Isha ndër katër vajzat e vogla të zgjedhura për t’i çuar lule Adolf Hitlerit pas një fjalimi që mbajti në një rast. Pse më zgjodhën mua? Im atë ishte shumë i përfshirë në aktivitetet naziste dhe ishte shoferi i udhëheqësit të një dege të asaj partie. Mamaja ishte katolike e devotshme dhe donte që unë të bëhesha murgeshë. Pavarësisht nga këto dy ndikime të fuqishme, nuk u bëra as naziste, as murgeshë. Më lejoni t’ju tregoj arsyen.

U RRITA në Grac të Austrisë. Kur isha shtatë vjeçe më çuan në një shkollë fetare. Mirëpo, atje pashë një imoralitet seksual tronditës mes priftërinjve dhe murgeshave. Prandaj, mamaja më dha leje që ta lija atë shkollë brenda vitit.

Familja jonë me babanë që ka veshur uniformë ushtarake

Më vonë, shkova në një shkollë me konvikt. Një natë, babai erdhi që të më çonte në një vend të sigurt, ngaqë Graci po bombardohej rëndë. U strehuam në qytetin e Shladmingut. Pak pasi mbërritëm atje dhe kaluam një urë, ura u hodh në erë. Një herë tjetër, avionë që fluturonin në afërsi të tokës qëlluan drejt meje dhe gjyshes teksa rrinim në oborr. Kur mbaroi lufta, dukej se kisha dhe qeveria na kishin zhgënjyer.

NJOH ATË QË JEP MBËSHTETJE BESNIKE

Më 1950, një Dëshmitare e Jehovait nisi t’i fliste mamasë për mesazhin e Biblës. Unë dëgjoja bisedat e tyre, e madje e shoqëroja mamanë në disa mbledhje kongregacioni. Pasi u bind se Dëshmitarët e Jehovait kishin të vërtetën, mamaja u pagëzua më 1952.

Në atë kohë, kongregacioni ynë më dukej si një klub zonjash të moshuara. Por më vonë, vizituam një kongregacion ku kishte shumë të rinj, pra që s’ngjante fare me një klub zonjash të moshuara. Kur u ktheva në Grac, fillova të ndiqja të gjitha mbledhjet dhe pa kaluar shumë edhe unë u binda se ajo që po mësoja ishte e vërteta. Veç kësaj, njoha Jehovain si një Perëndi që u jep shërbëtorëve të tij një mbështetje besnike. Ai e bën këtë edhe kur mendojmë se jemi vetëm para rrethanave të pamundura për t’u përballuar.—Psal. 3:5, 6.

Doja t’u flisja të tjerëve për të vërtetën. E fillova me motrat dhe vëllanë tim. Katër motrat më të mëdha kishin ikur tashmë nga shtëpia që të punonin si mësuese. Por u shkoja për vizitë në fshatrat e ndryshme ku jetonin dhe i  nxitja të studionin Biblën. Me kohë, motrat dhe vëllai im filluan që të gjithë të studionin dhe u bënë Dëshmitarë të Jehovait.

Javën e dytë të shërbimit tim shtëpi më shtëpi, takova një grua në të 30-at me të cilën fillova të studioja Biblën. Ajo përparoi deri në pagëzim, dhe më vonë njësoj ndodhi edhe me të shoqin e dy djemtë e tyre. Ai studim pati ndikim të thellë te besimi im. Pse? E po, askush nuk kishte bërë një studim formal biblik me mua. Duhej të përgatitesha mirë për çdo mësim. Në njëfarë kuptimi, e bëja këtë që së pari të mësoja veten, pastaj që të isha e aftë të mësoja studenten. Kjo më ndihmoi ta kuptoja më thellë të vërtetën. Në prill të 1954-s, simbolizova kushtimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.

‘TË PËRNDJEKURA, POR JO TË LËNA NË BALTË’

Më 1955, ndoqa kongreset ndërkombëtare në Gjermani, Francë dhe Angli. Kur isha në Londër, takova Albert Shroderin. Ai ishte instruktor në Shkollën Biblike të Galaadit, dhe më vonë shërbeu si anëtar i Trupit Udhëheqës. Gjatë një vizite në Muzeun Britanik, vëlla Shroderi na tregoi disa dorëshkrime biblike. Ato përmbanin emrin e Perëndisë me shkronja hebraike, dhe ai na shpjegoi rëndësinë e atyre dorëshkrimeve. Kjo më preku dhe më thelloi dashurinë për Jehovain, duke më bërë më të vendosur se kurrë të përhapja të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.

