Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Kush e brumos mendjen tënde?

Kush e brumos mendjen tënde?

«Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.»​—ROM. 12:2.

KËNGËT: 88, 45

1, 2. (a) Si iu përgjigj Jezui këshillës së Pjetrit që të ishte i mirë me veten? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse u përgjigj ashtu Jezui?

DISHEPUJT e Jezuit s’arrinin t’u besonin veshëve. Jezui, pikërisht ai që pritnin të rivendoste mbretërinë e Izraelit, tha se pas pak do të vuante e do të vdiste. Ai që mori iniciativën të fliste ishte apostulli Pjetër. «Ji i mirë me veten, Zotëri,​—tha ai.—​Ti nuk ke pse të përfundosh kështu.» Jezui ia ktheu: «Largohu nga unë, Satana! Ti je pengesë për mua, sepse nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.»​—Mat. 16:21-23; Vep. 1:6.

2 Me këto fjalë, Jezui bëri dallimin mes mendimeve që vijnë nga Perëndia dhe mendimeve që vijnë nga kjo botë nën kontrollin e Satanait. (1 Gjon. 5:19) Pjetri pasqyroi qëndrimin e botës për të kursyer veten. Por Jezui e dinte se Ati i tij mendonte ndryshe. E dinte se Perëndia donte që ai të përgatitej mirë për vuajtjet dhe vdekjen që e priste. Me përgjigjen që i dha Pjetrit, Jezui hodhi poshtë me forcë mendimet e botës dhe mbështeti mënyrën si mendon Jehovai.

3. Pse është e vështirë të hedhim poshtë mënyrën si mendon bota e të mendojmë si Jehovai?

 3 Ç’të themi për ne? A mendojmë si mendon Perëndia, apo si bota? Patjetër, ka shumë të ngjarë ta kemi përputhur sjelljen tonë me kërkesat e Perëndisë. Por, ç’të themi për mënyrën si mendojmë? A po i vëmë në harmoni mendimet dhe pikëpamjet tona me ato të Jehovait? Që ta bëjmë këtë duhen përpjekje të palodhura. Nga ana tjetër, për të thithur mendimet e botës duhen pak ose aspak përpjekje. Kjo sepse fryma e botës është kudo përreth nesh. (Efes. 2:2) Veç kësaj, ngaqë shpesh i bën thirrje egoizmit, mënyra si mendon bota mund të jetë joshëse. Po, është e vështirë të mendojmë si Jehovai, por është fare e lehtë të mendojmë si bota.

4. (a) Çfarë do të ndodhë nëse lejojmë që kjo botë të na brumosë mendjen? (b) Si do të na ndihmojë ky artikull?

4 Mirëpo, nëse lejojmë që bota të na brumosë mendjen, do të jemi të prirur të bëhemi egoistë dhe të duam pavarësi morale. (Mar. 7:21, 22) Ja pse është jetësore të mësojmë të mendojmë «si mendon Perëndia» dhe jo «si njerëzit». Ky artikull do të na ndihmojë të përputhim mendimet tona me ato të Jehovait. Ai shqyrton arsyet pse kjo nuk është tepër kufizuese, por përkundrazi është e dobishme. Gjithashtu, na tregon ç’të bëjmë që të mos lejojmë të brumosemi nga mendimet e kësaj bote. Artikulli tjetër shqyrton si ta kuptojmë çfarë mendon Jehovai për çështje të ndryshme dhe si t’i bëjmë tonat mendimet e tij.

MENDIMET E JEHOVAIT JANË TË DOBISHME DHE TË DËSHIRUESHME

5. Pse disa nuk duan kurrsesi të brumosen nga dikush tjetër?

5 Disa njerëz duan që askush të mos i brumosë ose të ndikojë te mendimet e tyre. Ata shprehen: «Unë i mendoj gjërat vetë.» Ka shumë mundësi që duan të thonë se i marrin vendimet vetë dhe se kjo është e drejta e tyre. Nuk duan të kontrollohen nga të tjerët, e as nuk duan të heqin dorë nga individualiteti i tyre. *

6. (a) Çfarë lirie na jep Jehovai? (b) A është absolute kjo liri?

