«Dilni prej saj, o populli im.»​—ZBUL. 18:4.

KËNGËT: 101, 93

1. Mbi ç’bazë mund të shpresonte populli i Perëndisë të çlirohej nga Babilonia e Madhe, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

NË ARTIKULLIN e kaluar mësuam si ranë nën robërinë e Babilonisë së Madhe të krishterët besnikë. Megjithatë, lajmi i mirë është se nuk do të mbeteshin përgjithmonë në këtë gjendje. Urdhri i Perëndisë «dilni prej saj, o populli im» s’do të kishte kuptim nëse askush nuk do të shpëtonte dot kurrë nga pushteti i perandorisë botërore të fesë së rreme. (Lexo Zbulesën 18:4.) Mezi presim të mësojmë kur u çlirua plotësisht populli i Perëndisë nga kthetrat e Babilonisë. Por në fillim, duhet t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: çfarë qëndrimi mbajtën Studentët e Biblës ndaj Babilonisë së Madhe para vitit 1914? Sa të zellshëm ishin vëllezërit tanë në veprën e predikimit gjatë Luftës I Botërore? A ka ndonjë lidhje mes faktit që kishin nevojë për ndreqje e disiplinë gjatë asaj periudhe dhe mbajtjes nën robërinë e Babilonisë?

«RËNIA E BABILONISË»

2. Cilin qëndrim mbajtën Studentët e hershëm të Biblës ndaj fesë së rreme, sipas kuptueshmërisë që kishin atëherë?

2 Gjatë dekadave para Luftës I Botërore, Çarls Tejz Rasëlli dhe shokët e tij kuptuan se organizatat e krishterimit nuk po mësonin të vërtetën e Biblës. Për këtë arsye, vendosën të mos  kishin fare lidhje me fenë e rreme siç e njihnin në atë kohë. Që në nëntor të 1879-s, Kulla e Rojës e Sionit shpjegonte troç qëndrimin e tyre të bazuar në Shkrime dhe thoshte: «Çdo kishë që pohon se është një virgjëreshë e dëlirë e fejuar me Krishtin, por që në të vërtetë është e bashkuar dhe mbështetet nga bota (bisha), duhet ta dënojmë me gjuhën e Shkrimeve si një kishë prostitutë», duke iu referuar kështu Babilonisë së Madhe.​—Lexo Zbulesën 17:1, 2.

3. Cili veprim i vendosur i Studentëve të Biblës tregoi se e kuptonin që duhej të ndaheshin nga feja e rreme? (Shih figurën hapëse.)

3 Burra e gra me frikë Perëndie e dinin ç’duhej të bënin. S’mund të prisnin që Perëndia t’i bekonte po të vazhdonin të mbështetnin organizatat e fesë së rreme. Si pasojë, shumë Studentë të Biblës përgatitën letra ku deklaronin largimin nga kishat e tyre. Në disa raste i lexonin letrat publikisht në mbledhjet e kishës. Atje ku kjo nuk lejohej, disa u dërgonin kopje të këtyre letrave çdo pjesëtari të kishës. Nuk donin të kishin të bënin më me fenë e rreme. Në një periudhë tjetër, kjo lëvizje e guximshme do t’u kushtonte shtrenjtë. Por nga fundi i viteve 1800, në shumë vende kisha po fillonte të humbte përkrahjen e shtetit. Në këto vende qytetarët s’kishin frikë se mos ndëshkoheshin, kështu që ishin të lirë të diskutonin për çështje fetare dhe të shprehnin hapur se nuk ishin dakord me kishat kryesore.

4. Si ishte marrëdhënia mes popullit të Perëndisë dhe Babilonisë së Madhe gjatë Luftës I Botërore?

4 Studentët e Biblës e kuptuan se nuk mjaftonte të njoftonin të afërmit, miqtë e ngushtë dhe pjesëtarët e kishës për qëndrimin e tyre ndaj fesë së rreme. Gjithë bota duhej ta kuptonte çfarë është në të vërtetë Babilonia e Madhe​—një prostitutë fetare. Ja pse, nga dhjetori i 1917-s deri në fillim të 1918-s, ata pak mijëra Studentë të Biblës shpërndanë me zell 10.000.000 fletushka me temë «Rënia e Babilonisë»​—një demaskim fshikullues për krishterimin. Merret me mend që kleri u tërbua; por Studentët e Biblës e vazhduan pa u stepur këtë vepër të rëndësishme. Ishin të vendosur t’i bindeshin «Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve». (Vep. 5:29) Ç’përfundim mund të nxjerrim? Ata burra e gra të krishterë nuk po bëheshin aspak skllevër të Babilonisë së Madhe gjatë luftës, përkundrazi po liroheshin nga ndikimi i saj dhe po ndihmonin edhe të tjerë të vepronin njësoj.

