Cilët ishin Bamirësit që përmendi Jezui mbrëmjen para se të vdiste, dhe pse u ishte dhënë ai titull?

Mbrëmjen para se të vdiste, Jezui i këshilloi apostujt e tij të mos kërkonin pozitë e lavdi mes bashkëbesimtarëve. Ai u tha: «Mbretërit e kombeve sillen si zotër me to, dhe ata që kanë autoritet mbi to, quhen Bamirës. Kurse ju nuk duhet të jeni kështu.»​—Luka 22:25, 26.

Cilët ishin Bamirësit që përmendi Jezui? Mbishkrimet, monedhat dhe shkrime të ndryshme zbulojnë se në shoqërinë greke e atë romake, ishte zakon që burrat dhe qeveritarët e shquar të nderoheshin me titullin Euergetes, ose Bamirës. Ky titull nderi u ishte dhënë ngaqë kishin kryer ndonjë shërbim me vlerë për shoqërinë.

Mjaft mbretër mbanin titullin Bamirës. Mes tyre ishin sundimtarët egjiptianë të njohur si Ptolemeu III Euergetes (rr. 247-222 p.e.s.) dhe Ptolemeu VIII Euergetes II (rr. 147-117 p.e.s.). Këtë titull e mbanin edhe sundimtarët romakë Jul Cezar (48-44 p.e.s.) dhe August (31 p.e.s.–14 e.s.), si edhe Herodi i Madh, mbreti i Judesë. Herodi ka të ngjarë që e fitoi atë titull nderi kur importoi grurë për të lehtësuar një zi buke mes popullit të tij dhe siguroi veshje për nevojtarët.

Sipas Adolf Dajsmanit, një studiues gjerman i Biblës, titulli Bamirës përdorej gjerësisht. Ai shkruante: «Në mbishkrime mund të gjesh pa vështirësi, dhe pa humbur shumë kohë, mbi njëqind raste [ku përdoret ky titull].»

Atëherë, ç’donte të thoshte Jezui kur i udhëzoi dishepujt e tij: «Kurse ju nuk duhet të jeni kështu»? A po u thoshte të mos ishin të gjindshëm ndaj shoqërisë e të mos merakoseshin për mirëqenien e njerëzve përreth? Aspak. Duket se ajo që e shqetësonte Jezuin ishte motivi që qëndronte pas veprave bujare.

Në kohën e Jezuit, të pasurit synonin të fitonin një reputacion të mirë duke sponsorizuar shfaqje e lojëra në arena, duke ndërtuar parqe e tempuj dhe duke financuar aktivitete të ngjashme. Ama këtë e bënin me qëllimin që të fitonin duartrokitje, popullaritet ose vota. Një vepër referimi thotë: «Ndonëse hasen edhe shembuj bujarie të vërtetë mes këtyre dhuruesve, në përgjithësi ajo praktikë frymëzohej nga interesat egoiste politike.» Pikërisht këtë frymë ambicioze dhe egoiste i nxiti Jezui dishepujt e tij të shmangnin.

Vite më vonë, apostulli Pavël theksoi të njëjtin parim të rëndësishëm për të pasur motivin e duhur kur japim. Ai u shkroi bashkëbesimtarëve në Korint: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»​—2 Kor. 9:7.