«Përse vonon? Ngrihu, pagëzohu.»​—VEP. 22:16.

KËNGËT: 51, 135

1. Për çfarë duan të sigurohen prindërit e krishterë para se fëmijët e tyre të pagëzohen?

«PËR muaj të tërë u thosha babit dhe mamit se doja të pagëzohesha, dhe ata bisedonin shpesh me mua për këtë. Donin të siguroheshin se e dija sa serioz ishte vendimi im. E ja, më 31 dhjetor 1934, ndodhi ajo ngjarje tepër e rëndësishme e jetës sime.» Kështu e përshkroi Blosom Branti çfarë ndodhi në kohën kur vendosi të pagëzohej. Sot, prindërit e krishterë kanë një merak të ngjashëm për t’i ndihmuar fëmijët të marrin vendime të mençura. Nëse pagëzimi shtyhet ose vonohet më kot, ka më shumë gjasa që marrëdhënia e fëmijës me Jehovain të dëmtohet. (Jak. 4:17) Megjithatë, me mençuri prindërit duan të sigurohen që para pagëzimit fëmijët e tyre të jenë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë si dishepuj të Krishtit.

2. (a) Çfarë meraku kanë shprehur disa mbikëqyrës qarkorë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

2 Disa mbikëqyrës qarkorë kanë shprehur merakun se takojnë të rinj nga fundi i adoleshencës ose në fillim të të 20-ave, që  janë rritur në familje Dëshmitarësh por nuk janë pagëzuar ende. Në shumicën e rasteve, këta të rinj ndjekin mbledhjet e kongregacionit dhe dalin në shërbim. Ata e konsiderojnë veten Dëshmitarë të Jehovait. Mirëpo, për ndonjë arsye ngurrojnë t’ia kushtojnë jetën Jehovait dhe të pagëzohen. Cila mund të jetë arsyeja? Në disa raste, prindërit i kanë nxitur ta shtyjnë pagëzimin. Në këtë artikull, do të shqyrtojmë katër meraqe që i kanë penguar disa prindër të krishterë t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përparojnë drejt pagëzimit.

A ËSHTË MJAFT I RRITUR FËMIJA IM?

3. Çfarë meraku kishin prindërit e Blosomit?

3 Është e natyrshme që prindërit e Blosomit, që u përmend në paragrafin e parë, të kishin merak nëse vajza e tyre ishte mjaft e rritur sa të kuptonte domethënien dhe seriozitetin e pagëzimit. Si mund ta dinë prindërit nëse fëmija është në gjendje të bëjë një kushtim të vlefshëm?

4. Si mund t’i ndihmojë prindërit urdhërimi i Jezuit te Mateu 28:19, 20 teksa mësojnë fëmijët?

4 Lexo Mateun 28:19, 20. Siç e pamë në artikullin e kaluar, Bibla nuk tregon një moshë specifike se kur duhet të pagëzohet dikush. Megjithatë, prindërit mund të nxjerrin dobi nëse meditojnë se çfarë do të thotë të bësh një dishepull. Fjala greke e përkthyer «bëni dishepuj» te Mateu 28:19, ka kuptimin ta mësosh dikë me synimin që të bëhet nxënës, ose dishepull. Një dishepull është dikush që mëson e kupton mësimet e Jezuit dhe që është i vendosur t’i zbatojë. Pra, qëllimi i gjithë prindërve të krishterë duhet të jetë t’i mësojnë fëmijët që nga foshnjëria me synimin për t’i ndihmuar të bëhen dishepuj të pagëzuar të Krishtit. Kuptohet, një foshnjë nuk kualifikohet për pagëzim. Gjithsesi, Bibla tregon se edhe fëmijët në moshë relativisht të vogël mund t’i kuptojnë e t’i çmojnë të vërtetat e Biblës.

5, 6. (a) Çfarë përfundimi nxjerrim për pagëzimin nga ajo që tregon Bibla për Timoteun? (b) Si mund t’i ndihmojnë me efektshmëri fëmijët e tyre prindërit me aftësi dalluese?

Timoteu ishte një dishepull që e përvetësoi me gjithë zemër të vërtetën në moshë të njomë. Apostulli Pavël tha se Timoteu i kishte mësuar të vërtetat e Shkrimeve që nga foshnjëria. Ndonëse u rrit në një familje të ndarë nga ana fetare, mamaja dhe gjyshja e tij judeje kultivuan te Timoteu çmueshmërinë për Shkrimet, sipas kuptueshmërisë që kishin judenjtë. Si rezultat, ai kishte një besim të patundur. (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Nga fundi i adoleshencës ose në fillim të të 20-ave, Timoteu tashmë ishte një dishepull që mund të merrej në shqyrtim për privilegje të veçanta shërbimi në kongregacion.​—Vep. 16:1-3.