6 Gjithsesi, mund të jemi të sigurt se kur përputhim mendimet tona me ato të Jehovait s’do të thotë se do të heqim dorë nga gjithë mendimet individuale ose nga mënyra unike si e shprehim personalitetin tonë. Siç thotë 2 Korintasve 3:17, «atje ku është fryma e Jehovait, është liria». Ne jemi të lirë të zhvillojmë personalitetin tonë unik. Mund të kemi preferencat tona dhe të zgjedhim me çfarë na pëlqen të merremi. Në fakt, Jehovai na krijoi në mënyrë të tillë. Megjithatë, nuk mund ta përdorim lirinë tonë pa fre. (Lexo 1 Pjetrit 2:16.) Në çështje që kanë të bëjnë me të drejtën dhe të gabuarën, Jehovai dëshiron të udhëhiqemi nga mënyra si mendon ai, të cilën e ka zbuluar në Fjalën e tij. A është tepër kufizuese kjo, apo është e dobishme?

7, 8. Pse nuk është tepër kufizuese të mësojmë t’i shohim gjërat si Jehovai? Ilustrojeni.

7 Të mendojmë për këtë ilustrim. Prindërit bëjnë çmos t’u ngulitin fëmijëve vlera të mira. Mund t’u mësojnë të jenë të ndershëm, të papërtuar dhe të kenë konsideratë për të tjerët. Kjo nuk është tepër kufizuese. Përkundrazi, prindërit po i përgatitin për një jetë të suksesshme si të rritur të pavarur. Kur fëmijët të rriten dhe të jetojnë më vete, do të jenë të lirë të  zgjedhin vetë. Nëse zgjedhin të jetojnë sipas vlerave që u mësuan prindërit, ka më shumë të ngjarë që të marrin vendime për të cilat s’do të bëhen pishman më vonë. Si rezultat, do t’i kursejnë vetes shumë telashe dhe ankthe.

8 Si një prind i mirë, Jehovai dëshiron që fëmijët e tij të kenë jetën më të kënaqshme që është e mundur. (Isa. 48:17, 18) Ja pse siguron parime bazë për sjelljen morale dhe për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët. Ai na fton që për çështje të tilla, të mësojmë të mendojmë si ai dhe të jetojmë sipas vlerave të tij. Kjo nuk na kufizon aspak, përkundrazi na përmirëson aftësinë për të menduar dhe na ndihmon të marrim vendime më të mençura. (Psal. 92:5; Prov. 2:1-5; Isa. 55:9) Pra, kemi mundësinë të lulëzojmë si individë, e njëkohësisht të marrim vendime që na bëjnë të lumtur. (Psal. 1:2, 3) Po, të mendojmë si Jehovai është e dobishme dhe e dëshirueshme!

MENDIMET E JEHOVAIT JANË SUPERIORE

9, 10. Çfarë provash ka se mendimet e Jehovait qëndrojnë shumë më lart se ato të botës?

9 Një arsye tjetër pse adhuruesit e Jehovait dëshirojnë ta përputhin mënyrën si mendojnë me atë të Perëndisë, është se mendimet e tij qëndrojnë ku e ku më lart se ato të botës. Bota ofron këshilla për sjelljen morale, për marrëdhëniet familjare, për të gjetur kënaqësi në punë dhe për aspekte të tjera të jetës. Shumë nga këto këshilla nuk pajtohen me mendimet e Jehovait. Për shembull, bota nxit të reklamosh veten. Po kështu, nxit tolerancën ndaj imoralitetit seksual. Ndarja dhe divorci për çikërrima këshillohen hera-herës si një mjet për të qenë më të lumtur. Këshilla të tilla bien ndesh me Shkrimet. Por, mos ndoshta disa prej këtyre këshillave janë më të përshtatshme për kohën tonë?

10 «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta»,—tha Jezui. (Mat. 11:19) Bota ka bërë përparime të mëdha në teknologji; prapëseprapë, s’ka arritur të zgjidhë probleme madhore që pengojnë lumturinë të tilla, si luftërat, racizmi dhe krimet. E ç’të themi për pikëpamjen e saj liberale për moralin? Shumë veta e pranojnë se kjo nuk po i zgjidh, por po i shton problemet, si familjet e shkatërruara, sëmundjet dhe telashe të tjera. Nga ana tjetër, të krishterët që përvetësojnë pikëpamjen e Perëndisë, gëzojnë marrëdhënie familjare më të lumtura, dobitë shëndetësore që sjell pastërtia morale dhe paqe me bashkëbesimtarët në mbarë botën. (Isa. 2:4; Vep. 10:34, 35; 1 Kor. 6:9-11) A nuk provon kjo se mendimet e Jehovait qëndrojnë shumë më lart se ato të botës?

