Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Mbështet sovranitetin e Jehovait!

Mbështet sovranitetin e Jehovait!

«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka.»​—ZBUL. 4:11.

KËNGËT: 12, 150

1, 2. Për çfarë duhet të jetë i bindur secili prej nesh? (Shih figurën hapëse.)

SIÇ e pamë në artikullin e kaluar, Djalli ka ngritur akuzën se Jehovait nuk i takon e drejta të jetë Sovrani dhe se njerëzimi do të ishte në gjendje më të mirë po të qeveriste vetë. A ka të drejtë Satanai? Ta zëmë sikur njerëzit që zgjedhin vetëqeverisjen do të kishin mundësi të jetojnë përgjithmonë. A do të ishin në gjendje më të mirë pa qeverisjen e Perëndisë? A do të ishe ti më i lumtur sikur të kishe pavarësi absolute dhe jetën e përhershme?

2 Askush tjetër nuk mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje në vendin tënd. Çdo njeri duhet ta rrahë mirë në mendje këtë çështje. Kur e bëjmë këtë, s’ka se si të mos kuptojmë qartë se Perëndia ka të drejtën të jetë Sovrani. Mënyra si qeveris ai është më e mira dhe meriton ta mbështetim me gjithë zemër. Bibla na jep një bazë për këtë bindje. Të mendojmë, për shembull, çfarë thonë Shkrimet për të drejtën e Jehovait që të jetë Sovrani.

JEHOVAI KA TË DREJTËN TË QEVERISË

3. Pse Jehovai është i vetmi që ka të drejtën të jetë Sovrani?

3 Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani i universit sepse është Perëndia i plotfuqishëm dhe Krijuesi. (1 Kron. 29:11; Vep. 4:24) Te Zbulesa 4:11, 144.000 bashkëqeveritarët e Krishtit në qiell paraqiten në një vegim duke thënë: «Ti je i denjë, o Jehova,  Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Po, përderisa krijoi gjithçka, Jehovai ka të drejtën absolute të qeverisë mbi njerëzit dhe mbi krijesat qiellore.

4. Pse të kundërshtosh sovranitetin e Perëndisë do të thotë të keqpërdorësh vullnetin e lirë?

4 Satanai s’ka krijuar asgjë. Prandaj, nuk i takon kurrfarë e drejte të qeverisë universin. Kur ai dhe çifti i parë njerëzor ngritën krye kundër sovranitetit të Jehovait, i kaluan caqet me arrogancë. (Jer. 10:23) Vërtet, si krijesa me vullnet të lirë, ata mund të zgjidhnin të ishin të pavarur nga Perëndia. Por, a u jepte kjo të drejtën ta bënin këtë? Jo. Vullneti i lirë u jep mundësi njerëzve të bëjnë zgjedhjet e duhura ditë për ditë. Megjithatë, kjo nuk i autorizon të ngrenë krye kundër Krijuesit dhe Jetëdhënësit të tyre. Është e qartë se t’i kundërvihesh Jehovait është keqpërdorim i vullnetit të lirë. Si njerëz, vendi ynë është nën qeverisjen e drejtë të Jehovait.

5. Pse mund të jemi të sigurt se vendimet e Perëndisë janë të drejta?

5 Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani edhe për një arsye tjetër. Ai e ushtron autoritetin me drejtësi të përsosur. Perëndia deklaron: ‘Unë, Jehovai, tregoj dashamirësi, gjykoj me drejtësi dhe bëj atë që është e drejtë në tokë. Sepse kënaqem me këto gjëra.’ (Jer. 9:24) Ai nuk bazohet te ndonjë kod ligjor i hartuar nga njerëz të papërsosur për të përcaktuar ç’është e drejtë dhe e ndershme. Ndjenja e tij e përsosur e drejtësisë buron nga ai vetë, dhe mbi këtë bazë u dha njerëzve ligje të shkruara. «Drejtësia dhe gjykimi janë vendi themelfortë i fronit [të tij]», prandaj mund të jemi të sigurt se gjithë ligjet, parimet dhe vendimet e tij janë të drejta. (Psal. 89:14; 119:128) Krejt ndryshe nga kjo, pavarësisht nga akuza që ngriti se sovraniteti i Jehovait ka mangësi, Satanai ka qenë i paaftë të ndërtojë një botë ku triumfon gjithnjë drejtësia.