AKTIVITET I ZELLSHËM GJATË LUFTËS I BOTËRORE

5. Ç’dëshmi kemi që vëllezërit ishin shumë të zellshëm gjatë Luftës I Botërore?

5 Në të kaluarën, besonim se Jehovai ishte i pakënaqur me popullin e tij ngaqë nuk po merrnin pjesë me zell në veprën e predikimit gjatë Luftës I Botërore. Nxorëm përfundimin se për këtë arsye Jehovai lejoi që Babilonia e Madhe t’i robëronte për një periudhë të shkurtër. Mirëpo, motrat e vëllezërit besnikë që i shërbyen Perëndisë gjatë viteve 1914-1918, e bënë të qartë më vonë se populli i Zotërisë si një i tërë bëri gjithë sa kishte në dorë që të vazhdonin veprën e predikimit. Ka prova të forta që e mbështetin këtë dëshmi. Një kuptueshmëri më e saktë për historinë tonë teokratike na ka ndihmuar të kuptojmë më qartë disa ngjarje të dokumentuara në Bibël.

6, 7. (a) Cilat vështirësi duhej të kapërcenin Studentët e Biblës gjatë Luftës I Botërore? (b) Jepni shembuj që tregojnë se Studentët e Biblës ishin të zellshëm.

6 Në fakt, Studentët e Biblës që  shërbenin gjatë Luftës I Botërore (1914-1918) dhanë një dëshmi të jashtëzakonshme në atë kohë. Por nuk e patën të lehtë këtë për disa arsye. Ne do të shqyrtojmë dy prej tyre. Së pari, në atë kohë vepra e predikimit përfshinte kryesisht shpërndarjen e literaturës biblike. Kur libri Misteri i përfunduar u ndalua nga autoritetet qeveritare në fillim të 1918-s, predikimi u bë i vështirë për shumë vëllezër. Ata nuk kishin mësuar ende të predikonin duke përdorur vetëm Biblën dhe i kishin varur shpresat te Misteri i përfunduar që «të dëshmonte» në vend të tyre. Faktori i dytë përfshinte shpërthimin shkatërrimtar të gripit spanjoll më 1918. Përhapja e madhe e kësaj murtaje të tmerrshme ua bëri të vështirë lajmëtarëve të lëviznin lirisht. Ama, pavarësisht nga këto dhe nga vështirësi të tjera, Studentët e Biblës si grup bënë gjithë sa mundën që vepra të vazhdonte.

Ata Studentë të Biblës ishin vërtet të zellshëm. (Shih paragrafët 6, 7.)

7 Vetëm në 1914-n, ai grusht Studentësh të Biblës ua shfaqi «Fotodramën e Krijimit» më shumë se 9.000.000 vetave. Drama, siç quhej atëherë, ishte një kombinim i filmimeve dhe diapozitivave të sinkronizuara me zë dhe tregonte historinë e njerëzimit që nga krijimi deri në fund të Mijëvjeçarit. Ishte një arritje e jashtëzakonshme në atë kohë. Mendo pak: vetëm në 1914-n, numri i atyre që e panë atë prezantim ishte më i madh se numri i gjithë lajmëtarëve të Mbretërisë aktivë sot në botë. Raportet tregojnë më tej se në vitin 1916, gjithsej 809.393 veta ndoqën mbledhjet publike në Shtetet e Bashkuara, dhe në 1918-n ky numër u rrit në 949.444 veta. Ata Studentë të Biblës ishin vërtet të zellshëm.

8. Si u plotësuan nevojat frymore të vëllezërve gjatë luftës së parë botërore?

8 Gjatë luftës së parë botërore, vëllezërit që drejtonin nuk i kursyen aspak përpjekjet që të vazhdonin t’u siguronin ushqim frymor dhe inkurajim Studentëve të shpërndarë të Biblës. Këto masa u dhanë vëllezërve forcë për të kryer veprën e predikimit. Riçard Barberi, që shërbente me zell në atë kohë, kujtonte: «Ia dolëm të kishim ende disa mbikëqyrës udhëtues, arritëm të mbanim në qarkullim Kullën e Rojës dhe ta dërgonim në Kanada, ku ishte e ndaluar. Pata privilegjin  t’u dërgoja disa kopje të librit Misteri i përfunduar në format xhepi disa vëllezërve që ua kishin konfiskuar. Vëlla Radhërfordi na kërkoi të organizonim kongrese në disa qytete në perëndim të Shteteve të Bashkuara dhe të dërgonim oratorë që të përpiqeshin t’i inkurajonin sa më shumë vëllezërit.»

