NJË mëngjes pakëz të ftohtë në qytetin Brukings të Dakotës së Jugut, SHBA, kishte nisur një erë që të priste. Ajo më solli ndër mend që moti i acartë ishte në prag e do të merrte pushtetin. Ndoshta do të habiteni që pikërisht atë ditë ne, një grup i vogël, ishim mbledhur në një plevicë pa ngrohje e po dridheshim. Po qëndronim para një lugu ku pinin bagëtitë, i cili ishte mbushur pjesërisht me ujë të ftohtë. Që ta kuptoni përse, po ju tregoj pak për historinë e jetës sime.

JETA FAMILJARE NË VOGËLI

Xhaxha Alfredi dhe babai

Linda më 7 mars 1936, dhe isha më i vogli nga katër fëmijët. Jetonim në një fermë të vogël në lindje të Dakotës së Jugut. Puna në fermë ishte pjesë e rëndësishme e jetës sonë familjare, por nuk ishte pjesa më e rëndësishme. Prindërit e mi ishin pagëzuar si Dëshmitarë të Jehovait në vitin 1934. I ishin kushtuar Atit tonë qiellor, Jehovait, prandaj ajo që kishte përparësi mbi gjithçka për ta ishte të bënin vullnetin e Perëndisë. Im atë, Klarensi, e më vonë edhe xhaxhai im Alfredi, shërbenin në kongregacionin tonë të vogël në Kandi, Dakota e Jugut, si shërbëtorë kompanie (tani quhet koordinatori i trupit të pleqve).

Pjesëmarrja në mbledhje dhe shërbimi shtëpi më shtëpi për t’u treguar të tjerëve shpresën e mrekullueshme biblike për të ardhmen ishin pjesë e rregullt e programit tonë familjar. Shembulli i prindërve dhe stërvitja që na dhanë, patën ndikim të thellë pozitiv te ne fëmijët. Unë dhe motra ime, Dorotia, u bëmë lajmëtarë të Mbretërisë kur ishim gjashtë vjeç. Më 1943, hyra në Shkollën e Shërbimit Teokratik, që sapo kishte nisur të mbahej në mbledhjet tona.

Duke shërbyer si pionier më 1952

Kongreset dhe asambletë ishin pjesë e rëndësishme e jetës sonë. Vëlla Grent Sutëri ishte oratori  vizitues në një kongres të vitit 1949 në Su-Folls, Dakota e Jugut. Akoma e kujtoj fjalimin e tij me temë «Është më vonë se sa mendoni!» Ai theksoi se të gjithë të krishterët e kushtuar duhet ta përdorin plotësisht jetën që të shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë që ka filluar të qeverisë. Kjo më nxiti t’ia kushtoja jetën Jehovait. Në asamblenë tjetër qarkore, në Brukings, ndodhesha në atë plevicë akull të ftohtë që përmenda në fillim, duke pritur të pagëzohesha. Ai lug prej llamarine ishte «pishina» ku u pagëzuam katër veta më 12 nëntor 1949.

Pastaj vura synimin të shërbeja si pionier. E nisa këtë shërbim më 1 janar 1952, kur isha 15 vjeç. Bibla thotë se «kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur», dhe në familjen time kishte shumë të mençur që e mbështetën vendimin tim për të shërbyer si pionier. (Prov. 13:20) Xhaxha Xhuliusi, që ishte 60 vjeç, u bë shoku im i shërbimit. Pavarësisht nga diferenca e moshës, kaluam kohë shumë të bukura së bashku në shërbim. Nga përvoja e tij në jetë, pak nga pak fitova shumë mençuri të vyer. Pak kohë më vonë, edhe Dorotia u bë pioniere.

INTERES PERSONAL NGA MBIKËQYRËSIT QARKORË

Gjatë gjithë fëmijërisë e rinisë sime, prindërit ftonin shumë mbikëqyrës qarkorë me gratë e tyre që të rrinin te ne. Një çift, Xhesi dhe Lina Kantuell, më ndihmuan jashtë mase. Pjesërisht falë inkurajimit të tyre, mora vendimin që të bëhesha pionier. Interesi i tyre personal ushqeu tek unë një dëshirë të fortë për të vënë synime teokratike. Kur shërbenin në kongregacionet aty pranë, ndonjëherë më ftonin të dilja me ta në shërbim. Sa më kënaqte e më jepte zemër kjo!

Pas tyre, në qarkun tonë shërbeu si mbikëqyrës udhëtues Bad Milleri me të shoqen, Xhoanën. Në atë kohë isha 18 vjeç dhe po përballesha me çështjen e shërbimit ushtarak. Në fillim, komisioni i rekrutimit më klasifikoi në një mënyrë që s’më dukej në përputhje me nxitjen e Jezuit që dishepujt e tij të jenë asnjanës në politikë. Unë doja të predikoja lajmin e mirë për Mbretërinë. (Gjoni 15:19) Kështu, i bëra kërkesë komisionit të rekrutimit që të më klasifikonin si shërbëtor fetar.

