Ndërsa plumbat fishkëllenin përreth meje, ngrita dalëngadalë një shami të bardhë. Ushtarët që po qëllonin me armë më bërtitën që të dilja nga vendi ku isha fshehur. Shkova drejt tyre gjithë kujdes, pa e ditur në do të jetoja a do të vdisja. Si përfundova në atë situatë për të qarë hallin?

KUR erdha në jetë, isha i shtati nga tetë fëmijët e një çifti të palodhur në Karitsë, një fshat i vogël në Greqi. Ishte viti 1926.

Një vit më parë, prindërit e mi kishin takuar Joanis Paparizosin, një Student të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, që ishte i zellshëm dhe tip i muhabetit. Prindërve u bëri përshtypje arsyetimi i tij logjik nga Shkrimet, prandaj nisën të ndiqnin mbledhjet e Studentëve të Biblës në fshatin tonë. Mamaja kishte besim të patundur te Perëndia Jehova dhe ndonëse ishte analfabete, u fliste të tjerëve për besimin e saj sa herë krijohej ndonjë rast i përshtatshëm. Mjerisht, im atë u përqendrua te papërsosmëritë e njerëzve dhe me kohë nuk i ndoqi më mbledhjet e krishtere.

Ne fëmijët e respektonim Biblën, por ndërsa rriteshim, ishim të shpërqendruar nga kënaqësitë e moshës. Pastaj, më 1939, kur Lufta II Botërore përfshiu mbarë Evropën, në fshatin tonë ndodhi diçka që na shkundi. Fqinjin dhe kushëririn tonë, Nikolaos Psarrasin, një Dëshmitar të sapopagëzuar, e rekrutuan në ushtrinë greke. Nikolaosi 20-vjeçar u tha me guxim autoriteteve ushtarake: «Nuk mund të luftoj, sepse jam ushtar i Krishtit.» E nxorën para gjyqit ushtarak dhe e dënuan me dhjetë vjet burg. Ishim të shokuar!

Shyqyr që në fillim të vitit 1941, forcat aleate hynë për pak kohë në Greqi dhe Nikolaosin e liruan nga burgu. Ai u kthye në Karitsë, ku vëllai im i madh, Iliasi, e bombardoi me pyetje rreth Biblës. Unë dëgjoja tërë sy e veshë. Pas kësaj, Iliasi, unë dhe motra jonë e vogël, Efmorfia, nisëm të studionim Biblën dhe ndiqnim rregullisht mbledhjet me Dëshmitarët. Një vit më pas, të tre ne ia kushtuam  jetën Jehovait dhe u pagëzuam. Më vonë, edhe katër nga vëllezërit e motrat tona u bënë Dëshmitarë besnikë.

Më 1942, kongregacioni i Karitsës kishte nëntë të rinj, djem e vajza, të moshave 15 deri 25 vjeç. Të gjithë e dinim se na prisnin sprova të rënda. Prandaj, që të merrnim forcë, mblidheshim bashkë sa herë të mundeshim për të studiuar Biblën, për t’i kënduar lavde Jehovait dhe për t’u lutur. Si rezultat, besimi ynë u forcua.

Dhimitriosi me disa miq në Karitsë

LUFTA CIVILE

Tamam kur po përfundonte Lufta II Botërore, komunistët grekë u rebeluan kundër qeverisë greke, duke shkaktuar kështu një luftë civile të përgjakshme. Guerilasit komunistë endeshin fshatrave dhe i detyronin banorët të futeshin në radhët e tyre. Kur mësynë në fshatin tonë, morën rob tre të rinj Dëshmitarë—Adonios Cukarisin, Iliasin dhe mua. U shpjeguam se ishim të krishterë asnjanës; por prapë na detyruan të marshonim drejt malit të Olimpit, rreth 12 orë larg fshatit tonë.

Pak pas kësaj, një oficer komunist na urdhëroi të bashkoheshim me një njësi sulmuese guerile. Kur i shpjeguam se të krishterët e vërtetë nuk ngrenë armët kundër të tjerëve, i tërbuar na çoi me forcë te një gjeneral. Pasi i përsëritëm historinë tonë, gjenerali urdhëroi: «Atëherë merrni një mushkë dhe çoni të plagosurit nga fusha e betejës në spital.»

