«Nëse ju liron Biri, do të jeni vërtet të lirë.»​—GJONI 8:36.

KËNGËT: 54, 36

1, 2. (a) Çfarë provash ka se njerëzit luftojnë të fitojnë liri? (b) Cilat kanë qenë rezultatet e këtyre përpjekjeve?

SOT flitet shumë për barazinë dhe lirinë. Njerëzit në shumë vende të botës duan të jenë të lirë nga shtypja, diskriminimi dhe varfëria. Të tjerë kërkojnë të kenë liri fjale, liri për të zgjedhur dhe për të vendosur vetë. Duket se njerëzit kudo në botë dëshirojnë me zjarr të kenë mundësi të bëjnë çfarë të duan dhe të jetojnë si të duan.

2 Mirëpo, mënyra si mund të plotësohen këto dëshira është një gjë krejt tjetër. Në nivel shoqëror ose politik, shumë veta përdorin protestat, demonstratat, revoltat e madje revolucionet. Por a sjellin rezultatet e dëshiruara këto? Përkundrazi, shpesh shkaktojnë tragjedi dhe marrin jetë njerëzish. E gjithë kjo provon edhe një herë sa të vërteta janë fjalët që tha nën frymëzim mbreti Solomon: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Ekl. 8:9.

3. Ç’mund të bëjmë për të gjetur lumturi dhe kënaqësi të vërtetë?

3 Dishepulli i krishterë Jakov tregoi çelësin për të gjetur lumturi dhe kënaqësi të vërtetë kur shkroi: «Ai që ndalet e  shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur.» (Jak. 1:25) Jehovai, ai që e dha këtë ligj të përsosur, e di më mirë se kushdo çfarë u nevojitet njerëzve që të jenë plotësisht të lumtur e të kënaqur. Ai i dha çiftit të parë njerëzor gjithçka që u duhej për të qenë të lumtur—përfshirë këtu lirinë e vërtetë.

KUR NJERËZIT ISHIN VËRTET TË LIRË

4. Çfarë lirie gëzonin Adami dhe Eva? (Shih figurën hapëse.)

4 Kur lexojmë dy kapitujt e parë të Zanafillës, mund të dallojmë kollaj se Adami dhe Eva gëzonin atë lloj lirie që njerëzit sot vetëm sa e ëndërrojnë​—liri nga skamja, nga frika dhe nga shtypja. Çifti i parë ishte plotësisht i lirë nga shqetësimet për ushqimin, punën, sëmundjet dhe vdekjen. (Zan. 1:27-29; 2:8, 9, 15) A do të thotë kjo se Adami dhe Eva kishin liri absolute? Le ta shohim.

5. Ndryshe nga ç’mendojnë shumë veta, çfarë nevojitet që njerëzit të gëzojnë liri?

5 Shumë veta sot mendojnë se për të qenë vërtet të lirë duhet të kenë mundësi të bëjnë çfarëdo gjëje që duan, pavarësisht nga pasojat. Një enciklopedi e përkufizon lirinë si «aftësia për të bërë zgjedhje dhe për t’i realizuar». Mirëpo pastaj shton: «Nga pikëpamja ligjore, njerëzit janë të lirë nëse shoqëria nuk u vë kufij të padrejtë, të panevojshëm ose të paarsyeshëm.» (The World Book Encyclopedia) Kjo do të thotë se, në praktikë, disa kufij janë të nevojshëm në mënyrë që gjithkush në shoqëri të nxjerrë dobi nga liria e siguruar. Pra, pyetja që lind është: kush e ka të drejtën të përcaktojë se cilët kufij janë të drejtë, të nevojshëm dhe të arsyeshëm?

6. (a) Përse vetëm Jehovai ka liri absolute? (b) Ç’lloj lirie mund të gëzojnë njerëzit, dhe pse?

