Xhani dhe Mauricio kanë qenë miq për nja 50 vjet. Megjithatë, kishte një periudhë kur miqësia e tyre ishte në fije të perit. Mauricio tregon: «Kur po kaloja një kohë të vështirë, bëra disa gabime serioze si pasojë e të cilave u larguam nga njëri-tjetri.» Xhani thotë: «Kur fillova të studioja, Mauricio ishte mësuesi im i Biblës. Ai ishte bërë një këshilltar frymor për mua. Prandaj, nuk arrija ta besoja atë që bëri. M’u duk sikur u përmbys bota, sepse e dija që tani rrugët tona do të ndaheshin. U ndjeva i braktisur.»

MIQTË e mirë janë të çmuar, dhe një miqësi jetëgjatë nuk krijohet rastësisht. Por, nëse një miqësi është në rrezik, çfarë mund ta shpëtojë? Mund të mësojmë shumë nga disa persona që përmenden në Bibël, të cilët ishin miq të vërtetë, por që më vonë miqësia e tyre ishte në rrezik.

KUR NJË MIK GABON

Bariu dhe mbreti David patjetër që kishte miq të mirë. Një prej atyre që mund të të vijë në mend është Jonatani. (1 Sam. 18:1) Por Davidi kishte edhe miq të tjerë, siç ishte profeti Natan. Bibla nuk e tregon se kur filloi tamam miqësia e tyre. Megjithatë, një herë Davidi iu hap Natanit siç mund të hapesh me një mik. Davidi donte të ndërtonte një shtëpi për Jehovain. Mbreti duhet ta ketë vlerësuar mendimin e Natanit si një mik dhe si njeri që kishte frymën e Jehovait.​—2 Sam. 7:2, 3.

Gjithsesi, ndodhi diçka që vuri në rrezik miqësinë e tyre. Mbreti David kreu kurorëshkelje me Betshebën, dhe pas kësaj i rregulloi gjërat që burri i saj, Uriahu, të vritej. (2 Sam. 11:2-21) Për vite të tëra, Davidi kishte qenë besnik ndaj Jehovait dhe kishte  përkrahur drejtësinë. Por tani, ja, bëri këtë mëkat të tmerrshëm! Çfarë kishte ndodhur me atë mbret të mirë? A nuk arrinte ta dallonte sa serioze ishte mënyra si veproi? Mos vallë mendonte se mund t’ia fshihte këtë Perëndisë?

Çfarë do të bënte Natani? A do të linte që mbretit t’i fliste dikush tjetër për atë çështje? Kishte të tjerë që e dinin se si Davidi kishte bërë të vritej Uriahu. Pse pra, duhej të përzihej Natani dhe të rrezikonte të prishte miqësinë e tyre të gjatë?! Madje, po të fliste hapur, Natani mund të vinte kokën në rrezik. Në fund të fundit, tashmë Davidi kishte bërë të vritej Uriahu i pafajshëm.

Por, Natani ishte zëdhënës i Perëndisë. Profeti e dinte se po të heshtte, marrëdhënia e tij me Davidin nuk do të ishte si më parë dhe do ta vriste ndërgjegjja. Miku i tij, Davidi, kishte marrë një udhë që Jehovai nuk e miratonte. Mbreti kishte tmerrësisht nevojë për ndihmë që të kthehej në udhën e duhur. Po, Davidi kishte nevojë për një mik të vërtetë. Dhe Natani ishte një mik i tillë. Ai zgjodhi ta hapte atë bisedë me një ilustrim që mund t’i prekte zemrën bariut të dikurshëm. Natani përcolli mesazhin e Perëndisë, por në një mënyrë që e ndihmoi Davidin të kuptonte sa të rënda ishin gabimet e tij dhe që e shtyu ta tregonte pendimin me vepra.​—2 Sam. 12:1-14.

