SA SHUMË siguri e ngushëllim mund të marrim nga një vepër mirëdashëse! Ndihemi mirënjohës kur kuptojmë se dikush interesohet për ne. Meqë secili prej nesh e çmon kur të tjerët e trajtojnë me mirëdashje, si mund ta zhvillojmë këtë cilësi të bukur?

Mirëdashja përfshin të interesohesh sinqerisht për mirëqenien e të tjerëve​—dhe ky interesim shprehet me fjalë dhe vepra të dobishme. Si një cilësi aktive, mirëdashja nuk është thjesht një lustër mirësjelljeje dhe edukate. Mirëdashja e vërtetë motivohet nga dashuria e thellë dhe empatia. Veç kësaj, kjo mirëdashje është pjesë e frytit të frymës së shenjtë të Perëndisë që të krishterëve u kërkohet ta kultivojnë. (Gal. 5:22, 23) Ne duhet ta zhvillojmë mirëdashjen, ndaj le të shqyrtojmë se si e kanë shfaqur këtë cilësi Jehovai e Biri i tij dhe si mund të imitojmë shembullin e tyre.

JEHOVAI ËSHTË MIRËDASHËS NDAJ TË GJITHËVE

Jehovai është mirëdashës dhe tregon konsideratë ndaj të gjithëve, edhe ndaj ‘mosmirënjohësve dhe të ligjve’. (Luka 6:35) Për shembull, Jehovai «e bën diellin e tij të ngrihet mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe bën që të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët». (Mat. 5:45) Pra, edhe ata që nuk e pranojnë Jehovain si Krijuesin e tyre, nxjerrin dobi nga gjithçka që na siguron me mirëdashje për të jetuar dhe mund të gëzojnë njëfarë lumturie.

Një shembull i shkëlqyer i mirëdashjes, është ajo që bëri Jehovai për Adamin dhe Evën. Pak pasi mëkatuan, Adami dhe Eva «qepën gjethe fiku dhe bënë mbulesa për ijët». Mirëpo, Jehovai e dinte se ata do të kishin nevojë për veshje të përshtatshme që të jetonin jashtë Edenit, ku toka tani ishte e mallkuar me «gjemba e gjembaçë». Kështu Jehovai ua plotësoi me mirëdashje atë nevojë duke u bërë «rroba të gjata prej lëkure».​—Zan. 3:7, 17, 18, 21.

Ndonëse Jehovai është mirëdashës me ‘të ligjtë e të mirët’, ai dëshiron të tregojë mirëdashje veçanërisht ndaj shërbëtorëve të tij besnikë. Për shembull, gjatë ditëve të profetit Zakaria, një engjëll u trazua tek shihte që rindërtimi i tempullit në Jerusalem mbeti në vend. Jehovai i dëgjoi shqetësimet e engjëllit dhe iu përgjigj me «fjalë të mira, fjalë ngushëlluese». (Zak. 1:12, 13) Jehovai veproi njësoj edhe me profetin Elija. Në një moment, profeti u ndie aq i dëshpëruar, sa i kërkoi Jehovait t’i merrte jetën. Jehovai i kushtoi vëmendje ndjenjave të Elijas dhe i dërgoi një engjëll që ta forconte. Gjithashtu, Perëndia e siguroi profetin se nuk ishte vetëm. Pasi dëgjoi ato fjalë mirëdashëse dhe mori ndihmën e nevojshme, Elija ishte në gjendje ta çonte deri në fund caktimin e tij. (1 Mbret. 19:1-18) Kush ndër shërbëtorët e Perëndisë ka spikatur më shumë në pasqyrimin e mirëdashjes, kësaj cilësie të jashtëzakonshme të Jehovait?

 JEZUI​—NJË NJERI PLOT MIRËDASHJE

Gjatë shërbimit të tij në tokë, Jezui njihej si njeri mirëdashës që tregonte konsideratë për të tjerët. Nuk ishte kurrë i ashpër ose imponues. Me empati ai tha: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. . . . Sepse zgjedha ime është e këndshme.» (Mat. 11:28-30) Njerëzit i përgjigjeshin mirëdashjes së Jezuit duke e ndjekur kudo që shkonte. «I shtyrë nga keqardhja» Jezui i ushqente, shëronte të sëmurët mes tyre dhe u mësonte «shumë gjëra» për Atin e tij.—Mar. 6:34; Mat. 14:14; 15:32-38.

