«Askush të mos ju privojë nga çmimi.»​—KOLOS. 2:18.

KËNGËT: 122, 139

1, 2. (a) Cilin çmim presin me zjarr shërbëtorët e Perëndisë? (b) Çfarë na ndihmon t’i mbajmë sytë te çmimi? (Shih figurën hapëse.)

ASHTU si apostulli Pavël, të krishterët e mirosur nga fryma sot kanë perspektivën e vyer që të marrin «çmimin e thirrjes qiellore të Perëndisë». (Filip. 3:14) Ata presin me zjarr të shërbejnë me Jezu Krishtin në Mbretërinë e tij qiellore dhe të bashkëpunojnë me të për ta çuar njerëzimin drejt përsosmërisë. (Zbul. 20:6) Ç’synim të mrekullueshëm i ka ftuar Perëndia të ndjekin! Delet e tjera kanë një shpresë ndryshe nga e tyrja. Ata presin me zjarr të fitojnë çmimin e jetës së përhershme në tokë. Çfarë perspektive të lumtur që kanë!​—2 Pjet. 3:13.

2 Për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët e tij të mirosur që të qëndronin besnikë e të fitonin çmimin, Pavli i nxiti: «Mbajeni mendjen të ngulitur te gjërat në qiell.» (Kolos. 3:2) Ata duhej të mbanin në mendje shpresën e çmuar se do të merrnin trashëgiminë e tyre qiellore. (Kolos. 1:4, 5) Vërtet, meditimi për bekimet që u vë para Jehovai shërbëtorëve të tij i ndihmon të gjithë ata  t’i mbajnë sytë te çmimi, qoftë nëse kanë shpresë qiellore, qoftë nëse kanë shpresë tokësore.​—1 Kor. 9:24.

3. Për cilat rreziqe i paralajmëroi Pavli bashkëbesimtarët?

3 Veç kësaj, Pavli i paralajmëroi bashkëbesimtarët për rreziqet që mund t’i privonin nga çmimi. Për shembull, ai i shkroi kongregacionit në Kolose për të krishterët e rremë që po përpiqeshin të fitonin miratimin e Perëndisë me anë të veprave të Ligjit, e jo me anë të besimit te Krishti. (Kolos. 2:16-18) Pavli foli edhe për rreziqe që ekzistojnë deri sot e kësaj dite dhe që mund të na privojnë nga çmimi. Për shembull, ai shpjegoi si t’u rezistojmë dëshirave imorale, si të veprojmë kur kemi probleme me bashkëbesimtarët dhe si t’i përballojmë vështirësitë familjare. Këshillat e tij për këto çështje kanë vlerë për ne sot. Prandaj le të shqyrtojmë disa nga paralajmërimet e dashura që dha Pavli në letrën që u shkroi kolosianëve.

BËJ TË VDESIN DËSHIRAT IMORALE

4. Pse mund të na privojnë nga çmimi dëshirat imorale?

4 Pasi u kujtoi vëllezërve të tij shpresën e mrekullueshme që kishin, Pavli shkroi: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë.» (Kolos. 3:5) Dëshirat imorale mund të jenë shumë të fuqishme dhe mund të na privojnë nga thesaret frymore​—nga marrëdhënia me Jehovain dhe nga shpresa jonë. Një vëlla, të cilin e vunë poshtë dëshirat imorale, tha këto fjalë pasi u rikthye në kongregacion: «Më tërhiqte një forcë kaq e fuqishme, sa erdha në vete vetëm kur ishte tepër vonë.»