11. Nga mendimet e kujt udhëhiqej Moisiu, dhe cili ishte rezultati?

11 Adhuruesit e vërtetë që përmenden në Bibël, e kuptonin se mendimet e Jehovait janë superiore. Për shembull, ndonëse Moisiu u arsimua në «gjithë mençurinë e egjiptianëve», i kërkonte ndihmë Perëndisë që të fitonte «një zemër plot mençuri». (Vep. 7:22; Psal. 90:12) Veç kësaj, ai iu lut Jehovait: «Bëmë të njoh udhët e tua.» (Dal. 33:13) Ngaqë lejoi ta udhëhiqnin mendimet e Jehovait, pati një rol të rëndësishëm në përmbushjen e qëllimit të Tij dhe zë vend të nderuar në Shkrime si një burrë me besim të jashtëzakonshëm.​—Hebr. 11:24-27.

12. Ku i bazonte arsyetimet e tij apostulli Pavël?

12 Apostulli Pavël ishte një burrë inteligjent dhe i arsimuar që dinte të paktën dy gjuhë. (Vep. 5:34; 21:37, 39; 22:2, 3) Mirëpo, në çështje ku hynin parimet, ai e hidhte poshtë mençurinë e botës. Në vend të kësaj, i bazonte arsyetimet e tij te Shkrimet.  (Lexo Veprat 17:2; 1 Korintasve 2:6, 7, 13.) Si rrjedhojë, Pavli pati mjaft sukses në shërbim dhe e priste një shpërblim i përjetshëm.​—2 Tim. 4:8.

13. Kush e ka përgjegjësinë t’i vërë në harmoni mendimet tona me ato të Jehovait?

13 Pa dyshim, mendimet e Perëndisë qëndrojnë shumë më lart se ato të botës sot. Po të jetojmë në harmoni me mendimet e tij, do të gëzojmë lumturinë dhe suksesin më të madh në jetë. Ama, Jehovai nuk na i imponon mendimet e tij. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» nuk ushtron kontroll mbi mendimet e individëve, dhe as pleqtë nuk e bëjnë këtë. (Mat. 24:45; 2 Kor. 1:24) Përkundrazi, çdo i krishterë ka përgjegjësinë t’i vërë mendimet e tij në harmoni me ato të Perëndisë. Si mund ta bëjmë këtë?

MOS LEJO TË TË BRUMOSË KY SISTEM

14, 15. (a) Për çfarë duhet të meditojmë që të mendojmë si Jehovai? (b) Duke mbajtur parasysh Romakëve 12:2, pse s’duhet të futim në mendje idetë e botës? Ilustrojeni.

14 Te Romakëve 12:2, gjejmë këtë këshillë: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» Këto fjalë të frymëzuara tregojnë se pavarësisht nga çfarë është brumosur mendja jonë para se të mësonim të vërtetën, është e mundur t’i përputhim gjithnjë e më shumë mendimet tona me ato të Perëndisë. Vërtet, mënyra jonë e të menduarit është modeluar deri diku nga faktorët gjenetikë dhe nga përvojat e së shkuarës. Megjithatë, mendja është elastike dhe mund të vazhdojë të ndryshojë. Në një masë të madhe, çdo ndryshim i tillë do të përcaktohet nga ajo që lejojmë të hyjë në mendjen tonë dhe nga ajo që zgjedhim të bluajmë në mendje. Duke medituar për mënyrën si mendon Jehovai, mund t’i vërtetojmë vetes se pikëpamjet e tij janë të drejta. Atëherë do të na lindë natyrshëm dëshira që t’i përputhim mendimet tona me ato të Jehovait.

15 Mirëpo, për ta përtërirë mendjen që të mendojmë si Jehovai, duhet t’i vëmë veshin këshillës: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.» Duhet të mos futim më në mendje ide ose pikëpamje që bien ndesh me ato të Perëndisë. Për ta kuptuar sa i rëndësishëm është ky hap paraprak, le të bëjmë një ilustrim me ushqimin. Dikush mund të përpiqet të përmirësojë shëndetin duke ngrënë ushqime të shëndetshme. Por sa vlerë do të ketë kjo nëse ndërkohë konsumon rregullisht edhe ushqime të ndotura? Po kështu, do të ketë pak vlerë të ushqehemi me mendimet e Jehovait nëse njëkohësisht e ndotim mendjen me idetë e botës.

16. Nga çfarë duhet të mbrohemi?

16 A mund të shmangim çdo kontakt me mendimet e botës? Jo, ne s’mund të dalim nga bota në kuptimin e mirëfilltë. Njëfarë ekspozimi ndaj ideve të saj është i pashmangshëm. (1 Kor. 5:9, 10) Vetë vepra e predikimit na vë përpara bindjeve të gabuara. Megjithatë, edhe kur ekspozimi ndaj pikëpamjeve të paperëndishme është i pashmangshëm, patjetër që nuk duhet t’i bluajmë në mendje ose t’i pranojmë ato. Ashtu si Jezui, duhet t’i hedhim poshtë menjëherë mendimet që i shërbejnë qëllimit të Satanait. Veç kësaj, mund të mbrohemi nga ekspozimi i panevojshëm ndaj mendimeve të botës.​—Lexo Proverbat 4:23.