Me shoqen e shërbimit (në të djathtë), kur shërbenim si pioniere speciale në Mistelbah, Austri

Më 1 janar 1956 nisa shërbimin në kohë të plotë si pioniere. Katër muaj më vonë, më ftuan të shërbeja si pioniere speciale në Austri. Në atë kohë, nuk kishte asnjë Dëshmitar në Mistelbah, qyteti ku isha caktuar. Mirëpo u përballa me një sfidë të veçantë. Unë dhe shoqja ime e shërbimit ndryshonim goxha nga njëra-tjetra. Unë isha gati 19 vjeçe e vija nga qyteti; ajo ishte 25 vjeçe dhe vinte nga fshati. Mua më pëlqente të flija deri vonë në mëngjes; asaj i pëlqente të çohej herët. Kur vinte mbrëmja, unë kisha qejf të rrija zgjuar; ajo donte të flinte shpejt. Prapëseprapë, duke zbatuar këshillat e Biblës, arritëm të kapërcenim mospërputhjet dhe patëm sukses si shoqe shërbimi.

Në fakt u përballëm me vështirësi të tjera shumë të mëdha. Madje hasëm edhe përndjekje, por nuk ishim ‘të lëna në baltë’. (2 Kor. 4:7-9) Një herë, kur po predikonim në një fshat, njerëzit lëshuan qentë. Shpejt, unë dhe shoqja ime u rrethuam nga qen të mëdhenj që lehnin e skërmitnin dhëmbët. Mbanim njëra-tjetrën për dore, dhe madje unë u luta: «Jehova, të lutem, kur të na kapin, bëj që të vdesim shpejt!» Kur ishin një hap larg nesh, qentë nuk lehën më, tundën bishtin dhe u larguan. Ndiem se Jehovai na kishte mbrojtur. Pastaj, predikuam në të gjithë fshatin dhe u kënaqëm sepse njerëzit ishin shumë të gatshëm të na dëgjonin. Ndoshta u habitën që qentë nuk na bënë gjë ose që ne kishim ngulmuar pavarësisht nga ajo përvojë e frikshme. Me kalimin e kohës, disa prej tyre u bënë Dëshmitarë.

Përjetuam edhe një ngjarje tjetër të tmerrshme. Një ditë, qiradhënësi ynë u kthye në shtëpi i dehur dhe kërcënonte se do të na vriste  e thoshte se po shqetësonim lagjen. E shoqja u përpoq ta qetësonte, por më kot. E dëgjuam gjithë bisedën nga dhoma jonë në katin e sipërm. Vumë shpejt e shpejt ca karrige para derës dhe filluam të bënim gati valixhet. Kur hapëm derën, pamë pronarin në krye të shkallëve me një thikë të madhe në dorë. Ndaj ia mbathëm nga dera e pasme, kaluam nëpër shtegun e gjatë të kopshtit me gjithë plaçkat tona dhe s’u kthyem më kurrë.

Shkuam në një hotel dhe kërkuam një dhomë. Si përfundim, qëndruam atje për gati një vit, dhe me kohë doli se kjo ishte për të mirën e shërbimit tonë. Përse? Hoteli ishte në qendër të qytetit dhe disa nga studentët tanë të Biblës donin të studionin atje. Pa kaluar shumë, filluam të mbanim në dhomën e hotelit studimin e librit dhe Studimin javor të Kullës së Rojës ku merrnin pjesë rreth 15 veta.

Qëndruam në Mistelbah më shumë se një vit. Pastaj më caktuan sërish në Feltbah, në juglindje të Gracit. Tani kisha një shoqe të re shërbimi, por përsëri aty ku shërbenim nuk kishte kongregacion. Jetonim në një dhomë të vogël në katin e dytë të një shtëpie druri. Era fishkëllente nëpër hapësirat mes dërrasave, ndaj përpiqeshim t’i mbyllnim të çarat me gazeta. Veç kësaj, duhej të mbushnim ujë nga një pus. Ama e gjithë kjo ia vlejti. Brenda pak muajsh, u formua një grup. Më vonë, rreth 30 pjesëtarë të një familjeje me të cilën studiuam, përqafuan të vërtetën!

Përvoja të tilla ma forcuan çmueshmërinë për mbështetjen besnike të Jehovait ndaj atyre që vazhdojnë me ngulm veprën e Mbretërisë. Edhe atëherë kur njerëzit nuk arrijnë të na ndihmojnë dot, Jehovai na gjendet gjithnjë pranë.​—Psal. 121:1-3.

NA MBËSHTET DORA ‘E DJATHTË E DREJTËSISË’ SË PERËNDISË

Më 1958 në Nju-Jork do të mbahej një kongres ndërkombëtar në stadiumet «Jenki» dhe «Polo Graunds». Bëra kërkesë që të merrja pjesë, dhe dega e Austrisë më pyeti nëse doja të ndiqja klasën e 32-të të Shkollës së Galaadit. E si mund ta refuzoja një privilegj të tillë? U përgjigja menjëherë: «Po!»