5. Si mund të mbrohemi në situata të rrezikshme?

5 Është e rëndësishme të jemi syçelë sidomos kur ndodhemi në rrethana që mund të na tundojnë të bëjmë kompromis me normat morale të Jehovait. Për shembull, është e mençur që një çift, që nga momenti kur fillojnë të njihen me njëri-tjetrin, të vendosin kufij të qartë për çështje të tilla si prekjet, puthjet ose qëndrimi vetëm për vetëm me njëri-tjetrin. (Prov. 22:3) Situata të rrezikshme nga ana morale mund të lindin edhe kur një shërbëtor i Perëndisë është larg familjes për një udhëtim pune ose kur i duhet të punojë me një person të seksit tjetër. (Prov. 2:10-12, 16) Nëse gjendesh në një situatë të tillë, trego se je Dëshmitar i Jehovait, mbaj një sjellje të respektueshme dhe mos harro se flirtimi mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Mund të ndodhemi në rrezik akoma më të madh kur jemi të dëshpëruar ose të brishtë emocionalisht. Në momente të tilla, mund të jemi të dëshiruar të ndiejmë se të tjerët kanë nevojë për ne. Madje, dëshira për mbështetje emocionale mund të bëhet kaq e fortë, sa të pranojmë vëmendje nga kushdo qoftë. Nëse të ndodh ndonjëherë kjo, drejtoju për ndihmë Jehovait dhe shërbëtorëve të tij që të mos lejosh asgjë të të privojë nga çmimi.​—Lexo Psalmin 34:18; Proverbat 13:20.

6. Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur zgjedhim zbavitjen?

6 Që të bëjmë të vdesin dëshirat imorale, duhet të hedhim poshtë zbavitjet imorale. Një pjesë e mirë e industrisë së zbavitjes sot ka karakteristikat e Sodomës dhe Gomorrës së lashtë. (Jud. 7) Ata që janë në krye të kësaj industrie reklamojnë idetë e tyre për moralin duke e paraqitur imoralitetin seksual si sjellje normale, pa pasoja të dhimbshme. Nuk mund ta ulim vigjilencën duke pranuar në mënyrë pasive çdo zbavitje që na ofrohet. Duhet të zgjedhim ato lloj zbavitjesh që nuk na pengojnë t’i mbajmë sytë te çmimi i jetës.​—Prov. 4:23.

 «VISHUNI ME» DASHURI DHE MIRËDASHJE

7. Çfarë problemesh mund të hasim brenda kongregacionit të krishterë?

7 Të gjithë e pranojmë se është një bekim të jesh pjesë e kongregacionit të krishterë. Studimi i Fjalës së Perëndisë në mbledhjet tona, si edhe mbështetja e dashur dhe e ngrohtë që i japim njëri-tjetrit na ndihmojnë t’i mbajmë sytë të përqendruar te çmimi. Gjithsesi, ndonjëherë keqkuptimet mund të krijojnë njëfarë tensioni mes pjesëtarëve të kongregacionit. Nëse nuk i zgjidhim, këto probleme mund të ngjallin kollaj mëri.​—Lexo 1 Pjetrit 3:8, 9.

8, 9. (a) Cilat cilësi do të na ndihmojnë të fitojmë çmimin? (b) Ç’mund të na ndihmojë të ruajmë paqen nëse na mërzit një bashkëbesimtar?

8 Ç’të bëjmë që të mos e lejojmë mërinë të na privojë nga çmimi? Pavli i nxiti kolosianët: «Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju. Por, përveç të gjitha këtyre gjërave, vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.»​—Kolos. 3:12-14.

9 Dashuria dhe mirëdashja mund të na ndihmojnë të jemi të gatshëm ta falim njëri-tjetrin. Për shembull, nëse na lëndojnë fjalët ose veprimet e një bashkëbesimtari, mund të përpiqemi të kujtojmë raste kur ne kemi thënë a kemi bërë diçka lënduese. A nuk e çmojmë dashurinë dhe mirëdashjen e vëllezërve e motrave që i anashkaluan gabimet tona? (Lexo Eklisiastiun 7:21, 22.) Jemi mirënjohës sidomos për mirëdashjen e Krishtit që i ka mbledhur në unitet adhuruesit e vërtetë. (Kolos. 3:15) Të gjithë ne duam të njëjtin Perëndi, predikojmë të njëjtin mesazh dhe përballemi thuajse me të njëjtat probleme. Duke falur njëri-tjetrin me dashuri dhe mirëdashje, i kontribuojmë unitetit të krishterë dhe i mbajmë sytë te çmimi i jetës.

