«Ja, ju jeni në dorën time si argjila në dorën e poçarit.»JER. 18:6.

KËNGËT: 60, 22

1, 2. Pse Danieli ishte «njeri shumë i vyer» për Perëndinë, dhe si mund të jemi të bindur si ai?

KUR mërgimtarët judenj hynë në Babiloninë e lashtë, gjetën një qytet plot me idhuj dhe një popull të skllavëruar ndaj frymërave të liga. Gjithsesi, judenjtë besnikë, si Danieli dhe tre shokët e tij, nuk lejuan të modeloheshin nga Babilonia. (Dan. 1:6, 8, 12; 3:16-18) Danieli dhe shokët e tij ishin të vendosur të tregonin përkushtim vetëm ndaj Jehovait si Poçari i tyre. E ia dolën mbanë. Danieli e kaloi thuajse gjithë jetën në Babiloni, e megjithatë engjëlli i Perëndisë tha se ai ishte një «njeri shumë i vyer».Dan. 10:11, 19.

2 Në kohët biblike, poçari mund ta ngjeshte argjilën në një kallëp për t’i dhënë formën që donte. Sot, adhuruesit e vërtetë e pranojnë se Jehovai është Sovrani i universit, ai që ka autoritet të modelojë popuj e kombe. (Lexo Jereminë 18:6.) Perëndia ka autoritet të modelojë edhe secilin nga ne. Sidoqoftë, ai e pranon se kemi vullnet të lirë dhe do që t’i nënshtrohemi me dëshirë. Le të shqyrtojmë si mund të mbetemi argjilë e butë në duart e Perëndisë, duke u ndalur në tri pika: (1) Si t’i shmangim tiparet që mund të na ngurtësojnë kundrejt këshillave të Perëndisë? (2) Si të kultivojmë cilësi që na ndihmojnë të mbetemi të butë e të nënshtruar? (3) Si mund t’i nënshtrohen prindërit e krishterë Perëndisë kur modelojnë fëmijët?

 SHMANG TIPARET QË NGURTËSOJNË ZEMRËN

3. Cilat tipare mund të na e ngurtësojnë zemrën? Ilustrojeni.

3 Te Proverbat 4:23 thuhet: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën, sepse prej saj dalin burimet e jetës.» Nga cilat tipare që mund të na ngurtësojnë zemrën duhet të ruhemi? Disa prej tyre janë krenaria e tepruar, praktikimi i mëkatit dhe mungesa e besimit. Këto mund të ushqejnë një frymë të pabindur ose rebele. (Dan. 5:1, 20; Hebr. 3:13, 18, 19) Për shembull, Uziahu, mbreti i Judës, e tregoi sheshit krenarinë e tij. (Lexo 2 Kronikave 26:3-5, 16-21.) Në fillim, ai «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait» dhe «u kujdes vazhdimisht që të kërkonte Perëndinë». Por, «me t’u bërë i fortë, zemra e tij u bë fodulle», ndonëse burimi i asaj force ishte Perëndia. Madje u orvat të digjte temjan në tempull—një privilegj që u takonte vetëm priftërinjve të linjës së Aaronit. Pastaj, kur priftërinjtë u ballafaquan me të, Uziahu krenar u tërbua. Rezultati? Perëndia ‘e rrëzoi’ në mënyrë poshtëruese dhe vdiq i lebrosur.Prov. 16:18.

4, 5. Ç’mund të ndodhë po të mos ruhemi nga krenaria? Jepni një shembull.

4 Po të mos ruhemi nga krenaria, edhe ne mund të fillojmë ‘të mendojmë për veten më shumë nga sa duhet të mendojmë’, ndoshta gjer aty sa të mos pranojmë këshillat e Biblës. (Rom. 12:3; Prov. 29:1) Të shohim çfarë ndodhi me një plak kongregacioni që quhet Xhimi. Ai nuk ishte dakord me pleqtë e tjerë për një çështje kongregacioni. Xhimi tregon: «U thashë vëllezërve se nuk po tregonin dashuri dhe ika nga mbledhja.» Afro gjashtë muaj më vonë u transferua në një kongregacion fqinj, por atje nuk u emërua plak. Ai shprehet: «Ndihesha i dërrmuar. E mbaja veten më të drejtë se të tjerët, dhe kjo ndjenjë më mposhti. Kështu, e braktisa të vërtetën.» Xhimi mbeti joaktiv për dhjetë vjet. Ai pranon: «Isha prekur në sedër dhe zura t’ia hidhja fajin Jehovait për atë që po ndodhte. Me kalimin e viteve, vëllezërit më vizitonin dhe mundoheshin të arsyetonin me mua, por nuk e pranoja ndihmën e tyre.»

