«Atje ku është fryma e Jehovait, është liria.»​—2 KOR. 3:17.

KËNGËT: 49, 73

1, 2. (a) Pse shqetësoheshin për skllavërinë dhe lirinë njerëzit në kohën e apostullit Pavël? (b) Te kush i drejtoi Pavli njerëzit që të fitonin lirinë e vërtetë?

NJERËZIT në botën romake, mes të cilëve jetonin të krishterët e hershëm, krenoheshin se ishin mbrojtës të ligjit, të drejtësisë e të lirisë. E megjithatë, një pjesë e madhe e pushtetit dhe e lavdisë së Perandorisë Romake ishte ndërtuar në kurriz të skllevërve. Në njëfarë pike, rreth 30 për qind e popullsisë ishin skllevër. Pa dyshim që skllavëria dhe liria ishin çështje që i shqetësonin njerëzit e thjeshtë, përfshirë edhe të krishterët.

2 Letrat e apostullit Pavël flasin shumë për lirinë. Mirëpo, synimi i shërbimit të tij nuk ishte reforma shoqërore a politike, që kërkonin njerëzit në atë kohë. Në vend që ta pritnin lirinë nga ndonjë qeveritar a organizatë njerëzore, Pavli dhe bashkëbesimtarët e tij u përpoqën fort t’i ndihmonin të tjerët të mësonin për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe për vlerën e pashoqe të flijimit shpërblyes të Krishtit Jezu. Pavli i drejtoi bashkëbesimtarët te Burimi i lirisë së vërtetë. Për shembull, në letrën e tij të dytë drejtuar të krishterëve  në Korint, ai tha qartë: «Jehovai është Fryma, dhe atje ku është fryma e Jehovait, është liria.»​—2 Kor. 3:17.

3, 4. (a) Për çfarë po fliste Pavli para se të bënte pohimin që gjejmë te 2 Korintasve 3:17? (b) Ç’duhet të bëjmë që të gëzojmë lirinë që vjen nga Jehovai?

3 Më parë në letrën drejtuar korintasve, Pavli kishte folur për lavdinë e Moisiut kur zbriti nga mali Sinai pasi kishte qenë në praninë e një engjëlli të Jehovait. Kur e pa Moisiun, popullit i hyri frika dhe Moisiu vuri një vel mbi fytyrë. (Dal. 34:29, 30, 33; 2 Kor. 3:7, 13) «Por,​—shpjegoi Pavli,—​kur kthehen te Jehovai, veli hiqet.» (2 Kor. 3:16) Ç’kuptim kanë fjalët e Pavlit?

4 Siç mësuam në artikullin e mëparshëm, Jehovai, Krijuesi i gjithçkaje, është i vetmi Person që ka liri absolute dhe të pakufishme. Ndaj është logjike që në prani të Jehovait dhe «atje ku është fryma e Jehovait», të ketë liri. Por, që të gëzojmë liri e të nxjerrim dobi prej saj duhet të ‘kthehemi te Jehovai’, pra të zhvillojmë një marrëdhënie personale me të. Izraelitët në shkretëtirë nuk e panë nga këndvështrimi i Jehovait mënyrën si veproi Ai me ta. Zemra dhe mendja e tyre sikur ishin të mbuluara me vel dhe të ngurtësuara, të përqendruara vetëm si ta përdornin lirinë e sapofituar nga Egjipti për gjëra fizike ose mishore.​—Hebr. 3:8-10.

5. (a) Ç’lloj lirie sjell fryma e Jehovait? (b) Nga e dimë se robëria fizike nuk e pakëson lirinë që siguron Jehovai? (c) Cilave pyetje duhet t’u japim përgjigje?

5 Mirëpo, liria që vjen nga fryma e Jehovait, nuk është thjesht liri nga skllavëria fizike. Fryma e Jehovait sjell një liri shumë më të madhe nga ç’mund të shpresojnë të arrijnë njerëzit me përpjekjet e tyre. Sjell çlirim nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes, si edhe nga skllavëria e adhurimit të rremë e nga praktikat e tij. (Rom. 6:23; 8:2) Sa e lavdishme është kjo liri! Një njeri mund të gëzojë dobitë e kësaj lirie edhe kur është i burgosur a skllav. (Zan. 39:20-23) Pa dyshim kështu ishte për motrën Nensi Juen dhe për vëllanë Harold King, të cilët duruan vite të tëra në burg për shkak të besimit. Mund t’i shohësh e t’i dëgjosh teksa tregojnë përvojat e tyre në JW Broadcasting. (Shih tek INTERVISTA DHE PËRVOJA > QËNDROJNË NËN SPROVA.) Gjithsesi, duhet të shqyrtojmë këto pyetje: si mund të tregojmë se e çmojmë si thesar lirinë tonë? Dhe si mund ta përdorim me mençuri këtë liri?