Po ti, si do të veprosh nëse një miku yt do të bëjë një gabim të rëndë ose një mëkat serioz? Mund të të vijë të arsyetosh që nëse i vë në dukje gabimin e tij, kjo do ta dëmtojë miqësinë tuaj. Ose mund të mendosh që nëse ua raporton sjelljen e tij mëkatare pleqve, të cilët mund ta ndihmojnë frymësisht, kjo do të ishte një tradhti ndaj miqësisë suaj. Çfarë do të bëje?

Xhani, i përmendur më sipër, kujton: «Kuptova se kishte ndryshuar diçka. Mauricio nuk ishte aq i hapur me mua si më parë. Vendosa të flisja me të, edhe pse e kisha jashtëzakonisht të vështirë. Pyesja veten: ‘E ç’gjë të re mund t’i them që ai nuk e di tashmë?! Reagimi i tij mund të jetë i tmerrshëm.’ Por, kur kujtova gjithë sa kishim studiuar bashkë, gjeta forcën që t’i flisja. Mauricio e kishte bërë këtë kur kisha pasur nevojë unë për ndihmë. Nuk doja ta humbja miqësinë e tij, por doja ta ndihmoja sepse merakosesha për të.»

Mauricio shton: «Xhani ishte i sinqertë​—dhe kishte të drejtë. E dija që nuk e kishte fajin as ai e as Jehovai për pasojat e vendimeve të mia të dobëta. Kështu, e pranova disiplinën që m’u dha, dhe me kohë e përtëriva marrëdhënien me Jehovain.»

KUR NJË MIK ËSHTË NË TELASHE

Davidi kishte edhe miq të tjerë që i qëndruan përkrah besnikërisht në kohë të vështira. Një prej tyre ishte Hushai, të cilin Bibla e quan «shoku i Davidit». (2 Sam. 16:16; 1 Kron. 27:33) Ai mund të ketë qenë një zyrtar oborri që ishte mik i besuar i mbretit, e që me raste çonte në vend urdhra konfidencialë.

Kur biri i Davidit, Absalomi, uzurpoi fronin, shumë izraelitë morën anën e Absalomit, por Hushai jo. Kur Davidi po arratisej, Hushai shkoi tek ai. Davidi ishte lënduar thellë ngaqë e kishte tradhtuar biri i vet dhe disa njerëz që u kishte besuar. Kurse Hushai mbeti besnik, dhe ishte gati të vinte në rrezik jetën e tij e të kryente një mision që do të sabotonte komplotin. Hushai nuk veproi kështu thjesht nga ndjenja e detyrës si zyrtar oborri. Ai tregoi se ishte mik i vërtetë.​—2 Sam. 15:13-17, 32-37; 16:15–17:16.

Të ngrohet zemra kur sheh se si vëllezërit e motrat sot janë të bashkuar nga një lidhje që shkon përtej çfarëdo roli ose caktimi në kongregacion. Me veprimet e tyre, është  sikur thonë: «Jam miku yt jo ngaqë duhet të jem, por ngaqë ti je i rëndësishëm për mua.»

Një vëlla që quhet Federiko e përjetoi vetë këtë. Me ndihmën e mikut të tij të dashur Antonios, ai arriti të përballonte një periudhë të vështirë në jetë. Federiko tregon: «Kur Antonio u transferua në kongregacionin tonë, u bëmë shpejt miq. Që të dy ishim shërbëtorë ndihmës, dhe kënaqeshim teksa bashkëpunonim me njëri-tjetrin. Pak më vonë, ai u emërua plak kongregacioni. Ai ishte jo vetëm miku im, por edhe një shembull për mua në adhurimin e Jehovait.» Më vonë, Federiko bëri një hap të gabuar. Ai kërkoi menjëherë ndihmë frymore, mirëpo nuk ishte më i kualifikuar që të shërbente si pionier ose shërbëtor ndihmës. Si reagoi Antonio?