5 Përvoja e Xhimit tregon si mund të na shtyjë sedra ose krenaria të justifikojmë veprimet tona, e kështu të mos jemi më argjilë e butë. (Jer. 17:9) Xhimi shpjegon: «Më rrihte mendja orë e minutë te gabimet që kishin bërë të tjerët sipas meje.» A je lënduar ndonjëherë nga një bashkëbesimtar ose ngaqë humbe një privilegj? Nëse po, si reagove? A hyri në lojë krenaria? Apo meraku yt më i madh ishte të bëje paqe me vëllanë dhe t’i qëndroje besnik Jehovait?Lexo Psalmin 119:165; Kolosianëve 3:13.

6. Ç’mund të ndodhë nëse praktikojmë mëkatin?

6 Po ashtu, dikush që praktikon mëkatin, ndoshta edhe fshehurazi, mund të bëhet i pandjeshëm ndaj këshillave të Perëndisë. Pak nga pak mund ta ketë më të lehtë të mëkatojë. Një vëlla tha se me kalimin e kohës sjellja e vet e papërshtatshme nuk e trazonte më hiç. (Ekl. 8:11) Një vëlla tjetër, të cilit iu bë ves shikimi i pornografisë, më vonë pranoi: «Vura re se po zhvilloja qëndrim kritik ndaj pleqve.» Vesi që kishte po i dëmtonte marrëdhënien me Jehovain. Përfundimisht, doli në shesh çfarë po bënte dhe mori ndihmën që i duhej aq shumë. Dihet, të gjithë jemi të papërsosur. Ama, nëse fillojmë të zhvillojmë qëndrim kritik ose të justifikojmë një rrugë të gabuar, në vend që t’i kërkojmë falje e ndihmë Perëndisë,  ndoshta zemra ka nisur të na ngurtësohet.

7, 8. (a) Si e tregon rasti i izraelitëve të lashtë se mungesa e besimit mund të na ngurtësojë zemrën? (b) Ç’mësim nxjerrim?

7 Një rast që tregon si mund të na e ngurtësojë zemrën mungesa e besimit, është shembulli i izraelitëve që Jehovai i çliroi nga Egjipti. Ai komb pa gjithë ato mrekulli që kreu Perëndia për ta, e disa ishin vërtet mahnitëse. Prapëseprapë, kur iu afrua Tokës së Premtuar, populli tregoi mungesë besimi. Në vend që të besonin plotësisht te Jehovai, i pushtoi frika dhe murmuritën kundër Moisiut. Madje donin të ktheheshin në Egjipt, ku kishin qenë skllevër. Jehovai u lëndua shumë. «Deri kur do të më përbuzë ky popull?»—tha ai. (Num. 14:1-4, 11; Psal. 78:40, 41) Si pasojë e zemrës së ngurtë dhe e mungesës së besimit, ai brez mori fund të shkretëtirë.

8 Sot, ndërsa bota e re është gjithnjë e më afër, po vihet në provë besimi ynë. Bëjmë mirë të analizojmë cilësinë e besimit. Për shembull, mund të shqyrtojmë se çfarë pikëpamje kemi për fjalët e Jezuit te Mateu 6:33. Pyet veten: «A tregojnë përparësitë dhe vendimet e mia se i besoj vërtet fjalët e Jezuit? A do të vendosja të humbja hera-herës mbledhjet a shërbimin për të pasur më shumë të ardhura? Çfarë do të bëj nëse presionet ose kërkesat në punë shtohen gjithnjë e më tepër? A do të lejoj që bota të më japë formë sipas kallëpit të saj, e ndoshta edhe të më largojë nga e vërteta?»

9. Pse duhet ‘të vazhdojmë të vëmë në provë veten’ nëse jemi në besim, dhe si mund ta bëjmë këtë?

9 Të marrim një shembull tjetër. Mendo për një shërbëtor të Jehovait që ngurron disi t’i zbatojë normat e Biblës—mbase ato që kanë të bëjnë me shoqërinë, përjashtimin ose zbavitjet. Pyet veten: «Mos vallë po më ndodh edhe mua kjo?» Nëse pikasim se brenda nesh po zhvillohet ky qëndrim që na ngurtëson zemrën, duhet ta shqyrtojmë urgjentisht besimin tonë! Bibla na nxit: «Vazhdoni të vini në provë veten nëse jeni në besim, vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë.» (2 Kor. 13:5) Një vetëshqyrtim i sinqertë nën dritën e Fjalës së Perëndisë duhet të jetë pjesë e rregullt e meditimit tonë.