TË ÇMOJMË LIRINË QË NA KA DHËNË PERËNDIA

6. Si treguan izraelitët se nuk e çmuan lirinë që u dha Jehovai?

6 Kur e kuptojmë vlerën e vërtetë të një dhurate të shtrenjtë, nxitemi të tregojmë mirënjohje për atë që na e ka dhuruar. Izraelitët nuk e çmuan lirinë që u dha Jehovai kur i çliroi nga skllavëria në Egjipt. Vetëm pak muaj pas çlirimit, nisën të dëshironin ushqimet që kishin pasur në Egjipt dhe u ankuan për të mirat që siguronte Jehovai, madje arritën deri aty sa donin të ktheheshin në Egjipt. Mendo pak, ata i vunë ‘peshqit, kastravecat, shalqinjtë, preshtë, qepët dhe hudhrat’ para lirisë që u kishte dhënë Jehovai për të adhuruar atë, Perëndinë e vërtetë. A është çudi, pra, që Jehovait iu ndez një zemërim i madh ndaj popullit të tij? (Num. 11:5, 6, 10; 14:3, 4) Ç’mësim i fuqishëm për ne sot!

7. Si veproi Pavli në harmoni me këshillën e tij te 2 Korintasve 6:1, dhe si mund ta bëjmë edhe ne këtë?

7 Apostulli Pavël i nxit të gjithë të  krishterët të mos e humbin mirënjohjen për lirinë që u ka dhënë me dashamirësi Jehovai, nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit. (Lexo 2 Korintasve 6:1.) Sill ndër mend sa i mjerë ishte dhe sa e torturonte ndërgjegjja Pavlin, ngaqë ndihej rob i mëkatit dhe i vdekjes. Por, ai tha me mirënjohje: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!» Pse? Ai u shpjegoi bashkëbesimtarëve: «Sepse ligji i asaj fryme që jep jetë në unitet me Krishtin Jezu, të ka liruar nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.» (Rom. 7:24, 25; 8:2) Duke ndjekur shembullin e Pavlit, edhe ne s’duhet ta humbim mirënjohjen për faktin që Jehovai na çliroi nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes. Me anë të shpërblesës, mund t’i shërbejmë Perëndisë tonë me një ndërgjegje të pastër dhe të gjejmë kënaqësi të vërtetë teksa e bëjmë këtë.​—Psal. 40:8.

A po e përdor lirinë e zgjedhjes që të përkrahësh veprën e Mbretërisë apo interesat e tua? (Shih paragrafët 8-10.)

8, 9. (a) Çfarë paralajmërimi dha apostulli Pjetër për mënyrën si ta përdorim lirinë? (b) Çfarë rreziqesh hasim sot?

8 Megjithatë, përveçse të shprehim mirënjohje, duhet edhe të bëjmë kujdes që të mos e keqpërdorim kurrë lirinë tonë të vyer. Apostulli Pjetër na paralajmëroi të mos e përdorim lirinë tonë si një justifikim për të kënaqur dëshirat e mishit. (Lexo 1 Pjetrit 2:16.) A nuk na kujton ky paralajmërim atë që u ndodhi izraelitëve në shkretëtirë? Edhe ne jemi në rrezik, e mbase akoma më shumë. Satanai dhe bota e tij ofrojnë zgjedhje gjithnjë e më joshëse në lidhje me veshjen dhe paraqitjen, ushqimin dhe pijet, çlodhjen e zbavitjen dhe sa e sa gjëra të tjera. Reklamuesit e zgjuar shpesh paraqitin në mënyrë mashtruese njerëz tërheqës, që të reklamojnë si të domosdoshme shumë gjëra për të cilat në realitet nuk kemi nevojë. Sa e lehtë është të biem pre e këtyre taktikave e të keqpërdorim lirinë tonë!

