‘Pagëzimi tani po ju shpëton edhe ju.’​—1 PJET. 3:21.

KËNGËT: 52, 41

1, 2. (a) Si reagojnë disa prindër të krishterë kur fëmija i tyre kërkon të pagëzohet? (b) Pse kandidatëve për pagëzim u bëhet pyetja nëse i janë kushtuar Jehovait? (Shih figurën hapëse.)

TEKSA prindërit e saj të krishterë e ndiqnin me sy, një vajzë e vogël, që po e quajmë Maria, u çua në këmbë bashkë me kandidatët e tjerë për pagëzim. Me zë të lartë e të qartë iu përgjigj dy pyetjeve që bëri oratori. Pak pas kësaj u pagëzua.

2 Prindërit e Marisë ishin krenarë për vendimin e vajzës së tyre që t’i kushtohej pa rezerva Jehovait dhe të pagëzohej. Gjithsesi, më parë mamanë e brenin disa pyetje. Ajo pyeste veten: «Mos është tepër e vogël Maria për t’u pagëzuar? A e kupton vërtet sa serioze është kjo që po bën? Mos është më mirë t’i themi të presë para se të pagëzohet?» Këto janë pyetje që i bëjnë shumë prindër të dashur kur fëmija shpreh dëshirën që të pagëzohet. (Ekl. 5:5) Në fund të fundit, kushtimi dhe pagëzimi janë hapat më të rëndësishëm në jetën e një të krishteri.​—Shih kutinë « A i je kushtuar Jehovait?»

3, 4. (a) Si e ilustroi apostulli Pjetër rëndësinë e pagëzimit? (b) Pse pagëzimi mund të krahasohet me ndërtimin e arkës në ditët e Noesë?

 3 Duke folur për pagëzimin, apostulli Pjetër iu referua ndërtimit të arkës së Noesë. Ai tha: «Ajo që përkon me këtë, tani po ju shpëton edhe ju, domethënë pagëzimi.» (Lexo 1 Pjetrit 3:20, 21.) Arka ishte një strukturë fizike që jepte prova të dukshme e të pamohueshme se Noeja ishte kushtuar për të bërë vullnetin e Perëndisë. Ai e kreu me besnikëri punën që i kishte caktuar Jehovai. Po, falë veprave të dukshme të besimit Noeja dhe familja e tij i mbijetuan Përmbytjes. Ku donte të dilte Pjetri me këtë ilustrim?

4 Ashtu siç ishte arka dëshmi e besimit të Noesë, edhe pagëzimi para dëshmitarëve okularë është dëshmi e dukshme. Çfarë tregon? Se një dishepull i krishterë i është kushtuar Jehovait në bazë të besimit të tij te Krishti i ringjallur. Ashtu si Noeja, edhe dishepujt e kushtuar binden duke vazhduar veprën që i ka caktuar Perëndia. Tamam si Noeja që i mbijetoi Përmbytjes, shërbëtorët e pagëzuar besnikë do të mbijetojnë kur kjo botë e ligë të marrë fund. (Mar. 13:10; Zbul. 7:9, 10) Ja pse kushtimi dhe pagëzimi janë shumë të rëndësishëm. Një njeri që e vonon më kot pagëzimin vë në rrezik perspektivën e tij për jetën e përhershme.

5. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

5 Duke pasur parasysh sa i rëndësishëm është pagëzimi, ia vlen t’u kushtojmë vëmendje tri pyetjeve: Çfarë thotë Bibla për pagëzimin? Cilët hapa duhet të hedhë një person para se të pagëzohet? Pse një mësues i krishterë duhet ta ketë të qartë në mendje rëndësinë e pagëzimit kur mëson fëmijën e tij ose një student tjetër të Biblës?

 PAGËZIMI NË BIBËL

6, 7. (a) Shpjegoni domethënien e pagëzimit të Gjonit. (b) Cilin pagëzim unik kreu Gjoni?