U preka kur vëlla Milleri shprehu gatishmërinë të më shoqëronte në seancën para komisionit të  rekrutimit. Ai ishte tip i hedhur dhe nuk trembej kollaj. Sa kurajë mora tani që kisha përkrah një burrë me besim të fortë dhe me një karakter si i tiji! Si rezultat i asaj seance, në fund të verës së 1954-s komisioni më njohu si shërbëtor fetar. Kjo hapi rrugën që të arrija një synim tjetër teokratik.

Kur isha bethelit i ri, me një kamionçinë të fermës

Në atë periudhë mora një ftesë për të shërbyer në Bethel, në një vend që atëherë quhej Ferma Watchtower, në Stejtën-Ajlënd, Nju-Jork. Pata privilegjin të shërbeja rreth tre vjet atje. Si rrjedhojë, shijova gjithë ato përvoja të mrekullueshme ngaqë takova shumë të mençur dhe punova krah tyre.

SHËRBIMI NË BETHEL

Në WBBR me vëlla Francin

Ferma në Stejtën-Ajlënd përfshinte stacionin radiofonik WBBR, që u përdor nga Dëshmitarët e Jehovait në vitet 1924-1957. Në fermë ishin caktuar vetëm 15 deri në 20 anëtarë të familjes Bethel. Shumica prej nesh ishim të rinj e s’kishim përvojë. Por kishim mes nesh Eldon Uduorthin, një vëlla të mirosur të moshuar. Ai ishte vërtet njeri i mençur. Interesi atëror që tregonte për ne na jepte stabilitet frymor. Kur hera-herës papërsosmëritë e të tjerëve bëheshin një sfidë, vëlla Uduorthi thoshte: «Pa diskutim, është një mrekulli ajo që ka realizuar Zotëria me atë që ka në dispozicion.»

Heri Pitersoni kishte zell të paparë për shërbimin

Kishim privilegjin e veçantë që mes nesh të ishte edhe vëlla Frederik Franci. Mençuria dhe njohuria e tij e jashtëzakonshme për Shkrimet ndikuan për mirë te të gjithë ne. Veç kësaj, ai interesohej personalisht për secilin. Kuzhinieri ynë ishte Heri Pitersoni; në fakt e kishim më kollaj të përdornim këtë mbiemër se mbiemrin e tij të vërtetë, Papargiropulos. Edhe ai ishte i mirosur dhe kishte zell të paparë për shërbimin. Vëllai Piterson e bënte më së miri punën në Bethel, ama nuk e linte kurrë pas dore predikimin. Shpërndante qindra revista çdo muaj. Gjithashtu, ai kishte një minierë të pasur njohurie nga Shkrimet dhe u përgjigjej pyetjeve tona të shumta.

NXJERR DOBI NGA MOTRAT E MENÇURA

Prodhimet e fermës përpunoheshin po atje për të bërë konserva. Çdo vit konservoheshin rreth 42.600 kilogramë fruta e perime për tërë familjen Bethel. Kisha privilegjin të shërbeja me një motër vërtet të mençur, Eta Hëthin. Ajo ishte përgjegjëse për recetat që përdornim gjatë konservimit.  Gjatë sezonit të konservimit, vinin për të dhënë një dorë edhe motra nga zona përreth, dhe Eta ndihmonte në organizimin e punës së tyre. Edhe pse luante një rol të rëndësishëm në këtë punë, Eta bënte kujdes të linte një shembull të mirë duke respektuar vëllezërit që mbikëqyrnin fermën. Për mua, ajo ishte një shembull i shkëlqyer nënshtrimi ndaj kryesisë teokratike.

Me Anxhelën dhe Eta Hëthin

Anxhela Romano ishte një nga motrat e reja që vinin të ndihmonin për konservimin. Kur kishte hyrë në të vërtetën, atë e kishte ndihmuar Eta. Kështu, ndërsa shërbeja në Bethel, takova një të mençur tjetër, dhe tani bëhen 58 vjet që po eci me të. Anxhi dhe unë u martuam në prill 1958, dhe së bashku kemi shijuar shumë privilegje shërbimi. Përgjatë viteve, besnikëria e saj e palëkundur ndaj Jehovait ka qenë burim force në martesën tonë. Mund të mbështetem absolutisht tek ajo në çfarëdo vështirësie që hasim.

CAKTIMI MISIONAR DHE VEPRA UDHËTUESE

Pas shitjes së ndërtesave të stacionit WBBR në Stejtën-Ajlënd më 1957, shërbeva për pak kohë në Bethelin e Bruklinit. Pastaj Anxhi dhe unë u martuam, ndaj u largova nga Betheli dhe për afro tre vjet shërbyem si pionierë në Stejtën-Ajlënd. Madje për njëfarë kohe punova për pronarët e rinj të stacionit radiofonik që quhej shkurt WPOW.

