Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 JETËSHKRIM

Mora ngushëllim në gjithë ankthet e mia

Mora ngushëllim në gjithë ankthet e mia

Në bregun perëndimor të lumit Ind, në atë zonë ku sot është Pakistani, shtrihet qyteti i lashtë i Sukurit. Atje erdha në jetë unë, më 9 nëntor 1929. Në atë periudhë, një misionar anglez u dha prindërve të mi një koleksion librash me ngjyra të ndezura. Ata libra të bazuar në Bibël ndihmuan goxha për të modeluar jetën time si Dëshmitar i Jehovait.

ATA libra quheshin koleksioni ylber. Kur munda t’i shqyrtoja, gjeta ilustrime plot jetë që më ndezën imagjinatën. Si rrjedhojë, që në moshë të njomë zhvillova etje për njohurinë biblike, për atë njohuri që paraqitej në ato vëllime të mrekullueshme.

Ndërsa Lufta II Botërore kërcënonte të përfshinte edhe Indinë, mua sikur m’u përmbys bota. Prindërit e mi u ndanë e pastaj u divorcuan. S’arrija ta kuptoja pse po e linin njëri-tjetrin dy njerëz që i doja shumë. U ndieva i mpirë emocionalisht dhe i braktisur. Isha fëmijë i vetëm dhe nuk po gjeja atë ngushëllim e mbështetje për të cilat kisha aq shumë nevojë.

Në atë kohë, unë dhe mamaja jetonim në Karaçi, kryeqyteti i provincës. Një ditë, Fred Hardejkeri, një mjek i moshuar që ishte Dëshmitar i Jehovait, trokiti në derën tonë. Ai kishte të njëjtin besim si misionari që i kishte dhënë koleksionin me libra familjes sime. Vëlla Hardejkeri i ofroi një studim biblik mamasë. Ajo nuk pranoi, por tha se ndoshta  mua do të më pëlqente. Nisa të studioja me vëlla Hardejkerin që javën vijuese.

Ca javë më vonë, fillova të ndiqja mbledhjet e krishtere në klinikën e tij. Atje mblidheshin për të adhuruar Perëndinë rreth 12 Dëshmitarë të moshuar. Ata më ngushëllonin e kujdeseshin për mua si të isha djali i tyre. Kujtoj me mall tek uleshin pranë meje duke u përkulur që të më shihnin në sy dhe tek bisedonin me mua si miq të vërtetë, gjë për të cilën kisha shumë nevojë në atë kohë.

Shpejt vëlla Hardejkeri më ftoi ta shoqëroja në shërbim. Më mësoi të përdorja një gramafon portativ që të luaja disqet me fjalime të shkurtra biblike. Disa nga fjalimet ishin goxha të drejtpërdrejta, dhe ca njerëz në territor nuk e vlerësonin atë mesazh. Por unë provoja kënaqësi të thellë kur u dëshmoja të tjerëve. Isha plot zell për të vërtetën e Biblës dhe më pëlqente jashtë mase t’u flisja të tjerëve për të.

Ndërsa ushtria japoneze ishte gati të pushtonte Indinë, autoritetet britanike ushtronin gjithnjë e më shumë presion mbi Dëshmitarët e Jehovait. Në fund, në korrik të 1943-shit, këtë presion e ndieva edhe unë. Drejtori i shkollës, një klerik anglikan, më përjashtoi me pretekstin se isha «person i papëlqyeshëm». I tha mamasë se duke u shoqëruar me Dëshmitarët e Jehovait, po lija një shembull të keq për nxënësit e tjerë. Ajo u tmerrua dhe ma ndaloi shoqërinë me Dëshmitarët. Më vonë, më dërgoi tek im atë në Peshavar, një qytet në veri rreth 1.370 kilometra larg. I privuar nga ushqimi i bazuar në Bibël dhe nga shoqëria e krishterë, u bëra joaktiv.

RIMËKËMB MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN

Më 1947, u ktheva në Karaçi për të kërkuar punë. Kur isha atje, shkova te klinika e dr. Hardejkerit. Më mirëpriti krahëhapur me shumë dashuri.

Duke menduar se kisha shkuar për vizitë mjekësore, më pyeti: «Atëherë, çfarë shqetësimi ke?»

Iu përgjigja: «Doktor, nuk kam probleme me shëndetin, por në marrëdhënien me Jehovain. Kam nevojë për një studim biblik.»

«Kur dëshiron të fillosh?»​—më pyeti.

«Menjëherë nëse është e mundur»,​—i thashë.