Ne iu përgjigjëm: «Po nëse na kapin ushtarët e qeverisë? A nuk do të kujtojnë se jemi partizanë?» «Po mirë pra, çoni bukë në front»,—na tha. Ne arsyetuam: «Po nëse një oficer na sheh me mushkë e na urdhëron të çojmë armë në front?» Gjenerali e mendoi gjerë e gjatë këtë punë. Më në fund tha: «Epo, për dhentë me siguri që mund të kujdeseni. Rrini në mal dhe kullotni kopetë.»

Kështu, teksa lufta civile bënte kërdinë përreth, ne të tre mund të kullotnim dhentë me ndërgjegje të qetë. Një vit më vonë, Iliasin e lejuan të kthehej në shtëpi që të kujdesej për nënën tonë të ve, meqë ishte djali i madh. Adoniosi u sëmur dhe e liruan, kurse unë mbeta rob.

Ndërkaq, ushtria greke po i rrethonte komunistët, dhe rrethimi po ngushtohej gjithnjë e më shumë. Grupi që më mbante rob mori arratinë nëpër male drejt Shqipërisë fqinje. Kur po i afroheshim kufirit, befas u gjendëm të rrethuar nga ushtarët grekë. Rebelët i zuri paniku dhe ia mbathën me të katra. Unë u fsheha pas një peme të rrëzuar, dhe kështu hasa ushtarët që përmenda në fillim.

Kur u tregova ushtarëve grekë se komunistët më kishin mbajtur rob, më çuan në një kamp ushtarak afër Verjas, qytetit të lashtë biblik të Beresë, për të gjykuar çështjen time. Atje më urdhëruan të hapja llogore për ushtarët. Nuk pranova, prandaj komandanti urdhëroi të më syrgjynosnin në Makronisos (ose Makronis), një ishull i tmerrshëm internimi.

 ISHULLI I SKËTERRËS

Ishulli shkëmbor i zymtë, shterpë dhe i zhuritur nga dielli që quhet Makronisos ndodhet afër brigjeve të Atikës rreth 50 kilometra larg Athinës. Ai është vetëm 13 kilometra i gjatë dhe gjerësia e tij maksimale është 2,5 kilometra. E megjithatë, nga 1947-a deri më 1958, aty u internuan më shumë se 100.000 të burgosur, përfshirë këtu komunistë aktivë ose të dyshuar, ish-luftëtarë të rezistencës dhe sa e sa Dëshmitarë besnikë të Jehovait.

Kur mbërrita në ishull në fillim të 1949-ës, të burgosurit ishin të ndarë në disa kampe. Mua më caktuan në një kamp të sigurisë së ulët me qindra burra të tjerë. Bëheshim rreth 40 veta që flinim përdhe në një tendë pëlhure që normalisht mbante 10 veta. Pinim ujë të ndotur dhe hanim kryesisht thjerrëza e patëllxhanë. Pluhuri dhe era s’na linin një minutë rehat e na e nxinin jetën. Por të paktën neve nuk na duhej të bënim rrugë pa fund për të çuar sa andej-këtej gurë plumb të rëndë​—një torturë sadiste që i shkatërronte fizikisht dhe mendërisht shumë të burgosur të pafat.

Me Dëshmitarë të tjerë të internuar në ishullin e Makronisosit

Një ditë, ndërsa ecja buzë detit, takova disa Dëshmitarë nga kampe të tjera. Sa u gëzuam që ishim bashkë! Pas kësaj takoheshim sa herë të mundnim, duke bërë shumë kujdes që të mos na diktonin. Gjithashtu, u predikonim me maturi të burgosurve të tjerë, disa prej të cilëve u bënë më vonë Dëshmitarë të Jehovait. Ato aktivitete dhe lutjet nga zemra na ushqenin besimin.

NË NJË FURRË TË ZJARRTË

Pas dhjetë muajsh në «riedukim», ata që më mbanin rob vendosën se kishte ardhur koha të vishja uniformën ushtarake. Kur nuk pranova, më nxorën para komandantit të kampit. I dhashë një deklaratë të shkruar ku thosha: «Dua vetëm të jem ushtar i Krishtit.» Pasi më kërcënoi, komandanti më dorëzoi te zëvendësi i tij, një kryepeshkop ortodoks grek i veshur kokë e këmbë me petkun fetar. Kur iu përgjigja me guxim nga Shkrimet pyetjeve të tij, ulëriti tërë zemërim: «Ma hiqni sysh! Ky është fanatik.»

