Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 ARTIKULLI I STUDIMIT 25

Mbështetu te Jehovai kur je nën stres

Mbështetu te Jehovai kur je nën stres

«Jam jashtë mase e stresuar.»​—1 SAM. 1:15, NWT, botimi 2013.

KËNGA 30 Perëndia Jehova është im Atë dhe Mik

PËRMBLEDHJE *

1. Pse duhet t’ia vëmë veshin paralajmërimit të Jezuit?

NË PROFECINË e tij për ditët e fundit, Jezui tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga . . . ankthet e jetës», pra nga ankthet për të siguruar jetesën a nga shqetësimet e përditshme. (Luka 21:34) Duhet t’ia vëmë veshin këtij paralajmërimi. Pse? Se sot përballemi me po ato probleme stresuese që has çdo njeri.

2. Çfarë problemesh stresuese hasin vëllezërit dhe motrat?

2 Ndonjëherë hasim një sërë problemesh stresuese njëherazi. Të shohim disa shembuj. Një Dëshmitar që quhet Xhon * dhe vuan nga skleroza e shumëfishtë, u ndie i dërrmuar kur e shoqja e braktisi pas 19 vitesh martesë. Pastaj dy vajzat e tij u larguan nga adhurimi i Jehovait. Një çift, Berti dhe Linda, hasën një varg vështirësish të ndryshme nga Xhoni. Të dy humbën punën, e pastaj edhe shtëpinë. Veç këtyre problemeve, Linda u diagnostikua me një sëmundje të zemrës që mund të ishte vdekjeprurëse, dhe një sëmundje tjetër filloi t’i dëmtonte sistemin imunitar.

3. Sipas Filipianëve 4:6, 7, për çfarë mund të jemi të sigurt?

3 Mund të jemi të sigurt se Krijuesi dhe Ati ynë i dashur, Jehovai, e kupton si ndikon te ne stresi. Dhe ai dëshiron të na ndihmojë t’i përballojmë vështirësitë që ndeshim. (Lexo Filipianëve 4:6, 7.) Fjala e Perëndisë përmban plot histori ku përshkruhen vështirësitë që kaluan shërbëtorët e tij. Ajo tregon edhe si i ndihmoi Jehovai t’u bënin ballë  atyre situatave stresuese. Le të shohim disa shembuj.

ELIJA—«NJERI ME NDJENJA SI TONAT»

4. Cilat vështirësi hasi Elija, dhe si ndihej ai për Jehovain?

4 Elija i shërbeu Jehovait në kohë stresuese dhe hasi vështirësi serioze. Mbreti Akab, një nga mbretërit jobesnikë në historinë e Izraelit, u martua me Jezebelën, një adhuruese e ligë e Baalit. Ata të dy përhapën anembanë vendit adhurimin e Baalit dhe vranë shumë profetë të Jehovait. Elija ia doli të shpëtonte. Gjithashtu, ai mbijetoi nga një zi buke e rëndë duke u mbështetur te Jehovai. (1 Mbret. 17:2-4, 14-16) Veç kësaj, Elija u mbështet te Jehovai kur doli kundër profetëve dhe adhuruesve të Baalit. Ai i nxiti izraelitët t’i shërbenin Jehovait. (1 Mbret. 18:21-24, 36-38) Elija kishte prova të panumërta se Jehovai po e mbështeste në ato kohë stresuese.

Jehovai dërgoi një engjëll që ta ndihmonte Elijan të përtërinte forcat (Shih paragrafët 5-6) *

5-6. Sipas 1 Mbretërve 19:1-4, si ndihej Elija, dhe si tregoi Jehovai se e donte Elijan?

5 Lexo 1 Mbretërve 19:1-4. Megjithatë, kur mbretëresha Jezebelë kërcënoi ta vriste, Elijan e mbërtheu frika. Prandaj ia mbathi për në rajonin e Beer-Shebës. Ai u shkurajua deri në atë pikë sa «kërkoi që të vdiste». Pse u ndie ashtu? Elija ishte njeri i papërsosur, «njeri me ndjenja si tonat». (Jak. 5:17) Ndoshta ndihej i dërrmuar nga stresi dhe sfilitja fizike. Me sa duket, Elija mendoi se përpjekjet e tij  për të nxitur adhurimin e pastër kishin shkuar kot, se asgjë në Izrael nuk ishte përmirësuar dhe se ai ishte i vetmi që po i shërbente ende Jehovait. (1 Mbret. 18:3, 4, 13; 19:10, 14) Mbase na çudit reagimi i këtij profeti besnik. Ama Jehovai i kuptoi ndjenjat e Elijas.

6 Jehovai nuk e qortoi Elijan që u shpreh si ndihej. Përkundrazi, e ndihmoi të përtërinte forcat. (1 Mbret. 19:5-7) Më vonë, Jehovai ia ndreqi me dashuri mënyrën si mendonte duke demonstruar fuqinë e Tij mahnitëse. Pastaj Jehovai i tregoi se kishte akoma 7.000 veta në Izrael që refuzonin ta adhuronin Baalin. (1 Mbret. 19:11-18) Me këto mënyra praktike, Jehovai i tregoi Elijas se e donte.