6 Bibla flet për herë të parë për pagëzimin kur përmend pagëzimin që bënte Gjon Pagëzori. (Mat. 3:1-6) Ata që pagëzoheshin te Gjoni, e bënin këtë si dëshmi se ishin penduar për mëkatet kundër Ligjit të Moisiut. Mirëpo vlen të përmendet se pagëzimi më i rëndësishëm që kreu Gjoni s’kishte fare lidhje me pendimin. Gjoni pati privilegjin unik të pagëzonte njeriun e përsosur Jezu, Birin e Perëndisë. (Mat. 3:13-17) Jezui ishte pa mëkat, prandaj s’kishte nevojë të pendohej. (1 Pjet. 2:22) Pagëzimi i tij simbolizonte faktin që paraqiste veten për të bërë vullnetin e Perëndisë.​—Hebr. 10:7.

7 Gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, edhe dishepujt e tij bënin pagëzime. (Gjoni 3:22; 4:1, 2) Ashtu si pagëzimet që bënte Gjoni, edhe ato pagëzime simbolizonin pendimin e njerëzve për mëkatet kundër Ligjit të Moisiut. Por, pas vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit, pagëzimi do të merrte një kuptim shumë të ndryshëm për dishepujt e tij.

8. (a) Cilin urdhër u dha Jezui dishepujve pasi u ringjall? (b) Shpjegoni domethënien e pagëzimit të krishterë.

8 Në vitin 33 të e.s., Jezui i ringjallur iu shfaq një turme me më shumë se 500 burra, gra e ndoshta edhe fëmijë. Ndoshta ky ishte rasti kur tha: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 15:6) Po, duket se qindra dishepuj ishin të pranishëm kur Jezui u ngarkoi detyrën për të bërë dishepuj. Kështu, Jezui tregoi se pagëzimi do të ishte një kërkesë për ata që pranojnë zgjedhën si dishepuj të Krishtit. (Mat. 11:29, 30) Kushdo që donte t’i shërbente Perëndisë në mënyrë të pranueshme duhej të njihte e të pranonte rolin e Jezuit në plotësimin e qëllimit të Jehovait. Pasi ta bënte këtë, ai person mund të pagëzohej. Ky do të ishte i vetmi pagëzim në ujë që do të kishte miratimin e Perëndisë. Bibla jep dëshmi të bollshme se në shekullin e parë, dishepujt e rinj të Krishtit e kuptonin domethënien e pagëzimit. E ata nuk e vononin më kot pagëzimin e tyre.​—Vep. 2:41; 9:18; 16:14, 15, 32, 33.

MOS VONO!

9, 10. Çfarë mund të mësojmë për pagëzimin nga prozeliti etiopas dhe nga apostulli Pavël?

9 Lexo Veprat 8:35, 36. Mendo për shembullin e prozelitit etiopas që po kthehej në atdhe pasi kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar Perëndinë. I nxitur nga engjëlli i Jehovait, Filipi iu afrua etiopasit dhe «i shpalli lajmin e mirë për Jezuin». Si reagoi etiopasi? Ajo që bëri dha dëshmi të qartë se i çmonte me gjithë zemër të vërtetat që kishte mësuar. Ai dëshironte të vepronte në harmoni me strukturën që kishte vendosur Jehovai, ndaj u pagëzua pa vonesë.

