Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse nuk është e lejueshme të postohen botime të Dëshmitarëve të Jehovait në një sit personal ose në mediat sociale?

Meqë i ofrojmë falas materialet tona të bazuara në Bibël, disa mendojnë se është e pranueshme që ato të kopjohen dhe të postohen në site të tjera ose në mediat sociale. Mirëpo, kjo shkel «Kushtet e përdorimit» * të siteve tona dhe ka shkaktuar probleme serioze. Siç thuhet qartë te «Kushtet e përdorimit», askush nuk lejohet ‘të postojë materiale grafike, botime elektronike, marka tregtare, muzikë, foto, video ose artikuj të këtij siti në Internet (në çfarëdo siti tjetër, në site file-sharing, video-sharing ose në rrjete sociale)’. Pse është i nevojshëm ky kufizim?

Askush nuk mund të postojë në vende të tjera në Internet botimet tona me të drejta autori

Të gjitha materialet në sitet tona kanë të drejta autori. Apostatët dhe kundërshtarë të tjerë përpiqen t’i përdorin botimet tona në sitet e tyre si karrem për të tërhequr Dëshmitarë të Jehovait dhe të tjerë. Në këto site përfshihen me marifet materiale që janë bërë enkas për të mbjellë dyshime në mendjet e lexuesve. (Psal. 26:4; Prov. 22:5) Disa të tjerë kanë përdorur materiale nga botimet tona ose logon tonë jw.org në reklama, në produkte që ofrohen për shitje dhe në aplikacione për pajisjet elektronike. Duke siguruar mbrojtje për të drejtat e autorit dhe për markën tregtare, ne kemi bazë ligjore për të parandaluar një keqpërdorim të tillë. (Prov. 27:12) Por, nëse me vetëdije lejojmë që të tjerët, qofshin këta vëllezërit tanë, të postojnë materialet tona elektronike në site të tjera ose të përdorin markën tregtare jw.org për të shitur një produkt, gjykatat mund të mos i përkrahin përpjekjet  tona për të sprapsur kundërshtarët dhe sipërmarrjet tregtare.

Të shkarkosh botimet tona nga çfarëdo siti tjetër përveç jw.org mund të jetë e rrezikshme. Jehovai ia ka besuar vetëm ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’ përgjegjësinë për të siguruar ushqim të bazuar në Bibël. (Mat. 24:45) Për të botuar këtë ushqim, ky ‘skllav’ përdor vetëm sitet e tij zyrtare​—www.jw.org, tv.jw.org dhe wol.jw.org. Gjithashtu, kemi vetëm tri aplikacione zyrtare për pajisjet elektronike​—JW Language®, JW Library® dhe JW Library Sign Language®. Mund të jemi të sigurt se këto janë të pastra nga reklamat ose nga ndotjet e botës së Satanait. Nëse ushqimi i bazuar në Bibël kalon përmes kanaleve të tjera, nuk ka asnjë garanci se s’është ndryshuar a ndotur.​—Psal. 18:26; 19:8.

Veç kësaj, postimi i botimeve tona në site ku lejohen komente, u siguron apostatëve dhe kritikëve të tjerë një vend për të mbjellë mosbesim për organizatën e Jehovait. Disa vëllezër janë tërhequr në debate online, e kështu i kanë sjellë më shumë sharje emrit të Jehovait. Një forum online nuk është vendi i duhur ‘për t’i mësuar me butësi ata që nuk janë të prirur në mënyrë të favorshme’. (2 Tim. 2:23-25; 1 Tim. 6:3-5) Është vërejtur edhe se janë krijuar profile të rreme në mediat sociale dhe site fallso në emër të organizatës, të Trupit Udhëheqës dhe të anëtarëve të tij. Por, asnjë anëtar i Trupit Udhëheqës nuk ka një faqe personale në Internet dhe nuk përdor asnjë media sociale.

Duke i drejtuar njerëzit te jw.org ndihmojmë të përhapet ‘lajmi i mirë’. (Mat. 24:14) Mjetet elektronike që marrim për t’i përdorur personalisht në shërbim po përmirësohen dita-ditës. Duam që kushdo të nxjerrë dobi prej tyre. Prandaj, siç tregohet te «Kushtet e përdorimit», mund t’i çosh dikujt me email një kopje elektronike të një botimi ose linkun e një materiali që gjendet në jw.org. Duke i drejtuar të interesuarit te sitet tona zyrtare, po i lidhim me të vetmin burim të vërtetë të ushqimit të bazuar në Bibël, me ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’.

^ par. 1 Linku për të parë «Kushtet e përdorimit» gjendet në fund të faqes kryesore të jw.org, dhe kufizimet vlejnë për çdo gjë që disponohet në sitet tona.