6 Sigurisht, çdo fëmijë është unik; jo të gjithë piqen me të njëjtin ritëm ose në të njëjtin moment të jetës. Disa janë mjaft të pjekur nga ana mendore dhe emocionale në një moshë të vogël dhe shprehin dëshirën për t’u pagëzuar. Të tjerë mund të jenë gati për pagëzim vetëm kur janë pak më të rritur. Prandaj, prindërit me aftësi dalluese nuk u bëjnë presion fëmijëve që të pagëzohen. Përkundrazi, e ndihmojnë secilin të përparojë në përputhje me rritjen e tij dhe hapat që ka hedhur. Prindërit mund të gëzojnë kur fëmija vepron sipas asaj që thuhet te Proverbat 27:11. (Lexoje.) Megjithatë, nuk duhet ta harrojnë kurrë synimin e tyre​—t’i ndihmojnë fëmijët të bëhen dishepuj të Krishtit. Me këtë në mendje, prindërit bëjnë mirë të pyesin veten: «A ka njohuri të mjaftueshme fëmija im sa t’i kushtohet Perëndisë dhe të pagëzohet?»

 A KA MJAFT NJOHURI FËMIJA IM?

7. A duhet të ketë një njohuri të madhe për Biblën dikush që dëshiron të pagëzohet? Shpjegoni.

7 Është me vend që si mësues në familje, prindërit të duan që fëmijët e tyre të krijojnë një themel të fortë njohurie mbi të cilin mund të bazohet kushtimi. Gjithsesi, që një njeri t’i kushtohet Perëndisë e të pagëzohet nuk kërkohet një njohuri e madhe. Pas pagëzimit të gjithë dishepujt duhet të vazhdojnë të rriten në njohurinë e saktë. (Lexo Kolosianëve 1:9, 10.) Atëherë, sa njohuri kërkohet si fillim?

8, 9. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga tregimi për Pavlin dhe rojën e burgut?

8 Përvoja e një familjeje në shekullin e parë i ndihmon prindërit të gjykojnë më mirë. (Vep. 16:25-33) Gjatë udhëtimit të tij të dytë misionar, rreth vitit 50 të e.s., Pavli vizitoi Filipinë. Atje, Pavlin dhe Silën, shokun e tij të shërbimit, i arrestuan në bazë të akuzave të rreme dhe i futën në burg. Gjatë natës, një tërmet tronditi themelet e burgut dhe gjithë dyert u hapën. Roja i burgut u bë gati të vriste veten nga frika se mos të burgosurit kishin ikur. Por në atë çast Pavli e ndali. Pavli dhe Sila patën mundësi t’u jepnin dëshmi të shkëlqyer rojës dhe familjes së tij. Cilin hap i shtyu të bënin çmueshmëria për të vërtetat që po mësonin rreth Jezuit? U pagëzuan pa vonuar. Ç’mund të mësojmë nga ky tregim?

9 Siç ishte zakon atëherë, roja mund kishte qenë një veteran ushtrie në pension. Ai nuk kishte njohuri për Shkrimet. Prandaj, që të krijonte një themel të fortë njohurie nga Shkrimet duhej të mësonte të vërtetat bazë të Biblës, të kuptonte çfarë përfshin të jesh shërbëtor i Perëndisë dhe të ishte i vendosur t’u bindej mësimeve të Jezuit. Brenda një kohe relativisht të shkurtër, njohuria për të vërtetat bazë nga Shkrimet dhe çmueshmëria për to e nxitën të pagëzohej. S’ka dyshim që ai vazhdoi ta shtonte njohurinë pas pagëzimit. Duke mbajtur parasysh këtë shembull, çfarë mund të bëni kur fëmija juaj shpreh çmueshmëri nga zemra për mësimet bazë të Biblës, përfshirë domethënien dhe rëndësinë e kushtimit dhe pagëzimit? Ju prindër të krishterë mund të arrini në përfundimin se ai mund të flasë me pleqtë e kongregacionit që të shohin nëse i plotëson kualifikimet për t’u pagëzuar. * Ashtu si dishepujt e tjerë të pagëzuar, ai do të vazhdojë të rritet në njohurinë për qëllimin e Jehovait gjatë gjithë jetës, madje për tërë përjetësinë.​—Rom. 11:33, 34.

