardhmen. (Isa. 46:10) Ama Bibla tregon se ai është përzgjedhës kur bëhet fjalë për ta ditur që më parë se ç’do të ndodhë në të ardhmen. (Zan. 18:20, 21; 22:12) Pra, ai e ekuilibron aftësinë për t’i ditur gjërat që më parë me respektin që ka për vullnetin tonë të lirë. A nuk do të prisnim këtë nga një Perëndi që vlerëson lirinë tonë dhe që gjithmonë i ushtron cilësitë e tij me ekuilibër të përsosur?​—Ligj. 32:4; 2 Kor. 3:17.

Atëherë, si duhet t’i kuptojmë fjalët që shkroi Pavli: «Perëndia . . . nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani.» Këtu Pavli tregon çfarë bën Jehovai gjatë sprovave, jo para tyre. * Fjalët e apostullit na sigurojnë se pavarësisht çfarë sprovash mund të hasim në jetë, Jehovai do të na mbështetë nëse besojmë tek ai. (Psal. 55:22) Fjalët e Pavlit që na ngrohin zemrën bazohen në dy të vërteta themelore.

Së pari, sprovat që hasim janë ‘të zakonshme për njerëzit’. Pra, sprovat tona janë pjesë e zakonshme e jetës njerëzore. Në rast se mbështetemi te Perëndia, sprova të tilla nuk janë përtej aftësisë sonë për t’i mbajtur. (1 Pjet. 5:8, 9) Në kontekstin e 1 Korintasve 10:13, Pavli përmend sprovat që hasën izraelitët në shkretëtirë. (1 Kor. 10:6-11) Asnjë nga ato sprova nuk ishte e pazakontë për njerëzit ose përtej aftësisë së izraelitëve besnikë për t’i bërë ballë. Pavli tha katër herë se «disa nga ata» nuk u bindën. Mjerisht, disa izraelitë iu dorëzuan dëshirave të gabuara ngaqë nuk u mbështetën te Perëndia.

Së dyti, «Perëndia është i besueshëm». Historia rreth mënyrës si i trajtonte Jehovai shërbëtorët e tij tregon se ai u shfaq dashuri besnike «atyre që e duan dhe mbajnë urdhërimet e tij». (Ligj. 7:9) Ajo tregon edhe se Perëndia i plotëson gjithnjë premtimet. (Jos. 23:14) Pra, historia dëshmon se Jehovai është i besueshëm. Prandaj, ata që e duan dhe i binden mund të jenë plotësisht të sigurt se ai do ta mbajë këtë premtim të dyfishtë në lidhje me sprovat që mund të hasin: (1) nuk do të lejojë që asnjë sprovë të shkojë deri në atë pikë sa do të ishte e pamundur që ta mbanin, dhe (2) ‘do t’u sigurojë rrugëdaljen’.

Jehovai «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona»

Si u siguron Jehovai rrugëdalje atyre që mbështeten tek ai kur përballen me sprova? Patjetër, nëse është vullneti i tij, ai thjesht mund ta heqë një sprovë. Megjithatë, sill ndër mend fjalët e Pavlit: «[Jehovai] do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» Kështu, në shumë raste, ai na jep «rrugëdaljen» duke na siguruar atë që na nevojitet për t’u bërë ballë sprovave me sukses. Të mendojmë për disa nga mënyrat si mund të na e sigurojë rrugëdaljen Jehovai:

  • Ai «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona». (2 Kor. 1:3, 4) Jehovai mund të na qetësojë mendjen, zemrën dhe ndjenjat me anë të Fjalës së tij, frymës së shenjtë dhe ushqimit që siguron skllavi i besueshëm.​—Mat. 24:45; Gjoni 14:16, shën., NWT, botimi 2013; Rom. 15:4.

  • Ai mund të na udhëheqë me anë të frymës së shenjtë. (Gjoni 14:26) Kur jemi përballë sprovave, fryma mund të na ndihmojë të kujtojmë tregime dhe parime biblike, e pastaj të dallojmë cilat hapa të mençur të hedhim.

  • Ai mund të përdorë engjëjt në dobinë tonë.​—Hebr. 1:14.

  • Ai mund të na ndihmojë nëpërmjet bashkadhuruesve, që me fjalët dhe me veprat e tyre mund të jenë «një ndihmë fuqizuese» për ne.​—Kolos. 4:11.

Atëherë, ç’përfundim mund të nxjerrim për domethënien e fjalëve të Pavlit te 1 Korintasve 10:13? Jehovai nuk i zgjedh sprovat që hasim. Ama kur përballemi me sprova në jetën tonë, mund të jemi të sigurt për këtë: nëse besojmë plotësisht te Jehovai, ai nuk do të lejojë kurrë që sprovat tona të shkojnë përtej kufirit të asaj që mund të mbajë njeriu; ai do të na sigurojë përherë një rrugëdalje që të jemi në gjendje të qëndrojmë. Sa na e ngroh zemrën ky mendim!

^ par. 2 Fjala greke e përkthyer «tundim» mund të ketë kuptimin «vështirësi, sprovë».