QËNDRO I BUTË NË DUART E JEHOVAIT

10. Ç’mund të na ndihmojë të jemi si argjilë e butë në duart e Jehovait?

10 Për të na ndihmuar të mbetemi argjilë e butë, Perëndia na ka siguruar, ndër të tjera, Fjalën e tij, kongregacionin e krishterë dhe shërbimin. Ashtu si uji që zbut argjilën, edhe leximi e meditimi i përditshëm rreth Biblës mund të na ndihmojë të jemi të modelueshëm në duart e Jehovait. Perëndia kërkonte që mbretërit e Izraelit të shkruanin për vete një kopje të Ligjit të tij dhe ta lexonin përditë. (Ligj. 17:18, 19) Apostujt e kuptuan se për shërbimin e tyre ishte jetësore të lexonin Shkrimet e të meditonin rreth tyre. Ata i citonin Shkrimet Hebraike dhe i përmendnin me qindra herë në shkrimet e tyre. E kur predikonin, i nxitnin njerëzit që t’i përdornin edhe ata. (Vep. 17:11) Po njësoj, ne sot e kuptojmë sa rëndësi ka ta lexojmë çdo ditë Fjalën e Perëndisë me lutje e meditim. (1 Tim. 4:15) Kjo na ndihmon të mbetemi të përulur para Jehovait e të marrim formë lehtë në duart e tij.

Shfrytëzo ndihmën që të siguron Perëndia për të mbetur i butë (Shih paragrafët 10-13.)

11, 12. Si mund ta përdorë Jehovai kongregacionin e krishterë për të na modeluar sipas nevojave të secilit? Ilustrojeni.

11 Me anë të kongregacionit të krishterë, Jehovai mund të na modelojë sipas nevojave që ka secili nga ne. Qëndrimi i Xhimit, që u përmend më lart, nisi të zbutej  kur një plak tregoi interes për të. Xhimi thotë: «As edhe një herë të vetme nuk më fajësoi për situatën ku ndodhesha, e as më kritikoi. Përkundrazi, vazhdoi të më inkurajonte dhe tregoi se donte me gjithë zemër të më ndihmonte.» Pas nja tre muajsh, plaku e ftoi në një mbledhje. Xhimi tregon: «Kongregacioni më mirëpriti me ngrohtësi, dhe ajo dashuri ishte pika e kthesës për mua. Fillova të kuptoja se ndjenjat e mia nuk ishin gjëja më e rëndësishme. Me mbështetjen e vëllezërve dhe të gruas sime të shtrenjtë që nuk iu luhat kurrë besimi, dalëngadalë e forcova marrëdhënien me Perëndinë. Më dhanë shumë zemër edhe artikujt ‘Nuk mund të fajësohet Jehovai’ dhe ‘Shërbejini Jehovait me besnikëri’ në Kullën e Rojës të 15 nëntorit 1992.» (Në shqip, shih Kullën e Rojës të 1 majit 1993.)

12 Me kohë, Xhimi u emërua sërish plak. Që atëherë, ka ndihmuar vëllezër të tjerë të kapërcejnë sprova të ngjashme dhe të përtërijnë besimin. Ai përfundon: «Kujtoja se kisha marrëdhënie të fortë me Jehovain, por nuk ishte ashtu. Më vjen keq që e lejova krenarinë të më verbonte aq sa nuk dallova gjërat më të rëndësishme dhe u fiksova te gabimet e të tjerëve.»1 Kor. 10:12.

13. Çfarë cilësish mund të kultivojmë falë shërbimit, dhe ç’të mira sjell kjo?