6 Kur bëhet fjalë për lirinë, një pikë kyçe që duhet të mbajmë parasysh është se vetëm Perëndia Jehova ka atë që mund të quhet liri absolute dhe e pakufizuar. Pse? Sepse ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe Sovrani i plotfuqishëm i universit. (1 Tim. 1:17; Zbul. 4:11) Të sjellim ndër mend fjalët e bukura të mbretit David kur përshkroi pozitën unike dhe madhështore që vetëm Jehovai e ka. (Lexo 1 Kronikave 29:11, 12.) Prandaj, të gjitha krijesat në qiell e në tokë kanë liri vetëm në kuptimin relativ. Ato duhet të pranojnë se Perëndia Jehova ka autoritetin suprem për të vënë kufij që ai i përcakton si të drejtë, të nevojshëm e të arsyeshëm. Në fakt, pikërisht kështu veproi Perëndia Jehova që në fillim me krijesat njerëzore.

7. Cilat janë disa veprime instinktive që i kontribuojnë lumturisë së njeriut?

7 Ndonëse në fillim Adami dhe Eva gëzonin liri në shumë mënyra, u ishin vënë edhe kufij. Disa prej tyre ishin instinktivë, por gjithsesi kufij ishin. Për shembull, prindërit tanë të parë e dinin se, që të vazhdonin të jetonin duhej të merrnin frymë, të hanin, të flinin e kështu me radhë. A do të jenë ndier sikur po u cenohej liria meqë duhej të bënin këto gjëra? Jo, sepse Jehovai u kujdes që edhe teksa bënin këto gjëra të përditshme, të gjenin ëndje e kënaqësi. (Psal. 104:14, 15; Ekl. 3:12, 13) E kush nuk do të kënaqej kur t’i mbusheshin mushkëritë me ajër të freskët, të hante ushqimin e preferuar ose të zgjohej nga gjumi çlodhës i natës? Ne i bëjmë me qejf këto gjëra të nevojshme pa u ndier sikur na kufizojnë ose sikur janë një barrë. Me siguri që kështu ndiheshin edhe Adami me Evën.

8. Cilin urdhër specifik u dha Perëndia prindërve tanë të parë, dhe për çfarë qëllimi?

8 Jehovai u dha Adamit dhe Evës urdhrin  specifik që të popullonin tokën dhe të kujdeseshin për të. (Zan. 1:28) A ua privoi në ndonjë mënyrë lirinë ky urdhër? Absolutisht jo! Ai u dha që njerëzit të kishin mundësi të merrnin pjesë në qëllimin e Krijuesit që toka të kthehej në një shtëpi parajsore globale ku të jetonte përgjithmonë një racë e përsosur njerëzore. (Isa. 45:18) Sot, nuk është kundër vullnetit të Jehovait që njerëzit të zgjedhin të jenë beqarë ose të zgjedhin të martohen por të mos kenë fëmijë. Prapëseprapë, në përgjithësi, njerëzit martohen dhe rritin fëmijë pavarësisht nga sfidat që sjellin këto zgjedhje. (1 Kor. 7:36-38) Pse? Sepse, në kushte normale, njerëzit gjejnë lumturi e kënaqësi në këto gjëra. (Psal. 127:3) E ardhmja e lumtur që i priste Adamin dhe Evën do të kishte qenë të gëzonin martesën dhe jetën familjare për gjithë përjetësinë.

SI HUMBI LIRIA E VËRTETË

9. Pse nuk ishte i padrejtë, i panevojshëm ose i paarsyeshëm urdhri i Perëndisë te Zanafilla 2:17?

9 Jehovai u dha Adamit dhe Evës një urdhër tjetër dhe u tha qartë ndëshkimin që do të vinte po të shkelej ky urdhër: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zan. 2:17) A ishte ndopak i padrejtë, i panevojshëm ose i paarsyeshëm ky urdhër? A u grabiti lirinë Adamit dhe Evës? Patjetër që jo. Në fakt, një sërë studiuesish të Biblës kanë komentuar se sa logjik dhe me kuptim ishte ai urdhër. Për shembull, një studiues shprehet: «Urdhrat e Perëndisë te [Zanafilla 2:16, 17] nënkuptojnë se vetëm Perëndia e di çfarë është e mirë . . . për njerëzit dhe vetëm Perëndia e di çfarë nuk është e mirë . . . për ta. Që të gëzojnë ‘të mirën’, njerëzit duhet t’i besojnë Perëndisë dhe t’i binden. Nëse nuk binden, do të lihen të vendosin vetë çfarë është e mirë . . . e çfarë jo.» Kjo është një barrë që njerëzit nuk ia dalin dot ta mbajnë vetë.

