Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse Dëshmitarët e Jehovait e paraqesin apostullin Pavël si pa flokë ose me pak flokë?

Të themi të drejtën, asnjë njeri sot nuk mund ta dijë me siguri ç’pamje kishte Pavli. Vizatimet dhe pikturat në botimet tona janë paraqitje artistike, jo imazhe të bazuara në fakte arkeologjike të vërtetuara.

Megjithatë, ka disa të dhëna për pamjen e Pavlit. Për shembull, një prej tyre përmendej në Kullën e Rojës të Sionit, 1 mars 1902. Aty thuhej: «Sa për pamjen e Pavlit: . . . Në librin ‘Veprat e Pavlit dhe Theklës’, . . . që është shkruar rreth vitit 150 pas Krishtit, gjendet një përshkrim i Pavlit që ka shumë mundësi të jetë më i miri dhe i bazuar në traditën e vërtetë. Aty, ai përshkruhet si ‘shtatvogël, pa flokë, me këmbë të shtrembëra, truplidhur, me vetulla të bashkuara; me hundë disi të gjatë’.»

Ja çfarë thuhet në një fjalor për atë vepër të lashtë: «Nuk është e pamundur që ‘Veprat’ të përmbajnë disa elementë të vërtetë nga ana historike.» (The Oxford Dictionary of the Christian Church, botimi i vitit 1997) Për disa shekuj pasi u shkrua, Veprat e Pavlit dhe Theklës vlerësohej shumë, siç e vërteton edhe fakti që ekzistojnë 80 dorëshkrime greke të saj, si edhe përkthime në gjuhë të tjera. Pra, paraqitjet tona artistike përputhen me disa të dhëna të lashta rreth pamjes së apostullit.

Gjithsesi, duhet mbajtur parasysh se ka gjëra më të rëndësishme se pamja e Pavlit. Edhe kur Pavli po kryente shërbimin e tij, disa kritikues që i shihnin gjërat nga këndvështrimi fizik thanë se ‘prania e tij në trup ishte e dobët dhe fjalët e tij s’vlenin hiç’. (2 Kor. 10:10) Por, nuk duhet të harrojmë se ai u bë i krishterë falë shfaqjes së Jezuit me anë të një mrekullie. Të mendojmë edhe për ato që arriti Pavli si ‘një enë e zgjedhur [për Krishtin], që t’ua çonte emrin [e Jezuit] kombeve’. (Vep. 9:3-5, 15; 22:6-8) Dhe imagjino sa dobi mund të nxjerrim nga librat e Biblës që Jehovai e frymëzoi Pavlin të shkruante.

Pavli nuk u mburr për arritjet e tij para se të bëhej i krishterë, e as nuk përshkroi pamjen e tij fizike. (Vep. 26:4, 5; Filip. 3:4-6) Ai pranoi me përulësi: «Unë jam më i vogli i apostujve dhe nuk jam i denjë të quhem apostull.» (1 Kor. 15:9) Më vonë shkroi: «Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m’u dha kjo dashamirësi e pamerituar, që t’u shpall kombeve lajmin e mirë lidhur me pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit.» (Efes. 3:8) Ky mesazh është pa dyshim më i rëndësishëm se çdo merak për pamjen që mund të ketë pasur Pavli.