13 Si mund të na modelojë shërbimi për të mirën tonë? Kur u japim të tjerëve lajmin e mirë, kjo mund të na ndihmojë të kultivojmë përulësinë dhe aspekte të ndryshme të frytit të frymës së Perëndisë. (Gal. 5:22, 23) Të mendojmë për cilësitë e mira që kemi zhvilluar në shërbim. E veç kësaj, ndërsa shfaqim personalitetin e krishterë, stolisim mesazhin tonë, çka mund të ndikojë  te qëndrimi i disave në territor. Për shembull, dy Dëshmitarë në Australi e dëgjuan me respekt një grua në territor, edhe pse u foli fare pa njerëzillëk. Por më vonë, gruas i erdhi keq për sjelljen e saj dhe i shkroi zyrës së degës. Ndër të tjera, thoshte: «Atyre dy njerëzve aq të duruar e të përulur dua t’u kërkoj ndjesë për sjelljen time gjithë përçmim, sikur isha më lart se ata. Ishte budallallëk nga ana ime që kisha para dy njerëz të cilët përhapnin Fjalën e Perëndisë dhe që u përpoqa t’i largoja në atë mënyrë.» A do ta kishte shkruar këtë sikur lajmëtarët të kishin shfaqur qoftë edhe një fije zemërimi? Ka shumë të ngjarë që jo. Vërtet, sa të mira sjell shërbimi ynë—qoftë për ne vetë, qoftë për të tjerët!

NËNSHTROJUNI PERËNDISË KUR MODELONI FËMIJËT

14. Ç’duhet të bëjnë prindërit që t’ia dalin mbanë t’i modelojnë fëmijët?

14 Shumica e fëmijëve janë të etur të mësojnë dhe zakonisht janë të përulur. (Mat. 18:1-4) Prandaj, prindërit e mençur bëjnë mirë të përpiqen t’u rrënjosin në mendje e në zemër të vegjëlve njohurinë dhe dashurinë për të vërtetën. (2 Tim. 3:14, 15) S’diskutohet që për t’ia dalë mbanë, së pari prindërit duhet ta ngulitin të vërtetën në zemrën e vet, duke jetuar sipas saj. Kur prindërit veprojnë kështu, fëmijët jo vetëm dëgjojnë për të vërtetën, por edhe e jetojnë. Veç kësaj, mësojnë ta shohin disiplinën e prindërve si një shprehje dashurie që pasqyron dashurinë e Jehovait.

15, 16. Si duhet të tregojnë prindërit se besojnë me gjithë zemër te Perëndia nëse u përjashtohet fëmija?

15 Mirëpo, edhe pse rriten si të krishterë, më vonë disa fëmijë e braktisin të vërtetën ose përjashtohen, dhe ua copëtojnë zemrën familjarëve. Një motër në Afrikën e Jugut tha: «Kur m’u përjashtua vëllai, ndihesha si të më kishte vdekur. Më sëmbonte në zemër.» Si reaguan ajo dhe prindërit? Ndoqën drejtimin që jepet në Fjalën e Perëndisë. (Lexo 1 Korintasve 5:11, 13.) Prindërit thanë: «Ishim të vendosur të zbatonim Biblën, se e dinim që po t’i bënim gjërat sipas mënyrës së Perëndisë, do të kishim rezultatin më të mirë. E pamë përjashtimin si disiplinë nga Jehovai dhe ishim të bindur se ai disiplinon i shtyrë nga dashuria dhe në masën e duhur. Kështu, komunikonim me djalin vetëm për çështje familjare absolutisht të nevojshme.»

16 Si ndihej djali? Ai vetë tha më vonë: «E dija se familjarët nuk më urrenin, por po i bindeshin Jehovait dhe organizatës së tij.» Gjithashtu tha: «Kur s’ke nga ia mban tjetër veçse t’i përgjërohesh Jehovait të të ndihmojë e të të falë, e kupton sa nevojë ke për të.» Merre me mend gëzimin e familjes kur djali u rivendos! Po, kur i kushtojmë vëmendje Perëndisë në të gjitha udhët tona, kemi rezultatin më të mirë.Prov. 3:5, 6; 28:26.

17. Pse duhet t’i nënshtrohemi Jehovait në gjithë jetën tonë, dhe si do të na sjellë dobi kjo?

17 Profeti Isaia foli për pjesën e fundit të mërgimit të judenjve, kur të penduarit do të kuptonin këtë të vërtetë: «Ti, o Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» Pastaj do t’i përgjëroheshin: «Mos e kujto gjithmonë fajin tonë. Na shih, pra, të gjithë ne jemi populli yt.» (Isa. 64:8, 9) Po t’i nënshtrohemi edhe ne me përulësi Jehovait dhe ta tregojmë këtë nënshtrim në gjithë jetën tonë, do të jemi shumë të vyer për të, siç ishte profeti Daniel. Për më tepër, Jehovai do të vazhdojë të na modelojë me anë të Fjalës, të frymës dhe të organizatës së vet, që një ditë të qëndrojmë para tij si ‘fëmijët’ e tij të përsosur.Rom. 8:21.