Kaluam një mbrëmje të mrekullueshme duke studiuar Biblën. U ndieva sikur isha kthyer në shtëpi mes popullit të Jehovait. Mamaja ç’nuk bëri që të më ndalonte të shoqërohesha me Dëshmitarët, por kësaj radhe isha i vendosur të jetoja sipas së vërtetës. Më 31 gusht 1947, simbolizova kushtimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. Pa kaluar shumë, në moshën 17-vjeçare, nisa shërbimin si pionier i rregullt.

SHËRBIMI I GËZUESHËM I PIONIERIT

Caktimi im i parë si pionier ishte qyteti i Kvetës, dikur një bazë ushtarake britanike. Më 1947, vendi u nda në dy shtete: India dhe Pakistani. * Kjo ishte shkëndija e dhunës fetare që përfshiu gjithë popullin duke shkaktuar një nga emigrimet në masë më të mëdha në histori. Afro 14 milionë refugjatë u shpërngulën. Myslimanët e Indisë shkuan në Pakistan, kurse hinduistët dhe sikistët e Pakistanit u vendosën në Indi. Mes gjithë atij kaosi, i hipa një treni të mbushur dëng në Karaçi dhe pjesën më të madhe të udhëtimit për në Kvetë, u kapa njëfarësoj te një mbajtëse hekuri jashtë trenit.

Ndoqa asamblenë qarkore në Indi më 1948

Në Kvetë, takova Xhorxh Singun, një pionier special në mes të të 20-ave. Xhorxhi më dha një biçikletë të vjetër që mund ta ngisja (ose ta shtyja) përgjatë terrenit kodrinor. Shumicën e kohës predikoja vetëm. Brenda gjashtë muajsh, fillova 17 studime biblike dhe disa nga studentët përqafuan të vërtetën. Një prej tyre, një oficer që quhej Sadik Masi, na ndihmoi mua dhe Xhorxhin të përkthenim disa botime biblike në urdu, gjuha kombëtare e Pakistanit. Me kohë, Sadiku u bë lajmëtar i zellshëm i lajmit të mirë.

Nisem për në Shkollën e Galaadit me anijen Mbretëresha Elizabetë

Më vonë, u ktheva në Karaçi dhe shërbeva me Henri Finçin dhe Heri Forestin, dy misionarë që sapo kishin ardhur nga Shkolla e Galaadit. Sa stërvitje të vyer teokratike më dhanë! Një herë shoqërova vëlla Finçin në një udhëtim predikimi në veri të Pakistanit. Në fshatrat rrëzë vargmaleve madhështore, gjetëm gjithë ata njerëz të thjeshtë që  flitnin gjuhën urdu e që kishin etje për të vërtetën e Biblës. Dy vjet më vonë, edhe unë pata mundësinë të bëja Shkollën e Galaadit. U ktheva në Pakistan, ku shërbeva si mbikëqyrës qarkor në kohë të pjesshme. Banoja në një shtëpi misionare në Lahorë, bashkë me tri vëllezër të tjerë misionarë.

MARR VETEN PAS NJË RËNIEJE

Mjerisht, më 1954, misionarët në Lahorë patën përplasje personalitetesh, e kështu zyra e degës u ndryshoi caktim. Ngaqë isha treguar i pamend dhe kisha mbajtur anë në atë mosmarrëveshje, më dhanë këshilla të forta. U ndieva i dërrmuar dhe arrita në përfundimin se si shërbëtor i Jehovait isha një hiç. U ktheva në Karaçi dhe pastaj shkova në Londër, Angli, me shpresë që t’ia nisja nga e para.

Në kongregacionin tim në Londër kishte shumë anëtarë të familjes Bethel. Prajs Hjuzi, një vëlla zemërmirë që ishte shërbëtori i degës, më qëndroi afër e më stërviti. Një ditë, më tregoi për një rast kur kishte marrë një këshillë të prerë nga Xhozef Radhërfordi që mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të predikimit. Kur vëlla Hjuzi ishte përpjekur të justifikohej, vëlla Radhërfordi e kishte qortuar rreptë. U habita që vëlla Hjuzi po e kujtonte buzagaz atë ngjarje. Tha se në fillim u mërzit. Por më vonë e kuptoi se kishte nevojë për atë këshillë të prerë dhe se ajo ishte shprehje e dashurisë së Jehovait. (Hebr. 12:6) Komentet e tij më prekën thellë dhe më ndihmuan të rifitoja ekuilibrin në adhurim.

Në atë periudhë, mamaja u transferua në Londër dhe pranoi një studim biblik nga Xhon Barri, që më vonë shërbeu në Trupin Udhëheqës. Përparoi pa u ndalur në të vërtetën dhe u pagëzua në vitin 1957. Më vonë mësova se, para se të vdiste, edhe im atë kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait.