A PO MERR FËMIJA IM NJË ARSIMIM QË DO T’I SJELLË SUKSES?

10, 11. (a) Në ç’përfundim kanë arritur disa prindër? (b) Cili duhet të jetë meraku kryesor i një prindi?

10 Disa prindër kanë arritur në përfundimin se më e mira do të ishte që djali ose vajza ta shtyjë pagëzimin që të bëjë në fillim një shkollë të lartë dhe të sigurojë një karrierë të mirë. Ky arsyetim mbase niset nga e mira, por a do ta ndihmojë fëmijën të arrijë suksesin e vërtetë? Ç’është më e rëndësishmja, a është në harmoni me Shkrimet? Çfarë rruge na nxit të ndjekim Fjala e Jehovait?​—Lexo Eklisiastiun 12:1.

11 Është e rëndësishme të mos harrojmë se kjo botë dhe gjithë elementët e saj bien ndesh me gjërat që janë të rëndësishme për Jehovain dhe me mënyrën si mendon ai. (Jak. 4:7, 8; 1 Gjon. 2:15-17; 5:19) Një marrëdhënie e ngushtë me Jehovain është  mbrojtja më e mirë për një fëmijë kundër Satanait, botës së tij dhe mentalitetit të saj të mbrapshtë. Kur një prind i jep shumë rëndësi synimeve në botë, kjo mund ta pështjellojë fëmijën dhe të vërë në rrezik atë që është më e mira për të. A do të donin vërtet prindërit e dashur të krishterë që pikëpamja e fëmijës për suksesin të modelohej nga kjo botë? E vërteta është se gëzimi dhe suksesi i vërtetë vijnë vetëm kur e vëmë Jehovain në vend të parë në jetë.​—Lexo Psalmin 1:2, 3.

PO SIKUR FËMIJA IM TË MËKATOJË?

12. Pse disa prindër kanë dashur që fëmija i tyre ta shtyjë pagëzimin?

12 Duke shpjeguar arsyet pse e shkurajonte vajzën që të mos pagëzohej, një nënë e krishterë tha: «Më vjen turp të them se arsyeja kryesore ishte masa e përjashtimit.» Ashtu si kjo motër, disa prindër kanë arsyetuar se është më mirë që fëmija ta shtyjë pagëzimin derisa ta ketë kaluar prirjen fëminore për të bërë marrëzi. (Zan. 8:21; Prov. 22:15) Ata mund të arrijnë në këtë përfundim: «Për sa kohë nuk është i pagëzuar, fëmija im s’mund të përjashtohet.» Pse është mashtrues ky arsyetim?​—Jak. 1:22.

13. A na bën më pak përgjegjës para Jehovait shtyrja e pagëzimit? Shpjegoni.

13 Kuptohet, prindërit e krishterë nuk duan që fëmija të pagëzohet para se të jetë aq i pjekur sa të bëjë një kushtim të vlefshëm. Ama, do të ishte e gabuar të arrinim në përfundimin se duke mos u pagëzuar, fëmija nuk do t’i japë llogari Jehovait. Pse e themi këtë? Dhënia e llogarisë para Jehovait nuk bazohet tek akti i pagëzimit. Përkundrazi, fëmija mban përgjegjësi para Perëndisë kur e di se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar në sytë e Jehovait. (Lexo Jakovin 4:17.) Kështu, në vend se ta shkurajojnë fëmijën që të mos pagëzohet, prindërit e mençur përpiqen fort të lënë shembullin e duhur. Duan të kultivojnë te fëmija i tyre që nga foshnjëria çmueshmëri nga zemra për normat e larta morale të Jehovait. (Luka 6:40) Kjo çmueshmëri është mbrojtja më e mirë, sepse fëmija juaj do të ketë motivin për të qëndruar në udhën e drejtë të Jehovait.​—Isa. 35:8.