Mirëdashja e madhe e Jezuit duket te fakti që e dallonte si ndiheshin të tjerët dhe ishte mirëkuptues në marrëdhëniet me ta. Në fakt, sado e pavolitshme të ishte një kërkesë, Jezui i priste «me dashamirësi [mirëdashje]» të gjithë ata që e kërkonin sinqerisht. (Luka 9:10, 11) Për shembull, ai nuk e qortoi një grua të frikësuar që, edhe pse nuk ishte e pastër nga ana ceremoniale, i preku rrobat me shpresën që të shërohej nga rrjedhja e gjakut. (Lev. 15:25-28) Plot dhembshuri për këtë grua që vuante nga 12 vjet, Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe dhe qofsh shëndoshë, sepse sëmundja jote e rëndë kaloi!» (Mar. 5:25-34) Çfarë akti i mrekullueshëm mirëdashjeje!

MIRËDASHJA KËRKON VEPRA TË DOBISHME

Në shembujt e mësipërm vërejmë se mirëdashja e vërtetë shprehet me vepra. Në shëmbëlltyrën për samaritanin e mirë, Jezui ilustroi sa të nevojshme janë veprat. Edhe pse mes judenjve dhe samaritanëve kishte armiqësi, samaritani në shëmbëlltyrë ndjeu keqardhje për një jude të cilin e kishin grabitur, e kishin rrahur dhe e kishin lënë në mes të rrugës gjysmë të vdekur. Mirëdashja e nxiti samaritanin të vepronte. Ai i mjekoi plagët judeut dhe e çoi në një han. Pastaj samaritani pagoi hanxhiun që të kujdesej për të plagosurin, e madje u ofrua të paguante çdo shpenzim shtesë.—Luka 10:29-37.

Ndonëse shpesh tregohet me vepra, mirëdashja mund të shprehet edhe me fjalë që tregojnë konsideratë dhe japin zemër. Ja pse Bibla thotë se «nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë». (Prov. 12:25) Mund t’ua ngremë zemrën peshë të tjerëve kur mirëdashja dhe mirësia na nxitin t’u themi diçka inkurajuese. * Fjalët tona mirëdashëse do të tregojnë se interesohemi për ta. E falë inkurajimit, do ta kenë më të lehtë t’i përballojnë sprovat që hasin në jetë.​—Prov. 16:24.

SI TË KULTIVOJMË MIRËDASHJE

Meqë jemi krijuar sipas «shëmbëlltyrës së Perëndisë», të gjithë kemi potencialin të kultivojmë cilësinë e mirëdashjes. (Zan. 1:27) Për shembull, Juli, një oficer romak, nën mbrojtjen e të cilit Pavli udhëtoi për në Romë, e trajtoi apostullin «njerëzisht [me mirëdashje], e lejoi të shkonte te miqtë e tij e të gëzonte kujdesin e tyre» në qytetin e Sidonit. (Vep. 27:3) Ca kohë më vonë, banorët e Maltës u treguan «tejet të njerëzishëm [mirëdashës]» me Pavlin dhe me të tjerët që sapo u ishte shkatërruar anija. Madje banorët e ishullit ndezën një zjarr që ata të ngroheshin. (Vep. 28:1, 2) Por, edhe pse veprat e tyre ishin të lavdërueshme, që të jesh vërtet mirëdashës nuk mjafton të tregosh mirëdashje tek-tuk.

Që t’i pëlqejmë Perëndisë plotësisht, duhet ta zhvillojmë mirëdashjen si pjesë të pandashme të personalitetit tonë dhe si mënyrë jetese. Ja pse Jehovai na nxit ‘të vishemi’ me mirëdashje. (Kolos. 3:12) Por, kuptohet që nuk e kemi gjithnjë të lehtë ta bëjmë pjesë të personalitetit këtë cilësi hyjnore. Pse? Ndoshta ngurrojmë të tregojmë mirëdashje për shkak të ndrojtjes, pasigurisë, kundërshtimit ose  gjurmëve të egoizmit që mund të na kenë mbetur. Prapëseprapë, mund t’i kapërcejmë këto vështirësi duke u mbështetur te fryma e shenjtë dhe duke imituar mënyrën si shfaq mirëdashje Jehovai.​—1 Kor. 2:12.

