Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

«Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»

«Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»

FJALËT e mësipërme i tha Davidi i Izraelit të lashtë për të lavdëruar një grua që takoi. Emri i saj ishte Abigaila. Çfarë e shtyu Davidin ta lavdëronte, dhe si mund të nxjerrim dobi nga shembulli i saj?

Davidi e takoi këtë grua të martuar gjatë kohës që kish marrë arratinë nga mbreti Saul. Abigaila ishte e martuar me Nabalin, një burrë i pasur që i kulloste kopetë e tij të mëdha në rajonin malor në jug të Judës. Davidi dhe njerëzit e tij kishin qenë «si një mur» mbrojtës për barinjtë dhe kopetë e Nabalit. Më vonë, Davidi dërgoi lajmëtarë te Nabali dhe kërkoi t’u jepte ca ushqime, ‘ç’t’i gjendej në dorë’. (1 Sam. 25:8, 15, 16) Kjo nuk ishte aspak një kërkesë e paarsyeshme, po të mbajmë parasysh se si i kishin mbrojtur Davidi dhe njerëzit e tij interesat e Nabalit.

Por Nabali, emri i të cilit do të thotë «i pamend» ose «budalla», veproi në përputhje me emrin e tij. Ai dha një përgjigje të ashpër e fyese, duke refuzuar ta plotësonte kërkesën e Davidit. Kështu, Davidi u përgatit ta ndëshkonte Nabalin për atë përgjigje fyese dhe të paarsyeshme. Nabali dhe shtëpia e tij do ta paguante për atë marrëzi.​—1 Sam. 25:2-13, 21, 22.

Abigaila, që dalloi pasojat e rënda të veprimit të nxituar që po planifikohej, ndërhyri me guxim. Plot respekt, iu përgjërua Davidit duke u bazuar te marrëdhënia e tij me Jehovain. Gjithashtu, çoi ushqim me bollëk për Davidin, i cili do të ishte mbreti i ardhshëm, dhe për njerëzit e tij. Si rrjedhojë, Davidi e pranoi se Jehovai përdori Abigailën që ta frenonte të mos kryente diçka që do ta kishte bërë me faj para Perëndisë. Davidi i tha Abigailës: «Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë dhe bekuar qofsh ti që nuk më le sot të bëhesha me faj gjaku.»​—1 Sam. 25:18, 19, 23-35.

S’do mend që nuk do të donim kurrë të ishim si Nabali​—mosmirënjohës për të mirat që na bëjnë. Veç kësaj, kur shohim se po zhvillohet një situatë e keqe, pse të mos bëjmë çmos ta qetësojmë? Ne mund të bashkohemi me ndjenjat e psalmistit, që i tha Perëndisë: «Më mëso të kem . . . gjykim të shëndoshë dhe njohuri.»​—Psal. 119:66.

Të tjerët mund ta vërejnë mençurinë, ose gjykimin e shëndoshë, që pasqyrojnë veprimet tona. Pavarësisht nëse e shprehin apo jo, ata mund të ndihen si Davidi, që tha: «Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë!»