«MOS më fol më,​—më bërtiti motra e vogël, Araseli.—​S’dua të dëgjoj fare për fenë tënde. Më vjen për të vjellë. Të urrej!» Edhe tani që jam 91 vjeçe, më kujtohet akoma sa dhimbje më shkaktuan ato fjalë. Por si thotë Eklisiastiu 7:8, «më mirë se fillimi i një çështjeje është ajo që vjen pas saj», dhe ashtu ndodhi me ne.​—Felisa.

Felisa: U rrita në një familje shumë të devotshme. Në fakt, 13 nga të afërmit tanë ishin priftërinj ose anëtarë të urdhrave katolikë. Madje një kushëririn e mamasë, një prift që mësonte në shkollë katolike, e shpalli «të lumturuar» papa Gjon Pali II. Familja jonë ishte edhe një familje e thjeshtë. Im atë ishte kovaç, kurse mamaja punonte në ara. Unë isha më e madhja nga tetë fëmijët.

Kur isha 12 vjeçe, shpërtheu Lufta Civile në Spanjë. Pas lufte, babanë e burgosën. Qeverisë diktatoriale nuk i pëlqenin idetë e tij liberale. Mamaja rropatej për të ushqyer familjen, prandaj një shoqe i sugjeroi që t’i dërgonte tri motrat e mia të vogla​—Araselin, Laurin dhe Ramonin—​në një manastir në Bilbao, Spanjë. Atje të paktën nuk do të vuanin urie.

Araseli: Në atë kohë ne ishim vetëm 14, 12 e 10 vjeçe, dhe e patëm tepër të rëndë të ndaheshim nga familja. Në Bilbao merreshim me pastrim. Dy vjet më pas, murgeshat na transferuan në një manastir të madh në Saragosë që kujdesej për të moshuarit. Ne duhej të pastronim kuzhinën​—një punë rraskapitëse për adoleshente të vogla si puna jonë.

Felisa: Kur motrat e mia shkuan në Saragosë, mamaja dhe prifti vendës, që ishte edhe daja im, vendosën që unë të shkoja të punoja në të njëjtin manastir. Menduan se kështu do të më mbanin larg një djali që po shfaqte interes për mua. Isha  shumë fetare, prandaj më pëlqeu ideja që të rrija njëfarë kohe në manastir. E kisha zakon të shkoja çdo ditë në meshë dhe madje kisha menduar të bëhesha misionare si një kushëriri im që ishte frat në Afrikë.

Majtas: Manastiri në Saragosë, Spanjë; djathtas: Përkthimi i Biblës Nasar-Kolunga

Murgeshat nuk bënë asgjë për të më ushqyer dëshirën që t’i shërbeja Perëndisë në vende të tjera, dhe ndihesha si e burgosur nga jeta në manastir. Prandaj, pas një viti, vendosa të kthehesha në shtëpi që të kujdesesha për dajën, priftin. Përveç punëve të shtëpisë, çdo mbrëmje thosha përmendsh lutjet e rruzareve bashkë me të. Më pëlqente edhe të bëja kompozime dekorative me lulet e kishës dhe të zbukuroja ikonat e virgjëreshës dhe të «shenjtorëve».

Araseli: Ndërkaq, jeta jonë në manastir ndryshoi. Pasi bëra betimet fillestare, murgeshat vendosën të na ndanin ne vajzat. Ramoni qëndroi në Saragosë, Lauri shkoi në Valencia, kurse mua më dërguan në Madrid, ku bëra betimet e dyta. Manastiri i Madridit u siguronte strehim studentëve, të moshuarve dhe vizitorëve të tjerë, prandaj kishte punë sa s’thuhet. Unë punoja në infermieri.

Me thënë të drejtën, kisha shpresuar që jeta e një murgeshe të ishte më shpërblyese. Mezi kisha pritur të lexoja dhe të kuptoja Biblën. Por askush nuk fliste për Perëndinë ose Jezuin, dhe nuk e përdornim Biblën. Vetëm sa mësova ca latinisht, studiova jetët e «shenjtorëve» dhe adhuroja Marinë. Gjithçka tjetër ishte punë e rëndë fizike.