A mund të identifikojmë aspekte ku duhet të përpiqemi të jemi më mirëdashës? Duhet të pyesim veten: «A i dëgjoj të tjerët me empati? A jam syçelë ndaj nevojave të tyre? Kur ishte hera e fundit që tregova mirëdashje ndaj dikujt që nuk është familjari im ose një mik i ngushtë?» Pastaj mund të vendosim synime si për shembull, t’i njohim më mirë njerëzit që na rrethojnë, sidomos në kongregacionin e krishterë. Në këtë mënyrë, mund t’i kuptojmë më mirë rrethanat dhe nevojat e tyre. Më pas, duhet të përpiqemi t’u tregojmë mirëdashje të tjerëve në ato mënyra që do të dëshironim të na tregonin mirëdashje po të ishim në vendin e tyre. (Mat. 7:12) Së fundi, Jehovai do të bekojë përpjekjet tona për të kultivuar mirëdashje nëse i kërkojmë ndihmë.​—Luka 11:13.

MIRËDASHJA I BËN PËR VETE TË TJERËT

Kur apostulli Pavël renditi aspektet që e dallonin si shërbëtor të Perëndisë, përfshiu edhe ‘mirëdashjen’. (2 Kor. 6:3-6) Njerëzit ndiheshin të tërhequr drejt Pavlit, sepse ai interesohej për ta, dhe këtë interesim e tregonte me vepra dhe fjalë mirëdashëse. (Vep. 28:30, 31) Po kështu, ne mund t’i tërheqim njerëzit drejt së vërtetës me anë të sjelljes sonë mirëdashëse. Kur u shfaqim mirëdashje gjithë njerëzve, edhe atyre që na kundërshtojnë, mund t’u zbutim zemrën dhe t’u shuajmë ndjenjat armiqësore. (Rom. 12:20) Madje me kohë ata mund të tërhiqen drejt mesazhit të Biblës.

S’ka dyshim se në tokën parajsore që është te pragu, të ringjallurit do të kënaqen tej mase kur të provojnë mirëdashje të vërtetë, mbase për herë të parë në jetë. Të shtyrë nga mirënjohja, edhe ata do të nxiten t’u tregojnë mirëdashje të tjerëve. Në atë kohë kushdo që nuk do të pranojë të tregojë mirëdashje e t’i ndihmojë të tjerët, s’do të lejohet të jetojë përgjithmonë nën Mbretërinë e Perëndisë. Nga ana tjetër, ata që Perëndia do të miratojë për të jetuar përgjithmonë, do ta trajtojnë njëri-tjetrin me dashuri dhe mirëdashje. (Psal. 37:9-11) Sa e sigurt dhe paqësore do të jetë ajo botë! Megjithatë, para se të vijë ajo kohë e mrekullueshme, si mund të nxjerrim dobi që tani kur shfaqim mirëdashje?

DOBITË QË VIJNË KUR SHFAQIM MIRËDASHJE

Bibla thotë: «Njeriu që sillet me dashamirësi [mirëdashje], shpërblen shpirtin e vet.» (Prov. 11:17) Njerëzit ndihen të tërhequr drejt një njeriu mirëdashës dhe u vjen natyrshëm t’i tregojnë edhe ata mirëdashje. Jezui tha: «Do t’ju matin me po atë masë që ju i matni të tjerët.» (Luka 6:38) Ja pse një njeri mirëdashës lidh kollaj miqësi të mira dhe i mban ato.

Apostulli Pavël i nxiti të krishterët në kongregacionin e Efesit ‘të bëheshin mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht’. (Efes. 4:32) Një kongregacion nxjerr shumë dobi kur përbëhet nga të krishterë plot empati që shfaqin mirëdashje dhe që përpiqen të ndihmojnë njëri-tjetrin. Ata nuk përdorin kurrë fjalë të ashpra, kritika therëse ose sarkazëm lënduese. Në vend që të përhapin thashetheme të dëmshme, bëjnë çmos ta përdorin gjuhën për t’i ndihmuar të tjerët. (Prov. 12:18) Si rezultat kongregacioni i shërben Jehovait me gëzim.

Po, mirëdashja është një cilësi që shprehet me fjalë e vepra. Kur jemi mirëdashës, pasqyrojmë personalitetin e përzemërt dhe bujar të Perëndisë tonë, Jehovait. (Efes. 5:1) Kështu, forcojmë kongregacionet tona dhe i tërheqim të tjerët drejt adhurimit të pastër. Qofshim gjithmonë të njohur si një popull që shfaq mirëdashje!

^ par. 13 Mirësia do të shqyrtohet në një artikull të ardhshëm të kësaj serie me nëntë pjesë për frytin e frymës së shenjtë të Perëndisë.