EDHE TË TJERËT MUND TË NDIHMOJNË

14. Si mund t’i përforcojnë pleqtë përpjekjet e prindërve që po ndihmojnë fëmijët të përparojnë drejt pagëzimit?

14 Si barinj, pleqtë e kongregacionit mund t’i përforcojnë përpjekjet e prindërve duket folur pozitivisht për synimet në shërbim të Jehovait. Një motër që shërbeu si pioniere për më se 70 vjet kujtonte si ndikoi tek ajo një bisedë me vëlla Çarls Rasëllin kur ishte vetëm gjashtë vjeçe. Ajo tregonte: «Ai ndenji 15 minuta me mua që të flisnim për synimet e mia në shërbim të Jehovait.» Po, fjalët pozitive dhe inkurajimi mund të kenë ndikim afatgjatë. (Prov. 25:11) Veç kësaj, pleqtë mund t’i përfshijnë prindërit dhe fëmijët e tyre në projekte të ndryshme në Sallën e Mbretërisë, duke u caktuar fëmijëve detyra në varësi të moshës dhe të aftësive të tyre.

15. Cilat janë disa mënyra se si të tjerët në kongregacion mund të inkurajojnë fëmijët?

15 Pjesëtarët e kongregacionit mund të ndihmojnë duke shfaqur interes të përshtatshëm për fëmijët. Kjo përfshin të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave që tregojnë se po përparojnë. A ka bërë fëmija një koment nga zemra e të menduar mirë ose a kishte ndonjë pjesë në programin e mbledhjes së mesjavës? A ka përballuar me sukses një sprovë integriteti ose a ka shfrytëzuar një mundësi për të dhënë  dëshmi në shkollë? Jepi pa ngurruar një lavdërim nga zemra. Pse të mos e vësh synim që, para ose pas mbledhjes, të flasësh me një fëmijë a të ri, duke i treguar se interesohesh vërtet për të? Në këto mënyra dhe në të tjera, ata mund të kuptojnë se janë pjesë e ‘kongregacionit të madh’.​—Psal. 35:18.

NDIHMOJE FËMIJËN TË PËRPAROJË DREJT PAGËZIMIT

16, 17. (a) Si lidhet pagëzimi me perspektivën e dikujt për të ardhmen? (b) Për çfarë gëzimi përpiqen fort të gjithë prindërit e krishterë? (Shih figurën hapëse.)

16 Një nga privilegjet më të mëdha që mund të ketë një prind i krishterë është të rritë fëmijën «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4; Psal. 127:3) Ndryshe nga fëmijët në kombin e lashtë të Izraelit, fëmijët e prindërve të krishterë nuk lindin si pjesë e një populli të kushtuar ndaj Jehovait. Veç kësaj, dashuria për Perëndinë dhe për të vërtetën nuk trashëgohet. Që ditën kur lind fëmija, prindërit duhet ta kenë synim të bëjnë një dishepull, duke e ndihmuar fëmijën e tyre të bëhet shërbëtor i kushtuar dhe i pagëzuar i Jehovait. E ç’gjë tjetër mund të ketë më shumë rëndësi se kjo? Në fund të fundit, janë kushtimi, pagëzimi dhe shërbimi besnik ndaj Perëndisë ato që do t’i japin mundësi secilit të marrë shenjën e shpëtimit gjatë shtrëngimit të madh që po afron.​—Mat. 24:13.

Prindërit duket të kenë synimin ta ndihmojnë fëmijën të bëhet dishepull (Shih paragrafët 16, 17.)

17 Kur Blosom Branti vendosi se donte të pagëzohej, prindërit e saj me frikë Perëndie donin të siguroheshin se ajo ishte gati për të hedhur hapin më të rëndësishëm të jetës. Pasi u siguruan se ajo ishte gati, e mbështetën vendimin e saj. Natën para se të pagëzohej, i ati bëri një gjë të bukur. Blosomi u shpreh: «Na tha të uleshim të gjithë në gjunjë dhe bëri një lutje. I tha Jehovait se ishte shumë i lumtur që vogëlushja e tij kishte vendosur t’ia kushtonte jetën Atij.» Më shumë se 60 vjet më vonë, Blosomi tha: «Është e sigurt se atë natë s’kam për ta harruar kurrë, për tërë përjetësinë!» Urojmë që ju prindër të provoni gëzimin dhe kënaqësinë që vijnë kur shihni fëmijët tuaj të bëhen shërbëtorë të kushtuar e të pagëzuar të Jehovait!

^ par. 9 Prindërit mund të shqyrtojnë me fëmijën e tyre informacionin e dobishëm që gjendet te Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, f. 304-310. Shihni edhe «Kutia e pyetjes» te Shërbimi ynë i Mbretërisë, prill 2011, f. 2.