NEVOJITESHIN RAFINIME

9. (a) Pse kishte nevojë për ndreqje dhe disiplinë populli i Perëndisë nga 1914-a deri në 1919-n? (b) Çfarë nuk tregonte fakti që kishin nevojë për disiplinë?

9 Jo çdo gjë që bënin Studentët e Biblës gjatë viteve 1914 deri më 1919 ishte në përputhje me parimet biblike. Edhe pse ishin të sinqertë, vëllezërit nuk kishin gjithnjë pikëpamjen e duhur për nënshtrimin ndaj qeverive. (Rom. 13:1) Prandaj, si grup, nuk ishin përherë asnjanës në lidhje me luftën. Për shembull, kur presidenti i Shteteve të Bashkuara dekretoi se 30 maji i 1918-s do të lihej si ditë për t’u lutur për paqe, Kulla e Rojës i nxiste Studentët e Biblës të merrnin pjesë edhe ata në këtë rast. Disa vëllezër blenë obligacione për të financuar luftën, madje kishte nga ata që hynë në llogore me armë dhe bajoneta. Mirëpo, do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se Studentët e Biblës u bënë robër të Babilonisë së Madhe ngaqë kishin nevojë për ndreqje dhe disiplinë. Përkundrazi, ata e kuptuan detyrimin për t’u ndarë nga feja e rreme, dhe gjatë Luftës I Botërore shkëputja e tyre nga kjo perandori botërore ishte thuajse e plotë.​—Lexo Lukën 12:47, 48.

10. Cilin qëndrim të prerë mbajtën Studentët e Biblës në lidhje me shenjtërinë e jetës?

10 Ndonëse Studentët e Biblës nuk kuptonin çdo aspekt të asnjanësisë së krishterë aq qartë sa e kuptojmë sot, për një gjë ishin të sigurt: Bibla e ndalon t’i marrësh jetën një njeriu. Kështu, edhe ata pak vëllezër që morën armët dhe hynë në llogore gjatë Luftës I Botërore refuzuan prerazi t’i përdornin këto armë për të vrarë dikë. Disa që nuk pranuan të vritnin, i dërguan në vijat e frontit me mendimin që të humbnin jetën.

11. Si reaguan autoritetet qeveritare ndaj qëndrimit sipas Shkrimeve që kishin Studentët e Biblës për konfliktet e armatosura?

11 Pa dyshim që Djalli ishte i xhindosur nga qëndrimi që po mbanin vëllezërit ndaj luftës, sado i papërsosur ishte ai qëndrim. Si pasojë, kurdisi «telashe me anë të dekretit». (Psal. 94:20) Gjeneralmajori i ushtrisë së SHBA-së, Xhejms Frenklin Belli, në një bisedë me vëllezërit Radhërford dhe Ven-Embërg tregoi se Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ishte përpjekur të paraqiste në Kongres një projektligj që do të lejonte të dënoheshin me vdekje ata që nuk pranonin të merrnin armët në luftë. E kishte fjalën veçanërisht për Studentët e Biblës. Në kulmin e zemërimit, gjenerali Bell i tha vëllait Radhërford: «Ai projektligj nuk u miratua sepse [presidenti i SHBA-së] Uilsoni e pengoi; por dimë si t’jua gjejmë anën, dhe do t’jua gjejmë!»

12, 13. (a) Pse u dënuan me burgim shumëvjeçar tetë vëllezër me përgjegjësi? (b) A ua theu burgimi vëllezërve vendosmërinë për t’iu bindur Jehovait? Shpjegoni.