Të nesërmen në mëngjes, ushtarët më urdhëruan përsëri të vishja uniformën ushtarake. Kur refuzova, më rrahën me grushte e me shkop druri. Pastaj më çuan te infermieria e kampit për të vërtetuar që s’më ishin thyer kockat dhe më kthyen zvarrë në tendë. Ky ritual i përditshëm vazhdoi dy muaj rresht.

Ngaqë nuk pranoja të bëja kompromis me besimin tim, në fund ushtarët e acaruar provuan një taktikë tjetër. Më lidhën duart pas shpine dhe më goditën egërsisht me litar te shputat e këmbëve. Mes dhembjeve therëse, kujtova fjalët e Jezuit: «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin. . . . Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej; kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.» (Mat. 5:11, 12) Në fund, pas njëfarë kohe që m’u duk një përjetësi, humba ndjenjat.

U zgjova në një qeli të akullt pa bukë, pa ujë e pa batanije. Gjithsesi, ndjeva se më kishte pushtuar paqja dhe qetësia. Siç premton Bibla, «paqja e Perëndisë» ‘po ruante zemrën dhe fuqitë e mia mendore’. (Filip. 4:7) Të nesërmen, një ushtar zemërmirë më dha bukë, ujë dhe një pallto. Më pas, një ushtar tjetër më dha racionet e tij. Në këto mënyra dhe në plot të tjera ndjeva kujdesin e butë të Jehovait.

Autoritetet më konsideronin një rebel të pandreqshëm dhe më çuan në Athinë që të dilja para gjyqit ushtarak. Atje më dënuan me tre vjet burg në Jaros (ose Giaros), një ishull afro 50 kilometra në lindje të Makronisosit.

«JUVE MUND T’JU ZËMË BESË»

Burgu i Jarosit ishte një fortesë e stërmadhe me tulla të kuqe ku vuanin dënimin më shumë se 5.000 të burgosur politikë. Aty ishin edhe shtatë Dëshmitarë të Jehovait, të gjithë të burgosur për shkak të asnjanësisë së krishterë. Ne të shtatë mblidheshim fshehurazi për të studiuar Biblën, edhe pse kjo ndalohej rreptësisht. Madje merrnim rregullisht kopje të Kullës së Rojës që futeshin vjedhurazi atje, të cilat pastaj i  kopjonim me dorë dhe i përdornim kur studionim.

Një ditë kur po studionim fshehurazi, një rojë burgu e zbuloi rastësisht që po bënim mbledhje dhe na konfiskoi literaturën. Pastaj na thirrën në zyrën e zëvendësdrejtorit të burgut. Ne ishim të bindur se do të na zgjatnin dënimin. Në vend të kësaj, zëvendësdrejtori tha: «E dimë kush jeni dhe e respektojmë qëndrimin tuaj. E dimë se juve mund t’ju zëmë besë. Kthehuni në punë.» Madje, disave nga ne u caktoi punë më të lehta. Na gufonte zemra nga mirënjohja. Integriteti ynë i krishterë i sillte lavdi Jehovait edhe në burg.

Qëndrimi ynë i palëkundur solli edhe rezultate të tjera të shkëlqyera. Një i burgosur që ishte profesor matematike kishte vëzhguar me vëmendje sjelljen tonë të mirë, dhe kjo e shtyu të interesohej për bindjet tona. Kur Dëshmitarët i liruan në fillim të vitit 1951, e liruan edhe atë. Më vonë u bë Dëshmitar i pagëzuar dhe ungjillëzues në kohë të plotë.

JAM AKOMA USHTAR

Me gruan time, Xhanetën

Pasi më liruan, unë u ktheva te familja në Karitsë. Më vonë, tok me shumë bashkëfshatarë të mi emigrova në Melburn të Australisë. Atje u njoha dhe u martova me Xhanetën, një motër të shkëlqyer, dhe së bashku kemi rritur një djalë dhe tri vajza në udhën e së vërtetës.

Sot që i kam kaluar të 90-at, jam ende aktiv si plak kongregacioni. Për shkak të plagëve të vjetra, hera-herës kam dhembje në trup dhe në këmbë, sidomos pasi kthehem nga vepra e predikimit. Prapëseprapë, jam më i vendosur se kurrë të jem ‘ushtar i Krishtit’.​—2 Tim. 2:3.