Fillova të vuaja nga ankthi dhe fola me kryemurgeshën. I thashë se s’kishte pikë kuptimi të punoja aq shumë që të tjerët të mbushnin xhepat, ndërsa familja kishte nevojë për ndihmën time. Më mbylli në një qeli, me shpresën se kjo do të më ndryshonte mendje dhe do të më frenonte që të mos ikja nga manastiri.

Murgeshat më liruan tri herë, vetëm sa për të parë nëse doja akoma të ikja. Ngaqë isha e vendosur, më thanë të deklaroja me shkrim: «Po largohem sepse preferoj t’i shërbej Satanait në vend të Perëndisë.» U skandalizova nga ajo kërkesë. Edhe pse doja me çdo kusht të largohesha nga manastiri, kurrë s’mund t’i shkruaja ato fjalë. Si përfundim, kërkova të flisja me një prift rrëfyes dhe i tregova ç’kishte ndodhur. Ai mori masa që dioqeza të më transferonte në manastirin ku kisha qenë, në Saragosë. Pas disa muajsh atje, më lanë të ikja. Pak më vonë, edhe Lauri dhe Ramoni u larguan nga manastiri.

 NA NDAN NJË LIBËR «I NDALUAR»

Felisa

Felisa: Me kohë, u martova dhe u transferova në Kantabri. Akoma veja rregullisht në meshë, dhe një të diel u bë një njoftim befasues nga katedra. Tërë inat prifti bërtiti: «Shiheni këtë libër!» Dhe tregoi me gisht librin E vërteta që të çon në jetën e përjetshme. Pastaj tha: «Nëse ju ka dhënë dikush një kopje, ma jepni mua ose flakeni!»

Nuk e kisha atë libër, por tani e doja se s’bën. Dhe ja, pas disa ditësh, në derën time trokitën dy Dëshmitare dhe më ofruan librin «e ndaluar». E lexova po atë natë dhe kur u kthyen, pranova të studioja Biblën me to.

Libri «i ndaluar»

S’kaloi shumë dhe e vërteta më hyri në zemër. Devocioni i mëparshëm fetar u kthye në një dashuri të thellë për Jehovain dhe në zell për shërbimin. U pagëzova më 1973. Edhe pse ishin të pakta rastet që mund t’u flitja familjarëve për të vërtetën, e bëja këtë sa më shumë të mundesha. Siç e tregova në fillim, ata i kundërshtuan egërsisht bindjet e mia, sidomos ime motër Araseli.

Araseli: Nga përvojat negative në manastir isha mbushur me vrer. Gjithsesi, vazhdoja të shkoja në meshë të dielave dhe thosha përditë lutjet e rruzareve. Ende doja me zjarr të kuptoja Biblën dhe i kërkoja Perëndisë të më ndihmonte. Mirëpo, kur ime motër Felisa më tregoi për bindjet e saj të reja, fliste aq me pasion, sa mendova se ishte bërë fanatike dhe e kundërshtova me forcë.

Araseli

Pas ca vjetësh, u ktheva në Madrid për punë dhe u martova. Me kalimin e kohës u bëra goxha skeptike. Vija re se njerëzit që shkonin rregullisht në meshë nuk i zbatonin mësimet e ungjijve. Prandaj nuk shkela më në kishë. Nuk besoja më te «shenjtorët», te rrëfimi ose te ferri i zjarrtë. Madje hoqa të gjitha ikonat. Nuk e dija nëse po bëja gjënë e duhur. Ndihesha e zhgënjyer, por vazhdoja t’i lutesha Perëndisë: «Dua të të njoh. Më ndihmo!» Kujtoj se Dëshmitarët e Jehovait më erdhën në shtëpi disa herë, por nuk ua hapa kurrë derën. Nuk i zija besë asnjë feje.

 Në fillim të viteve 1980, motrat e mia Lauri dhe Ramoni, që jetonin njëra në Francë e tjetra në Spanjë, nisën të studionin Biblën me Dëshmitarët. Mendova se i kishin mashtruar, tamam si Felisën. Më vonë, njoha një komshie që quhej Anxhelines, dhe u bëmë shoqe të ngushta. Edhe ajo ishte Dëshmitare e Jehovait. Bashkë me të shoqin, më kërkoi kushedi sa herë të studioja Biblën me ta. Ata e dallonin se pas fasadës së skepticizmit, isha e etur për njohurinë e Biblës. Më në fund, u thashë: «Në rregull. Do të pranoj të studioj me ju, por vetëm nëse mund të përdor Biblën time.» E kisha fjalën për përkthimin e Biblës Nasar-Kolunga.