6. Cila është një arsye pse Jehovai ka të drejtën të qeverisë botën?

6 Veç kësaj, Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani sepse ka njohurinë dhe mençurinë që nevojitet për t’u kujdesur për universin. Të marrim, për shembull, faktin që Perëndia i dha Birit të tij aftësinë të shëronte sëmundje që mjekët nuk i kuronin dot. (Mat. 4:23, 24; Mar. 5:25-29) Nga këndvështrimi i Jehovait, kjo s’ishte mrekulli. Ai i kupton proceset që përfshihen dhe ka aftësinë të zhbëjë çfarëdo dëmi. E njëjta gjë vlen për aftësinë e tij që të kthejë në jetë të vdekurit dhe të parandalojë katastrofat natyrore.

7. Pse themi se mençuria e Jehovait qëndron shumë më lart se ajo e botës nën sundimin e Satanait?

7 Bota nën ndikimin e Satanait është ende në kërkim të ndonjë zgjidhjeje për konfliktet kombëtare dhe ndërkombëtare. I vetmi që ka mençurinë të sjellë paqe në botë është Jehovai. (Isa. 2:3, 4; 54:13) Teksa mësojmë për njohurinë dhe mençurinë që ka Jehovai, ndihemi si apostulli Pavël që shkroi nën frymëzim: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»​—Rom. 11:33.

QEVERISJA E JEHOVAIT ËSHTË MË E MIRA

8. Çfarë të prek te mënyra si qeveris Jehovai?

8 Bibla nuk jep vetëm arsyet pse Jehovai ka të drejtën të qeverisë. Ajo tregon edhe pse sovraniteti i tij qëndron më lart se qeverisja e të tjerëve. Një arsye është se ai qeveris me dashuri. Vërtet, prekemi në zemër nga mënyra si zgjedh ta ushtrojë ai sovranitetin. Ai është ‘i mëshirshëm dhe hirmadh, nuk zemërohet shpejt, është plot dashamirësi e të vërtetë’. (Dal. 34:6) Perëndia i trajton  me dinjitet e me respekt shërbëtorët e tij në tokë. Ai kujdeset për ne më mirë nga ç’mund të kujdesemi për veten. Krejt ndryshe nga akuza e Djallit, Jehovai nuk u mban asgjë të mirë adhuruesve të tij besnikë. Të mendosh që ai dha madje edhe Birin e tij të shtrenjtë, që të kemi perspektivën të jetojmë pafundësisht!​—Lexo Psalmin 84:11; Romakëve 8:32.

9. Nga e dimë se Perëndia merakoset për ne edhe si individë?

9 Jehovai nuk merakoset thjesht për mirëqenien e popullit të tij në tërësi. Ai, gjithashtu, tregon merak të madh për çdo individ. Të marrim, për shembull, periudhën 3-shekullore gjatë së cilës Jehovai nxirrte gjykatës dhe u jepte fuqi të çlironin kombin e Izraelit nga shtypësit. Gjatë asaj kohe të trazuar, syrit të tij nuk i shpëtoi një joizraelite e quajtur Ruthë. Ajo bëri goxha sakrifica që të përqafonte adhurimin e vërtetë. Jehovai e bekoi Ruthën me një bashkëshort dhe me një djalë. Por nuk mbaron me kaq. Kur të ringjallet, Rutha do të mësojë se i biri ishte pjesë e linjës gjenealogjike të Mesisë. E imagjino sa do të preket kur të marrë vesh se për jetën e saj u shkrua në një libër të Biblës, që mban emrin e saj!​—Rutha 4:13; Mat. 1:5, 16.

10. Pse mund të themi se mënyra si e ushtron sovranitetin Jehovai nuk na e kufizon tepër lirinë?

10 Mënyra si qeveris Jehovai nuk është as shtypëse, as e ngurtë. Ajo lë hapësirë për liri dhe nxit gëzimin. (2 Kor. 3:17) Davidi u shpreh me këto fjalë: «Lavdia dhe shkëlqimi janë para [Perëndisë], forca dhe gëzimi janë në vendin e tij.» (1 Kron. 16:7, 27) Po ashtu, psalmisti Etan shkroi: «Lum populli që brohoret gëzueshëm! O Jehova, ata ecin vazhdimisht në dritën e fytyrës sate. Falë emrit tënd gëzojnë gjatë gjithë ditës dhe falë drejtësisë sate janë lartësuar.»​—Psal. 89:15, 16.