17. Cilat janë disa mënyra si ta shmangim ekspozimin e panevojshëm ndaj mendimeve të botës?

17 Për shembull, duhet të bëjmë kujdes kur zgjedhim miqtë e ngushtë. Bibla na  paralajmëron se po të mbajmë shoqëri të ngushtë me njerëz që nuk e adhurojnë Jehovain, do të infektohemi nga mënyra si mendojnë ata. (Prov. 13:20; 1 Kor. 15:12, 32, 33) Gjithashtu, mund të jemi syçelë kur zgjedhim zbavitjen. Kur hedhim poshtë zbavitjet që përkrahin teorinë e evolucionit, dhunën ose imoralitetin, nuk e helmojmë mendjen me ide që janë «kundër njohurisë së Perëndisë».​—2 Kor. 10:5.

A i ndihmojmë fëmijët të hedhin poshtë zbavitjet e dëmshme? (Shih paragrafët 18, 19.)

18, 19. (a) Pse duhet të jemi syçelë ndaj pikëpamjeve të botës që nxiten në mënyra dinake? (b) Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes, dhe pse?

18 Veç kësaj, bëjmë mirë të dallojmë dhe të hedhim poshtë ato mendime të botës që paraqiten në mënyra më dinake. Për shembull, një lajm mund të serviret në mënyrë të atillë që të mbështetë opinione të caktuara politike. Një histori reale që ngjall interes, mund të përkrahë pikëpamjen e botës për synimet dhe arritjet njerëzore. Disa filma dhe libra nxitin filozofitë «unë në radhë të parë» dhe «familja vjen e para», duke i bërë të duken të arsyeshme, tërheqëse e madje të drejta. Pikëpamje të tilla shpërfillin pikëpamjen e Shkrimeve se familjet tona dhe vlerësimi për veten lulëzojnë kur duam Jehovain mbi gjithçka. (Mat. 22:36-39) Gjithashtu, disa tregime për fëmijë, që në përgjithësi s’kanë ndonjë të keqe, në mënyrë tinëzare mund të hedhin themelin që fëmijët të pranojnë sjelljen imorale.

19 Kjo s’do të thotë se është e gabuar të shijojmë zbavitje të shëndetshme. Gjithsesi, bëjmë mirë të pyesim veten: «A i dallojmë mësimet e botës edhe kur reklamohen tërthorazi? A e kufizojmë ekspozimin e fëmijëve​—madje edhe tonin—​ndaj disa programeve a materialeve për të lexuar? A i ndihmojmë fëmijët të luftojnë idetë botërore që dëgjojnë a shohin, duke u ngulitur pikëpamjen e Jehovait për çështje të ndryshme?» Duke dalluar ndryshimin mes mendimeve të Perëndisë dhe mendimeve të botës, s’do të lejojmë të ‘brumosemi sipas kësaj bote’.

NGA KUSH PO BRUMOSESH SOT?

20. Çfarë e përcakton se nga kush po brumosemi?

20 Mos harro se në thelb ka vetëm dy burime informacioni​—Jehovai dhe bota nën kontrollin e Satanait. Nga cili burim po brumosemi? Përgjigjja është: burimi nga i cili marrim informacione. Nëse futim në mendje idetë e botës, ato do të na brumosin mënyrën si mendojmë, duke bërë të anojmë nga pikëpamjet dhe sjellja egoiste. Ja pse është jetësore të bëjmë kujdes se çfarë bluajmë në mendje.

21. Cilin aspekt jetësor do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Siç e përmendëm më lart, që të mendojmë si Jehovai nuk mjafton ta mbajmë mendjen të pastër nga ndikimet korruptuese. Duhet edhe të ushqehemi me mendimet e Perëndisë me synimin që t’i bëjmë tonat. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë më tej si ta bëjmë këtë.

^ par. 5 E vërteta është se edhe mendimtarët më të pavarur s’e shmangin dot ndikimin e të tjerëve. Pavarësisht nëse meditojnë për një çështje aq të thellë sa origjina e jetës apo thjesht vendosin çfarë të veshin, njerëzit ndikohen në njëfarë mase nga të tjerët. Ama, ne mund të zgjedhim se kë do të lejojmë të ndikojë te ne.