10 Një shembull tjetër është ai i një burri jude që përndiqte të krishterët. Ai kishte lindur në një komb të kushtuar ndaj Perëndisë. Mirëpo, judenjtë e kishin humbur marrëdhënien e tyre të veçantë me Jehovain. Ky burrë ishte i zellshëm për traditat e judaizmit, por pastaj mësoi një udhë më të mirë. Atij i dha dëshmi vetë Jezu Krishti i ringjallur dhe i lartësuar në qiell. Si reagoi ai burrë? Mirëpriti ndihmën e Ananisë, një dishepulli të krishterë. Bibla thotë se ai burrë pastaj «u ngrit, u pagëzua». (Vep. 9:17, 18; Gal. 1:14) Me  siguri ti e njeh këtë jude si apostulli Pavël, siç u bë i njohur më vonë. Por reflekto për këtë: sapo e kuptoi dhe e çmoi të vërtetën për rolin e Jezuit në plotësimin e qëllimit të Perëndisë, Pavli veproi. Ai u pagëzua pa vonesë.​—Lexo Veprat 22:12-16.

11. (a) Çfarë i motivon studentët e sotëm të Biblës të pagëzohen? (b) Si ndihemi kur shohim të pagëzohen ata që sapo i janë kushtuar Jehovait?

11 Pak a shumë njësoj ndodh me studentët e Biblës sot, qofshin të rinj a të moshuar. Ata që kanë besim dhe çmueshmëri të sinqertë për të vërtetën e Biblës dëshirojnë me zjarr të kushtohen dhe të pagëzohen. Fjalimi që mbahet enkas për ta është një pjesë kryesore e çdo asambleje dhe kongresi. Dëshmitarët e Jehovait gëzojnë kur një student i Biblës pranon të vërtetën dhe përparon deri në pikën që pagëzohet në ujë. A nuk u gufon zemra prindërve të krishterë kur shohin fëmijët e tyre mes dishepujve të tjerë të rinj që pagëzohen? Gjatë vitit të shërbimit 2017, mbi 284.000 njerëz «të prirur» drejt së vërtetës e simbolizuan kushtimin e tyre ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. (Vep. 13:48) Pa dyshim, këta dishepuj të rinj e kuptuan se pagëzimi është një kërkesë për të krishterët. Cilët hapa i çuan drejt pagëzimit?

12. Cilët hapa duhet të hedhë një student i Biblës para se të pagëzohet?

12 Para se të pagëzohet, një student duhet të kultivojë besim të bazuar te njohuria e saktë për Perëndinë, për qëllimin e Tij dhe për masën që ka marrë Ai për të shpëtuar njerëzimin. (1 Tim. 2:3-6) Një besim i tillë e nxit studentin të hedhë poshtë ato sjellje që nuk i pëlqejnë Perëndisë dhe ta përputhë jetën me normat e drejta të Jehovait. (Vep. 3:19) Kuptohet, askush nuk mund t’i bëjë një kushtim të vlefshëm Perëndisë ndërkohë që përfshihet në ndonjë sjellje që s’do ta lejonte të hynte në Mbretëri. (1 Kor. 6:9, 10) Por nuk mjafton vetëm t’u përmbahesh normave të larta morale të Jehovait. Një njeri që ndjek drejtësinë është i pranishëm në mbledhjet e kongregacionit dhe ka një pjesëmarrje domethënëse në veprën jetëshpëtuese të predikimit dhe të bërjes së dishepujve. Jezui tha se këtë vepër do ta kryenin dishepujt e tij të vërtetë. (Vep. 1:8) Vetëm pasi ka hedhur këta hapa, një dishepull i ri mund të bëjë një kushtim të vlefshëm ndaj Jehovait nëpërmjet një lutjeje private, e pastaj ta simbolizojë publikisht kushtimin e tij duke u pagëzuar para dëshmitarëve okularë.

NJË SYNIM PËR STUDENTËT E BIBLËS

A e mban parasysh rëndësinë e pagëzimit dhe a ia transmeton këtë studentit? (Shih paragrafin 13.)