Zgjedhja e Adamit dhe Evës doli se ishte katastrofike! (Shih paragrafët 9-12.)

10. Pse nuk duhet ta barazojmë vullnetin e lirë me të drejtën për të vendosur se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe?

10 Kur lexojnë urdhrin që i dha Jehovai Adamit, shumë veta sot mbase thonë se Adamit iu mohua liria për të bërë çfarë të donte. Mirëpo, ata ngatërrojnë ushtrimin e vullnetit të lirë me të drejtën për të vendosur çfarë është e mirë e çfarë është e keqe. Adami dhe Eva kishin lirinë të zgjidhnin nëse do t’i bindeshin Perëndisë apo jo. Ama vetëm Jehovai ka të drejtën të vendosë në kuptimin absolut çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe, siç e simbolizonte «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes» në kopshtin e Edenit. (Zan. 2:9) Duhet të pranojmë se ne nuk e dimë gjithmonë rezultatin e zgjedhjeve tona, e as nuk e dimë nëse do të dalin çdo herë për të mirën tonë. Ja pse shohim kaq shpesh njerëz që bëjnë zgjedhje ose marrin vendime me qëllime të mira, por pasojat janë vuajtje, mjerim ose tragjedi. (Prov. 14:12) Kufizimet njerëzore luajnë një rol të madh. Me anë të urdhrit të tij, Jehovai i mësoi me dashuri Adamin dhe Evën në ç’mënyrë ta përdornin lirinë e vërtetë. Pse e themi këtë, dhe si reagoi çifti i parë?

11, 12. Pse ishte një katastrofë e vërtetë zgjedhja e Adamit dhe Evës? Ilustrojeni.

11 Ç’është e vërteta, prindërit tanë të parë zgjodhën të mos bindeshin. Eva nuk i rezistoi dot premtimit tundues të Satanait​—«sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të  keqen». (Zan. 3:5) Si përfundim, a ia shtoi ndopak lirinë Adamit dhe Evës zgjedhja që bënë? Mjerisht, jo. Zgjedhja që bënë nuk u solli atë që kishte thënë Satanai. Në fakt, ata shpejt mësuan se duke hedhur poshtë drejtimin e Jehovait dhe duke bërë me kokën e tyre, rezultati ishte një katastrofë e vërtetë. (Zan. 3:16-19) Pse? Thjesht sepse Jehovai nuk u dha njerëzve lirinë që të përcaktonin vetë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe.​—Lexo Proverbat 20:24; Jereminë 10:23.

12 Mund ta ilustrojmë këtë me një pilot që drejton një avion. Për të arritur shëndoshë e mirë në një destinacion të caktuar, normalisht duhet të ndjekë një itinerar fluturimi të miratuar. Mjetet moderne të aviacionit e ndihmojnë pilotin të përdorë aparaturat e fluturimit në bord dhe të komunikojë gjatë rrugës me kontrolluesit e trafikut ajror, që të arrijë në destinacionin e planifikuar. Por, nëse piloti zgjedh ta shpërfillë këtë drejtim dhe të ndjekë çfarëdo itinerari që ka qejf, rezultati mund të jetë një katastrofë e vërtetë. Ashtu si ky pilot, Adami dhe Eva donin t’i bënin gjërat sipas kokës së tyre. Ata e hodhën poshtë udhëheqjen që kishte siguruar Perëndia. Rezultati? Bënë, si të thuash, një aksident tragjik, që solli si pasojë mëkatin dhe vdekjen për ata vetë dhe për pasardhësit e tyre të ardhshëm. (Rom. 5:12) Ngaqë u përpoqën të vendosnin vetë, humbën lirinë e vërtetë që u ishte dhënë.

SI TA FITOJMË LIRINË E VËRTETË

13, 14. Si mund të fitojmë liri të vërtetë?