Në klasën e Galaadit ulesha pranë Martin Pocingerit. Ai kishte përballuar përvoja të  tmerrshme në kampet naziste të përqendrimit. Edhe ai shërbeu më vonë si anëtar i Trupit Udhëheqës. Gjatë mësimit, ndonjëherë Martini më pëshpëriste: «Erika, çfarë do të thotë kjo në gjermanisht?»

Nga mesi i kursit, Nejthën Nori na njoftoi caktimet. Unë isha caktuar në Paraguai. Ngaqë isha tepër e re, më duhej leja e babait për të hyrë në atë shtet. Pasi e mora lejen, mbërrita në Paraguai në mars të 1959-s. Më caktuan në një shtëpi misionare në Asuncion, me një shoqe të re shërbimi.

Pa kaluar shumë, takova Uollter Brajtin, një misionar që ishte diplomuar në klasën e 30-të. Me kohë, u martuam dhe mund t’i përballonim së bashku vështirësitë e jetës. Sa herë që hasnim një problem të rëndë, lexonim premtimin e Jehovait tek Isaia 41:10: «Mos ki frikë, se unë jam me ty. Mos i hidh sytë rreth e përqark, se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë.» Kjo na siguronte se për sa kohë të përpiqeshim t’i qëndronim besnikë Perëndisë dhe të vinim në vend të parë Mbretërinë e tij, ai nuk do të na zhgënjente kurrë.

Më vonë, u caktuam në një zonë afër kufirit me Brazilin. Kleri atje i nxiste të rinjtë ta godisnin me gurë shtëpinë tonë misionare, që tashmë nuk ishte në gjendje fort të mirë. Pastaj Uollteri nisi një studim biblik me shefin e policisë. Ai u sigurua që afër shtëpisë sonë të rrinin për një javë policë, dhe përndjekësit s’na ranë më në qafë. Pak pas kësaj, u transferuam në një zonë më të përshtatshme në anën tjetër të kufirit brazilian. Kjo doli se ishte e dobishme, pasi mund të mbanim mbledhje si në Paraguai edhe në Brazil. Para se të iknim nga ai caktim, atje kishte dy kongregacione të vogla.

Me burrin tim, Uollterin, kur shërbenim si misionarë në Asuncion, Paraguai

JEHOVAI VAZHDON TË MË MBËSHTETË

Mjekët më kishin thënë se nuk bëja dot fëmijë, ndaj u befasuam kur më 1962 morëm vesh se isha shtatzënë! Si përfundim u vendosëm në Hollivud, Florida, pranë familjes së Uollterit. Për disa vjet, unë dhe Uollteri nuk patëm mundësi të shërbenim si pionierë. Na duhej të kujdeseshim për familjen. Megjithatë, vazhduam ta vinim në vend të parë Mbretërinë.​—Mat. 6:33.

Kur shkuam në Florida në nëntor të 1962-shit, u habitëm kur mësuam se për shkak të ndjeshmërisë së vendësve për përzierjen e racave, vëllezërit zezakë i mbanin mbledhjet veçmas vëllezërve të bardhë dhe predikonin në zona të ndara. Por Jehovai nuk bën dallime raciale, dhe pa kaluar shumë, në kongregacione u bashkuan vëllezër të racave të ndryshme. Dora e Jehovait në këtë organizim ishte e dukshme, pasi tani në atë zonë ka me dhjetëra kongregacione.

Mjerisht, në vitin 2015 Uollteri vdiq nga tumori në tru. Për 55 vjet ishte një bashkëshort i mrekullueshëm që e donte Jehovain dhe që ndihmoi shumë vëllezër. Mezi po pres ta shoh përsëri me shëndet të përtërirë kur të ringjallet.​—Vep. 24:15.

Jam mirënjohëse që kam shërbyer mbi 40 vjet në kohë të plotë, duke shijuar shumë gëzime e shpërblime. Për shembull, bashkë me Uollterin kemi qenë të pranishëm në pagëzimin e 136 prej studentëve tanë të Biblës. Patjetër që kemi pasur edhe vështirësi. Por nuk i kemi parë kurrë ato si arsye për të mos i shërbyer më Perëndisë tonë besnik. Përkundrazi, u afruam më shumë me të, plot besim se ai i zgjidh çështjet në kohën e në mënyrën e tij. Dhe Jehovai e bën vërtet këtë!​—2 Tim. 4:16, 17.

Më merr malli shumë për Uollterin, por shërbimi si pioniere më ndihmon ta përballoj humbjen. Një gjë që më ndihmon veçanërisht është të mësoj të tjerët, e sidomos t’u flas për shpresën e ringjalljes. Po, janë të panumërta mënyrat në të cilat Jehovai s’më ka zhgënjyer kurrë. Tamam siç ka premtuar, ai më ka mbështetur, më ka dhënë forcë dhe më ka kapur fort me ‘të djathtën e tij të drejtësisë’.​—Isa. 41:10.