SI DO TË NA NDIHMOJË JEHOVAI

7. Çfarë sigurie na jep mënyra si e ndihmoi Jehovai Elijan?

7 A po kalon një situatë stresuese? Sa na e ngroh zemrën fakti që Jehovai i kuptoi ndjenjat e Elijas! Kjo na siguron se ai e kupton edhe luftën tonë emocionale. Ai i di kufizimet tona, e madje di edhe çfarë mendojmë dhe si ndihemi. (Psal. 103:14; 139:3, 4) Nëse imitojmë Elijan duke u mbështetur te Jehovai, Ai do të na ndihmojë të përballojmë problemet që na shkaktojnë stres.—Psal. 55:22.

8. Si do të të ndihmojë Jehovai ta përballosh stresin?

8 Stresi mund të bëjë që e ardhmja të të duket e zymtë, e si pasojë të shkurajohesh. Nëse ndodh kështu, mbaj ndër mend se Jehovai do të të ndihmojë ta përballosh stresin. Si? Ai të fton t’i zbrazesh për gjërat që të shqetësojnë. Dhe ai do t’u përgjigjet thirrjeve të tua për ndihmë. (Psal. 5:3; 1 Pjet. 5:7) Prandaj lutju shpesh Jehovait për problemet e tua. Ai nuk do të të flasë drejtpërdrejt siç i foli Elijas, por do të të flasë nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës, dhe nëpërmjet organizatës së tij. Historitë që lexon në Bibël mund të të ngushëllojnë e të të mbushin me shpresë. Gjithashtu, vëllezërit e motrat mund të të japin zemër.—Rom. 15:4; Hebr. 10:24, 25.

9. Si mund të na ndihmojë një mik ose një mike e besuar?

9 Jehovai i tha Elijas t’i kalonte ca përgjegjësi Eliseut. Kështu i dha një shok për të cilin kishte shumë nevojë, e që pa dyshim e ndihmoi të mbante barrët emocionale. Po njësoj, kur hapemi me një mik a mike të besuar, ai ose ajo mund të na ndihmojë të mbajmë barrët emocionale. (2 Mbret. 2:2; Prov. 17:17) Nëse mendon se nuk ke askënd që mund t’i hapesh, lutju Jehovait të të ndihmojë të gjesh një vëlla a motër të pjekur që mund të të mbështetë emocionalisht.

10. Pse na jep shpresë përvoja e Elijas, dhe si mund të na ndihmojë premtimi që gjejmë tek Isaia 40:28, 29?

10 Jehovai e ndihmoi Elijan ta përballonte stresin dhe t’i shërbente me besnikëri për shumë vjet. Përvoja e Elijas na jep shpresë. Ne mund të kalojmë periudha jashtëzakonisht stresuese që na sfilitin fizikisht dhe emocionalisht. Megjithatë, po të mbështetemi te Jehovai, ai do të na japë fuqinë e nevojshme që të vazhdojmë t’i shërbejmë.—Lexo Isainë 40:28, 29.

HANA, DAVIDI DHE NJË PSALMIST U MBËSHTETËN TE JEHOVAI

11-13. Si ndikoi stresi te tre shërbëtorë të Perëndisë në lashtësi?

11 Edhe personazhe të tjera të Biblës  përjetuan stres të madh. Për shembull, Hana vuante nga turpi se s’bënte fëmijë dhe nga talljet mizore të gruas tjetër. (1 Sam. 1:2, 6) Nga stresi i rëndë, Hana e kishte shpirtin aq të hidhëruar sa qante dhe nuk i hahej.—1 Sam. 1:7, 10.

12 Mbretin David kishte raste që e mbyste stresi. Mendo pak për vështirësitë që hoqi. I rëndonte në zemër ndjenja e fajit për gabimet e shumta që kish bërë. (Psal. 40:12) Djali i tij i shtrenjtë, Absalomi, u rebelua kundër tij, e si pasojë humbi jetën. (2 Sam. 15:13, 14; 18:33) Gjithashtu, Davidin e tradhtoi një nga miqtë më të ngushtë. (2 Sam. 16:23–17:2; Psal. 55:12-14) Në shumë nga psalmet që shkroi Davidi, ndihet shkurajimi që provonte, po edhe besimi i palëkundur te Jehovai.—Psal. 38:5-10; 94:17-19.

Çfarë e ndihmoi psalmistin të gjente sërish gëzim në shërbim të Perëndisë? (Shih paragrafët 13-15) *

13 Më vonë, një psalmist filloi të kishte zili jetën e të ligjve. Ka të ngjarë që ai ishte pasardhës i levitit Asaf dhe shërbente në «shenjtëroren e madhërishme të Perëndisë». Nga stresi emocional, psalmisti ra në dëshpërim dhe ndihej i pakënaqur. Madje nisi të dyshonte nëse ia vlenin bekimet që sillte shërbimi i Perëndisë.—Psal. 73:2-5, 7, 12-14, 16, 17, 21.