MË NË FUND NA BASHKON BIBLA

Felisa: Kur u pagëzova më 1973, kishte rreth 70 Dëshmitarë në qytetin e Santanderit​—kryeqyteti i provincës spanjolle të Kantabrisë. Territori ynë ishte i paanë, prandaj udhëtonim me autobus dhe më vonë me makinë që të predikonim anekënd provincës. Shkuam fshat më fshat derisa predikuam në qindra fshatrat e asaj krahine.

Gjatë viteve, kam pasur privilegjin të drejtoj shumë studime biblike, dhe 11 studentë u pagëzuan. Shumica ishin katolikë. Ngaqë kisha qenë vetë katolike e flaktë, e dija se duhej të isha e duruar dhe e arsyeshme. E kuptoja se u duhej kohë që t’i linin pas bindjet e rrënjosura thellë. Gjithashtu duhej t’u depërtonte në zemër Bibla dhe fryma e shenjtë e Jehovait, që të arrinin të dallonin të vërtetën. (Hebr. 4:12) Im shoq, Bienvenidoja, që kishte qenë polic, u pagëzua më 1979. Gjithashtu, mamaja nisi të studionte Biblën pak para se të vdiste.

Araseli: Isha shumë dyshuese kur fillova të studioja Biblën me Dëshmitarët. Por me kalimin e javëve, vërejta se ai helm i brendshëm u zhduk. Ajo që më bënte më shumë përshtypje ishte se Dëshmitarët e bënin atë që predikonin. Skepticizmit ia zuri vendin besimi, dhe ndihesha shumë më e lumtur. Madje disa komshinj më thanë: «Araseli, vazhdo në rrugën që ke zgjedhur!»

Më kujtohet që lutesha: «Faleminderit o Jehova që nuk u dorëzove me mua e që më dhe kaq shumë mundësi ta gjeja atë që kërkoja​—njohurinë e vërtetë të Biblës.» I kërkova falje motrës sime, Felisës, për fjalët lënduese që i kisha thënë. Debatet tona u zëvendësuan me biseda të gjalla rreth Biblës. U pagëzova më 1989 kur isha 61 vjeçe.

Felisa: Tani në moshën 91-vjeçare, jam vejushë dhe nuk kam aq forcë sa dikur. Ama lexoj Biblën çdo ditë, shkoj në mbledhje kur ma lejon shëndeti dhe dal me kënaqësi në shërbim sa më shumë të mundem.

Araseli: Ndoshta ngaqë isha murgeshë, kam qejf t’u jap dëshmi gjithë priftërinjve dhe murgeshave që takoj në shërbim. U kam lënë shumë botime dhe kam bërë ca biseda interesante. Më kujtohet një prift që, pas disa vizitash, më tha: «Araseli, jam plotësisht dakord me ty, po ku të vete në këtë moshë? Ç’do të thonë besimtarët e mi dhe familja?» «Po Perëndia ç’do të thotë?»,​—ia ktheva. Pranoi duke tundur kokën i trishtuar, por në atë kohë nuk kishte kurajë të vazhdonte ta kërkonte të vërtetën.

Kujtoj një moment të veçantë në jetën time​—kur im shoq tha për herë të parë se donte të më shoqëronte në një mbledhje. Ndonëse atëherë ishte mbi 80 vjeç, më pas nuk mungoi në asnjë mbledhje. Studioi Biblën dhe u bë lajmëtar i papagëzuar. E kujtoj me mall kohën kur dilnim bashkë në shërbim. Ai vdiq dy muaj para datës kur do të pagëzohej.

Felisa: Një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime ka qenë t’i shihja tri motrat e vogla, që në fillim më kundërshtonin, të bëheshin motrat e mia në besim. Sa jemi kënaqur në shoqërinë e njëra-tjetrës, duke folur për Perëndinë tonë të shtrenjtë, Jehovain, dhe për Fjalën e tij! Më në fund, unë dhe motrat jemi të bashkuara në adhurimin e Jehovait. *

^ par. 29 Araseli, Felisa dhe Ramoni, që janë 87, 91 dhe 83 vjeçe, vazhdojnë t’i shërbejnë me zell Jehovait deri më sot. Lauri vdiq besnike ndaj Jehovait në vitin 1990.