9 Këshilla e Pjetrit vlen edhe për aspekte më serioze të jetës, si zgjedhja e arsimimit, punës ose karrierës. Për shembull, të rinjtë në shkollë sot janë nën një presion të madh që të kualifikohen për t’u regjistruar në universitete elitare. Bota i shtyn të mendojnë se arsimi i lartë u hap rrugën për një punë me rrogë të majme e prestigjoze. E shpesh paraqiten statistika për të treguar hendekun mes pagave të atyre që janë diplomuar në universitete të tilla dhe të atyre që kanë vetëm arsimin e detyrueshëm. E gjithë kjo mund t’u duket shumë tunduese të rinjve kur duhet të bëjnë zgjedhje që mund të ndikojnë thellë në tërë jetën e tyre. Çfarë duhet të mbajnë parasysh të rinjtë dhe prindërit e tyre?

10. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur përdorim lirinë tonë për të bërë zgjedhje personale?

10 Disa mund të mendojnë se meqë zgjedhjet për çështje të tilla janë personale, duhet të jenë të lirë të zgjedhin çfarë të duan për sa kohë ua lejon ndërgjegjja. Mbase kanë parasysh fjalët që u shkroi Pavli të krishterëve në Korint për ushqimin: «Përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegjja e një tjetri?» (1 Kor. 10:29) Edhe pse është e vërtetë që jemi të lirë të bëjmë zgjedhje personale për arsimimin dhe karrierën, nuk duhet të harrojmë se liria jonë është relative dhe se të gjitha vendimet që marrim, kanë pasoja. Ja përse Pavli i parapriu pohimit të tij me këto fjalë: «Gjithçka është e ligjshme [e lejueshme, shën., NWT, botimi 2013], por jo gjithçka është dobiprurëse. Gjithçka është e ligjshme, por jo gjithçka ndërton.» (1 Kor. 10:23) Kjo pa diskutim na ndihmon të kuptojmë se ka faktorë shumë më të rëndësishëm se preferencat tona që duhen marrë parasysh  kur përdorim lirinë personale në çdo aspekt të jetës.

TA PËRDORIM ME MENÇURI LIRINË TONË QË T’I SHËRBEJMË PERËNDISË

11. Për cilin qëllim na ka çliruar Jehovai?

11 Kur paralajmëroi që të mos e keqpërdorim lirinë, Pjetri tregoi edhe për çfarë qëllimi ta përdorim. Ai na nxiti ta përdorim lirinë tonë «si skllevër të Perëndisë». Pra, qëllimi i vërtetë pse Jehovai na ka çliruar nëpërmjet Jezuit nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes, është që të bëjmë një jetë të përkushtuar «si skllevër të Perëndisë».

12. Çfarë shembulli na lanë Noeja dhe familja e tij?

12 Mënyra më e mirë si ta mbrojmë veten që të mos e keqpërdorim lirinë tonë e të bëhemi kështu sërish skllevër të ambicieve dhe dëshirave të botës, është të zhytemi plotësisht në aktivitete teokratike. (Gal. 5:16) Të mendojmë, për shembull, për patriarkun Noe dhe familjen e tij. Ata jetuan në një botë të dhunshme e imorale. Prapëseprapë, e ruajtën veten të lirë duke mos u ngatërruar me dëshirat dhe aktivitetet e njerëzve përreth. Si ia dolën? Ata zgjodhën të zhyteshin në gjithë caktimet që u kishte dhënë Jehovai​—të ndërtonin arkën, të grumbullonin ushqim për vete e për kafshët dhe të paralajmëronin të tjerët. «Noeja veproi në përputhje me të gjitha ato që i urdhëroi Perëndia. Ai bëri pikërisht ashtu.» (Zan. 6:22) Rezultati? Noeja dhe familja e tij i mbijetuan fundit të asaj bote.​—Hebr. 11:7.

13. Cila detyrë iu ngarkua Jezuit që pastaj ua kaloi dishepujve të tij?

13 Çfarë na ka urdhëruar Jehovai të bëjmë sot? Ne e dimë se Ai i ngarkoi Jezuit detyrën të predikonte dhe se Jezui ua kaloi këtë detyrë dishepujve të tij. (Lexo Lukën 4:18, 19.) Sot, pjesa dërrmuese e njerëzve janë ende të verbuar nga perëndia i këtij sistemi dhe janë në robëri nga ana fetare, ekonomike dhe shoqërore. (2 Kor. 4:4) Ne kemi privilegjin të ndjekim shembullin që la Jezui duke i ndihmuar njerëzit të njohin dhe të adhurojnë Jehovain,  Perëndinë e lirisë. (Mat. 28:19, 20) Kjo nuk është një punë e lehtë dhe ka shumë sfida. Në disa vende njerëzit po bëhen më indiferentë, e disa madje armiqësorë. Pyetja që duhet të shqyrtojë secili prej nesh është: «A mund ta përdor lirinë time për ta mbështetur edhe më shumë veprën e Mbretërisë?»