13 Njerëzit mund të mendojnë se sa më shumë liri të kenë, aq më mirë do të jenë, por realiteti është se liria pa kufi është një thikë me dy presa. Është e vërtetë se liria sjell shumë dobi, ama na hyjnë drithmat kur imagjinojmë si do të ishte bota po të mos kishte fare kufizime. Ja përse, një enciklopedi thotë: «Ligjet e çdo shoqërie të organizuar formojnë një sistem të komplikuar lirish dhe kufizimesh të ekuilibruara me njëra-tjetrën.» (The World Book Encyclopedia) «E komplikuar» është pa dyshim fjala e duhur. Të mendojmë pak për vëllimet  e pafundme me ligje të shkruara nga njeriu, pa përmendur pastaj ushtrinë e avokatëve dhe gjyqtarëve që nevojiten për t’i interpretuar dhe për të garantuar zbatimin e tyre.

14 Në kontrast me këtë, Jezu Krishti tregoi një mënyrë të thjeshtë për të gëzuar liri të vërtetë. Ai tha: «Nëse qëndroni në fjalën time, jeni vërtet dishepujt e mi. Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:31, 32) Sipas drejtimit të Jezuit, për të fituar liri të vërtetë ka dy kërkesa: së pari të pranosh të vërtetën që mësoi ai, dhe së dyti, të bëhesh dishepull i tij. Kjo sjell liri të vërtetë. Por, liri nga çfarë? Jezui shpjegoi më tej: «Çdo njeri që praktikon mëkatin, është skllav i mëkatit. . . . Nëse ju liron Biri, do të jeni vërtet të lirë.»​—Gjoni 8:34, 36.

15. Pse liria që premtoi Jezui mund të na bëjë «vërtet të lirë»?

15 Është e qartë se liria që u premtoi Jezui dishepujve të tij qëndron ku e ku më lart se liria shoqërore dhe politike që kërkojnë me etje shumica e njerëzve sot. Kur tha «nëse ju liron Biri, do të jeni vërtet të lirë», Jezui po fliste për çlirimin nga robëria dhe shtypja më e madhe që ka përjetuar ndonjëherë njerëzimi​—fakti që janë ‘skllevër të mëkatit’. Mëkati jo vetëm mund të na shtyjë të bëjmë atë që është e keqe, por edhe mund të na pengojë të bëjmë atë që e dimë se është e drejtë ose të arrijmë atë që e dimë se është potenciali ynë. Në këtë kuptim jemi skllevër të mëkatit dhe rezultati është zhgënjim, dhimbje, vuajtje dhe në fund vdekje. (Rom. 6:23) Apostulli Pavël e ndiente thellë këtë dhimbje dhe agoni. (Lexo Romakëve 7:21-25.) Vetëm kur vargonjtë e mëkatit të flaken tej, mund të shpresojmë të kemi lirinë e vërtetë që gëzonin dikur prindërit tanë të parë.

16. Si mund të bëhemi vërtet të lirë?

16 Pohimi i Jezuit «nëse qëndroni në fjalën time» nënkupton se ka disa kërkesa ose kufij nëse duam që ai të na lirojë. Si të krishterë të kushtuar, kemi mohuar veten dhe kemi zgjedhur të jetojmë brenda kufijve të mësimeve të Krishtit si dishepuj të tij. (Mat. 16:24) Siç premtoi Jezui, do të jemi vërtet të lirë kur të zbatohen plotësisht për ne dobitë e flijimit të tij shpërblyes.

17. (a) Çfarë do t’i japë kuptim dhe kënaqësi të vërtetë jetës sonë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

17 Nënshtrimi ndaj mësimeve të Jezuit si dishepuj të tij do t’i japë jetës sonë kuptim dhe kënaqësi të vërtetë. Kjo si rrjedhojë na çel rrugën që të çlirohemi plotësisht nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. (Lexo Romakëve 8:1, 2, 20, 21.) Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta përdorim me mençuri lirinë që kemi sot, në mënyrë që të nderojmë në përjetësi Jehovain, Perëndinë e lirisë së vërtetë.