Bashkë me Anxhin ishim të vendosur të mbanim një jetë të thjeshtë, që të ishim gati të shërbenim kudo që të kishin nevojë për ne. Si rezultat, në fillim të vitit 1961 patëm mundësi të pranonim caktimin si pionierë specialë në Folls-Siti, Nebraskë. Sapo kishim bërë këtë ndryshim, kur na erdhi ftesa për të ndjekur Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë, një kurs që në atë kohë zgjaste një muaj dhe mbahej në Lansingun Jugor, Nju-Jork. E shijuam atë arsimim dhe pritnim të ktheheshim në Nebraskë për ta përdorur stërvitjen. Ja pse u befasuam kur morëm një caktim të ri—misionarë në Kamboxhia! Në atë vend të bukur në Azinë Juglindore u gjendëm mes pamjeve, tingujve e aromave ekzotike që ndryshonin nga çdo gjë që kishim provuar më parë. Dëshironim me zjarr të përhapnim lajmin e mirë atje.

Mirëpo, situata politike ndryshoi dhe na u desh të transferoheshim në Vietnamin e Jugut. Mjerisht, pa kaluar dy vjet, pata probleme të rënda shëndetësore, ndaj na nxitën të ktheheshim në vendlindje. M’u desh ca kohë të merrja veten, por sapo u shërova, nisëm sërish shërbimin e plotkohor.

Me Anxhelën më 1975, para një interviste televizive

Në mars të 1965-s morëm caktimin t’u shërbenim kongregacioneve në veprën udhëtuese. Për 33 vjet, unë dhe Anxhi shijuam qoftë veprën qarkore, qoftë atë krahinore, ku përfshihej goxha punë për organizimin dhe mbajtjen e kongreseve. Për mua kongreset kanë qenë gjithmonë ngjarje shumë të rëndësishme, prandaj ishte kënaqësi të ndihmoja në organizimin e tyre. Për disa vjet ishim në zonën e qytetit të Nju-Jorkut, dhe mjaft kongrese mbaheshin në stadiumin «Jenki».

RIKTHIMI NË BETHEL DHE SHKOLLAT TEOKRATIKE

Siç ka ndodhur me shumë veta në shërbimin special të plotkohor, Anxhin dhe mua na prisnin caktime emocionuese dhe sfiduese. Për shembull,  më 1995, më kërkuan të shërbeja si instruktor në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Tre vjet më vonë, na ftuan në Bethel. Çfarë gëzimi të kthehesha aty ku kisha filluar shërbimin special të plotkohor mbi 40 vjet më parë! Për njëfarë kohe, punova në Repartin e Shërbimit dhe si instruktor në disa shkolla. Më 2007, Trupi Udhëheqës i vuri shkollat që mbaheshin në Bethel nën mbikëqyrjen e një reparti të ri, Repartit të Shkollave Teokratike. Për disa vjet pata privilegjin të isha mbikëqyrësi i këtij reparti.

Kohët e fundit kemi parë një sërë ndryshimesh domethënëse në fushën e arsimimit teokratik. Më 2008 u hap Shkolla për Pleqtë e Kongregacionit. Për dy vitet pasuese, në Paterson dhe në Bethelin e Bruklinit u arsimuan më shumë se 12.000 pleq. Kjo shkollë po vazhdon të zhvillohet në pika të tjera, ku japin mësim instruktorë në fushë që janë të stërvitur. Më 2010, Shkolla e Stërvitjes për Shërbim u quajt Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë dhe u hap një shkollë e re, Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere.

Që nga viti i shërbimit 2015, këto dy shkolla u bashkuan dhe u formua Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Në të mund të arsimoheshin çifte ose motra a vëllezër beqarë. Shumë veta përreth globit s’i mbante vendi nga gëzimi kur morën vesh se kjo shkollë do të mbahej në shumë degë. Sa emocionuese është të shohësh se si shtohen mundësitë për arsimim teokratik! Jam thellësisht mirënjohës që kam takuar shumë prej atyre që vihen në dispozicion për të marrë këtë stërvitje.

Kur kthej kokën pas dhe mendoj për jetën time që para se të pagëzohesha në lugun me ujë e deri tani, falënderoj Jehovain për të mençurit që më ndihmuan në udhën e së vërtetës. Ata nuk kishin të njëjtën moshë me mua ose të njëjtën prejardhje. Por brenda tyre, në zemër, ishin njerëz frymorë që kishin dashuri të thellë për Jehovain, e kjo dukej qartë nga veprat dhe nga qëndrimi i tyre. Në organizatën e tij, kemi shumë të mençur me të cilët mund të ecim. Unë e kam bërë këtë dhe kam nxjerrë vërtet dobi.

Kënaqem kur takoj studentë nga e gjithë bota