14, 15. Çfarë reagimi ndaj veprës së predikimit vihet re mes popullit të Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

14 Inkurajohemi jashtë mase kur shohim se shumë e kanë kuptuar urgjencën e kohëve që po jetojmë dhe e kanë thjeshtuar jetën që të marrin pjesë në shërbimin e plotkohor. (1 Kor. 9:19, 23) Disa prej tyre shërbejnë brenda territorit ku jetojnë; të tjerë transferohen ku ka më shumë nevojë. Raportet tregojnë se pesë vitet e fundit, mesatarja e pionierëve të rregullt ka arritur në mbi 1.100.000 veta dhe mbi 250.000 lajmëtarë u janë shtuar radhëve të predikuesve në kohë të plotë. Ç’rezultat i shkëlqyer ngaqë e kanë përdorur me mençuri lirinë për t’i shërbyer Jehovait!​—Psal. 110:3.

15 Çfarë i ka ndihmuar këta vëllezër e motra ta përdorin me mençuri lirinë e tyre? Mendo për Xhonin dhe Xhuditën të cilët kanë 30 vjet që shërbejnë në shtete të ndryshme. Ata kujtojnë se kur filloi Shkolla e Shërbimit për Pionierë më 1977, vihej theksi te gatishmëria për t’u transferuar e për të shërbyer ku kishte më shumë nevojë. Që të vazhdonin të përqendroheshin te ky synim, Xhoni thotë se ndryshoi punë shumë herë për të mbajtur një jetë të thjeshtë. Më vonë, kur shkuan në një shtet të huaj, panë se lutjet dhe mbështetja te Jehovai i ndihmuan të kapërcenin pengesa të tilla, si mësimi i një gjuhe të re, përshtatja me një kulturë të re dhe përballimi i një klime të vështirë. Si ndikuan ato vite shërbimi tek ata? Xhoni thotë: «Ndieja se isha zhytur në aktivitetin më fantastik që kam përjetuar ndonjëherë. Jehovai u bë më real për mua, tamam si një atë i dashur. Tani i kuptoj më mirë fjalët e Jakovit 4:8: ‘Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.’ E dija se kisha gjetur atë që po kërkoja, një qëllim të kënaqshëm në jetë.»

16. Si e kanë përdorur me mençuri lirinë e tyre mijëra veta që janë të kufizuar nga rrethanat?

16 Ndryshe nga Xhoni dhe Xhudita, të tjerë kanë rrethana që u lejojnë të shërbejnë në kohë të plotë vetëm për një periudhë të shkurtër. Prapëseprapë, shumë shfrytëzojnë mundësinë që të dalin vullnetarë për projekte teokratike ndërtimi përreth botës. Për shembull, kur po ndërtohej selia botërore në Uoruik, Nju-Jork, rreth 27.000 vëllezër e motra ofruan të ndihmonin me aftësitë e tyre nga dy javë deri në një vit a më shumë. Sa e sa veta lanë pezull shumë gjëra në jetë për të shërbyer atje. Çfarë shembulli të shkëlqyer kanë lënë duke e përdorur lirinë që u ka dhënë Jehovai për të lëvduar e nderuar atë, Perëndinë e lirisë!

17. Cila e ardhme e lavdishme i pret ata që e përdorin me mençuri sot lirinë nga Perëndia?

17 Jemi mirënjohës që kemi njohur Jehovain e që mund të gëzojmë lirinë që sjell adhurimi i vërtetë. Tregofshim me zgjedhjet që bëjmë se e çmojmë si thesar këtë liri! Në vend që ta shpërdorojmë a ta keqpërdorim, le ta përdorim lirinë tonë dhe mundësitë që krijon ajo për t’i shërbyer Jehovait sa më plotësisht të jetë e mundur. Nëse veprojmë kështu, mund të presim me padurim të shijojmë bekimet që ka premtuar Jehovai kur të përmbushen fjalët e kësaj profecie: «Vetë krijesa do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë.»​—Rom. 8:21.