Më 1958, u martova me Linën, një motër daneze që ishte transferuar në Londër. Një vit më vonë, u bekuam me një vajzë, Xhejnin, e para nga pesë fëmijët tanë. Veç kësaj, mora privilegje shërbimi në kongregacionin e Fulhamit. Mirëpo, më vonë, për shkak të shëndetit të dobët të Linës duhej të transferoheshim në një zonë me klimë më të butë. Ndaj më 1967, emigruam në Adelajde, Australi.

NJË TRAGJEDI QË NA COPËTON ZEMRËN

Në kongregacionin tonë në Adelajde, kishim 12 të mirosur të moshuar. Ata merrnin drejtimin me zell në veprën e predikimit. Shpejt krijuam një program të mirë për adhurimin.

Në vitin 1979, bashkë me Linën mirëpritëm ardhjen në jetë të fëmijës sonë të pestë, Danielit. Ai  ishte i sëmurë rëndë me sindromin Daun  * dhe pritej të jetonte pak. Edhe tani e kam tmerrësisht të vështirë të shpjegoj angështinë që përjetuam. Bëmë gjithçka mundëm që të kujdeseshim për nevojat e tij, pa lënë ndërkohë pas dore katër fëmijët e tjerë. Ndonjëherë Danieli mavijosej nga mungesa e oksigjenit që ia shkaktonin dy vrima në zemër, dhe duhej ta çonim vrap në spital. Por me gjithë shëndetin e tij të dobët, ishte shumë inteligjent dhe i dashur. Gjithashtu, e donte fort Jehovain. Kur luteshim si familje para se të hanim, Danieli bashkonte duart e tij të vockla, tundte kokën dhe thoshte një «amin» me gjithë shpirt. Vetëm pastaj fillonte të hante.

Kur Danieli ishte katër vjeç, u sëmur me leucemi akute. Unë dhe Lina ishim të sfilitur fizikisht dhe emocionalisht. Ndieja se për pak mund të pësoja një krizë nervore. Por, kur arritëm aty ku s’mbanim më, na erdhi për vizitë në shtëpi mbikëqyrësi ynë qarkor, Nevil Bromuiçi. Atë natë, me lot në sy na mbështolli me krahët e tij. Qamë së bashku. Fjalët e tij të dashura e të dhembshura na ngushëlluan sa s’ka. U largua rreth orës një të mëngjesit. Pak pas kësaj, Danieli vdiq. Humbja e tij ishte ngjarja më traumatike në jetën tonë. Prapëseprapë, e përballuam pikëllimin, të sigurt se asgjë​—madje as vdekja—​nuk e ndan dot Danielin nga dashuria e Jehovait. (Rom. 8:38, 39) Na digjet zemra të jemi bashkë me të kur të ringjallet në botën e re të Perëndisë!​—Gjoni 5:28, 29.

GJEJ GËZIM DUKE NDIHMUAR TË TJERËT

Sot, pasi kam pësuar dy iktuse të rënda, shërbej ende si plak kongregacioni. Gjërat që kam kaluar në jetë më kanë bërë më empatik e më të dhembshur ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atyre që luftojnë me probleme. Përpiqem të mos i gjykoj. Në vend të kësaj, pyes veten: «Si ka ndikuar e kaluara e tyre te ndjenjat dhe te mënyra si mendojnë? Si mund të tregoj se interesohem për ta? Si mund t’u jap zemër që të ndjekin udhët e Jehovait?» Më pëlqen pa masë të bëj veprën baritore në kongregacion. Vërtet, kur i ngushëlloj dhe i freskoj të tjerët me Fjalën e Perëndisë, ndihem edhe vetë i ngushëlluar dhe i freskuar.

Ende ndiej kënaqësi kur bëj vizita baritore

Provoj të njëjtat ndjenja si psalmisti që tha: «Kur pata përbrenda shumë mendime turbulluese, ngushëllimet e tua [o Jehova] nisën të ma ledhatonin shpirtin.» (Psal. 94:19) Ai më ka mbështetur në të gjitha ankthet e mia: vështirësi familjare, kundërshtim fetar, zhgënjime personale dhe depresion. Po, Jehovai ka qenë një Atë i vërtetë për mua!

^ par. 19 Në fillim, Pakistani përbëhej nga Pakistani Perëndimor (Pakistani i sotëm) dhe nga Pakistani Lindor (Bangladeshi i sotëm).

^ par. 29 Shih artikullin «Vështirësitë dhe shpërblimet kur rrit një fëmijë me sindromin Daun» në revistën Zgjohuni! qershor 2011.