10, 11. (a) Pse është e rrezikshme xhelozia? (b) Ç’të bëjmë që të mos e lejojmë xhelozinë të na privojë nga shpërblimi?

10 Shembujt paralajmërues të Biblës na sjellin ndër mend se xhelozia mund të na privojë nga çmimi. Për shembull, Kaini u bë xheloz për vëllanë e tij, Abelin, dhe e vrau. Korahu, Datani dhe Abirami u bënë xhelozë për Moisiun dhe i dolën kundër. Gjithashtu, mbreti Saul u bë xheloz për suksesin e Davidit dhe u orvat ta vriste. Jo më kot Fjala e Perëndisë thotë: «Ku ka xhelozi dhe frymë grindjeje, ka edhe trazirë dhe çdo gjë të poshtër.»​—Jak. 3:16.

11 Nëse kultivojmë dashuri dhe mirëdashje në zemër, nuk do të na pushtojë lehtë xhelozia. Fjala e Perëndisë thotë: «Dashuria është shpirtgjerë dhe mirëdashëse. Dashuria nuk është xheloze.» (1 Kor. 13:4) Që të mos e lejojmë xhelozinë të zërë rrënjë në zemrën tonë, duhet të bëjmë çmos t’i shohim gjërat nga pikëpamja e Perëndisë, duke i parë vëllezërit e motrat si gjymtyrë të të njëjtit trup të krishterë. Kjo do të na ndihmojë të tregojmë ndjenja të përbashkëta, në përputhje me këtë këshillë të frymëzuar: «Sikur të marrë lavdi një gjymtyrë, gjithë gjymtyrët e tjera gëzojnë bashkë me të.» (1 Kor. 12:16-18, 26) Pra, në vend se të ndihemi xhelozë, do të jemi të lumtur kur të tjerët të marrin bekime. Mendo për shembullin e Jonatanit, birit të mbretit Saul. Ai nuk ishte xheloz kur Davidi u caktua trashëgimtar i fronit. Përkundrazi, i dha zemër Davidit. (1 Sam. 23:16-18) A mund të shfaqim të njëjtën dashuri e mirëdashje si Jonatani?

 FITONI ÇMIMIN SI FAMILJE

12. Zbatimi i cilës këshillë nga Shkrimet do të na ndihmojë të fitojmë çmimin si familje?

12 Zbatimi i parimeve biblike mund t’i sjellë paqe dhe lumturi një familjeje dhe mund ta ndihmojë të fitojë çmimin. Cilën këshillë të frymëzuar u dha Pavli për familjen të krishterëve në Kolose? Ai tha: «Ju, gra, jini të nënshtruara ndaj burrave tuaj, ashtu si ka hije në Zotërinë. Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to. Ju, fëmijë, jini të bindur ndaj prindërve në çdo gjë, pasi kjo është e pëlqyeshme në Zotërinë. Ju, etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolos. 3:18-21) Me siguri do të jesh dakord se zbatimi i këshillës së frymëzuar të Pavlit u sjell dobi edhe sot burrave, grave e fëmijëve.

13. Si mund ta fitojë një motër burrin e saj jobesimtar?

13 Ç’të themi nëse je grua dhe mendon se burri jobesimtar nuk të trajton siç duhet? A do ta përmirësoje situatën po të debatoje për sjelljen e tij? Edhe nëse ia del që ai të bëjë siç do ti, a do ta fitoje, pra a do ta nxitje të përqafojë të vërtetën? Zor se po. Ama nëse tregon respekt për kryesinë e burrit, mund t’i kontribuosh paqes në familje, do t’i sjellësh lavdi Jehovait, e madje mund ta  fitosh burrin në adhurimin e vërtetë, kështu të dy mund të fitoni çmimin.​—Lexo 1 Pjetrit 3:1, 2.

14. Çfarë duhet të bëjë një burrë i krishterë nëse gruaja e tij jobesimtare nuk e respekton?