12 Autoritetet e bënë realitet atë kërcënim. Si përfaqësues të Shoqatës Watch Tower, vëllezërit Radhërford, Ven-Embërg dhe gjashtë të tjerë i arrestuan. Kur dha dënimin, gjykatësi i çështjes deklaroi: «Propaganda fetare ku janë përfshirë këta burra është më e dëmshme se një divizion me ushtarë  gjermanë . . . Ata nuk kanë vënë në diskutim vetëm punonjësit e ligjit në qeveri dhe byronë e inteligjencës ushtarake, por kanë dënuar edhe gjithë shërbëtorët fetarë të të gjitha kishave. Ndëshkimi për ta duhet të jetë i ashpër.» (Faith on the March, nga A. H. Mekmillëni, f. 99, anglisht) E ashtu ndodhi. Të tetë Studentëve të Biblës iu dha një dënim shumëvjeçar në burgun federal të Atlantës, Xhorxhia. Gjithsesi, kur mbaroi lufta, ata u liruan nga burgu dhe akuzat kundër tyre ranë.

13 Edhe ndërsa vuanin dënimin, ata tetë burra iu përmbajtën patundshmërisht Shkrimeve, sipas kuptueshmërisë që kishin. Në një kërkesë për mëshirë drejtuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, ata shkruanin: «Siç deklarohet në Shkrime, vullneti i Zotërisë është ‘mos vrit’. Prandaj, çdo anëtar i Shoqatës [Ndërkombëtare të Studentëve të Biblës] i kushtuar ndaj Zotërisë që do të shkelte me dashje besëlidhjen e tij të kushtimit, do të humbte hirin e Perëndisë, madje deri në shkatërrim të plotë. Ja pse ishte e pamundur që këta anëtarë të ishin të gatshëm dhe t’i lejonte ndërgjegjja t’u merrnin jetën njerëzve të tjerë.» Fjalë goxha të guximshme! Është e qartë se vëllezërit as që e çonin ndër mend të bënin kompromis.

MË NË FUND TË LIRË!

14. Duke u bazuar në Shkrime përshkruani çfarë ndodhi nga 1914-a deri në 1919-n.

14 Malakia 3:1-3 flet për periudhën nga 1914-a deri në fillim të 1919-s, kur «bijtë e Levit», të mirosurit, do të kalonin një periudhë rafinimi. (Lexoje.) Gjatë asaj kohe, Perëndia Jehova, «Zotëria i vërtetë», bashkë me Jezu Krishtin, ‘lajmëtarin e besëlidhjes’, erdhën në tempullin frymor për të hetuar ata që shërbenin aty. Pasi morën disiplinën e nevojshme, populli i pastruar i Jehovait ishte gati të mbante mbi supe një caktim tjetër shërbimi. Më 1919, u emërua një ‘skllav i besueshëm dhe i matur’ që të siguronte ushqim frymor për shtëpinë e besimit. (Mat. 24:45) Tani populli i Perëndisë ishte i lirë nga pushteti i Babilonisë së Madhe. Që nga ajo kohë, falë dashamirësisë së pamerituar të Jehovait, populli i tij është rritur gjithnjë e më shumë në njohurinë për vullnetin e Perëndisë dhe në dashurinë për Atin e tyre qiellor. Sa mirënjohës janë për bekimin e tij! [1]

15. Si duhet të ndikojë te ne fakti që jemi çliruar nga Babilonia e Madhe?

15 Çfarë lumturie që jemi çliruar nga robëria e Babilonisë së Madhe! Përpjekjet e Satanait për të shfarosur nga toka krishterimin e vërtetë, kanë dështuar keq. Ama, nuk duhet të humbim nga sytë qëllimin për të cilin na e ka dhënë këtë liri Jehovai. (2 Kor. 6:1) Feja e rreme mban akoma nën robëri shumë e shumë njerëz të sinqertë. Ata kanë nevojë që dikush t’u tregojë si të dalin prej saj, dhe ne mund t’u tregojmë udhën. Prandaj, duke imituar vëllezërit tanë të shekullit të kaluar, le të bëjmë çmos për t’i ndihmuar që të çlirohen!

^ [1] (paragrafi 14) Ka shumë ngjashmëri mes robërisë 70-vjeçare të judenjve në Babiloni dhe asaj që u ndodhi të krishterëve pas zhvillimit të apostazisë. Megjithatë, duket se robëria e judenjve nuk është një model profetik i asaj që u ndodhi të krishterëve. Për shembull, kohëzgjatja e robërisë ndryshon. Prandaj, s’duhet të përpiqemi të kërkojmë paralele profetike në çdo hollësi të robërisë së judenjve, sikur këto duhet të kenë ndonjë aplikim për atë që u ndodhi të krishterëve të mirosur në vitet para 1919-s.