11. Si mund ta përforcojmë bindjen se sovraniteti i Jehovait është më i miri?

11 Meditimi i shpeshtë për mirësinë e Jehovait mund të na e përforcojë bindjen se qeverisja e tij është më e mira. Kështu provojmë të njëjtat ndjenja si psalmisti që tha: «Një ditë në oborret e tua, është më mirë se një mijë gjetiu.» (Psal. 84:10) E si mund të jetë ndryshe? Si Bërësi dhe Krijuesi ynë i dashur, Jehovai e di ç’na nevojitet që të jemi vërtet të lumtur, dhe e plotëson këtë nevojë me bujari. Çfarëdo të kërkojë ai prej nesh është për të mirën tonë e në fund na sjell gëzim të thellë. Kjo është e vërtetë edhe në rast se kërkesat e tij përfshijnë disa sakrifica nga ana jonë.​—Lexo Isainë 48:17.

12. Cili është motivi kryesor që na nxit të mbështetim sovranitetin e Jehovait?

12 Bibla tregon se pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, disa njerëz do të zgjedhin të ngrenë krye kundër sovranitetit të Jehovait. (Zbul. 20:7, 8) Çfarë mund t’i nxitë ta bëjnë një gjë të tillë? Djalli, i liruar nga burgu dhe i vendosur të mashtrojë njerëzimin, pa dyshim që do t’i bëjë thirrje egoizmit. Ai ka vepruar gjithmonë kështu. Ai mund të orvatet t’u mbushë mendjen njerëzve se ka një mënyrë për të jetuar përgjithmonë pa iu bindur Jehovait. Sigurisht, kjo s’mund të jetë kurrë e vërtetë. Por, pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: a do të na duket ndopak tërheqës ky pohim i rremë? Nëse e duam Jehovain dhe i shërbejmë ngaqë është i mirë e ngaqë ka të drejtën të jetë Sovrani i universit, atëherë ky pohim djallëzor do të na duket i neveritshëm. Kurrë nuk do të duam një jetë tjetër përveç jetës nën sovranitetin e drejtë e të dashur të Jehovait.

MBËSHTETE BESNIKËRISHT SOVRANITETIN E PERËNDISË

13. Pse kur imitojmë Perëndinë tregojmë se jemi në anën e tij?

13 Pa diskutim që sovraniteti i Jehovait  meriton ta mbështetim me gjithë zemër. Siç e pamë, ai ka të drejtën të qeverisë, dhe mënyra si qeveris ai është më e mira. Ne mund ta përkrahim sovranitetin e Jehovait duke mbajtur integritetin dhe duke i shërbyer besnikërisht. Në ç’mënyrë tjetër mund ta tregojmë përkrahjen tonë? Duke i bërë gjërat sipas mënyrës së Jehovait. Kur veprojmë ashtu siç do të vepronte Jehovai, tregojmë se e duam dhe se mbështetim mënyrën si qeveris.​—Lexo Efesianëve 5:1, 2.

14. Si mund ta imitojnë Jehovain pleqtë dhe kryefamiljarët?

14 Nga studimi i Biblës mësojmë se Jehovai e ushtron sovranitetin me dashuri. Në harmoni me këtë, kryefamiljarët dhe pleqtë që e duan sovranitetin e tij nuk janë tepër kërkues, sikur po ushtrojnë një sovranitet të vogël nga ana e tyre. Në vend të kësaj, imitojnë Jehovain. Tamam kështu bënte Pavli; ai imitonte Perëndinë dhe Birin e tij. (1 Kor. 11:1) Pavli nuk i vinte në siklet të tjerët ose nuk u bënte presion që të vepronin siç duhej. Përkundrazi, u përgjërohej atyre. (Rom. 12:1; Efes. 4:1; Fil. 8-10) Kjo është mënyra si vepron Jehovai. Prandaj, kjo duhet të jetë mënyra si sillen të gjithë ata që e duan dhe që mbështetin mënyrën si qeveris ai.

15. Pse respekti për kryesinë teokratike nxjerr në pah dashurinë tonë për mënyrën si qeveris Jehovai?

15 Si reagojmë ndaj kryesisë së autorizuar nga Perëndia? Kur bashkëpunojmë me respekt, tregojmë se mbështetim sovranitetin e Jehovait. Edhe nëse nuk e kuptojmë plotësisht një vendim ose nuk jemi dakord me të, prapëseprapë duam të mbështetim rregullin teokratik. Kjo ndryshon kokë e këmbë nga mënyra si sillet bota; por kjo është mënyra si veprojnë të gjithë ata që duan të jetojnë nën qeverisjen e Jehovait. (Efes. 5:22, 23; 6:1-3; Hebr. 13:17) Kur veprojmë  kështu nxjerrim dobi, pasi Perëndia do me gjithë zemër të mirën tonë.