14-15. Çfarë na mësojnë tre shembujt nga Bibla se si të marrim ndihmë nga Jehovai?

14 Që të tre këta adhurues të vërtetë u mbështetën për ndihmë te Jehovai. Me lutje të zjarrta, ia zbrazën ankthin atij. I folën hapur për arsyet pse ndiheshin aq të stresuar. Gjithashtu, vazhduan të shkonin në vendin ku adhurohej Jehovai.—1 Sam. 1:9, 10; Psal. 55:22; 73:17; 122:1.

 15 Jehovai iu përgjigj me dhembshuri secilit prej tyre. Hana fitoi paqe mendore. (1 Sam. 1:18) Davidi shkroi: «I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.» (Psal. 34:19) Dhe psalmisti më vonë e ndjeu se Jehovai ‘e kishte kapur nga dora e djathtë’ dhe po i printe me këshillat e tij të dashura. Ai këndoi: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë. Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.» (Psal. 73:23, 24, 28) Çfarë mësojmë nga këta shembuj? Hera-herës do të jemi të rënduar nga probleme që na shkaktojnë stres. Por mund t’i përballojmë me sukses po të meditojmë si i ka ndihmuar Jehovai të tjerët, të mbështetemi tek ai në lutje dhe t’i bindemi duke bërë atë që kërkon prej nesh.—Psal. 143:1, 4-8.

MBËSHTETU TE JEHOVAI DHE FITO MBI SHKURAJIMIN

Në fillim, një motër donte të veçohej, por gjërat ndryshuan për mirë kur nisi të kërkonte mënyra si të ndihmonte të tjerët (Shih paragrafët 16-17)

16-17. (a) Pse nuk duhet të veçohemi? (b) Si mund t’i përtërijmë forcat?

16 Këta tre shembuj na japin edhe një mësim tjetër të rëndësishëm—nuk duhet të veçohemi nga Jehovai dhe nga populli i tij. (Prov. 18:1) Nensi, që kaloi një stres të madh kur e la i shoqi, thotë: «Kishte shumë ditë që s’doja të shihja ose të  flitja me askënd. Por sa më shumë veçohesha, aq më shumë më mbyste trishtimi.» Gjërat ndryshuan kur Nensi nisi të kërkonte mënyra si të ndihmonte të tjerë që po kalonin probleme. Ajo thotë: «I dëgjoja me vëmendje ndërsa më tregonin për vështirësitë që po hiqnin. Sa më shumë ndieja empati për ta, aq më pak më vinte gjynah për veten.»

17 Ne mund t’i përtërijmë forcat duke ndjekur mbledhjet e kongregacionit. Kur jemi në mbledhje, i japim akoma më tepër mundësi Jehovait ‘të na ndihmojë e të na ngushëllojë’. (Psal. 86:17) Atje ai na forcon me anë të frymës së shenjtë, Fjalës së tij dhe popullit të tij. Mbledhjet na japin mundësi «të inkurajojmë njëri-tjetrin». (Rom. 1:11, 12) Një motër që quhet Sofia, tha: «Jehovai dhe vëllazëria më dhanë forcë të mos dorëzohesha. Mbledhjet e kongregacionit ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për mua. Kam provuar se sa më shumë të përfshihem në shërbim dhe në kongregacion, aq më mirë arrij t’i përballoj stresin dhe shqetësimet.»

18. Nëse ndihemi të shkurajuar, çfarë mund të na japë Jehovai?

18 Kur ndihemi të shkurajuar, të mbajmë ndër mend se Jehovai jo vetëm premton lehtësim të përhershëm në të ardhmen, por edhe është i gatshëm të na ndihmojë ta përballojmë stresin sot. Ai na jep «si dëshirën, edhe fuqinë» që të fitojmë mbi shkurajimin dhe dëshpërimin.—Filip. 2:13, NWT, botimi 2013.

19. Çfarë sigurie na jep Romakëve 8:37-39?

19 Lexo Romakëve 8:37-39. Apostulli Pavël na siguron se asgjë nuk na ndan dot nga dashuria e Perëndisë. Si mund t’i ndihmojmë vëllezërit e motrat që luftojnë me stresin? Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta imitojmë Jehovain duke treguar dhembshuri e duke i mbështetur bashkëbesimtarët kur janë të stresuar.

KËNGA 44 Lutja e të përvuajturit

^ par. 5 Stresi i tepërt ose i zgjatur mund të na dëmtojë fizikisht dhe emocionalisht. Si mund të na ndihmojë Jehovai? Do të shqyrtojmë si e ndihmoi Jehovai Elijan ta përballonte stresin. Shembuj të tjerë nga Bibla do të na tregojnë si të marrim ndihmë nga Jehovai kur jemi nën stres.

^ par. 2 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 53 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Engjëlli i Jehovait e zgjon me butësi nga gjumi Elijan dhe i jep bukë e ujë.

^ par. 55 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një psalmist që ndoshta është pasardhës i Asafit kënaqet teksa shkruan psalme dhe këndon bashkë me levitët e tjerë.