14 Ç’të themi nëse je burrë dhe të duket sikur gruaja jote jobesimtare nuk të respekton? A do ta nxitësh të të respektojë më shumë po t’i bërtasësh për t’i treguar kush komandon? Absolutisht jo! Perëndia pret që ta ushtrosh kryesinë me dashuri duke imituar Jezuin. (Efes. 5:23) Jezui e ushtron kryesinë mbi kongregacionin e tij me durim e dashuri. (Luka 9:46-48) Duke imituar shembullin e tij, një burrë mund ta fitojë gruan në adhurimin e vërtetë.

15. Si e shpreh një burrë i krishterë dashurinë për gruan e tij?

15 Bibla u thotë burrave: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» (Kolos. 3:19) Një burrë i dashur e nderon gruan duke i dëgjuar mendimet e saj dhe duke e siguruar se i vlerëson ato që thotë. (1 Pjet. 3:7) Ndonëse s’mund të bëjë gjithnjë çfarë kërkon ajo, shpesh ai merr një vendim më të ekuilibruar kur këshillohet me të. (Prov. 15:22) Një burrë i dashur përpiqet ta fitojë respektin e gruas duke e merituar, e jo duke e pretenduar. Kur një burrë e do gruan dhe fëmijët, ka më shumë të ngjarë që familja e tij t’i shërbejë e lumtur Jehovait dhe të fitojë çmimin e jetës.

Ç’të bëjmë që të mos i lejojmë problemet familjare të na privojnë nga çmimi? (Shih paragrafët 13-15.)

TË RINJ​—MOS LEJONI ASGJË T’JU PRIVOJË NGA ÇMIMI!

16, 17. Ti si i ri, ç’mund të bësh që të mos acarohesh tepër me prindërit e tu?

16 Ç’të themi nëse je adoleshent dhe mendon se prindërit e tu të krishterë s’të kuptojnë e sikur po të zënë frymën me kufizime? Nga acarimi mund të fillosh madje të dyshosh nëse t’i shërbesh Jehovait është vërtet mënyra më e mirë për të jetuar. Mirëpo, nëse lejon që acarimi të të bëjë të heqësh dorë nga shërbimi i Jehovait, shpejt do të zbulosh se askush tjetër nuk merakoset më sinqerisht për ty se prindërit e tu të krishterë dhe kongregacioni.

17 Sikur prindërit të mos të kishin ndrequr kurrë, a nuk do të vrisje mendjen nëse merakosen vërtet për ty? (Hebr. 12:8) Por mbase ajo që të mërzit është mënyra si të disiplinojnë. Në vend që të acarohesh me mënyrën si të disiplinojnë, mundohu të kuptosh se mund të kenë një arsye pse veprojnë ashtu. Prandaj ruaj qetësinë dhe përpiqu fort të mos reagosh në mënyrë të ekzagjeruar ndaj kritikave. Fjala e Perëndisë thotë: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri, dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.» (Prov. 17:27) Vër synim të bëhesh person i pjekur që di ta pranojë me qetësi një këshillë e të nxjerrë dobi prej saj, pa u shqetësuar tepër për mënyrën si t’u dha. (Prov. 1:8) Të kesh prindër besimtarë që e duan vërtet Jehovain është një bekim. Me siguri ata duan të të ndihmojnë të fitosh çmimin e jetës.

18. Pse je i vendosur t’i mbash sytë te çmimi?

18 Çmimi që kemi para nesh​—qoftë jeta e pavdekshme në qiell, qoftë jeta e përhershme në tokën parajsore—​është një çmim i mrekullueshëm që ia vlen ta mbajmë në mendje. Kjo është një shpresë e sigurt, një shpresë që bazohet te premtimi i vetë Krijuesit. Për tokën parajsore, Perëndia thotë: «Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait.» (Isa. 11:9) Në atë kohë, të gjithë ata që do të jetojnë në tokë do të mësohen nga Perëndia. Patjetër që ia vlen të përpiqemi fort për këtë çmim. Ndaj mbaje mendjen të ngulitur tek ajo që premton Jehovai dhe mos lejo asgjë të të privojë nga çmimi!