16. Si i marrin vendimet personale përkrahësit e sovranitetit të Perëndisë?

16 Mbështetjen ndaj sovranitetit të Perëndisë mund ta tregojmë edhe me vendimet që marrim. Jehovai nuk jep urdhra specifikë për çdo situatë, se nuk është kjo mënyra si vepron ai. Përkundrazi, për të na udhëhequr, na zbulon mënyrën si mendon. Për shembull, ai nuk jep rregulla të hollësishme për mënyrën si duhet të vishen të krishterët. Në vend të kësaj, na zbulon se ka dëshirë që zgjedhjet tona në stilin e veshjes dhe në mënyrën si mbahemi të tregojnë modesti e t’u kenë hije shërbëtorëve të tij. (1 Tim. 2:9, 10) Veç kësaj, ka merak që të mos pengojmë ose të mos shqetësojmë të tjerët me vendimet tona. (1 Kor. 10:31-33) Kur i hedhim hapat të udhëhequr jo thjesht nga preferencat tona, por kryesisht nga ajo që ka merak e që mendon Jehovai, tregojmë se e duam dhe se mbështetim mënyrën si qeveris ai.

Mbështet sovranitetin e Perëndisë kur merr vendime dhe në aktivitetet familjare (Shih paragrafët 16-18.)

17, 18. Si mund të tregojnë çiftet e martuara se mbështetin sovranitetin e Jehovait?

17 Të shohim një aspekt ku çiftet e krishtere mund të mbështetin mënyrën si vepron Jehovai, e kështu të përkrahin sovranitetin e tij. Për shembull, ç’të themi nëse jeta martesore ka më tepër vështirësi nga ç’pritej? Ose ta zëmë se duket edhe zhgënjyese. Pse të mos ndalemi e të reflektojmë për mënyrën si vepronte Jehovai me Izraelin? Ai e përshkroi veten sikur ishte bashkëshorti i atij kombi të lashtë. (Isa. 54:5; 62:4) Çfarë «martese» e vështirë ishte ajo! E megjithatë, Jehovai nuk hoqi dorë shpejt e shpejt prej saj. Tregoi sa e sa herë mëshirë ndaj kombit dhe besnikëri ndaj besëlidhjes që kishte bërë me ta. (Lexo Psalmin 106:43-45.) A nuk na bën për vete kjo dashuri besnike e Jehovait?

18 Në përputhje me këtë, çiftet e martuara që e duan mënyrën si vepron Jehovai, imitojnë Perëndinë. Ata nuk kërkojnë ndonjë rrugëdalje jobiblike për të shpëtuar nga një martesë e vështirë. E kanë të qartë se i ka bashkuar Jehovai dhe se ai dëshiron të qëndrojnë ‘të lidhur ngushtë’ me njëri-tjetrin. E vetmja bazë biblike për divorc që mund t’i japë dikujt lirinë të rimartohet është imoraliteti seksual. (Mat. 19:5, 6, 9) Duke bërë më të mirën në situatën ku ndodhen, e madje duke u përpjekur ta përmirësojnë atë, mbështetin mënyrën e drejtë si qeveris Jehovai.

19. Si duhet të veprojmë nëse bëjmë ndonjë gabim e kështu nuk e mbështetim sovranitetin e Perëndisë?

19 Përderisa jemi të papërsosur, hera-herës do të bëjmë gjëra që e zhgënjejnë Jehovain. Ai e di këtë dhe me dashuri ka marrë masa për të mirën tonë nëpërmjet shpërblesës së Krishtit. Ndaj, kur bëjmë ndonjë gabim, duhet t’i kërkojmë Jehovait të na falë. (1 Gjon. 2:1, 2) Në vend që të hamë veten pareshtur nga marazi, duhet të përpiqemi të mësojmë nga ai gabim. Nëse qëndrojmë afër Jehovait, ai do të na falë dhe do të na ndihmojë të shërohemi emocionalisht e t’i përballojmë me sukses në të ardhmen situata të ngjashme.​—Psal. 103:3.

20. Pse duhet ta mbështetim sovranitetin e Jehovait sot?

20 Në botën e re, të gjithë do t’i nënshtrohen sovranitetit të Jehovait dhe do të mësojnë udhët e tij të drejta. (Isa. 11:9) Por ne po e marrim që sot një pjesë të mirë të atij arsimimi. Dhe së shpejti çështja e sovranitetit do të marrë zgjidhje një herë e mirë. Sot është koha të mbështetim sovranitetin e Perëndisë me integritetin tonë, me shërbimin tonë dhe me përpjekjet ngulmuese për ta imituar në çdo gjë që bëjmë.