Kur Federiko hasi një vështirësi, miku i tij Antonio e dëgjoi me vëmendje dhe e inkurajoi

Federiko kujton: «E shihja që Antonio e ndiente dhembjen time. Bëri maksimumin të më ndihmonte nga ana emocionale. Kishte shumë merak që ta përtërija marrëdhënien me Jehovain dhe nuk më braktisi kurrë. Ai më inkurajoi të rifitoja forcë nga ana frymore dhe të mos dorëzohesha.» Antonio shpjegon: «Kaloja më shumë kohë me Federikon. Doja që të ndihej i lirshëm të fliste me mua për çdo gjë, edhe për dhembjen e tij.» Sa mirë që, me kohë Federiko rifitoi ekuilibrin dhe më vonë u emërua përsëri pionier dhe shërbëtor ndihmës. Antonio përfundon: «Edhe pse tani shërbejmë në kongregacione të ndryshme, jemi më të afërt se kurrë.»

A DO TË NDIHESHE I TRADHTUAR?

Si do të ndiheshe sikur një shok i ngushtë të të kthente shpinën kur të kishe më shumë nevojë për të? Kjo është një nga gjërat që të lëndojnë më tepër. A do të arrije ta falje? A do të jetë ndonjëherë marrëdhënia juaj aq e fortë sa ç’ishte dikur?

Mendo për atë që i ndodhi Jezuit gjatë ditëve të fundit në tokë. Ai kishte kaluar shumë kohë me apostujt besnikë dhe i bashkonte një lidhje e veçantë. Jezui i quante me të drejtë miqtë e tij. (Gjoni 15:15) Megjithatë,  çfarë ndodhi kur e arrestuan? Apostujt ia mbathën. Pjetri kishte deklaruar hapur se nuk do ta braktiste kurrë Zotërinë e tij, por po atë natë Pjetri mohoi se e njihte Jezuin.​—Mat. 26:31-33, 56, 69-75.

Jezui e dinte se do ta përballonte i vetëm sprovën e tij të fundit. Sidoqoftë, kishte arsye të ndihej i zhgënjyer, e madje i lënduar. Por në bisedën që bëri me dishepujt pak ditë pas ringjalljes, nuk duket as gjurma më e vogël e zhgënjimit, mllefit ose keqardhjes. Jezui nuk e pa të nevojshme t’ua numëronte gabimet dishepujve, përfshirë atë që kishin bërë natën kur e arrestuan.

Përkundrazi, Jezui i dha siguri Pjetrit dhe apostujve të tjerë. Ai u tregoi edhe një herë se kishte besim tek ata kur u dha udhëzime për veprën më të rëndësishme të arsimimit në historinë njerëzore. Për Jezuin, apostujt ishin ende miqtë e tij. Dashuria e tij la mbresa të pashlyeshme tek ata. Apostujt bënë maksimumin të mos e zhgënjenin kurrë më Zotërinë e tyre. Në fakt, e përmbushën me sukses detyrën që u parashtroi ai dishepujve.​—Vep. 1:8; Kolos. 1:23.

Një motër që quhet Elvira e ka të gjallë në kujtesë rastin kur pati një mosmarrëveshje me shoqen e saj të dashur Xhulianën. Elvira kujton: «Kur më tha se ishte lënduar nga ajo që kisha bërë, u ndjeva tmerrësisht keq. Kishte plotësisht të drejtë të zemërohej. Por më bëri përshtypje që ajo kishte më tepër merak për mua dhe për pasojat që mund të kishte sjellja ime. Do të jem gjithmonë mirënjohëse që nuk u përqendrua tek e keqja që i kisha bërë por, përkundrazi, te dëmi që po i shkaktoja vetes. Falënderova Jehovain që kisha një shoqe që vendoste mirëqenien time para ndjenjave të saj.»

Pra, si do të reagojë një mik i mirë kur miqësia është në rrezik? Do të jetë i gatshëm që, kur të jetë e nevojshme, të flasë me dashamirësi, por hapur. Ai mik do të jetë si Natani dhe Hushai, që qëndruan besnikë edhe në kohë të vështira, dhe si Jezui, që ishte i gatshëm të falte. A je edhe ti një mik i tillë?