13. Pse mësuesit e Biblës duhet të mbajnë ndër mend se pagëzimi është një kërkesë e krishterë?

13 Teksa ndihmojmë fëmijët tanë dhe studentë të tjerë të Biblës të hedhin hapat kryesorë, duhet të mbajmë parasysh se të jesh dishepull i vërtetë përfshin të pagëzohesh. Nëse e mbajmë të qartë në mendje këtë, do të komunikojmë më me efektshmëri me studentët tanë. Nuk do të ngurrojmë të flasim në momente të përshtatshme për rëndësinë e kushtimit dhe të pagëzimit. Po, ne duam që fëmijët tanë dhe studentë të tjerë të Biblës të përparojnë drejt pagëzimit!

14. Pse nuk i bëjmë presion askujt që të pagëzohet?

14 Natyrisht, askush nuk duhet të ndihet nën presion nga prindi, nga mësuesi i Biblës ose nga dikush tjetër në kongregacion që të pagëzohet. Kjo nuk është mënyra si vepron Jehovai. (1 Gjon. 4:8) Në vend të kësaj, kur i mësojmë studentët,  duhet t’u theksojmë sa e rëndësishme është të ndërtojnë një marrëdhënie personale me Perëndinë. Ajo që do ta shtyjë studentin të pagëzohet është çmueshmëria nga zemra për të vërtetën dhe dëshira që të marrë mbi supe zgjedhën si dishepull i Krishtit.​—2 Kor. 5:14, 15.

15, 16. (a) A ka një moshë të caktuar se kur duhet të pagëzohet dikush? Shpjegoni. (b) Pse një student i Biblës duhet të pagëzohet si Dëshmitar i Jehovait edhe nëse më parë ishte pagëzuar në një fe tjetër?

15 Nuk ka një moshë të caktuar se kur duhet të pagëzohet dikush. Çdo student rritet dhe piqet me një ritëm të ndryshëm. Shumë pagëzohen në moshë të re dhe i qëndrojnë besnikë Jehovait. Studentë të tjerë e kuptojnë rëndësinë e pagëzimit pasi mësojnë të vërtetën e Biblës kur janë në moshë të thyer​—disa madje mbi 100 vjeç!

16 Një studente e Biblës në moshë të shkuar pyeti mësuesen e saj nëse ishte vërtet e nevojshme të pagëzohej përsëri, meqë ndër vite ishte pagëzuar në fe të ndryshme. Studentja dhe mësuesja e saj shqyrtuan vargje nga Bibla që lidheshin me këtë. Atëherë studentja e kuptoi kërkesën e Biblës dhe pak pas kësaj u pagëzua. Edhe pse në fund të të 70-ave, nuk mendoi se s’ishte e nevojshme të pagëzohej. Në fakt, një pagëzim i vlefshëm bazohet te njohuria e saktë për vullnetin e Jehovait. Pra, dishepujt e rinj duhet të pagëzohen edhe nëse ishin pagëzuar më parë në një fe tjetër.​—Lexo Veprat 19:3-5.

17. Për çfarë është me vend të reflektojmë ditën e pagëzimit?

17 Dita e pagëzimit është një kohë për të gëzuar me gjithë zemër. Por është edhe një kohë për të reflektuar thellë. Që të jetojmë në lartësinë e kushtimit tonë duhet të punojmë fort. Ja pse Jezui e krahasoi përgjegjësinë si dishepull i krishterë me një zgjedhë. Dishepujt e Jezuit duhet «të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq për ta dhe u ngrit nga të vdekurit».​—2 Kor. 5:15; Mat. 16:24.

18. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

18 Për gjëra të tilla po mendonte mamaja e Marisë kur i bënte vetes pyetjet që përmendëm në fillim të artikullit. Nëse je prind, mbase ke pyetur veten: «A është vërtet gati fëmija im të pagëzohet? A ka mjaft njohuri sa të bëjë një kushtim të vlefshëm? Ç’të themi për synimet që lidhen me arsimimin dhe karrierën në botë? Po sikur fëmija im të pagëzohet e pastaj të kryejë një mëkat serioz?» Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë këto çështje dhe do të shohim si mund të mbajnë një pikëpamje të ekuilibruar për pagëzimin prindërit e krishterë.